Emri:  barca.jpg

Shikime: 738

Madhësia:  32.9 KB

Barcelona përmbys humbjen 2-0 në Andaluzi, pasi mposhti Sevillan 3-0 pas 120 minutave lojë në “Camp Nou” dhe siguroi kalimin në finale të Kupës së Mbretit, ku do të diskutojë trofeun me fituesen e çiftit Levante-Ath. Bilbao.


Katalanët zhbllokuan sfidën që në minutën e 12’ me një gol fantastik të shënuar nga sulmuesi francez Ousmane Dembele, ndërsa më pas krijuan edhe një mori rastesh të tjera, por vuajtën jo pak në finalizim.

Në minutën e 73-të Sevilla pati rastin më të mirë për të vulosur kalimin në finale, pasi fitoi një 11-metërsh, të cilin e shpërdoroi Lucas ocampos, ndërsa në fillim të kohës shtesë Fernando la andaluzianët me 10 futbollistë, pasi mori kartonin e dytë të verdhë.

Barcelona shfrytëzoi maksimalisht epërsinë numerike për të shënuar edhe një gol të dytë me anë të mbrojtësit Gerard Pique, çka bëri që ndeshja të shkonte në kohën shtesë. Edhe këtu ishin katalanët dominues, pasi në minutën e 5-të gjetën edhe golin e tretë me anë të sulmuesit Braithwaite, ndërsa në minutën e 11’ VAR anuloi një penallti të akorduar fillimisht për Sevillan.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Barça kaloi në finale, në një kompeticion që mund t’u shpëtojë sezonin, duke qenë se nga Championsi janë thuajse të eliminuar dhe në kampionat larg kreut.