Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Përgatitja për Kreshmën e Madhe

    E djela e Lidhjes së Djathit, shënon edhe fillimin e Kreshmës së Madhe për besimtarët orthodhoksë në mbarë botën. Sipas traditës orthodhokse, Kreshma e Madhe, zgjat plot 40 ditë, aq ditë sa edhe Vetë Krishti agjeroi në shkretëtirë. Për tu pasuar nga Java e Madhe, ose Java e Pësimit të Krishtit, dhe për tu kurorëzuar me festën më të madhe orthodhokse, Pashkën e Madhe, Ngjalljen e Krishtit nga varri. E hapa këtë temë, për të hedhur disa nga gjërat që unë kam mësuar mbi Kreshmën në vite, dhe cili është qëllimi i vërtetë i saj. Ka shumë besimtarë që mbajnë kreshmën por pa kuptuar dhe fituar esencën e kreshmës.

    - Përse Kisha na mëson të mbajmë kreshmë?

    Siç e zura në gojë më lart, ishte Vetë Zoti ynë Jisu Krisht, që sa ishte mbi tokë, na mësoi me shembullin e tij në shkretëtirë, se duhet të mbajmë kreshmën. Dhe ne, si të krishterë, të udhëhequr nga autoriteti shpirtëror që po Krishti na dha, Kisha e Shenjtë Katolike dhe Apostolike, e vazhdojmë këtë traditë. Vlen të kujtojmë nga shembulli i Krishtit në ato 40 ditë në shkretëtirë, se Ai u tundua nga i ligu tre herë. Që do të thotë, se edhe ne, pasuesit e Krishtit që e quajmë veten të krishterë, duhet të jemi të pregatitur që të përballemi me lloj-lloj tundimesh nga i ligu gjatë Kreshmës. I ligu na tundon çdo ditë, orë e minutë të jetës sonë, por sulmet e tija shtohen kur i Krishteri mban kreshmën. Arsyet për këtë, besoj se do ti mësoni duke lexuar më poshtë.

    Kur dishepujt e Krishtit, nxituan tek Ai për ti thënë se nuk mund të pastronin dot njerëzit e pushtuar nga demonët, me fuqinë që Ai u kish dhënë, Krishti u tha "... ata largohen vetëm më kreshmim e lutje." Këto fjalë të Krishtit, që i lexojmë e dëgjojmë të lexuara në Ungjill, tregojnë fuqinë e jashtëzakonshme të kreshmës dhe lutjes në luftën tonë shpirtërore kundër të ligut. E zura këtë gjë në gojë, pasi shumë të krishterë sot në botë, e shohin Kreshmën si një adet dhe jo si një armë të fuqishme shpirtërore të të krishterit. Ka nga ata pastaj që zgjedhin lutjen, por harrojnë kreshmimin. Kisha na mëson se në stërvitjen tonë shpirtërore si të Krishterë, kreshma dhe lutja janë të pandara nga njëra-tjetra. Ato mbështesin e fuqizojnë njëra tjetrën, dhe na japin ne të krishterëve forcën shpirtërore për t'iu rrezistuar sulmeve të të ligut, dhe për ta mundur atë.

    Në një tjetër mësim të madh në Ungjill, Krishti na mëson edhe se "...njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me Fjalën e Perëndisë". Qëllon shpesh që ne besimtarët, e harrojmë këtë mësim të Krishtit, dhe jepemi pas të mirave materiale e kënaqësive trupore, pa i kushtuar vëmendjen e duhur jetës sonë shpirtërore. Dhe kaq mjafton për të ligun, që të shuajë në zemrat tona flakën e besimit, e ti bëjë zemrat tona gur e akull. Kreshmat e Kishës, të cilat janë të shpërndara gjatë gjithë Kalendarit Orthodhoks, janë kujtesa më e mirë se ne nuk rrojmë vetëm me bukë, por me Fjalën e Perëndisë!

    - Çfarë është Kreshma në vetvete?

