Një muze virtual për Maliqin

Lleshanaku: Historia e priftit të uritur që humbi jetën dhe u zhduk


Emri:  kampi-maliqq-1536x864.jpg

Shikime: 858

Madhësia:  36.7 KB

Një muze virtual i kampeve të punës në Maliq është rindërtuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Përmes teknikave digjitale tridimensionale të Kliti Burdës dhe bazuar në dëshmitë e ish të burgosurve, poetja Luljeta Lleshanaku ka shkruar skenarin e një filmi dokumentar që zbardh jetën e vështirë në kampe.

“Ne kemi pasur shumë vështirësi në përcaktimin e vendndodhjes së kampeve. Duke qenë se nuk janë më dhe janë ndërruar katër herë në Maliq ishte e vështirë. Nuk ka dokumente as nga planet e inxhinierëve për tharjen e tyre. Filmi jep tri kampet kryesore të punës në Maliq. Ne mundëm të gjejmë disa dokumente të përdorura nga ekspertët e Bashkimit Sovjetik përmes Kastriot Dervishit”, – tha Lleshanaku.

Kushtet në të cilat jetuan të burgosurit politikë në vitet 1947-1951 ishin të rënda, siç dëshmojnë profesor Sami Repishti, At Zef Pllumit e Ejëll Çoba, ndërsa rrëfime specifike për filmin janë dhënë nga Lavdosh Beqo, Cesar Malile e Skënder Stefanllari.



Lleshanaku tregon se “në kampin e Maliqit dramatike ishte uria. Ata punonin me orë të gjata në kënetë mes ushujzave pasi kishin ecur disa kilometra. Uria ishte e madhe dhe ishte dehumanizuese sa që edhe sot është e vështirë të rrëfehet”.

Pas shfaqjes së filmit në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” organizuar nga IDMC, Lleshanaku, ndalet të historitë e kampit. Mes dhjetëra historive të dhimbshme që u përjetuan nga të burgosurit, ajo kujton atë të një kleriku.

“Të burgosurit punonin por nuk i ushqenin. Siç tregojnë bashkëvuajtësit, At Papamihali, një ditë u përpoq të merrte një panxhar që ta hante. Rojet e qëlluan, ai humbi ndjenjat. E shkelën, humbi jetën, se po e mbuluan dhe u zhduk”, tregon Lleshanaku.

Te kampi i Orman Pojanit në Maliq, të burgosurit jetonin në çadër, në Vloçisht, ishin ndërtuar kasolle me dërrasa të mbuluara me kashta. Arshi Pipa fliste për 1300 deri 1600 të burgosur që flinin në krevate me tri dërrasa, vuanin urinë e dhunën dhe shkonin në punë zbathur.

(BalkanWeb)