Gjuhëtari Xhevat Lloshi: Duhet hartuar një Fjalor i ri për Gjuhën Shqipe dhe një kopsht për albanologët

Gjuhëtari edhe studiuesi i njohur pas vlerësimit me çmimin “22 Nëntori” në Maqedoninë e Veriut rrëfen përpjekjet për alfabetin e shqipe dhe bën apel shtetit që të ngrejë një institucion, ku të punohet për një fjalor të ri të gjuhës shqipe.



Gjuhëtari dhe studiuesi Xhevat Lloshi u vlerësua gjatë ditëve të Kongresit të Manastirit në Maqedoninë e Veriut me çmimin “22 Nëntori”. Për këtë vlerësim shtetëror që ka në qendër mirënjohjen ndaj intelektualëve, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, profesori rrëfen se ndihet i nderuar.

Nga periudhat historike të shqipes tek Kongresi i Manastirit për Alfabetin dhe më tej i Drejtshkrimit në vitin 1972, Lloshi, si bashkëpunëtor shkencor i Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980, sot pas 40 vitesh ndalet dhe tek rëndësia e hartimit të një Fjalori të ri për Gjuhën Shqipe dhe një kopsht për albanologët më të shquar.

Profesor urime për çmimin “22 Nëntori” në Maqedoninë e Veriut. Por, çfarë i shton punës suaj ky vlerësim?

E ndiej veten të nderuar për këtë çmim, por mendoj se çmimi duhet vendosur në një kuadër më të gjerë. Në Maqedoninë e Veriut, prej disa vitesh është themeluar një Institut i Trashëgimisë Kulturore edhe Shpirtërore, që e drejton Skënder Hasani. Prej tyre është bërë një punë, për të nxjerrë në dritë këto vlera. Kështu ndodhi, pasi Kongresi i Ditëve të Manastirit nuk u bë në vendin tonë. Instituti para disa vitesh themeloi një forum shkencor, që është Java e Albanologjisë nga 14 deri në 22 Nëntor. Në këtë forum ftohen albanologë nga treva të ndryshme shqipfolëse, që të mbajnë kumtesa për këto çështje. Në këtë mënyrë Kongresi i Manastirit ka dhënë mundësinë që të zhvillohet kjo veprimtari për kulturën shqiptare. Prandaj u propozua që të jepet dhe ky çmim shtetëror i bazuar në bazë të rregullave të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Në këto rrethana, unë e ndiej veten të nderuar, ku vjet ishin tre autorë. Ndërsa këtë vit unë dhe akademiku Aliu Aliu. Nderi është se përfshihemi në një traditë kulturore historike shqiptare, që ka rëndësi jo thjesht për momentin kur u bë, por edhe për ditët e sotme. E para, sepse u vendos ky alfabet që kemi sot. Kongresi i Manastirit përcaktoi bashkimin edhe frymën e përbashkët të shqiptarëve, frymëzimin e përbashkët të shqiptarëve për Pavarësinë e Shqipërisë. Ata shtruan çështjen, si do të bëhet vendimi për Shpalljen e Pavarësisë? Me ç’alfabet do të shkruhet? Me një alfabet që e kanë vendos vet shqiptarët. Kongresi shtroi një ide të madhe të përbashkësisë së shqiptarëve, të kulturës shqiptare që vetëm katër vjet më vonë do të ndodhte. Kongresi i Manastirit u realizua më një komision që u ngrit befas. Kishte disa shekuj që bëheshin prova të ndryshme. Çdo shqiptarë, kur ka bërë një alfabet origjinal, ka bërë përpjekje për ta pas alfabetin shqiptar me shkrim. Të gjitha kontributet e të huajve dhe të shqiptarëve, e kishin të qartë, se cili është sistemi fonetik i shqipes së shkruar, edhe cilat duhet të ishin shkronjat për këtë. Kongresi i Manastirit ishte një përfundim shkencor i një rruge të gjatë të Gjuhës Shqipe. Pasi u përcakta alfabeti, çështja që u diskutua ishte Drejtshkrimi, me këtë u mor Komisia Letrare e Shkodrës, Kongresi i Lushnjës, dhe erdhëm tek viti 1972 tek Kongresi i Drejtëshkrimit.

Si u mbështet, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) nga të gjithë shqiptarët?

Pas vitit ’44 janë bërë disa variante, derisa erdhëm tek ’65-a, kur kjo trajtë e përgjithshme e drejtshkrimit për shqipen u mbështet gjerësisht në Kosovë. “Një komb, një gjuhë letrare”. U bë një konsultë në Kosovë dhe u bë e mundur që ky drejtshkrim të mbështetet nga të gjithë shqiptarët. Ishte punë e një rruge të gjatë, që pavarësisht kundërshtimeve, sot kemi një prodhim të shkruar të jashtëzakonshëm në gjuhën shqipe, që vërteton se zgjidhjet që janë gjet nga Kongresi i Manastirit deri në ditën e sotme, i shërbejnë kësaj gjuhë që pasuron edhe lëvrohet çdo ditë.

Nga delegatët e Kongresit të Manastirit, ju keni botuar një libër për Gjergj Qirjazin. Përse keni zgjedh këtë emër?

Në Kongresin e Manastirit shqiptarët shkuan me mendim të qartë, se duhet që të jepnin një alfabet të pranueshëm për të gjithë shqiptarët. Duke studiuar dokumentet, më del se jo vetëm Kongresin e organizoi klubi “Bashkimi”, por në këtë klub rolin kryesor e luante Gjergj Qirjazi. Programin, ftesën, të gjitha idetë e këtij Kongresi me shkrim i ka shkruar Gjergj Qirjazi, që jo rastësisht ditën e parë të kongresit e hapi Gjergj Qirjazi. Edhe aty u vendos që në krye të Kongresit të vihej kryetar Mit’hat Frashëri se ai përfaqësonte alfabetin e Stambollit, që kishte përhapjen më të gjerë deri në atë kohë në shkrimet shqipe. Edhe pastaj me një mendim të shkëlqyer, pavarësisht kontradiktave, por që rezultati ishte i përbashkët, ata ngritën një komision me 11 veta, që në krye ishte Gjergj Fishta. Kemi një kompleksitet. Nga ana tjetër, ideja e bashkimit kishte dy aspekte. Një anë aspekti i bashkimit të forcave të dialekteve të ndryshme të shqipes dhe nga ana tjetër bashkimi i shqiptarëve, që përkisnin besimeve të ndryshme fetare. Është simbolike, që kryetar ishte një mysliman, kryetar i komisionit një katolik nga Shkodra, edhe Gjergj Qirjazi ishte protestant. Nuk ka qenë asgjë e rastësishme. Ishte çdo gjë e përkryer. Kjo ide ka nis që me shoqërinë e Stambollit. Jo rastësisht abetaren e Stambollit e kishin hartuar Sami Frashëri, Pashko Vaso, dhe Jani Vreto. Pashko ishte katolik, Samiu mysliman edhe Vreto ortodoks. Ata kishin ndoshta edhe të tjerë që mund të shkruanin më mirë se Vreto. Por donin që të arrinin simbolizonin edhe bashkimin e shqiptarëve.

Edhe nëse ndalim tek periudhat historike të gjuhës shqipe, cilat janë ato?

Periudhat historike të shqipes janë të njëjta me gjuhët e tjera të Europës. Lartësimi më i mirë për shqipen është që gjuha shqipe është në nivelet e gjuhëve europiane. Jo për mendimin tim, por shkenca shqiptare, duke përfshirë arkeologjinë, muzikën etj., kanë arrit në përfundimin se shqiptarët janë vazhdim i një grupi fisesh të Ilirisë Jug-Perëndimore, të cilët nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e nëntë, përjetuan një periudhë që e quajmë etnogjeneza. Nga ilir u shndërruan në arbëresh. Ky ishte një proces që ka ndodh me të gjithë popujt e tjerë të Evropës. Ky popull, arbëreshët vazhdon me këtë emër deri në shekullin e XVII-të. Kur pastaj pas një identiteti të ri që e krijoi lufta e Skënderbeut e ndërroi edhe emrin, se emri arbëresh në këtë shekull nuk arrinte që t’i mbulonte të gjithë. Në shekullin XVIII ne dalim me emrin shqiptar. Për mendimin tim, kështu kemi një rrjedh nga Ilirët, tek arbëreshët, tek shqiptarët e sotëm. Nga një shqipe e vjetër, tek një shqipe e mesme e deri tek shqipja e re, që është shqipja e sotme.

Diskutime të shumta edhe pak përpjekje kemi vënë re edhe në hartimin e një Fjalori të ri të Gjuhës Shqipe. Çfarë do të propozonit?

Unë mendoj, se fjalori është nyja qendrore e punimeve për gjuhët në kohët e sotme. Popujt, kombet, kudo në botë kanë studime, gramatika etj. Por vepra që bëhet e përditshme për të gjithë njerëzit është fjalori. Por kemi një gjë se, fjalori pasurohet çdo ditë. Nëse ne botuam një fjalor në 1980, kjo s’do të gjithë se prej 40 vitesh s’kanë ndryshuar mjaft gjëra. Prandaj është e nevojshme që të punohet më tej për në mënyrë shkencore fjalorin e gjuhës shqipe. Por për fat të keq, nuk kemi asnjë institucion që të merret me këtë punë. Prandaj shteti shqiptar, punonjësit e shtetit kanë nevojë që të merren me fjalorin e gjuhës. Nuk ka vend në Europë, që të mos ketë një institucion që të mos merret me fjalorin. Ka edhe institucione private, që bëjnë një punë shumë të mirë. Nëse shteti se bën këtë punë, u bëj thirrje njerëzve, që kanë një ndjenjë të lartë kombëtare, të shpenzojnë shumë lekë, që t’i japin këtij vendi një produkt shumë të rëndësishëm.

Një propozim juaj, është edhe për një muze për albanologët...

Është menduar që të ndërtohet një Bibliotekë e re në qytet, ku unë mendoj të këtë një kopsht që t’u kushtohet albanologëve dhe të kemi emra të shquar që t’i shikojë çdo vizitorë, që do të shkojë në bibliotekë.

Edhe së fundmi, çfarë keni në duar?

Së fundmi, kam përfunduar një libër që i kushtohet “Vështrimit stilistik të veprave kryesore të letërsisë shqipe”. Por, po punoj edhe për ribotimin e veprave të Sami Frashërit në 6 vëllime, duke sjell gjëra të reja. Nga ana tjetër kam botuar pesë vëllime me botimet e Kristoforidhit, tani botoj edhe të gjashtin.

Shqiptarja