    Ka njerëz që e shikojnë Kreshmën vetëm si një heqje dorë nga ushqimi i preferuar. Pra këta janë ata që e barazojnë kreshmën me agjerimin. Kreshma është më shumë se sa agjerimi trupor. Ti mohosh gojës ushqimin e preferuar është vetëm maja e ajzbergut të kreshmës. Atë sheh syri, dhe njerëzit mendojnë se aq është kreshma. Në fakt, kreshma ka brenda saj jo vetëm agjerim trupor, por edhe agjerim shpirtëror. Gjatë Kreshmës i krishteri nuk shikon vetëm çfarë ushqimi fut në gojë, por edhe çfarë fjale nxjerr nga goja. Nëpër manastiret orthodhokse, murgjit për shembull, e kalojnë gjithë kohën pa folur me njeri-tjetrin, në një qetësi absolute mendore e shpirtërore. Kreshma ka brenda saj edhe bamirësinë, ndihmën ndaj njerëzve në nevojë, duke i ndihmuar në mënyra nga më të ndryshmet. Kreshma ka brenda saj, edhe një kalendar të ngjeshur liturgjik, një pjesmarrje në Kishë në shërbesa që bëhen të dielave, por edhe gjatë javës, që njihen si Shërbesat e Parashenjtëruara. Quhet si e tillë, pasi Trupi dhe Gjaku i Krishtit i pregatitur e ruajtur të Dielën gjatë Liturgjisë, u jepet besimtarëve që kreshmojnë gjatë javës. Kreshma ka brenda saj edhe lutjen e pandërprerë në çdo kohë, ditën apo natën.

    - Cili është qëllimi i besimtarit që mban Kreshmën?

    Qëllimi i Kreshmës për mua është afrimi i shpirtit tim me Perëndinë. Heqja dorë nga mishi apo bulmetrat, heqja dorë nga shumë aktivitete të tjera argëtuese apo shoqërore në ato 40 ditë, shtimi i lutjeve, një rifokusim i vëmendjes time të brendshme tek Zoti dhe vendi që Ai zë në jetën time, kanë të gjitha për qëllim që të më rinjohin mua me Zotin. Shpesh, vorbulla e jetës së përditshme është e tillë, që nuk lë vend për Zotin. Shpesh Zoti shkon nga vendi i parë në listën e prioriteteve të jetës, në vendin e fundit. Herë të tjera, ne nuk jemi të vetëdijshëm për jetën që jemi duke bëre: nga një anë themi se jemi të Krishterë, por shembulli i jetës që bëjmë nuk e dëshmon këtë gjë. Shpesh, e gjejmë veten duke prodhur justifikime nga më të ndryshmet se pse nuk vajtëm në Kishë një të dielë. Koha e Kreshmës, është koha më e mirë e vitit, për të bërë edhe një rivlerësim të jetës sonë, për të kuptuar se cilat degë duhen prerë pasi nuk japin fruta, dhe cilat degë duhen krasitur që të forcohen e të japin më shumë fruta shpirtërore.

    Zoti nuk ka nevojë për kreshmën tonë! Shpirti ynë ka nevojë për Kreshmën! Ato 40 ditë të kreshmës, janë ditë reflektimi, vetëgjykimi, rrëfimi në Kishë dhe lutjesh të nxehta me duart e ngritura lart nga qielli. Edhe pse Zoti nuk ka nevojë për kreshmën tonë, Ai e shpërblen përpjekjen tonë duke e derdhur Hirin e Tij lumë mbi kryet tona. Kreshmimi është mënyra se si ne pastrojmë trupin nga epshet trupore dhe shpirtin tonë nga mëkati, për tu kthyer në një Enë të Pastërt për Zotin të derdhi Hirin e Tij të Shenjtë. Mëkati është ai që na mban larg nga Perëndia. Falë këtij Hiri që Zoti na jep, ndodh edhe transformimi shpirtëror i të krishterit. Ajo që ne si njerëz na duket diçka e pamundur, është mëse e mundur për Perëndinë. Asgjë nuk është e pamundur për Perëndinë!

    Një Kreshmë e bekuar është ajo ku në fund të 40 ditëve, i krishteri e ndjen shpirtin e tij të lehtësuar nga barra e mëkatit; zemrën e ndjen të nxehtë nga zjarri i ndezuar nga lutjet që i rrjedhin lirshëm; dhe Festa e Pashkës, na mbush me një gëzim që nuk tregohet me fjalë. Pra Kreshma ne sjell një rizgjim shpirtëror dhe një riafrim me Perëndinë!

