“A iu liruan bulonat natën?”, Isuf Kalo rrëfen prapaskenat e rrëzimit të monumentit të Enverit: Krisja e Ramizit me Nexhmijen

Emri:  isuf-kalo1.jpg

Shikime: 878

Madhësia:  53.1 KB

U mbushën plot 30 vjet që nga rrëzimi i monumentit të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe ndonëse dëshmitë kanë qenë të shumta prej atyre që ishin në vendngjarje, por edhe ata që e përjetuan në krye të shtetit, ka ende dritëhije që duhet të ndriçohen. Në librin e tij me kujtime e reflektime “Blloku”, ish-mjeku personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo, tregon për ato ditë të ethshme që ndoqën grevat e studentëve.

Sipas Kalos, monumentin e Enver Hoxhës e lanë qëllimisht që të rrëzohej, madje, sipas tij, ky akt mund të ketë qenë i organizuar edhe nga vetë Ramiz Alia, i cili ishte i interesuar që për të mbajtur pushtetin e tij personal, të lejonte atë që quhej “deenverizimi” i vendit. Si u rrëzua monumenti; reagimi i Ramiz Alisë; dëshpërimi i Nexhmijes; largimi i familjes së diktatorit nga Blloku. Pse Ramiz Alia nuk donte që lajmi i rrëzimit të monumentit të shfaqej në televizion?

ISUF KALO

PENGESA “ENVER”

Për t’u pranuar si lider i një soji të ri nga bota dhe njerëzit tanë që kërkonin ndryshim, Ramiz Alisë i duhej tani të hiqte qafe me çdo kusht hijen e Enverit. Ajo i peshonte rëndë, jo aq në ndërgjegjen sesa në mendjen e tij. “Deenverizimi” filloi me heqjen heshturazi, pa zhurmë, thuajse në të njëjtën kohë, të busteve të panumërt të tij të vendosur në sallat dhe korridoret e institucioneve, shkollave apo zyrave e ndërmarrjeve anë e mbanë vendit, me justifikimin se “duheshin ruajtur nga keqbërësit eventualë”.

Por heqja e monumentit gjigant të Enver Hoxhës, 8 metra i lartë, në sheshin “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, nuk duhej të bëhej natën, fshehurazi, siç u hoqën para pak ditësh ato të Leninit dhe Stalinit, të cilët qëndronin përballë njëri-tjetrit në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”. Nga ana praktike dhe teknike, rrëzimi fshehurazi mund të kryhej më lehtë dhe pa zhurmë me disa njerëz të panjohur të vënë nga Sigurimi i Shtetit. Dhe të nesërmen pushtetarët do të shtireshin si të habitur e të revoltuar dhe do të bënin sikur po kërkonin t’i dënonin menjëherë dhe rreptësishtë fajtorët.

Por, politikisht dhe mediatikisht, kjo mënyrë nuk do të krijonte efektin e dëshiruar. Nuk do të bënte jehonë sa duhej jashtë vendit. Enveri duhej të rrëzohej haptas, ditën me diell, në mënyrë spektakolare nga qytetarët, që të filmohej dhe të dëshmohej brenda, e sidomos jashtë Shqipërisë, si gjest simbolik i rrëzimit të regjimit në fuqi dhe i ideologjisë që ai pat udhëhequr. Rrëzimi jo fshehtas, por në mes të ditës, ndërkohë që partia dhe regjimi i tij ishin në fuqi, do t’u dëshmonte të huajve se ai ishte kryer me pëlqimin e heshtur të tyre.

Rrëzimi kushtëzohej nga një datë e paracaktuar. Ai duhej të ndodhte patjetër përpara datës 22 qershor 1991, datë e paracaktuar për ardhjen në Tiranë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker. Dhe ishte logjike. Si mund ta duronte ai Enver Hoxhën e bronztë t’i bënte karshillëk përballë, përmes metalit me përmasa gjigante, pikërisht në atë shesh ku ishte planifikuar të zhvillohej mitingu madhështor i pritjes së tij?

