Imami Aga: Frika e shumë shqiptarëve është përsëritja de facto e një autokracie alla komuniste

Emri:  Gazmend-Aga-1140x570.jpg

Shikime: 136

Madhësia:  20.5 KB

Për zgjedhjet e 25 prillit, ku fituese doli Partia Socialiste e Shqipërisë, është shprehur edhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptaro-Amerikan (AAMC), Gazmend Aga, i cili thekson se në 8 vitet e kaluara, herë-herë u treguan shenjat autokracie. ”Është përgjegjësi mbi votuesit dhe drejtuesit e PS-së përballë njerëzve dhe Zotit, që të mos lejojnë finalizimin e një autokracie të tillë. Çdo vendim që merret me arsyetimin e kafshatës së bukës mbi kurriz të pjesës së mbetur të popullit, do të ketë përgjegjësi historike në këtë botë dhe përballë Zotit në botën tjetër”,-shkruan Aga. Po ashtu, ai thekson edhe se nga autokracia herët a vonë të gjithë dalin të humbur. ”Hiqeni këtë frikë nga njerëzit e mirë që e duan këtë vend dhe akoma përpiqen për të dhënë diçka. Prishjani planet për aplikime vizash duke mos treguar arrogancë dhe duke mos ndërtuar një sistem autokratik. Mos harroni se nga autokracia herët a vonë të gjithë dalin të humbur”.

Shkrimi i plotë

Frika e shumë shqiptarëve është përsëritja de facto e një autokracie alla komuniste. Shenja të kësaj autokracie u treguan herë-herë në 8 vitet e kaluara. Mbyllja e medias dhe presioni ndaj gazetarëve, shembja e teatrit, trysnia ndaj disa prej subjekteve private për arsye perfitimi, formimi i oligarkëve dhe ndërtimet e makiazhit dhe tendera të frikshëm pro qarqeve të caktuara, ishin veç disa që mund të përmenden.

Klithma e shumë njerëzve apolitike ndaj qeverisë aktuale, ishin pikërisht për këto arsye. Jo të gjithë ishin pro PD-së apo kandidatëve të saj, por kundër atmosferës autokratike. Askush që kundërshton këto nuk duhet anatemuar.

Unë jam teolog dhe pavarësisht sesi çdo qytetar edhe unë kam bindjet e mia politike, ku një teolog mund të variojë nga një teolog tjetër, në lëvrimin e diskursit publik më duhet të shpreh një mendim sipas principeve dhe jo ndjenjave apo opinioneve personale.

Njerëzit e fesë historikisht janë ndarë në tre grupe;

1-Ata që shpreheshin pro qeverisë.
2-Ata që shpreheshin kundër vendimeve arbitrale të qeverive.
3-Ata që heshtnin; as lavdëronin, as kundërshtonin.

Nëse bëhet fjalë thjesht për nuanca në politike, teologu nuk duhet të shprehet pro apo kundër një partie. Në raste kur shkelen principet themelore të një shoqërie të lirë dhe hidhen themele autokracie, atëherë është obligim mbi çdo teolog të ketë një qëndrim ndaj këtij fenomeni. Teologët pro qeverive të tilla për përfitime materiale, mund të kenë hove rritjeje në masë, por në memorien e ndërgjegjes kolektive nuk kanë asnjëherë një vend të respektueshëm.

Refreni se është e lehtë të flasësh nga jashtë shtetit, është pikërisht refren i një shoqërie me qeverisje autokratike. Në këtë rast, fatkeqësisht themelet janë hedhur dhe po konkludohet një procesi shumëvjeçar. Zoti i ndihmoftë qytetarët që jetojnë në një vend të këtillë. Është përgjegjësi mbi votuesit dhe drejtuesit e PS-së përballë njerëzve dhe Zotit, që të mos lejojnë finalizimin e një autokracie të tillë. Çdo vendim që merret me arsyetimin e kafshatës së bukës mbi kurriz të pjesës së mbetur të popullit, do të ketë përgjegjësi historike në këtë botë dhe përballë Zotit në botën tjetër.

Ne e kemi parë këtë film dhe po e shohim edhe në vende simotra/sivllai të Shqipërisë. Shpresoj të mos e shohim përsëri në vendin tonë, pavarësisht se herë-herë pamë ‘trailer’ të autokracise. Hiqeni këtë frikë nga njerëzit e mirë që e duan këtë vend dhe akoma përpiqen për të dhënë diçka. Prishjani planet për aplikime vizash duke mos treguar arrogancë dhe duke mos ndërtuar një sistem autokratik. Mos harroni se nga autokracia herët a vonë të gjithë dalin të humbur!

Mos harroni se kur prishet shtëpia e komshiut, do t’i shkunden themelet edhe tuajës! Do të kujtoheni në lutjet e shumë njerëzve të mirë nëse ndërtoni ose nuk lejoni autokracinë. Zoti ja shpërbleftë çdokujt që përpiqet me sinqeritet dhe largpamësi për të mirën e vendit dhe jo të mirë personale. Muaji i Ramazanit vazhdon dhe le të lutemi për vendin tonë.

Koha Jonë