    - Këshilla mbi Kreshmën

    Kur vjen fjala tek heqja dorë nga ushqimi, çdo i krishterë mban aq kreshmë sa mundet. Ka nga ata që do të mbajnë një Kreshmë strikte, por ka edhe nga ata që nuk mbajnë dot një kreshmë strikte. Etërit e Kishës na mësojnë se vetë ideja e mbajtjes një Kreshmë strikte, sa për sy e faqe, është në vetvete një tundim i të ligut. I ligu na fut idene në kokë që të mbajmë një kreshmë strikte, në mënyrë që në shkeljen e parë të dijshme apo të pavetëdijshme të Kreshmës, ai të na sulmoje e dekurajojë për të vazhduar kreshmën. Prandaj Etërit na mësojnë se heqja dorë nga ushqimi duhet të jetë brenda mundësive dhe fuqive që ne kemi si të krishterë. Mësimi tjetër i madh nga Etërit e Kishës është që askush nuk duhet të dijë që ne jemi duke kreshmuar. Asnjëherë mos flisni për faktin që po mbani Kreshmë, dhe çfarë ushqime hani apo nuk hani. Pasi duke bërë këtë gjë, mund të lëndoni veten por edhe njerëzit rreth jush. Më ka mbetur në mendje një histori nga jeta e Shën Spiridhonit. Ai dhe gjithë familja e tij ishin duke mbajtur kreshmë tepër strikte. Një kalimtar që e zuri nata në fshatin e tyre, u troket në derë dhe u bë mik i shtëpisë për atë natë. Shenjtori i thotë gruas dhe fëmijëve të tij të shtrojnë sofren me gjithë të mirat se sot kemi miq. Gruaja dhe fëmijët e tij u ndjenë keq, pasi do të prishnin Kreshmën. Gjëja tjetër që ata nuk e dinin, ishte se miku i tyre i panjohur, po ashtu ishte i krishterë dhe ishte duke mbajtur kreshmë për vete. Pasi gruaja e shtroi tavolinën dhe mbushi gotat me verë, miku u ndie keq dhe tha: "Do të më falni mua se jam i krishterë e nuk mundem të ha mish e bulmet e pi verë pasi jam në kreshmë." Dhe shenjtori e ngriti gotën e verës dhe i tha: "Sot do të hamë, pasi e ka bekuar Zoti kur të vjen një mik në shtëpi, ta presësh me gjithë të mirat që ke."

    Reflektoni mbi jetën që bëni, dhe bëjini pyetjen vetes: A është kjo jeta e një të krishteri? Nuk e them këtë për tu treguar tepër i rreptë me vetveten. E them për të kuptuar që i Krishteri nuk dallohet nga kryqi që mban në qafë, por nga jeta që bën. Eshtë edhe një fjalë e vjetër shqiptare: "Murgun nuk e bën murg rrasoja e zezë që vesh!" Ata që më duan do t'i mbajnë urdhërimet e mia, na mëson Zoti! A je duke mbajtur të gjitha urdhërimet e Zotit? Cilat urdhërime je duke shkelur? Çfarë zotimi do të marrësh para Zotit për këto shkelje të urdhërimeve? A i ke rrëfyer këto shkelje e mëkate në Kishë tek prifti? A ke marrë faljen e mëkateve të tua me misterin e rrëfimit? Kur ishte hera e fundit që u ule në gjunjë para kryqit me duart e ngritura lart në lutje para Zotit? A rrjedhin lotët e shpirtit tënd kur sjell ndërmend mëkatet e tua, apo zemra është kthyer në akull? A i mban linjat e komunikimit me Zotin të hapura falë lutjes në çdo orë të ditës apo natës? A e falenderon Perëndinë sa hap sytë në mëngjes e para se të biesh të flesh në darkë? A je duke u bërë një shembull i mirë besimi për burrin/gruan tënde dhe a je duke rritur fëmijë të krishterë të denjë në sytë e Perëndisë? A është hiri i Perëndisë i dukshëm në sjelljen e fëmijëve të tu? Të gjitha këto reflektime, do t'iu ndihmojnë që të kuptoni se çfarë duhet ndryshuar në jetën tuaj. Nuk ka rritje shpirtërore pa ndryshim dhe pa sfida. Vetë tundimet e të ligut, që Zoti i lejon, e bën këtë për të bërë të mundur rritjen dhe kalitjen tonë shpirtërore.