Zgjidhja do të jepej përsëri nga studentët, e në një masë të madhe edhe nga qytetarët e Tiranës. Studentët, të vetorganizuar, hynë në grevë urie. Ata kërkuan, së pari, të hiqej emri i Enverit nga Universiteti i Tiranës. Nga dita e fillimit të grevës së urisë nga studentët, një numër i konsiderueshëm qytetarësh vinin pranë tyre për t’i inkurajuar e dhënë mbështetje, por, më 20 shkurt ata u orientuan që të devijonin drejt sheshit “Skënderbej”, ku ndodhej edhe monumenti metalik i Enverit. Atyre, si spontanisht, iu bashkuan edhe studentët grevistë dhe kështu u formua një turmë e madhe studentë-qytetarë. Kameramani i Televizionit Shtetëror Shqiptar, Fatmir Çepani, ndodhej në kafenenë e katit të sipërm të Pallatit të Kulturës, ku sapo kishte mbaruar së regjistruari një aktivitet të Komunitetit Mysliman. Ai pa që nga dritarja me kuriozitet se diçka jo e zakontë po ndodhte poshtë në sheshin ku qëndronte monumenti i Enverit.

“Deri afër orës 10:00 të mëngjesit, tregon ai, në shesh kishte shumë pak njerëz. Por pastaj, si papritur, erdhën e vërshuan në mënyrë të organizuar turma të mëdha nga të katër kryqëzimet”. Këta të fundit, të revoltuar, kishin braktisur atë ditë, me një iniciativë të koordinuar(?), punën. (Pati atë ditë disa “koordinime” të tilla spontane të pazakonta…!) Ata, të gjithë së bashku, vërshuan drejt monumentit të Enverit dhe e rrëzuan atë pa u derdhur gjak. Fatmirësisht për historinë, kameramani që aty lart regjistroi instinktivisht gjithçka.

Meqenëse pak ditë më parë në qendër të Tiranës, gjatë orëve të natës, ishin rrëzuar fshehtas statujat e Leninit dhe Stalinit, logjika të thoshte se regjimi duhej të kishte marrë masa urgjente paraprake, për të përforcuar mbrojtjen dhe ruajtjen e shtatores së Enverit nga ndonjë sulm i ngjashëm, çka ishte sanksionuar edhe me ligj të posaçëm.

Nuk ishte e pamundur, as e vështirë që kjo të realizohej nëse do të ekzistonte vullneti qeveritar për ta ruajtur atë. Por, me sa u pa, ky vullnet mungoi, sepse duhej të mungonte. Prandaj, asnjë masë e posaçme parandaluese ose mbrojtëse nuk u mor. Ndërkohë, ushtria, në rolin e mbrojtjes së monumentit, solli në shesh disa ushtarë të çoroditur me disa qen të mbajtur për dore, që nuk dihej se kujt i lehnin. Kurse mbi qiell nuk dihej pse sorollatej përreth një helikopter.

Studentët dhe demonstruesit e tjerë qytetarë të bashkuar, shpërfillës ndaj tyre, pasi e rrëzuan ish-liderin në bronz, e tërhoqën zvarrë mbi asfalt, të eksituar e të përndezur, drejt Qytetit Studenti si trofeun e tyre. Merita Shkupi, një ndër aktivistet e para dhe shumë të sinqerta të Partisë Demokratike, ka dëshmuar në një intervistë se pa vetëm një grua tjetër veç vetes së saj në atë turmë gjigante. Ajo nuk kishte parë aty as dikë nga drejtuesit apo militantët e njohur prej saj të PD-së. “Nuk e prisja që të rrëzohej monumenti në atë ditë me një litar dhe një kavo që nuk e di a u sollën apo ishin paraprakisht aty”, ka thënë ajo. Dhe nuk ishte e sigurt, por e ndiente si të dyshimtë që monumenti të ishte rrëzuar vetëm me ato mjete!!!

E vetmja ndërhyrje e Gardës Ushtarake ishte dalja e disa tankeve dhe pozicionimi i tyre në mbrojtje të territorit të Bllokut nga protestuesit, nga frika se mos ata u vinin flakën vilave dhe masakronin ata që banonin aty. Neritan Ceka, asokohe njëri ndër liderët e Partisë Demokratike e sapokrijuar, doli mbi turmën dhe me thirrjen e tij arriti t’i qetësonte dhe t’i ndalte ata…

Ndërkohë, Nexhmija me familjen e saj ishte ende në Bllok. Ajo nuk i kishte imagjinuar që prej andej do t’i duhej të largohej ndonjëherë, aq më pak në mënyrë të befasishme dhe të forcuar. Largimi i saj dhe i familjes Hoxha ishte përzënie dhe braktisje e ngutshme e kryer në fshehtësi. Nexhmijes do t’i duhej t’i linte përgjithnjë aty shumë gjëra, objekte, libra, tablo dhe sidomos ndjenja e kujtime. Do t’i duhej të pranonte se edhe mirëqenia, lumturia, fatmirësia, ashtu si edhe ëndrrat, nderimet, favoret dhe krenaria nuk ishin të përjetshme. Ato kishin një fund…

Ajo dhe familja, me urdhër të Ramiz Alisë, u zhvendosën nga Blloku me ngut dhe nën kujdesin e ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, u sistemuan përkohësisht nën ruajtje, në vilën e pushimit të udhëheqësve, në malin e Dajtit. Nexhmija, më pas, është shprehur me mirënjohje ndaj të dyve për këtë akt, sepse, në përmbysje të tilla rrënjësore gjetkë kishte ndodhur shumë më keq: Carin e Rusisë Nikollai II në valën e revolucionit bolshevik, jo vetëm e përzunë forcërisht nga pallati i tij i Shën Petërburgut dhe e internuan familjarisht në rrethinat e Ekaterinburgut, por edhe i pushkatuan egërsisht aty, të gjithë së bashku, në mëngjesin e 17 korrikut 1918: Carin, të shoqen, Aleksandra, pesë fëmijët e tyre, si edhe katër nga personeli që u shërbenin (mes tyre edhe mjeku Eugen Botkin, i cili në zbatim të detyrës së ngarkuar, i kishte shoqëruar edhe aty në internim).

Ndërkohë, lidhur me aktin e rrëzimit të monumentit, të dyja palët politike, ajo që ishte në pushtet, e cila kishte detyrë dhe i dispononte mjetet për ta mbrojtur monumentin dhe Partia Demokratike, e sapokrijuar si palë opozitare, e cila e kishte në programin e saj deenverizimin dhe zhdukjen e kultit të tij, vepruan me finesë si të mos kishin fare gisht në atë që po ndodhte. Ato zbatuan me zgjuarsi, si njëra dhe tjetra, parimin “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”. Asnjëra prej tyre nuk kishte interes në atë periudhë të merrte përgjegjësinë për atë akt mbresëlënës, i cili pritej të shoqërohej me faturën e mospëlqimit të një mase jo të vogël të elektoratit në shkallë kombëtare, sidomos në zonat rurale e periferike. Ata nuk kuptonin çfarë dhe pse po ndodhte në Tiranë, dhe u ndien të zhgënjyer, disa edhe të revoltuar me mënyrën e beftë sesi u krye ai akt i paimagjinueshëm për ta. Rrëzimi i atij monumenti nga njëra apo tjetra palë do të vlerësohej si akt i njëanshëm partiak, kurse interesi ishte të paraqitej si “heqje qafe” e tij prej dufit gjithë popullor.

Prandaj, të dyja forcat politike kundërshtare, në mënyra të ndryshme, lanë heshturazi të besohej se monumentin e rrëzoi vala e urrejtjes së “turmës të qytetarëve anonimë, të indinjuar me diktatorin”, çka realisht ishte e vërtetë. Por ndoshta jo e gjithë e vërteta. Megjithatë, efekti i dëshiruar nga të dyja palët politike antagoniste u arrit.

Bota dhe miqtë e rinj të Shqipërisë, të interesuar për ndryshimin e sistemit, panë me sytë e tyre dhe besuan të kënaqur e të impresionuar atë ditë, se diktatura komuniste në Shqipëri u shemb. Ata besuan gjithashtu se “Enverizmi”, bashkë me kultin e tij u çrrënjos atë ditë përfundimisht. Por, rusët, për “ekspertët” perëndimorë naivë, të cilët pretendojnë se e njohën mirë atë vend, përdorin shprehjen: “Vostok eto tonkoje djello” (“Lindja është çështje e hollë” -në kuptimin e rafinuar). Këtë “hollësi” të Lindjes ekspertët perëndimorë do ta ndeshnin pak më pas edhe në Shqipëri. Ramizit i duhej, ose me saktë i kërkohej, nga të huajt “deenverizimi” i plotë, por ai ishte i ndërgjegjshëm që një pjesë e madhe e popullatës, veçanërisht ajo rurale, që ai vetë e kish indoktrinuar, nuk ishte ende e përgatitur dhe as nuk do ta miratonte diçka të tillë. Prandaj u përpoq t’ua evitonte atyre paraqitjen vizive “traumatike” të asaj që ndodhi në Tiranë. Mirëpo, një rastësi dhe sidomos kundërvënia e guximshme nga ana e Virgjil Kules, ish-drejtorit të Radiotelevizionit të vetëm Shqiptar asokohe, bënë që ajo çka ndodhi, sidomos momenti i rrëzimit të monumentit, fatmirësisht të dokumentohej e t’i paraqitej publikut të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

Në takim me të, Virgjili më ka treguar se atë ditë ai nuk ishte informuar për çka do të ndodhte në sheshin “Skënderbej”. Mirëpo, fatmirësisht, operatori i tij, Fatmir Çepani, i ndodhur në katin e sipërm të Pallatit të Operës dhe Kulturës, me detyrë të filmonte një veprimtari tjetër, e filmoi rastësisht edhe çastin e rrëzimit të shtatores së Enverit.

“Duheshin edhe vetëm 10 minuta që të shkonte ora 18:00, tregoi Virgjili, koha kur duhej të transmetohej patjetër kronika e lajmeve të asaj dite, dhe më merr në telefon Ramiz Alia”. “Na e rrëzuan Enverin”, i tha atij Ramizi, me zë të dëshpëruar. Dhe vazhdoi: “Po ne do ta ngremë përsëri më të lartë. Por ti mos e transmeto me pamje vizive atë që ndodhi”. Virgjili u shtang nga habia. Për disa sekonda, në receptorët e tyre mbizotëroi heshtja. “Por nuk mundem, shoku Ramiz. E kemi detyrë funksionale transparencën. “E di, pohoi Ramizi, por nuk duhet t’i traumatizojmë njerëzit tanë”. “Kur t’ia ringremë monumentin, e bëjmë kronikën edhe më të plotë”, ia ktheu atij Virgjili.

Ai nuk iu bind Ramizit dhe e transmetoi edhe pamjen e jashtëzakonshme të rrëzimit. “Nuk pate frikë?”, e pyeta. “Pata, si jo, — tha, — por përgjegjësia do të më mbetej mua njësoj. Edhe po të mos e transmetoja, mund të gjykohesha nga Ramizi një ditë si fajtor për fshehje”. Sepse Ramizi ishte i pabesueshëm. “Nuk përjashtohej që ai ta dridhte të nesërmen dhe të më fajësonte pse nuk e transmetova”.

Kur rrëzimi i monumentit të Enverit ishte bërë fakt, Ramizi dhe gjithë udhëheqësit e tjerë, të mbledhur rreth tij në ndërtesën e Komitetit Qendror, e përtypën lajmin pa u habitur dhe pa u alarmuar. E vetmja që u trondit dhe u largua e befasuar prej andej, me lot në sy, ishte Nexhmija. Ajo u kthye në shtëpi te fëmijët e saj, që ishin ende në Bllok, dhe u tregoi ç’kishte ngjarë. “Në mes të mbledhjes së jashtëzakonshme të Komitetit Qendror dikush hyri dhe i la Ramizit një letër në dorë. Ai e sheh me fytyrë të qetë, indiferent, e rrotulloi në dorë letrën e nuk tha asnjë fjalë. Pak çaste pasi pjesëmarrësit nisën të pëshpëritin mes tyre, Ramiz Alia tha: ‘Më njoftuan se monumentin e rrëzuan’”.

Që nga ai çast, lidhja shpirtërore, shoqërore e miqësore e Nexhmijes me Ramizin u lëkund, u kris. “Ramizi veproi si hilacak”, tregon për këtë rast Xhelil Gjoni në librin “Trashëgimtarët” të Luljeta Prognit. “Ai u shtir sikur i pati dhënë urdhër Hekuran Isait që të shtinte mbi turmat në mbrojtje të monumentit, meqë kishte edhe një ligj të miratuar pak kohë para kësaj ngjarjeje për mbrojtjen e monumenteve. Kurse Hekuran Isai, nga ana e tij, pretendoi se me ndërgjegje nuk e zbatoi atë urdhër për të mos derdhur gjak. Kështu ai do të tregohej ‘liberal dhe hero’ ndaj demonstruesve”. “Në fakt, ata të dy, dëshmon Xhelili, ishin marrë vesh paraprakisht fshehtas me njëri-tjetrin. As Ramizi nuk pati dhënë urdhër të shtihej, as Hekurani nuk bëri me kokën e tij për moszbatimin e urdhrit. Të dy në role të ndryshme, në të njëjtin skenar teatral”.

Guro Zeneli, gazetar i sjellë në Tiranë nga Saranda, person i ndershëm me zemër të pastër dhe me mjaft integritet, i cili u bë në atë periudhë një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë e më konfidentë të Ramizit, ka dhënë në një intervistë lidhur me rrëzimin e monumentit të Enverit, këtë version: “Ramizi ishte në dijeni që gjatë natës së 19 shkurtit persona të ngarkuar, posaçërisht me detyrë, e patën zhvidhosur fshehtas paraprakisht atë”. Megjithatë, “teatri” vazhdoi atë ditë edhe brenda Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike.

Ditën që u rrëzua monumenti, dr. Hektor Peçi, edhe ai dikur mjek i Enverit dhe unë, dorëzuam të dy teserën e Partisë së Punës. Enveri dhe partia e asaj kohe realisht ishin një, të pandarë. Rrëzimi i njërit vetvetiu rrëzonte edhe tjetrën. Në letrën shpjeguese drejtuar instancave drejtuese, unë shkruaja vetëm dy radhë: “Partia e sotme e Punës nuk është më ajo ku unë hyra me shumë shpresa. Udhëheqësit e saj të sotëm nuk janë të sinqertë me anëtarët dhe as me popullin”.

E kisha fjalën kryesisht për mossinqeritetin e Ramizit. Ditën që lejoi pluralizmin, ai, në fakt, e dorëzoi Partinë e Punës bashkë me parimet, premtimet dhe rolet e pritshme. Kurse me rrëzimin e Enverit nga piedestali, dorëzoi edhe simbolin e saj. Çfarë i mbetej pas kësaj asaj partie? Ajo së shpejti do të ndërronte lëkurë. Do të bëhej “e re”, me emër të ri, logo të re, por me anëtarë të vjetër. Nuk doja që unë të isha njëri prej tyre…

Unë isha tashmë një copëz e shkëputur pas rrënimit të saj. A mund të ringjiten, të rindërtohet me copëzat, thërrmijat dhe materialet e mbetura si unë nga rrënoja një model i ri, modern, frymëzues i denjë për t’u përballur me të ardhmen?

Reagimi zemërak i Partisë së Punës ndaj “të ikurve” nuk do të vononte. Në gazetën “Zëri i Popullit” do të botohej një shkrim që sulmonte egërsisht si “frikacakë dhe devijatorë” të gjithë ata që kishin dorëzuar, ashtu si ne, teserën. Kuptohej që hemorragjia e ish-anëtarëve të zhgënjyer ose të papajtueshëm me imazhin ku ajo parti kishte përfunduar, rrezikonte zhbërjen e plotë të saj…

Pikërisht shkrirjen e PPSH-së ia patëm kërkuar Ramizit ne, një grup mjekësh dhe pedagogësh të Fakultetit të Mjekësisë që në dhjetor 1990. Si unë, edhe kolegët e mi patëm rastin të shkonim në vende demokratike të zhvilluara të Europës dhe patëm parë që mirëqenia e njerëzve mund të arrihej edhe më mirë pa PPSHnë, apo me një numër partish të tjera me platforma alternative, me programe të reja realiste bashkëkohore. Propozimi ynë në atë letër ishte dashamirës: të thirrej një kongres i jashtëzakonshëm që do të shpallte mbylljen e veprimtarisë së Partisë së Punës, duke falënderuar anëtarët e thjeshtë për ndershmërinë, besnikërinë e tyre dhe për kontributet që kishin dhënë në të mirën e vendit. Kjo do t’u mundësonte atyre të anëtarësoheshin ose jo, sipas dëshirës, në partitë e reja që do të formoheshin.

Qëndrimi im pro lëvizjes studentore, si pedagog i tyre, ndoshta dhe dalja nga Partia e Punës, nuk u mirëpritën në Bllok. Aq më tepër nga familja Hoxha. Por ata treguan mirëkuptim dhe nuk mbajtën mëri. Më pas, kontaktet e tyre me mua, si mjek, u ndërprenë vetvetiu prej punësimit tim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, dega Europë, në Danimarkë, por dhe prej drejtimeve të ndryshme që na mori jeta. Megjithatë, ruajtëm reciprokisht marrëdhënie korrekte njerëzore me Nexhmijen, Ilirin, Teutën, Pranverën dhe me Klemin, deri kur ky i fundit u nda përpara kohe nga jeta.

Sipas meje, pas rrëzimit të monumentit të Enverit, vazhdimësia e ekzistencës së Partisë së Punës ishte e pakuptimtë, sepse me atë ajo ishte identifikuar dhe njësuar. Aq më tepër kur po lexohej qartas synimi i fshehtë i Ramiz Alisë për ta braktisur edhe ai vetë Partinë e Punës dhe postin e Sekretarit të Parë të saj, sapo të bëhej President i vendit, sepse posti i Presidentit e përjashtonte përfshirjen e tij në veprimtari partiake.

Pra, Ramizit i printe fati edhe në braktisjen e PPSH-së, kurse komunistët, veteranët e anëtarët e saj të thjeshtë, duhej të rrinin përjetësisht, si të burgosur, brenda saj. Ishte jo e drejtë, jo morale që Ramizi i mbajti ish-anëtarët e PPSH-së të mbërthyer në të që t’i përdorte më pas ata, pas bojatisjes së jashtmi në ngjyrë rozë, për ruajtjen më tej të pushtetit me emër dhe formë organizimi gjoja të ndryshuar, por me po atë mentalitet punist dhe pa instaluar një demokraci të vërtetë. Kjo nuk ishte aq dëshirë maniakale e tij për të qëndruar zot në atë pushtet (për të cilin ai brenda vetes ishte mjaft kritik), sesa e pasigurisë që ndiente për çka mund t’i ndodhte po ta humbiste atë atij vetë, familjes, të afërmve dhe trashëgimisë së PPSH-së, ku militoi e kontribuoi me zell për shumë dekada. Modeli rumun i dilte atij edhe në gjumë. Ndërkaq, studentët dhe qytetarët që morën pjesë në rrëzimin e monumentit nuk e dinin që, në të njëjtën ditë, po hiqeshin “rastësisht” apo me koordinim “magjik” monumentet i Enverit në Korçë, në Gjirokastër e kudo ku kishte të tillë. Ata, me besimin se i bënë një shërbim të madh Shqipërisë me rrëzimin e simbolit të regjimit të vjetër, ndoshta nuk e dinin as që një shërbim po aq të madh, madje dhuratë, ia bënë, pa dashur, personalisht Ramiz Alisë. Heqja qafe e Enverit ishte kërkesa e miqve të tij të rinj jashtë vendit. Ajo ishte shumë e nevojshme dhe çliruese për vetë Ramizin, por që e kish vështirë, ose kish frikë ta bënte haptazi, me duart e veta.

Për të minimizuar efektin zhgënjyes dhe revoltën e Nexhmijes, e cila tashmë ishte e qartë për dredhitë dhe mungesën e luajalitetit të tij, ai iu shfajësua asaj duke përdorur një justifikim. “Nuk rrëzuan Enverin, i tha asaj, rrëzuan vetëm bronzin”. Por Nexhmija nuk e gëlltiti. “Kur vandalët rrëzuan statujën, qava shumë. M’u duk se vdiq për herë të dytë”, tha më pas për këtë ngjarje ajo, dhe shtoi: “Mendoj se ky ishte një komplot i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Statuja ra brenda gjysmë ore, me siguri gjatë natës dikush ka liruar bulonat mbajtës”. Pavarësisht dëshpërimit, ajo asnjëherë nuk e fajësoi e as e denoncoi hapur në forumet e partisë dhe as më vonë publikisht Ramizin.

Panorama