Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    “Nexhmije Hoxha ishte fshehur atë ditë në Dajt nga frika e…”- Gazetari Hamdi Jupe rrëfen rrëzimin e bustit të Enverit: Në ‘ZP’ nuk u shkruajt asgjë për ngjarjen. Si tentoi ministri të ulej me helikopter mbi turmë

    Emri:  pjimage-120.jpg

Shikime: 901

Madhësia:  87.2 KB

    Publicisti i njohur i gazetës “Zëri i Popullit”, Hamdi Jupe, në librin e tij, “Shënimet e gazetarit”, tregon momentet e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, si dëshmitar okular i ngjarjes në sheshin “Skënderbej” në 20 shkurt 1991.

    Sipas tij, populli u provokua nga udhëheqja e Partisë së Punës, për shkak se i ngriti një kult prej faraoni Enver Hoxhës duke i ngritur monument, piramidën si muze, por dhe emërtimet e disa institucioneve të rëndësishme me emrin e udhëheqësit komunist duke rritur zemërimin e njerëzve.

    Jupe tregon dhe ngjarjet e ndodhura më pas, siç ishte Kongresi i qershorit 1991, kur PPSH-ja u transformua në Parti Socialiste dhe kushtin e Fatos Nanos për të marrë drejtimin e partisë, nëse vetë partia e re do të shkëputej nga Enver Hoxha.

    HAMDI JUPE

    30 VJET MË PARË MONUMENTI KISHTE RËNË ME KOHË KRONIKA


    Paraditen e 20 shkurtit 1991 në sallën e koncerteve në katin e tretë të Pallatit të Kulturës në Tiranë zhvillohej një mbledhje e përfaqësuesve të komunitetit çam. Pak kohë pasi kishte filluar, u dëgjua zhurmë e pazakontë e një turme të madhe njerëzish që vinte nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe po i afrohej sheshit “Skënderbej”. Pjesëmarrësit u ngritën në këmbë dhe dolën në dritaret e sallës për të parë se çfarë po ndodhte. Po vinin protestuesit nga qyteti “Studenti”.

    Greva e studentëve atje kishte filluar prej ditësh. Ata kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Kinoklubi i tyre ishte kthyer në vend pelegrinazhi për qytetarët nga të gjitha rrethet për të shprehur mbështetjen për ta. Opozita politike, e lindur dy muaj më parë, ishte gjithashtu pranë grevistëve. Me sa duket, pas refuzimit disaditor të autoriteteve ndaj kërkesës së studentëve, turma e mbështetësve po vinte drejt sheshit “Skënderbej” për të shtrirë protestën në qendër të Tiranës.

    Ata që ishin në sallë dolën në kafenenë e katit të tretë të Pallatit të Kulturës. Nuk kishte vend më të mirë se atje për të ndjekur një ngjarje historike që po zhvillohej para syve. Një kameraman i televizionit se nga mbiu në krahun e majtë dy metër larg dhe filloi të filmonte atë që po ndodhte. Nuk e kuptoja, nëse u ndodh aty për të pasqyruar aktivitetin e çamëve i ftuar prej tyre dhe ndërroi detyrë në çast, apo ishte aty ashtu, “rastësisht”. Ndoshta e dinte qysh më parë atë që do të ndodhte dhe nxitoi të bënte detyrën: të filmonte rrëzimin e monumentit.

    PËRPLASJA ME POLICINË

    Turma prej mijëra vetësh që mbërriti te blloku i ministrive iu drejtua monumentit të Hoxhës që gjendej në shesh prej katër vitesh, para Muzeut Kombëtar. Fillimisht nuk u mor vesh se çfarë qëllimi kishin. Pastaj u bë e qartë: monumenti ishte objektivi. Studentët atë kërkonin: kokën e Enver Hoxhës.

    Në këto çaste ia behu Policia me mburoja, skafandra dhe me qen kufiri. Duket se ajo e dinte qëllimin e protestuesve dhe po përpiqej të mbronte monumentin. Pak kohë më parë Presidiumi i Kuvendit Popullor kishte nxjerrë një dekret, sipas të cilit dënoheshin të gjithë ata që dëmtonin “simbolet historike”. Qëllimi i dekretit ishte pikërisht mbrojtja e monumenteve dhe busteve të diktatorit, të kudondodhura, që po sulmoheshin gjithandej nga opozita. Ky dekret i kishte hedhur benzinë zjarrit: demit i ishte nxjerrë përpara coha e kuqe.

    Ndërkohë, ky “spektakël” i llojit të veçantë që po zhvillohej në shesh, po ndiqej tani me kërshëri të madhe nga shumë drejtime: jo vetëm nga ne “sehirxhinjtë” e Pallatit të Kulturës, por edhe nga tarraca e madhe e “Hotel Tiranës”, tarraca e Bankës së Shtetit, ajo e Komitetit Ekzekutiv (sot Bashkia), ajo e Muzeut Historik Kombëtar dhe nga pallatet në hyrje të rrugës së Durrësit dhe Kavajës, që shihnin nga sheshi. Shumë prej tyre, megjithëse punonjës të administratës shtetërore komuniste, përshëndesnin duke ngritur dy gishtat lart, në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti për atë që po ndodhte.

    Kjo ngjarje nuk ishte e papritur. Gazeta “Rilindja Demokratike” e opozitës kishte gati dy muaj në treg dhe në kioskat ku shitej, njerëzit rrinin në radhë të gjata për ta blerë atë, duke e çuar shpejt tirazhin e saj në gjashtëdhjetë mijë kopje në ditë.

    Turma, kryesisht të rinj, por edhe gra e të rritur, sulmoi disa herë drejt monumentit për ta rrëzuar. Dëgjoheshin thirrje që nxisnin njerëzit për aksion. Policia disa herë i sprapsi me shkopinj dhe me qen kufiri. Ishin pamje të para vetëm nëpër filma artistikë ose kronika lajmesh nga bota. U dëgjuan edhe krisma armësh, por duket se protestuesit e kuptuan që ato ishin me fishekë manovre dhe prandaj u bënë më të vendosur në sulmet e tyre. Tani përreth sheshit po grumbulloheshin gjithnjë e më shumë njerëz që nuk ishin thjesht sehirxhinj. Kjo bëri që më në fund Policia të tërhiqej: nuk kishte përvojë dhe as forcë për të përballuar situata të tilla.

    RRËZIMI

    Turma më në fund u la e lirë t’i afrohej monumentit dhe të bënte çfarë të donte me të. U bënë disa orvatje për ta rrëzuar duke e tundur e shkundur, por më kot. Ishte i mbërthyer mirë me bulona në bazamentin prej betoni. Më në fund, nga prapa monumentit u afrua një makinë vetëshkarkuese dhe demonstruesit i hodhën masivit prej bronzi një kavo çeliku në qafë për ta tërhequr. U duk se ai anoi rreth dyzetë e pesë gradë dhe turma ulëriu nga gëzimi. Nuk ishte shkulur ende plotësisht, por ishte anuar goxha, aq sa dukej se pas pak çastesh do të shembej përdhe. Ashtu ndodhi. Turma ofshëtiu nga thirrjet. Në çast drejt vendit ku ishte monumenti i rrëzuar u sulën me dhjetëra mijëra njerëz. Nga dolën gjithë ata? Sikur mbinë nga dheu. Ishin atje, rreth sheshit, por nuk guxonin të afroheshin. Kur gjithçka mori fund, ia behën atje në ekstazë. U habita nga kjo prani e madhe e tyre në një ditë pune.