    Nga 24 orët që ka dita, sa prej tyre jeni duke ia dedikuar rritjes suaj shpirtërore? A shkoni rregullisht në Kishë të dielave? A merrni rregullisht dhuratat e shenjta të Kishës nga Kupa e Shenjtë? A lexoni Ungjillin dhe a ndiqni siç duhet Kalendarin Orthodhoks të Kishës? Të gjitha këto, kanë për qëllim që të na ndihmojnë ne si të Krishterë në jetën tonë shpirtërore. Në rastin tim, sa herë që vjen Kreshma, mundohem që të eliminoj sa më shumë aktivitete ditore dhe ti zëvendësoj me një aktivitet nga ato më lart. Qoftë lexim i një libri fetar, një përkthim në shqip, një orë e vend të caktuar për tu lutur. Kjo është një mënyrë vetëdisiplinimi. Më pak kohë e shpenzuar me ekranet e jashtme telefon/televizor/kompjuter dhe më shumë kohë e shpenzuar me ekranin e brendshëm: shqyrtimin e mendimeve që kalojnë në kokën time dhe gurëve që rëndojnë në zemrën time. Kjo është edhe një prej aspekteve më pak të trajtuara mbi Kreshmën: ndihma e jashtëzakonshme që ajo na jep për të vetëdisiplinuar jetët tona. Për të sjellë një ndryshim për mirë, që as nuk e kishim menduar vetëm pak javë apo muaj më parë.

    Sa herë që nuk arrini ta mbani Kreshmën ashtu siç doni, ose kur ai i ligu ju fryn në vesh fjalë dekurajuese që të hiqni dorë fare e dorëzoheni nga beteja juaj shpirtërore, mos i dëshpëroni dhe mos e dëgjoni të ligun. Sillni ndërmend faktin që Vetë Zoti Ynë Krisht u tundua tre herë në shkretëtirë. Dhe tundimet e të ligut, janë edhe një provë që ju po bëni progres në jetën tuaj shpirtërore. I ligu nuk sulmon të krishterët e fjetur, ai sulmon të krishterët që janë gati ta luftojnë e mundin atë. Sillni ndër mend edhe faktin, se Zoti na ka bekuar çdo ditë me një ditë të re. Ditë e re, fillim i ri. Një mundësi e re për tu ringritur në këmbë e për të vazhduar luftën shpirtërore të nisur.

    Një tjetër aspekt i jashtëzakonshëm i Kreshmës, është pregatitja për Dritën e Pashkës! Kreshma krahas tundimeve dhe sulmeve të të ligut, na rikujton edhe Pësimet e Mëdha të Zotit Krisht gjatë Javës së Madhe. Për të arritur kulmin e vajtimit dhe errësirës, me dhënien shpirt të Krishtit në Kryq e varrosjen e Tij të Premten e Madhe (të zezë - siç njihen në traditën shqiptare). Por gjithë ky kalvar tundimesh e vuajtjesh për ato plot 40 ditë, kthehet në Dritë e Gëzim të papërshkrueshëm me fjalë, të Dielën e Pashkës, ku Krishti na u ngjall nga varri të tretën ditë. Dhe në çdo ditë të Kreshmës, i krishteri është duke përjetuar shpirtërisht atë që Krishti përjetoi fizikisht. Një sakrificë e vogël e jona, për të marrë dhuratën më të madhe të mundshme - jetën e amëshuar me Perëndinë!

    Kreshmë të lehta!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-03-2021 më 13:44

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    ilia spiro (16-03-2021)

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 512
    Postimi i Fundit: 28-03-2024, 08:21
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 11-02-2021, 09:44
  3. Protesta e dështuar ose përgatitja për një `97 të dytë
    Nga pirro2020 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 19-12-2020, 18:25
  4. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 17-08-2010, 15:20
  5. Pushtetarët dhe përgatitja e tyre profesionale
    Nga Manci në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-01-2008, 22:38

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •