“Zbrazi të pesë fishekët”/ Shkrimet e shtypit botëror për atentatin ndaj Zogut në Vjenë më 20 shkurt 1931: Dashuria për baroneshën Maria de Janko, i shkaktoi…

Emri:  zogu-mbret.jpeg

Shikime: 1092

Madhësia:  102.4 KB

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur të atentatit që i’u bë Mbretit Zog më 20 shkurt të vitit 1931 teksa ai ndodhej për kurime në Vjenë, nga ana e një grupi emigrantësh politikë shqiptarë që jetonin në kryeqytetin austriak, me në krye Ndok Gjeloshin, Aziz Çamin, dy ish-oficerët e Ushtrisë Shqiptare që kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, si dhe Qazim Mulletin e Angjelin Sumën, të cilët pasi kishin zënë pritë në portën kryesore të Teatrit të Operas së Vjenës, qëlluan disa herë me revolverët e tyre ndaj Zogut dhe adjutantëve të tij, në kohën që ai po hipte në automjetin e tij që e priste aty afër, duke lënë të vrarë në vend, majorin Llesh Topallaj dhe duke plagosur ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ekrem bej Libohova.

Si u përcoll ai lajm dhe e gjithë ngjarja e atentatit ndaj Mbretit Zog që shpëtoi për mrekulli pa u prekur nga plumbat e atentatorëve, në gazetat më të mëdha të Europës dhe atyre të SHBA-ve, si: “The New Jork herald”, “Daily Telegraph”, Daily Express”, “Chicago Tribune”, “Moring Post”, “Universul”, “Daily Herald”, etj., të cilat gjetën rastin dhe botuan për disa muaj me rradhë në faqet e tyre me dhjetra artikuj, ku përveç ngjarjes në fjalë, i kushtuan shumë shkrime edhe miqësisë së Mbretit Zog me baroneshën austriake Maria de Janko dhe motrën e saj, Franciska de Janko, të cilat kishin qenë për disa kohë në Tiranë dhe me vajtjen e Zogut në Vjenë, edhe ato kishin shkuar aty duke u akomoduar në Hotel “Regina”, ku Mbreti i Shqiptarëve gjatë gjithë atyre ditëve, i frekuentonte shpesh dhe dilte me to në shëtitje në parqet më të bukura të Vjenës.

“Nji mësymje e egër mbi Mbretin e Shqipnies Zog, u ba sonte vonë në Vjenë ku Mbreti kishte ardh me u sherue prej Nevrostenies dhe prej helmit të nikotinit. Mbreti Zog me suitën e tij dhe me ca zyrtarë austriakë po sa kishte dalë prej Operas ku luajte “Legenda e Joze”, e kondaktueme prej Richard Strau dhe sa po zue vënd n’ë automobilin qi e priste jasht operas, u ndëgjuan krismat e revolvervet në të dy anët e automobilit. Mësyesit, dy njerëz veshun mirë me rrobat natet, qitshin me pushkë në xhamat e automobilit prej nji distance s’ë afërme. Njerzit e Zogut e rrethuen automobilin dhe nxorrën revolet prej brezit dhe qëlluen mbi katilat me nji gjakftohtësi, tuj pandeh se gjendeshin në majë të maleve në zëmër të Shqipnisë dhe jo pranë operas së madhe të Vjenës. Major Topollaj, nji prej suitës së Mbretit, bashkë me nji ministër më trim, sakrifikuen jetën tuj i ba ballë trimnisht shiut të plumbave me qëllim që të shpëtojnë Mbretin e tyne. Topallaj shtjeu katër herë me revolver para se me ra i vdekun në tokë para se nji plumb i hini në true. Tuj ra majori, ministri i tij, Marshall Libohova, i cilli ka nji trup të madh, dolli para Mbretit dhe vazhdoi të shtjer mbi katilat qi u mbrapsojshin gjer sa muer nji plumb në kamë. Dymbëdhjet të shtime u banë mbi Mbretin dhe shpëtimi i tij u duk nji gja e mrekullueshme. Katilat mbasi nuk mujtën me ja mbrrit qëllimit të tyne, u mundun të hiskshin, por populli i Vjenës, i hidhëruem nga përdorimi i bujaris së qytetit të tyne, i kapi katilat dhe i rrahne për së keqi, deri sa ardhi policija. Të dy katilat i dërguan në nji burg dhe tash jan tuj u pyt. Mbreti Zog i cilli mbajti gjakftohtësin gjatë kësaj ngjarje, morri nji automobile dhe vajti në Hotelin “Imperial” në Ringstrasse ku banon që kur ka ardh në Vjenë”.