    Atë ditë opozita (të paktën zyrtarisht) nuk kishte planifikuar miting proteste, që të vinin njerëz nga rrethet. Edhe për rrëzimin e monumentit nuk kishte ndonjë thirrje publike prej saj. Thjesht, dukej sikur gjithçka ishte spontane, një zemërim popullor ndaj diktatorit, e nxitur nga greva e studentëve. Natyrisht, opozita politike ishte kudo, por ajo ende kishte frikë të artikulonte thirrje të hapura kundër Enver Hoxhës. Pas një muaji do të zhvilloheshin zgjedhjet e para parlamentare demokratike dhe prandaj “duhej kujdes”.

    Ndërkohë, në qiell u duk një helikopter i Policisë, që u ul nja tridhjetë metra mbi kokat e qytetarëve, te vendi ku më parë ishte monumenti. Nuk kuptohej se çfarë donte të bënte atje, tani që masivi prej bronzi ishte shtrirë përtokë, nën këmbët e njerëzve. Më vonë u tha se në të ishte vetë ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, dhe se kishte ardhur për të konfirmuar zyrtarisht lajmin, me qëllim që të informonte Komitetin Qendror, i ndodhur në mbledhje në ato çaste, për atë që kishte ndodhur. Në atë çast ishte vënë në dijeni Ramiz Alia për ngjarjen dhe ky kishte informuar anëtarët e udhëheqjes: “Sapo informohem se monumenti i Enverit në shesh është rrëzuar.”

    Pasi e qëlluan monumentin e rrëzuar në shesh me shkelma e me çfarë mundën, pasi e përdhosën e s’i lanë gjë pa bërë, protestuesit e lidhën me kavo çeliku për qafe, e kapën pas makinës vetëshkarkuese dhe filluan ta tërhiqnin zvarrë nëpër shesh. Kaluan para “Monumentit të Skënderbeut”, pastaj para xhamisë, morën rrugën në krah të “Sahatit” dhe u drejtuan për nga qyteti “Studenti”. Donin t’ua çonin atyre “trofenë” e fitores. “Merreni, ua sollëm. Ishte një punë e vështirë dhe na lodhi ca, se ishte i mbërthyer mirë me bulona, por ia dolëm.”

    Turma dhjetramijëshe e qytetarëve të ekzaltuar nga ajo që kishte ndodhur, shkonte pas makinës, një pjesë e hipur në të, një pjesë mbi masën e bronzit që zvarritej në asfalt dhe pjesa tjetër në këmbë. E ndoqa lumin e njerëzve me sy nga Pallati i Kulturës deri sa u zhduk në rrugën e Elbasanit. Ishte i madh ky lum, kryesisht, qytetarë të Tiranës, me dyqind e dyzetë mijë banorë atëherë, me përjashtime të pakta nga rrethet.

    Tetë muaj më parë, pas ngjarjes së 2 korrikut me ambasadat, në atë shesh ishte zhvilluar një miting “madhështor” i qytetarëve të Tiranës, të sjellë atje me urdhër dhe të vendosur në kuadrate sipas ndërmarrjeve, për të treguar “solidaritetin” ndaj udhëheqjes se, “ne nuk jemi as Lindje as Perëndim”. Ramiz Alia kishte munguar në atë miting: një vit më parë në sheshin kryesor të Bukureshtit turma e thirrur për të treguar “solidaritetin” me udhëheqjen, ishte ngritur kundër Çausheskut. Fantazma e këtij të fundit shëtiste tani nëpër Tiranë prandaj, “nuk duhet të përsëriten gabime të tilla”.

    TELEVIZIONI

    Pamjet e filmuara prej kameramanit që ndodhej në krah tim në kafenenë e Pallatit të Kulturës do të transmetoheshin pastaj të plota në të vetmin Televizionin Shtetëror të vendit, në programin e lajmeve të orës gjashtëmbëdhjetë, në komentin e “paanshëm” të gazetarit të njohur Alfons Gurashi. Ai që kishte shoqëruar gjithmonë udhëheqësin gjatë daljeve të tij në publik, po komentonte gati i ngazëllyer ngjarjen në shesh: “Ja, tani turma po i avitet monumentit. Ja, tani po i hedhin litarin në qafë. Ja, tani po ndërhyjnë forcat e policisë me qen kufiri. Ja, monumenti po rrëzohet”. Nuk kishte nevojë për shumë komente, sepse pamjet e filmit flisnin vetë. Dukej sikur gjërat ishin planifikuar me kohë nga Televizioni Shtetëror për atë që do të ndodhte. Ato pamje u transmetuan vetëm në lajmet e orën gjashtëmbëdhjetë, pastaj u zhdukën. Por ato tani kishin marrë udhët e botës nëpërmjet televizioneve të huaja.

    Një gëzim i lehtë më përshkoi së brendshmi për atë që, nga e gjithë ajo zallamahi në shesh, nuk kishte pasur viktima në njerëz. “Viktima” kishte qenë vetëm copa gjigante e bronzit me emrin “monumenti i Enver Hoxhës”. Ndërkohë, u trishtova nga mënyra e sjelljes së turmës ndaj atij që për më shumë se dyzetë vjet kishte qenë “udhëheqësi legjendar” i saj. Mendova se ishin skena që në sytë e botës, na tregonin një popull jo fort të kulturuar. Por nuk ishte faji i turmës për atë që ndodhi. Monumenti mund të ishte hequr me kohë, që kur doli opozita, pa pritur të ndodhte ajo “shfaqje shqiptare”, siç kishte ndodhur pak kohë më parë me shtatoren e Stalinit para Galerisë së Arteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që u hoq natën e pa zhurmë. Ata që e kishin në dorë ta bënin këtë, nuk e kishin bërë, përkundrazi, kishin bërë të kundërtën, duke nxjerrë dekrete për ta mbrojtur “udhëheqësin” nga populli. Ata përpiqeshin ta ruanin atje fantazmën, megjithëse ai kishte vdekur prej kohësh në zemrat e shqiptarëve, që para se të ngrihej ajo copë bronzi atje. Nuk ishte hera e parë dhe as e fundit që udhëheqja komuniste i linte gjërat të acaroheshin deri në minutën e fundit.

    ATA QË RRËZUAN

    Nga doli e gjithë ajo turmë që u pa në shesh? Nga mbiu i gjithë ky lumë urrejtjeje ndaj udhëheqësit “legjendar”? A ishte ky një shpërthim i çastit, apo një akumulim i vjetër, i kahershëm, që dilte në shesh pikërisht tani në formë të papërmbajtur? Ishte e vështirë t’u përgjigjeshe aty për aty këtyre pyetjeve, megjithatë, disa gjëra kuptoheshin. Sa ishte gjallë Enver Hoxha, thuhej se nuk lejonte të teprohej me emrin e tij. Ai shfaqej rrallë edhe në televizor. Ai ishte “kundër” kultit të individit. Por pas vdekjes, për një periudhë të shkurtër, emri mbiu kudo: Universiteti i Tiranës “Enver Hoxha”, Akademia Ushtarake “Enver Hoxha”, Kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha”, Hidrocentrali i Fierzës “Enver Hoxha”, Muzeu “Enver Hozha” etj. Monumentet dhe bustet e tij mbinë si kërpudhat në Tiranë, Gjirokastër e gjetkë. Kulti i Hoxhës po ngrihej në qiell. Piramida e ngritur në mes të Tiranës kishte thithur shumë nga djersa e atij populli që nuk ngopte dot barkun me bukë dhe u sillte ndër mend njerëzve piramidat e Egjiptit të lashtë, ku ishin sakrifikuar miliona jetë skllevërish. Që nga viti 1972, me Festivalin e Njëmbëdhjetë në Radiotelevizion, vendi ishte kthyer në kasaphanë të luftës së klasave. “Grupet armiqësore” në kulturë, ekonomi, mbrojtje, naftë, etj. “zbuloheshin” gjithandej. Me mijëra individë dhe familje që deri dje ishin të nderuara, tani kalonin në “satërin” e pushtetit, të burgosur, të internuar ose të zhdukur pa gjurmë. I asfiksuar ekonomikisht nga prishja me kinezët dhe nga politikat katastrofike ekonomike, si dhe nga mungesa e ideve për të dalë nga kjo situatë, sistemi nuk kishte çfarë të ofronte tjetër, përveç kufomave të luftës së klasave. Revolucioni po hante bijtë e vet.

    REAGIMI

    U ktheva në gazetën ku punoja prej disa muajsh, “Zëri i popullit”. As kur isha nisur për te Pallati i Kulturës dhe as në kthim nuk mbaj mend të kem parë autoblinda prapa Muzeut Historik, siç shprehet Nexhmije Hoxha në kujtimet e saj. E fshehur atë ditë në Dajt nga frika e turmës, ndoshta atë e kanë keqinformuar, duke i treguar përralla me autoblinda. Po edhe sikur të kishte tanke e autoblinde atje, a mund të qëllohej mbi masën e madhe të njerëzve për një copë bronzi?! Monumenti nuk mund të mbrohej as me avionë e me tanke nga ajo urrejtje e madhe popullore për të. Do të ishte vetëm një gjakderdhje e kotë, e përmasave të mëdha, pra, një marrëzi e pafund, nga e cila nuk do kishte shpëtuar as vetë zonja Hoxha. Në gazetën e krijuar nga Enver Hoxha pesëdhjetë vjet më parë, atë ditë as që na kërkoi njeri të shkruanim për të mbrojtur monumentin e shembur dhe të nesërmen nuk u botua asgjë për këtë ngjarje në faqet e saj. Zëre se nuk kishte ndodhur gjë fare. Edhe gazeta gjendej në situatë shoku. Dy ditë më vonë filluan disa protesta në rrethe, ku dënohej rrëzimi i bronzit dhe kërkohej ringritja e tij aty ku kishte qenë. Edhe ne si gazetë u detyruam të shkrehnim ndonjë “pushkë” me fishekë manovre nga frëngjitë e saj, “në mbrojtje” të tij. Por edhe këto nuk vazhduan gjatë. Baruti ishte i lagur. Nuk ngjallej më ajo që kishte vdekur prej kohësh.

    Disa ditë pas rrëzimit u ndodha në zyrën e sekretarit të Parë të Partisë së Tiranës, Robert Koli. Duke biseduar për situatën e rënduar politike, ai tha: “Për të gjitha këto që po ndodhin, fajin e ka ky babëloku këtu, prapa meje” dhe bëri shenjë me kokë nga muri pas tij. Atje ishte fotografia e Enver Hoxhës. Edhe sekretari i Parë i Partisë i Tiranës, pra, i caktuar në atë detyrë dy muaj më parë, kishte po këtë mendim përçmues për udhëheqësin. Në fund të atij muaji, më 31 mars, zgjedhësit e lagjes së “Shtëpisë së Partisë” në Tiranë votuan me shumicë dërmuese kundër pasardhësit të Hoxhës, Alia, në zgjedhjet e para demokratike.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    “Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona”- Gazetari Hamdi Jupe rrëfen si ndryshoi Partia e Punës pas rrëzimit të bustit të Enverit. Kusht i Fatos Nanos për të marrë drejtimin e saj


    Emri:  pjimage-36.jpg

Shikime: 887

Madhësia:  71.6 KB

    Publicisti i njohur i gazetës “Zëri i Popullit”, Hamdi Jupe, në librin e tij, “Shënimet e gazetarit”, tregon momentet e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, si dëshmitar okular i ngjarjes në sheshin “Skënderbej” në 20 shkurt 1991.

    Sipas tij, populli u provokua nga udhëheqja e Partisë së Punës, për shkak se i ngriti një kult prej faraoni Enver Hoxhës duke i ngritur monument, piramidën si muze, por dhe emërtimet e disa institucioneve të rëndësishme me emrin e udhëheqësit komunist duke rritur zemërimin e njerëzve.

    Jupe tregon dhe ngjarjet e ndodhura më pas, siç ishte Kongresi i qershorit 1991, kur PPSH-ja u transformua në Parti Socialiste dhe kushtin e Fatos Nanos për të marrë drejtimin e partisë, nëse vetë partia e re do të shkëputej nga Enver Hoxha.

    KONGRESI I FUNDIT

    U desh të kalonin edhe tre muaj deri në Kongresin e Dhjetë të Partisë. Delegatët erdhën nga rrethet gati fshehurazi, nga frika e sulmeve prej turmave të opozitës. Situata në Kongres ishte e elektrizuar. Shkrimtari Dritërori Agolli në diskutimin e tij kritikoi ashpër regjimin e kaluar dhe vetë Enver Hoxhën. Kjo irritoi sallën dhe bëri që ajo të ndërpriste disa herë diskutimin e tij me thirrjet: “Enver Hoxha”, “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë”.

    Kjo e detyroi Dritërorin të deklaronte nga tribuna e Kongresit: “Ju ma vërtetuat mendimin tim, të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt … Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë, po mundët. Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri”.

    Ngjarjet po rrokulliseshin me shpejtësi, minutë pas minute.

    Nëpër korridoret e Pallatit të Kongreseve, grupe delegatësh që kishin dalë nga salla thërrisnin të alarmuar, duke shkulur faqet me thonj: “Çfarë bëmë kështu! Vramë veten me duart tona, duke ngritur dorën kundër njeriut tonë, poetit Dritëro dhe e bëmë të ikte! E kush mbeti tjetër tani në këtë parti!”.

    Ata që kishin sulmuar Dritëroin në sallë, ishin delegatë nga rrethet, pjesa më e pandriçuar e partisë, e bombarduar prej dyzetë vitesh vetëm nga propaganda komuniste për “udhëheqësin e pagabueshëm”.

    Ata tani e shikonin veten të tradhtuar nga të gjitha anët, prandaj po përjetonin halucinacionet e zhgënjimit të madh. Në ditën e tretë të Kongresit u “zgjodh” më në fund udhëheqja e re e partisë, Komiteti i ri Qendror i saj. “U zgjodh” me thonjëza, sepse emrat e rinj dukeshin sikur ishin zgjedhur nga një dorë e kujdesshme, pavarësisht nga votimi i Kongresit, me qëllim që në listë të mos mbetej asgjë nga e kaluara. Në atë listë bënte pjesë edhe Dritëro Agolli, që kishte deklaruar një ditë më parë “largimin” e tij. Atë nuk e kishin lënë të largohej, e kishin mbajtur “me zor” nga krahët ata që kishin ndërprerë fjalimin-funeral të tij ndaj regjimit një ditë më parë. Le të ikte “i vdekuri që vinte erë”, por jo Dritëroi. Dhe ai qëndroi atje deri në fund të jetës së tij, për të shtyrë “gërdallën histori majtas, majtas, majtas!”.

    “MANIFESTI” POLITIK I NANOS

    Problemi tani ishte zgjedhja e Sekretarit të Parë të saj. (Ishte akoma terminologjia e vjetër për organet drejtuese). Përfliteshin disa emra, midis të cilëve edhe Fatos Nano. Ky nuk pranonte të zgjidhej dhe prandaj mbledhja e Komitetit të ri për zgjedhjen e Njëshit të saj po zgjatej pa mbarim. “Konklava” e partisë nuk mund të mbyllej pa zgjedhur “Papën” e ri. Në diskutime u ngrit edhe një delegate e Gjirokastrës me mbiemrin Shapllo. “Ne, shoku Fatos, nuk kthehemi dot në Gjirokastër, nëse ti nuk pranon të zgjidhesh Sekretar i Parë – tha ajo gjithë patos, por edhe me një lloj trishtimi njëherësh, që nuk po zgjidhnim dot të Parin e partisë. Nga vendi ku ishte ulur në sallë, Nano iu drejtua asaj: “Dëgjo, ti motër nga Gjirokastra: Nëse unë zgjidhem në krye të partisë, unë nuk kam më punë me Enver Hoxhën. E pranoni ju gjirokastritët këtë apo jo?”. Heshtje varri në sallë. Deklarata politike e Nanos për ndarjen përgjithmonë nga emri dhe trashëgimia e Hoxhës nuk i drejtohej vetëm “motrës” nga Gjirokastra. Ajo u drejtohej të gjithë atyre tetëdhjetë e një anëtarëve të rinj të udhëheqjes së lartë që ishin në atë sallë. Domethënë: “Dëgjoni dhe merreni vesh ju, anëtarë të rinj të udhëheqjes se si do të jetë partia e re, nëse unë zgjidhem në krye të saj”. Ky ishte “manifesti” politik i Nanos. Pas pak çastesh topitjeje, delegatja nga Gjirokastra e mblodhi veten:

    – Po, shoku Fatos, do ta pranojmë!

    Duartrokitje në sallë. Ai togfjalësh, “do ta pranojmë”, e kishte çliruar situatën nga ngërçi. Ajo dhe gjithë salla e kishin pranuar “manifestin” politik të kandidatit për udhëheqësin e ri.

    Fatos Nano u ul në tavolinën që shërbente si presidium në sallën e vogël të katit të dytë të Pallatit të Kongreseve. Po fillonte një erë e re në politikën shqiptare, duke shënuar kështu lindjen e vështirë të një formacioni të ri politik, që po ngrihej mbi gërmadhat e së vjetrës. Nga “mitra e përgjakur” e Partisë së Punës po lindte Partia Socialiste, siç do të thoshte më vonë Dritëroi.

    Kjo parti e re do të mbijetonte me sukses të paktën për tridhjetë vitet e ardhshme, duke qeverisur vendin në katër mandate politike dhe duke kërkuar tani edhe të pestin.

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    Sot 85-vjetori/ Nga letra për Ramizin në ‘90 te debati për marksizmin në PS, gazetari i njohur tregon polemikat e Servet Pëllumbit

    Nga Hamdi Jupe

    Emri:  800-0-0fae9911b97b311760fc2c40e57c6525.jpg

Shikime: 107

Madhësia:  33.2 KB

    E pashë për herë të parë në verën e vitit 1981, kur dhashë provimin pasuniversitar të filozofisë. Një burrë rreth dyzetë e pesë vjeç, me trup të drejtë, i veshur me sqimë, me flokë të prera shkurt që kishin filluar të merrnin paksa nuanca gri, me gjyzlykë me skelet metalik inoksi në sy, me një pamje gjithë fisnikëri.

    Siç mësova më vonë, kur ishte kthyer nga studimet universitare në San Petërburg, filozofi i ri shqiptar nga një fshat i Korçës, krahas diplomës me nota të larta, kishte sjellë me vete edhe dyzetë kollare, natyrisht jo për tregti.

    U ktheva në Dibër ku do të qëndroja edhe për gati dhjetë vjet të tjera si mësues. Atëherë nuk e dija se pas njëzetë vjetësh, pikërisht në fillim të vitit 2002, do të takoheshim përsëri nën të njëjtën “çati”, atë të ish – Komitetit Qendror, ai në postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa unë në atë të shefit të kabinetit të tij.

    BOJKOTIMI I GAZETËS SË PARTISË

    Gjatë vitit 1990 kishin ndodhur tronditje të mëdha që filluan me dy korrikun. Megjithatë, vendi nanuritej ende në dilemën e ujërave të turbullta: “as Lindje, as Perëndim”, jemi për “pluralizmin e mendimit, por jo për pluralizmin politik” etj.

    Emri:  servet_pelllumbi_protesta_1996.jpg

Shikime: 112

Madhësia:  47.1 KB

    Në gazetën “Zëri i popullit” ku punoja, më ngarkuan të organizoja një bisedë në redaksi me intelektualë të njohur me temë “Debati si domosdoshmëri për shoqërinë”. Në listën e intelektualëve të ftuar ishte edhe dr. Pëllumbi. Kishte botuar disa artikuj interesantë në shtypin e kohës, në të cilët theksohej nevoja e “reformave demokratike”, slogan ky i përdorur dendur atëherë.

    Te porta po prisja të ftuarit, intelektualë të njohur si Sali Berisha, Fatos Nano, Luan Omari, Alfred Uçi etj., duke u dridhur nga emocioni nëse do të vinin apo jo. Ishte koha kur gazeta kryesore komuniste po humbiste terren dhe po braktisej prej intelektualëve. Ja ku u duk në trotuar profesor Serveti. U gëzova pa masë.

    Ky është burrë për së mbari, mendova. Shenjë e mirë kjo për aktivitetin e planifikuar. Por isha gabuar.

    Porsa u përshëndetëm, profesori foli: Më falni, por unë nuk mund të vij në bisedë. Kam humbur shumë orë mësimi në universitet dhe prandaj më duhet të shkoj.- Më dha dorën dhe u largua. Mbeta thellësisht i zhgënjyer. Prej të tjerëve edhe mund ta prisja të mos vinin, por për profesorin, jo. Çfarë kishte ndodhur? Mos vallë nuk ishte dakord të ulej në një tryezë me të ftuarit e tjerë, të cilët e dinte se kush ishin?

    Më vonë e mësova. Në fillim të nëntorit, profesori i kishte dërguar një letër Ramiz Alisë ku i shtronte nevojën e reformave të thella demokratike. “… shoqëria jonë objektivisht po shkon drejt nevojës së pranimit të pluralizmit politik, përfshi edhe atë partiak…”(Pëllumbi: “Dritëhije të tranzicionit”) Alia ishte revoltuar aq shumë nga kjo kërkesë, saqë letrën e Pëllumbit ia kishte dorëzuar ministrit të Brendshëm, Isai, me shprehjen: “Ja se kush po na jep leksione për pluralizmin tani!”.

    Këtë Isai ia kishte thënë Pëllumbit në një takim që kishte pasur me të. Me sa duket, kjo ishte arsyeja e vërtetë e pezmit dhe e refuzimit të tij ndaj gazetës së partisë, jo orët e mësimit, siç ishte shprehur. Mbeta i ngrirë në trotuar, në pritje të intelektualëve të tjerë të ftuar.

    Emri:  unnamed.jpg

Shikime: 126

Madhësia:  40.0 KB

    UDHËHEQËS I SË MAJTËS DEMOKRATIKE SHQIPTARE

    Pëllumbi vazhdoi të angazhohej për reformimin e së majtës shqiptare, në kushtet e reja të pluralizmit politik të saposhpallur. Ai kishte pasur një traumë të madhe familjare në vitet e fundit të diktaturës, kur i kishin burgosur vëllanë, i shpallur “armik i popullit”, i akuzuar me grupin e Kadri Hazbiut.

    Kuptohej gjendja psikologjike e tij në atë periudhë. Në këto rrethana, ai mund të bashkohej shumë lehtë me opozitën e sapokrijuar. Por ai qëndroi me të majtën, sepse si intelektual që ishte, e dinte që i përkiste asaj klase shoqërore, e cila do të ishte tani pjesë e pluralizmit politik shqiptar. Prandaj ajo duhej reformuar dhe aftësuar teorikisht dhe në terrenin praktik, për të konkurruar me sukses në betejat e ardhshme elektorale. E kush mund ta bënte më mirë se Dr. Pëllumbi këtë?

    Ai vazhdoi të shkruajë dhe të flasë, duke u bërë kështu truri, por edhe tribuni i së majtës shqiptare. Ai foli edhe në Kongresin e Dhjetë dramatik të Partisë së Punës, ku lindi Partia Socialiste. Për këto arsye, kryetari i sapozgjedhur i partisë Nano, sapo doli në presidiumin e mbledhjes, theksi: “E pranoj postin e kreut të Partisë, me kusht që t’i zgjedh vetë shokët që do të kem në krah.

    Këta janë: Servet Pëllumbi etj. etj. Në këtë mënyrë Pëllumbi nuk u kufizua në “ngastrën” teorike të filozofisë, por pranoi të marrë përsipër edhe rolin e udhëheqësit praktik të forcës së re politike, duke lëvizur në të gjithë Shqipërinë herë me këmbë e herë me makinë, edhe pse në moshë jo fort të re. Pëllumbi ishte ideologu i partisë së re socialdemokrate që po ngrihej mbi gërmadhat e Partisë së Punës.

    Ai udhëhoqi përpjekjet për shkëputjen përfundimtare të saj nga e kaluara komuniste në vjeshtën e vitit 1991, kur u organizua Aktivi Kombëtar i Partisë, për të sanksionuar pikërisht këtë shkëputje me të vjetrën. Nuk ishte e lehtë të ndodhte kjo, sepse ishte ende e freskët propaganda komuniste pesëdhjetëvjeçare, por partia ia doli në krye. Meritë të veçantë për këtë ka profesor Pëllumbi.

    “NUK JAM DAKORD ME DORËHEQJEN E NANOS”

    Emri:  pellumbio-e-agolli.png

Shikime: 113

Madhësia:  305.0 KB

    Partia Socialiste e sapodalë nga pelenat, u paraqit keq në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, me rezultat vetëm 26 për qind. Që do të humbiste, kjo pritej, por aq thellë, jo. Maxhoranca e re do të kishte dorë të lire të bënte veprime aventurore në dëm të vendit dhe të demokracisë, siç edhe ndodhi.

    Kjo humbje kishte bërë të pllakoste zia në parti. I ngarkuar me emocione negative prej humbjes, në diskutimin tim në analizën e saj në KPD kërkova dorëheqjen e kryetarit Nano nga drejtimi i partisë. Kjo nxiti një debat që e shtyu mbledhjen edhe katër orë të tjera me diskutime rreth asaj në se duhet të ikte apo jo kryetari. Shumë e mbështesnin kërkesën e largimit.

    Për të qetësuar disi situatën, në fjalën e tij Dritëroi ndër të tjera tha: “Tani, kështu do vazhdojë kjo punë, herë do fitojmë ne, herë do fitojnë ata. Kjo është demokracia”. Ishte një thirrje për vetëpërmbajtje në kushtet e traumës psikologjike të shkaktuar nga humbja. E mori fjalën edhe nënkryetari Pëllumbi, i shqetësuar nga drejtimi që po merrte mbledhja.

    “Nuk jam dakord me dorëheqjen e kryetarit. E kam për nder të punoj me Nanon”, tha ai, në një mënyrë ndoshta të panatyrshme për të, por e nevojshme për të kapërcyer situatën e tensionuar.

    Ai vazhdoi të argumentojë me urtësi qëndrimin e tij, se humbja e thellë nuk ishte vetëm përgjegjësi e kryetarit etj. Gjëja më e lehtë në atë situatë ishte ta flakje tej kryetarin për humbjen, por kush tjetër do ta merrte përsipër ta drejtonte partinë-gërmadhë pas humbjes? Nëntë muaj më parë në Kongresin e Dhjetë, ishin bërë tri orë përpjekje për ta bindur ta merrte përsipër atë detyrë.

    Kujt do t’ia varnim tani “këmborën” e rëndë të saj? Ky mendoj ishte mesazhi “midis rreshtave” i diskutimit të Pëllumbit. U binda që e kisha tepruar me kërkesën time. Kryetari kishte pak kohë në detyrë dhe partia ishte ende e hallakatur në fillimet e saj. Nano mbeti kryetar. Ishte herët për të kërkuar koka turku.

    Mbledhja u mbyll pa “gjak”, por edhe Nano e mori një leksion të mirë: një parti që pretendon të vijë në pushtet, nuk drejtohet me “tra-la-la”. Ky ishte mesazhi i analizës. Pëllumbi kapi çastin historik dhe shpëtoi partinë nga pasojat e parashikuara.

    ENERGJIA QË VJEN NGA POPULLI

    Sa kohë ishte nënkryetar partie, Pëllumbi priste në zyrën e tij vazhdimisht njerëz të kategorive të ndryshme nga i gjithë vendi. Ata ishin burim informacioni dhe frymëzimi për të. Por edhe ata dilnin nga zyra e tij me një optimizëm të ri, në kushtet e pesimizmit të përgjithshëm të shoqërisë. Ishte e habitshme se si filozofi i katedrës së universitetit mbante kaq shumë lidhje me njerëzit e “vulgut”.

    Ai mbante në sirtarin e tavolinës disa skeda dhe, sa herë i dukej se bashkëfolësi jepte një fakt ose një ide interesante, e hidhte atë në një skedë të posaçme, me mendimin se do t’i vlente një ditë për një fjalim, diskutim ose një vendim që do të merrej. Këtë punë bënte rregullisht edhe kur lexonte gazetat, aq sa kishte njerëz që e ironizonin: “Ama, do fitojmë pushtetin me skedat e profesorit tani!”.

    Profesori nuk tutej, e kishte metodë pune. Çdo fakt dhe ide interesante e hasur në to e frymëzonte për punë. Pse jo, edhe për studimet e ardhshme politike, filozofike e sociologjike që zunë vend në librat e tij. Në tetëmbëdhjetë libra të botuar prej tij gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve pas vitit 2000, e ke të vështirë të dallosh se ku mbaron politikani dhe ku fillon filozofi dhe anasjelltas.

    Aq të ndërthurua janë ato me njëra–tjetrën. Ndër këta njerëz që priste në zyrën e tij kishte edhe nga ata që propozonin të ngrihemi në protesta revolucionare dhe ta rrëzojmë me dhunë “qeverinë e poshtër” të Berishës etj. Ky ishte rreziku kryesor i radikalizmit të së majtës, veçanërisht pas burgosjes së liderit të saj Nano, gjë që do ta çonte atë në humnerë. Jo, thoshte profesori, dhuna është e papranueshme në demokraci, prandaj do presim të vijnë zgjedhjet dhe atje do ta ndryshojmë situatën me anë të votës.

    PRAKTIKISHT “NJËSHI” I PARTISË

    Nga korriku i vitit 1993, kur u arrestua kryetari i partisë Nano e deri në fund të vitit 1996, Pëllumbi praktikisht ishte kryetari faktik i partisë. Drejtimi i saj nga burgu ishte i vështirë, veçanërisht në periudhën e paraburgimit, kur takimet me të ishin të pamundura. Në këto situata u duk mençuria e Pëllumbit si udhëheqës politik, duke drejtuar me pjekuri partinë dhe duke e shpëtuar atë nga qorrsokakët e ekstremizmit, ku po përpiqej ta fuste Berisha, me “delfinët” e tij brenda udhëheqjes së partisë. Pëllumbi udhëhoqi në emër të opozitës Referendumin historik kombëtar për kushtetutën më 6 nëntor 1994, duke korrur një fitore madhështore me 53 përqind të votave, në rrethana ekstremisht të vështira. Ishin vetëm 24 ditë për të zhvilluar fushat përballë makinerisë së shtetit që u vu në shërbim të Berishës.

    Ishte një betejë “përjetë a vdekje” që u fitua nga opozita në mënyrë spektakolare. Pata rastin ta shoqëroj si gazetar në disa takime me popullin në rrethe. Prej tyre merrte besimin se opozita do të fitonte. Humbja e detyroi Berishën “e pathyeshëm” të deklaronte: “Kur flet sovrani, të tjerët heshtin”.

    Referendumi ishte i pari dhe i fundit deri më sot në historinë 109–vjeçare të shtetit shqiptar. Zgjedhjet parlamentare të 26 majit të vitit 1996 ishin një test tjetër për opozitën e udhëhequr nga Pëllumbi. Në dy votime të mëparshme, ato lokale dhe të referendumit, kishte fituar opozita. Edhe në vendet e tjera të lindjes ish–komuniste po vinin në pushtet forcat e majta. Kjo e terrorizonte Berishën, prandaj ai organizoi manipulimin e zgjedhjeve me të gjitha format dhe mjetet e mundshme. Profesori u kërcënua disa herë, deri në eliminim fizik gjatë fushatës. Kjo situatë që të kujtonte fashizmin, e detyroi opozitën të bojkotonte zgjedhjet, duke çuar kështu në diskreditimin e plotë të Berishës në sytë e botës. Parlamenti i manipuluar, ku Berisha kishte futur 131 militantë të vetët, pati vetëm nëntë muaj jetë dhe u shpërnda nga presioni i protestave popullore.

    “MOCIONI” OSE: BUSTI I MARKSIT DHE BUSTI I KAÇIT

    Por punët nuk po shkonin gjithnjë “vaj” në partinë kryesore të opozitës. Kriza e përgjithshme e shoqërisë në mesin e viteve nëntëdhjetë, por edhe interesa meskine të individëve të caktuar brenda partisë, nxitën përçarjen e saj me anë të të ashtuquajturit “mocion” kundër udhëheqjes.

    Qëllimi i elementëve arrivistë ishte largimi i Pëllumbit dhe drejtuesve të tjerë nga kreu i partisë me akuza se “mban bustin e Marksit në zyrë” etj., etj., për t’i hapur udhë në të vetes së tyre. Gurët bien mbi pemën me kokrra nga rrugaçët e lagjes. Mocionistët kërkonin heqjen e bustit të Marksit dhe vendosjen në vend të tij të “bustit të Kaçit”. Ky debat për “mocionin” e rraskapiti partinë dhe e nxori atë jashtë boshtit kryesor të aksionit politik si opozitë.

    Në kongresin e jashtëzakonshëm të organizuar në vjeshtë të atij viti (1996), Pëllumbi shprehu qëndrimet e tij konsekuente dhe u largua nga të gjitha funksionet drejtuese të partisë, i bindur se ai nuk kishte bërë asnjë gabim dhe se i qëndronte parimeve të tij politike, ku kryesori është morali (“Edhe politika do moral”) Partia gati u asfiksua nga ky konflikt rraskapitës dhe vetëm protestat e qytetarëve për paratë e humbura në firmat piramidale e shpëtuan atë nga vdekja klinike.

    Pëllumbi u rikthye në pozicionin e deputetit të popullit dhe më vonë të Kryetarit të Kuvendit, detyrë që e kreu me përkushtim deri në fund. “Pije me lëng!” Kryetari më thirri në zyrë dhe më dha një dosje të hollë plastike me disa fletë letre brenda saj. “Merre lexoje”, tha duke ma hedhur mbi tavolinë, sikur po më jepte një gjë të neveritshme.

    Në dosje ishte një kopje e letrës që kryetari i Kontrollit të Shtetit u drejtonte njëherësh tre autoriteteve të larta: Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit. Në letër flitej për një abuzim prej më shumë se 3 milionë USD të bërë nga Albtelekomi.