Kështu shkruhet në mes të tjerash në gazetën britanike “Daily Expres” të datës 21 shkurt të vitit 1931, e cila në faqet kryesore të saj jepte lajmin e atentatit që i’u bë Mbretit Zog nga ana e një grupi emigrantësh politik shqiptar me në krye: Ndok Gjeloshin, Aziz Çamin, Qazim Mulletin dhe Angjelin Sumën, që jetonin si azilantë në kryeqytetin austriak, të cilët pasi kishin bërë planin e vrasjes së Zogut, atë ditë kishin zënë pritë përballë hyrjes kryesore të Teatrit të Operas së Vjenës, ku Mbreti Shqiptarëve i shoqëruar dhe nga adjutanti i tij, major Llesh Topollaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem bej Libohova, po ndiqnin shfaqjen e operas “Legenda e Joze”, dhe në momentin që ata dolën dhe po hipnin në automjetin që i priste fare afër portës kryesore të godinës së Operas, ata qëlluan me disa plumba nga revolverët e tyre, duke lënë të vdekur në vend adjutantin e Mbretit, major Llesh Topollajn dhe duke plagosur ministrin e Punëve të Jashtme, Ekrem bej Libohova, që me trupin e tij mbrojti Zogun, i cili me revolverin e tij, qëlloi disa herë ndaj atentatorëve.

Lidhur me këtë ngjarje e cila është bërë publike vetëm pas viteve ’90-të, Memorie.al ka siguruar një dosje voluminoze nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, (e cila botohet për herë të parë), ku ndodhet një korespondencë e ministrisë së Punëve të Jashtme të Monarkisë së Zogut me Konsullatën shqiptare në Vjenë, e cila në mes të tjerash i dërgoi në Tiranë edhe të gjitha fotokopjet e gazetave më të njohura të Europës dhe SHBA-ve, që për disa muaj me rradhë, i kushtuan shumë shkrime ngjarjes në fjalë. Të gjitha këto artikujt të përkthyera në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë si dhe dokumentet e ndryshme arkivore rreth ngjarjes së atentatit ndaj Mbretit Zog, Memorie.al po i publikon në disa numra rradhazi, duke filluar nga shkrimi i sotëm dhe duke i dhënë ato me gjuhën e shkruar të asaj kohe, pa asnjë ndryshim siç ndodhen në dosjen përkatëse.

Shtypi botëror mbi ngjarjen e atentatit ndaj Mbretit Zog në Vjenë

Nxjerrun prej fletores “Daily Express”

Fryer 21, 1931

NJ I A T E N T A T P E R T E V R A NJ I M B R E T

Dymbëdhjet të shtime mbi sundimtarin e Shqipnis

Ministri vdes për me shpetue Mbretiun Zog

D R A M A N Ë TH E A T R I N E V J E N Ë S

Luftë revolesh nëpër dritoret e automobilavet

Prej P. Pembroke Stephens

“Daily Express”, korespondent

Vjenë, e premte

Nji mësymje e egër mbi Mbretin e Shqipnies Zog, u ba sonte vonë në Vjenë ku Mbreti kishte ardh me u sherue prej Nevrostenies dhe prej helmit të nikotinit.

Mbreti Zog me suitën e tij dhe me ca zyrtarë austriakë po sa kishte dalë prej Operas ku luajte “Legenda e Joze”, e kondaktueme prej Richard Strau dhe sa po zue vënd n’ë automobilin qi e priste jasht operas, u ndëgjuan krismat e revolvervet në të dy anët e automobilit.

Mësyesit, dy njerëz veshun mirë me rrobat natet, qitshin me pushkë në xhamat e automobilit prej nji distance s’ë afërme.

Njerzit e Zogut e rrethuen automobilin dhe nxorrën revolet prej brezit dhe qëlluen mbi katilat me nji gjakftohtësi, tuj pandeh se gjendeshin në majë të maleve në zëmër të Shqipnisë dhe jo pranë operas së madhe të Vjenës.

Major Topollaj, nji prej suitës së Mbretit, bashkë me nji ministër më trim, sakrifikuen jetën tuj i ba ballë triminisht shiut të plumbave me qëllim që të shpëtojnë Mbretin e tyne. Topallaj shtjeu katër herë me revolver, para se me ra i vdekun në tokë para se nji plumb i hini në true.

Tuj ra majori, ministri i tij, Marshall Libohova, i cilli ka nji trup të madh, dolli para Mbretit dhe vazhdoi të shtjer mbi katilat qi u mbrapsojshin gjer sa muer nji plumb në kamë.

Dymbëdhjet të shtime u banë mbi Mbretin dhe shpëtimi i tij u duk nji gja e mrekullueshme.

Katilat mbasi nuk mujtën me ja mbrrit qëllimit të tyne, u mundun të hikshin, por populli i Vjenës, i hidhëruem nga përdorimi i bujaris së qytetit të tyne, i kapi katilat dhe i rrahne për së keqi, deri sa ardhi policija.

Të dy katilat i dërguan në nji burg dhe tash jan tuj u pyt.

Mbreti Zog i cilli mbajti gjakftohtësin gjatë kësaj ngjarje, morri nji automobile dhe vajti në Hotelin “Imperial” në Ringstrasse ku banon që kur ka ardh në Vjenë.

Kur unë mbrrita në skenë pak kohë pas ngjarjes, shtyllat e Oborrit t’Operas ishin mbulue me gjak dhe toika aty pari ishte mbush me copa xhomit të thyem nga automobilat. Plumbat kishin shpue kapakët e hekurit të dyqanit qi shet nota muziket.

Ato me të parët që shkuen me urue Mbretin për shpëtimin e tij dhe me i shpreh hidhnimin për ngjarjen ish – Ministër I Punëve të Jashtme i Austris Z. Schober dhe ambasadori I Italies.

Zogu çe se pat ardh në Vjenë pas asistue dhe nji çfaqje tjetër të theatrit, “M. Cindares”, nji komedie muzikale angleze dhe ather qe vue roe se okuponte nji vend në fund të llozhës dhe llozhat përbri dhe karshi llozhës së tij ishin okupue prej suoitës dhe dedektivëve të tij.

Major Topallaj ka kenë nji katolik. Ka lanë mbrapa nji grue mohamedane të bukur prej nji nga familjet ma të mira.

Martesa e përzieme e tij ka qenë e para qi u ban ë bazë të ligjës së re të Mbretit Zog qi lejtonte martesën në mes të muhamedanëve dhe katolikëve.

Katilat janë dy oficerat e rie artilerijet të quejtun Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi. Të dy kanë marrë pjesë në revolucionin e 1924 qi qe shtyp pa mëshirë prej Mbretit Zog dhe emigruen tuj prit rradhën e tyne me marrë gjakun.

Në kohën kur Zogu i pashëm dhe avneturier u ba president i republikës, mbasi pat sundue nji fis, ai bani shumë anmiq.

Jo ma pak se 800 vetë janë betue me ja marr gjakun të afërmëve të tyne, që janë vra para derës së pallatit të Zogut.

Në Shqipninë e shkrepave, akoma kusarët grabisin karavone dhe gjak-marrja konsiderohet me nji indiferencë dhe me nji detyrim si pagesa e një borxhit.

Mbreti asht si nji i burgopsun në pallat të tij, i mbrojtun ditë e natë prej shërbëtorëvet dhe prej fisit të vet. Ai kurrë nuk shikon prej dritores për arsye se ka frikë qi mos të vritet dhe ka nji herë në të rrallë kur shkon për shëtitje, organizohet mirë për mbrojtje.

Kur çeli asamblen për të mbramen herë në të gjitha rrugët çe prej pallatit ishin rreshtue ushtarë për me paksue kercënimin e vrasjes gjys për gjys.

Mbreti shpreson me zhduk zakonet tradicionale. Gjak marrja ekziston çe prej 15 shekull. Në fiset e Veriut, jo ma pak se 3000 vetë janë vra gjatë një viti. Në qarkun e Poplanit përqindja e vrasjes pat mbërritun deri 42.

Përk. A. Gj.



Nxjerrun prej “The New Jork Herald”, Edicioni i Parisit

22 Fruer 1931

Roma do të ndërhynte me armë në rase qi atentatorët t’ja kishin mbërritë qëllimit të tyne

Dy oficerat e arratisun do të dërgohen në gjyqë. Mbreti do të rri në Vjenë me tregue se nuk ka frigë.

Vjenë, e shtunë.

Randësija politike ashtu dhe njerzore e mos arritjes së qëllimit t’atentatit të bamun Mbretit Zog theksohet në komenta prej fletores së këtushme. Vdekjen e pabefas e sundimtarit të Shqipnisë, thuhet se gadi pozitivisht do të kish shkaktue lëvizjen italjane.

“New rei Presse”, thekson faktin qi traktati i Tiranës i jep të drejtë Italisë me ndërhye me armë në rast se bahet nji mësymje prej së jashtmi ase ndoj kryengritje e mbrendëshme. Nji kryengritje e ktillë do të ish e paevitueshme në rast qi Zog do të vdes pa ardh koha, për shkak se ai sot asht i vetmi shqiptar me mjaft autoritet me ruejt paqen e vendit të tij.

“Fletorja mandaj dëften ndollinë e ngjarjes siç e ka rrëfyer z. Çatin Saraçi.

Nxjerrun prej fletores “Chicago Tribune” Paris, 22 Fruer.

Mbasi fletorja shkruen ndodhien e ngjarjes dhe rrëfimin e atentatorëve shkruen kështu:

Të dy e quajnë Mbretin tradhëtor

Të dy oficerët thanë se ata u munduen me vra Mbretin për shkak qi aj asht tradhëtor i atdheut. Dhjet vjet para, Çami duke jasht atdheut.

Mbreti Zog sot në mëngjez ka ndej në shtrat për arsye se vuen nga tronditja e ngjarjes me gjithë që nuk ka prekun prej asnji plumbi. Ministri i tij, z. Libohova q’i u plagos në kambë asht jashtë rrezikut. Trupi i Topollajt q’u vra do të dërgohet për vorrim nesër në Tiranë.


Nxjerrë prej Fletores “Morning Post”

Fruer 23

NJ Ë P I K Ë E RR E Z I K SH M E

Responsabiliteti i Italisë kundrejt Zogut

(Prej korrespodnentit t’onë)

Romë, 22 Fruer.

Atentati ba kundrejt jetës së Zogut shikohet këtu si një provë tjetër për ta ba Shqipninë një vënd zjarrit për një eksplacion të Ballkanit. Kjo provë e turbullinave në kufi të Shqipnisë, pregatiotet prej politikanëve t’arratisun shqiptarë qi kanë qëndrën në Vjenë, komentohet tepër në shtypin e Romës dhe besohet se fuqiet e mçeftë, mbrapa ktyne trazinave, do t’i drejtoheshin kundër Italies.

Vdekja e Mbretit Zog do të kishte shkaktue reaksjone të këqija. Me traktatin Italo-Shqiptar nënshkrue me Naddorin e 1927, qeverija Italiane detyrohet për nji prej nji kohe prej 20 vjetësh me sigurue integritetin dhe indipendencën komplete të Shqipnisë, ashtu si përfaqësohet prej regjimit mbretnuer të Zogut, dhe Italia mere përsipër, në rast nevojet, me i dhanë ndihmë regjimit të Zogut me gjithë forcat ushtarake dhe financjare në rast të ndonjë luftës së pa provokueme ase në rast të një kërcënimi luftet qi mund t’i bahet Shqipnisë.

Ndoj revolucjon serioz në Shqipine do të justifikonte ndërhyrjen e Italisë, nji hape kjo qi do të shkaktonte mobilizimin imediat të Jugosllavisë.

Përk. A.Gj.



Nxjerrun prej Fletores “Daily Telegraph”

London 24 Fryer 1931

ROMANCI I MBRETIT ZOG

Për çfarë arsyje Mbreti qëndroi në Vjenë

Nji baroneshë e re Vjeneze

Prej korespodentit t’onë

Vjenë, e hanë.

Miksija romantike ndërmjet Mbretit Zog dhe të nji baroneshe të re Vjeneze, si përfundim i së cillës Mbreti nuk i dëgjoi këshillat e doktorvet për të shkue me qëndrue n’Alpet, e ekspozoi at n’atentatin ba kundra jetës së tij të premten në mbramje, simbas fletores “Stunde”.

Zoja Baroneshë Maria de Janko, e njoftun në Tiranë, thotë fletorja, erdhi në Vjenë me motrën e saj të madhe, baroneshën Franciska de Janko, pak kohë pas mbërritjes së Mbretit Zog, dhe ra në hotelin “Regina”.

Mbreti Zog i kapun prej dashtunisë së motrës së vogël, ju përul dëshirave të saj për të pa për një kohë ma të gjatë qytetin e lindjes së saj dhe ai qëndroi ktu ma tepër se sa kish ndërmënde me ndejtun. Ai shpesh herë u poq me motrat, të cillat okupojshin llozhën e afërme të theatrit natën e së premtes kur u ba atnetati për t’a vra dhe u shifte me ta në theatro dhe në vënde të tjera të qejfit.

Fletroja “Stunde” deklaron se dashtunija e Mbretit Zog për baroneshën Maria de Janko, i shkaktoi policisë vështirësi të veçantë për të qëndrue në hazretin e tyne, dhe pothue qe tu ju b ani atentat ma i hershëm afër hotelit “Regina”.

Konfirmohet sot se Mbreti zbrazi të pesë fishekët e revolit të vet kundra atentatorëvet.

Përk. A. Gj.



Xjerrun prej fletores “Morning Post”

London, 24 fruer 1931

A T E N T A T I M B I M B R E T I N Z O G

Tirana raporton se asht komplot Jugosllav

Prej korespodentit t’onë

Vjenë, Fruer 23.

Si mbas raporteve të Tiranës, atentati i të cillëve nuk mund të vërtetohet ktu, atentati mbi jetën e Mbretit Zog asht organizue, me ndihmën e Jugosllavëve, prej Gani Beut, i vëllaj i Cen Beut, i vramë ka tri vjet në Pragë. Mbas vdekjes së Mbretit komitaxhit shqiptar, të pajosun në Jugosllavije, do të hyeshin në Shqipnie me tri qarqe dhe do të shkaktojshin nji revolicion.

Gjeloshi me Çamin, q’i shtien n’automobil të Zogut, natën e së premtes, si mbas ktyne raporteve, kanë qenë në marrëvesjhtjet të ngushtë me qarqet Jugosllave.

“Die Stunde”, informohet mbi nji attentat mbi jetën e Mbretit Zog, ka qenë pregatit disa ditë para së premtes prej emigrantëve shqiptar. Atentati do të zgjaste në Votiv Park ku Mbreti Zog e kishte ba zakon me takue me dy zonjusha dhe shetite me ta. Kto janë dy motrat Janko, të cillat në kohnat e fundit ardhun prej Tirane. Mbretu ka disa vjet që asht njoft me kto.

Memorie.al