    Ky institucion publik kishte bërë më shumë se 40 herë këmbime valutore me shuma të mëdha parash me një bankë greke në Tiranë dhe në të gjitha rastet, disa prej të cilave edhe brenda një dite, gjithmonë kishte humbur Albtelekomi. Kontrolli kishte konstatuar se humbja ishte rreth 3,3 milionë USD. Dukej qartë që ishte një rast i pastër korrupsioni nga drejtuesit e Telekomit.

    U llahtarisa kur e mbarova së lexuari. Shkova menjëherë te Kryetari dhe e pyeta se çfarë do bënim me materialin. -E lexove? – E lexova. Pije me lëng pra! – tha ai, akoma i nervozuar në një mënyrë të tillë që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të flasë ashtu. Ngela i ngrirë para tij me materialin në dorë. Ç’ishte kjo e folur kështu? Ai e kuptoi që duhej dhënë një sqarim, prandaj e mori fjalën prapë:

    – Letra u ka vajtur edhe Presidentit, edhe Kryeministrit. Le të merren ata me atë punë.

    Ne si Parlament nuk kemi struktura hetimore. Ne vetëm ligje miratojmë. Kishte një shkallë të lartë nervozizmi në fjalët e tij. Ky vinte nga fakti se këto veprime korruptive bëheshin nga njerëz nën hijen e pushtetit të Partisë Socialiste, për të cilën kishte luftuar ai dhe socialistët e tjerë të ndershëm për vite me radhë. “Për të vjedhur, do vjedhim edhe ne socialistët, por jo sa këta, demokratët” (Deklaratë e një deputeti socialist në televizor).

    Me sa dukej, edhe ai vetë sapo e kishte lexuar materialin, prandaj ishte ende nën efektin e emocioneve të forta negative të krijuara prej tij. Ma kishte dhënë letrën ta shikoja, sepse nuk e mbante dot i vetëm pezmin e shkaktuar prej saj. Artisti i Popullit që qan për bukën e gojës Me kryetarin Pëllumbi shkuam për vizitë në spital, ku ishte shtruar i sëmurë Artisti i Popullit K. R. Sapo hymë në dhomën e tij, të shoqëruar nga drejtori i spitalit, artisti na u drejtua: Ju lutem, na lini pak vetëm, se kam një muhabet me Servetin.

    – U habitëm nga fjalët e tij dhe vështruam nga Kryetari.

    – Dilni, dilni, – tha ky, – ne jemi burra të vjetër dhe kemi sekretet tona. Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor, derisa na thirri Kryetari të hynim. Qëndruam ca kohë dhe u kthyem në Kuvend. Kryetari më thirri në zyre. E more vesh përse ju nxori jashtë artisti?, pyeti. Nga ta marr? -i thashë.

    – Ju e patë që ai na nxiori nga dhoma. Po, – tha profesori – Ai ju nxori dhe atëherë më bëri një kërkesë të panatyrshme. Më tha: “Të lutem më ndihmo të gjej ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten, se e di që do vdes, po kam hallin e saj”.

    – U habita nga kjo kërkesë. M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë, por e mblodha veten. Mendova se një njeri në hall, mbi tetëdhjetë vjeç, i shtruar në spital mund të bëjë edhe kërkesa të tilla. Prandaj të kam thirrur. Të shikosh çfarë mund të bëjmë ne si Kuvend për të nxjerrë ndonjë fond për të. Atij i takon pension i posaçëm si artist i shquar, dreqi ta marrë dhe unë do merrem me këtë çështje pranë qeverisë.

    Por ai është keq sot dhe kjo punë më ngeli mua në shpinë tani. Me rrogën time po lajmë një kredi që kemi marrë për shtëpinë dhe nuk tepron gjë. Më erdhi e papritur kjo kërkese prandaj thirra drejtoren e financave për të parë se çfarë mund të bënim si Kuvend për ta ndihmuar artistin. Mos e diskuto!, – tha ajo menjëherë sapo më dëgjoi.

    –Kjo është një punë që s’bëhet. Nuk ka asnjë hapësirë ligjore për këtë. Iu luta ta shikonte edhe një here me kujdes se nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja Kryetarit, por ajo nuk luante nga vendi.

    Ishte në prag të pensionit dhe e regjur me vaj e me uthull për punët e financave publike. Pastaj, pasi u mendua pak, tha me ndrojtje:

    – Shiko, ka vetëm një rrugë për të nxjerrë ca para, por kjo bëhet me urdhër të kryetarit. Cila është rruga?, – e pyeta.

    Kryetari të të japë ty dy rroga mujore shpërblim për punë “shumë të mirë” që ke bërë në shërbim të institucionit, futja kot domethënë – tha ajo.

    – Ti i merr ato para dhe ia çon artistit. Duket si diçka që nuk shkon, e kuptoj, por bëj be që nuk ka asnjë rrugë tjetër të mundshme. Shkova te kryetari dhe ia thashë zgjidhjen. Kërkoi t’i çonim urdhrin për firmosje. Mora paratë dhe ia çova artistit. Ai më falënderoi me lot në sy. Nuk dihej nëse do të dilte më i gjallë prej andej.

    Merreni atë shtatore dhe kushtojani ndonjë ministri a deputeti! Jo të kohës së Migjenit, por të shekullit të njëzetëenjëtë. I raportova kryetarit se e kisha kryer detyrën. Më ke shpëtuar nga një hall i madh, – tha i lehtësuar. Kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vjet që atëherë dhe urdhri për shpërblimin tim për punë “shumë të mirë” ndodhet në arkivin e Kuvendit.

    Është “shpërblimi” më i bukur i jetën sime. Se mos e gjejnë ata të komisionit parlamentar të antikorrupsionit se na morën në qafë. Gërmo, Tare, gërmo, se atje ke për ta gjetur qenin e ngordhur të “korrupsionit aktiv dhe pasiv në bashkëpunim”.

    E shkrova këtë artikull për profesorin si politikan, burrë shteti dhe njeri në këtë tetëdhjetepesëvjetor të lindjes së tij. Por kjo zë vetëm dhjetë për qind të aktivitetit të tij mbi gjashtëdhjetëvjeçar. Nuk po hyj në “çairet” e filozofisë, të cilat janë “pronë e patundshme” e tij, se ngecem brenda e nuk dal dot më prej tyre.

    Le të merren të tjerë me atë fushë të veprimtarisë studimore kolosale, nëse ka njerëz të tillë sot në Shqipëri. I uroj jetë të gjatë në këtë përvjetor dhe mirë u pjekshim te kodrat e Liqenit Artificial për të vazhduar ecjen sportive në ajër të pastër në këto ditë behari të mes të dimrit.

    (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)


    TETËMBËDHJETË LIBRA PËR GJASHTËMBËDHJETË VJET

    “Të mendosh ndryshe” 2001

    Sprova në sociologjinë politike” 2002

    “Gjurmime sociologjike” 2002

    “Edhe politika do moral” 2005

    “Pluralizmi politik: përvojë dhe sfidë” 2006

    “Bashkëbisedim për politikën” (Libri 1) 2007

    “Demokracia dhe zëri i moralit” 2008

    “Globalistika: refleksione filozofike për një epokë” 2009

    “Filozofia e aktualitetit” 2010

    “Fjalor filozofik” 2011

    “Bashkëbisedim për politikën” (Libri 2) 2011

    “Bashkëbisedim për politikën” (Libri 3) 2012

    “Integrimi dhe nacionalizmi” 2013

    “Etikokracia: refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë” 2013

    “Kultura filozofike dhe misticizmi: (vlera & antivlera)” 2014

    “Përmbysja e Komunizmit” 2015

    “Pluralizmi i dytë: ese-analiza-intervista” 2015

    “Përvoja ime në Partinë Socialiste: ditar politik: (1991-1996)” 2016

    Burimi: Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    Hamdi Jupe rrëfen takimet me Dritëroin: Replika me shkrimtarin e ri që e kishte sulmuar, pse e hoqi poezinë nga libri

    Ai ishte një nga ata zyrtarët e rrallë, që nuk përtonte të vishte xhupin e trashë e çizmet e t’i futej borës përmes. Kështu, në rrethana ekstreme e ka takuar Hamdi Jupe, për herë të parë, Dritëro Agollin.

    Emri:  Dritero-Agolli-Servet-Pelumbi-hamdi-jupe.jpg

Shikime: 106

Madhësia:  33.3 KB

    Në dy vjetorin e vdekjes së shkrimtarit dhe poetit, gazetari dhe ish-deputeti, kthehet pas në kohë, atëherë kur njohu kryetarin e atëhershëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk munguan përplasjet, kritikat e dyanshme, veçse Dritëro Agolli dinte se si t’i bënte ato. Në kujtimet për Dritëroin, Jupe sjell ndër mend takimin në Peshkopi në vitin 1985, kur bora kishte shkaktuar mbyllje të rrugëve dhe vështirësi për popullatën; por edhe përballjen në zyrën e Dritëroit në vitin 1990, kur ky i fundit mbronte shkrimtarët, që ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve kishin jo pak halle, nuk kishin shtëpi apo i kishin bashkëshortet pa punë. Si një rast të rrallë përmend gazetari, qëndrimin e Dritëro Agollit ndaj një kritiku të ri, sipas tij “bukëshkalë”, të cilit i kishte kushtuar edhe një poezi të gjatë. Këtë të fundit ai e botoi në gazetën “Zëri i Popullit”, por nuk e përfshiu në vëllimin e tij poetik, që nxori më vonë. Dritëroi ia kishte dhënë mesazhin dhe nuk dëshironte që ky reagim i tij të mbetej përjetë në librari e biblioteka.

    HAMDI JUPE

    1. BORA KTHEHET NË DRITË


    Në dëborën e madhe, një metër të trashë, të janarit të vitit 1985, Dritëro Agolli erdhi në Peshkopi bashkë me shkrimtarin Anastas Kondo. Nëpër qytet nuk lëviznin makinat. Jeta dukej sikur kishte ngrirë në vend. Në televizor jepeshin kronikat me helikopterët e ushtrisë, që shpërndanin ndihma ushqimore nëpër fshatrat e thella të izoluara të Veriut. Në Kukës kishin humbur jetën njerëz nga ortekët. Qumështi shpërndahej nëpër dyqane me traktor me zinxhirë. Isha mësues në gjimnazin e qytetit dhe po bëja vitin e nëntë atje. Ata erdhën me një makinë të lartë fuoristradë, prodhim rumun, e tipit “Aro”, me goma me zinxhirë. Se si erdhën dhe se si u shfaqën atje si lugetër, në mes të acarit, një djall e merrte vesh. Rruga Tiranë–Peshkopi në kohë të mirë kërkonte nja pesë orë. Ndërsa në kohë të keqe, mund të mbeteshe në vend, të paktën në nja pesë pika të rrezikshme. Kisha pasur rast ta provoja vetë këtë në dimër, duke mbetur i bllokuar deri në nëntë orë në autobusin e linjës. Por ata erdhën. Ardhja e tyre ishte një ngjarje e veçantë për qytetin e vogël të izoluar verior, jo vetëm se ishin shkrimtarë të njohur, por edhe për aktin që kishin bërë, duke çarë dëborën me zor, duke kaluar nëpër kiamet, me kokën në torbë, derisa kishin mbërritur atje. Një arsye më shumë për të marrë pjesë në një takim të posaçëm të organizuar me ta, në shtëpinë e kulturës së qytetit. Të dy ishin të veshur me xhupa të trashë, me këpucë me qafa, me kokore pellushi dhe me doreza leshi. Kuptohej se këto i kishin marrë borxh diku, sa për të ardhur në Dibër, sepse në Tiranë nuk mbaheshin veshje të tilla. Nuk mund të vije në Peshkopi në ato ditë i veshur si levend. Ata e dinin këtë, se ishin njerëz të bredhur edhe më parë në zona të tilla. Tek i shihje të veshur ashtu, të dukeshin si dy gjahtarë që kishin dalë për të gjuajtur thëllëza në dëborë. Mirëpo, nuk ishte kohë thëllëzash.

    Emri:  Dritero-Agolli1.jpg

Shikime: 111

Madhësia:  39.5 KB

    Duke qenë edhe ata të “udhëheqjes”, se ishin anëtarë të Komitetit Qendror dhe deputetë, u sistemuan për të fjetur te shtëpia e pritjes, vila e udhëheqjes në Peshkopi, se në hotel nuk kishte ngrohje, në temperaturë minus dhjetë gradë celsius të atyre ditëve. Por ata dolën shpejt andej dhe erdhën te Shtëpia e Kulturës. Salla e vogël ishte e ftohtë, megjithëse kishte ngrohje. Po kjo nuk i pengoi pjesëmarrësit të vinin. Ishte një takim i çlirët. Njerëzit flisnin lirshëm për kohën, për motin, për vështirësitë që kishte krijuar dimri, për letërsinë etj. Për këtë të fundit u fol më pak, se s’ishte koha për të. Nuk të linin këmborët e mëdha të dimrit të dëgjoheshin zilkat e vogla të letërsisë. Dritëroi, me atë të folurën e tij të ngadaltë dhe të thjeshtë, tha se “do të kalojë edhe kjo situatë e vështirë, bora do shkrijë dhe ne do kemi më shumë ujë në liqenet e hidrocentraleve tona. Dhe ky ujë do bëhet dritë”.

    Atëherë ishin përfunduar të tre hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin dhe e gjitha kjo borë, një ditë do të përfundonte në basenet e tyre. Ky takim ishte si një zjarr i vogël që na ngrohte duart dhe shpirtin në mes të acarit. Ishte hera e parë që prekja dorën e tij, atë dorë, që kishte shkruar veprat letrare që u shpjegoja prej vitesh nxënësve në shkollë. Kur u ndamë, rrija e mendoja: Ç’e shtyu kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të nisej në pikë të acarit nga Tirana e ngrohtë e të vinte deri në Peshkopi, përmes akullit dhe rreziqeve të shumta? Ai mund të rrinte i qetë në Tiranë, në zyrën e tij, në katin e dytë të Lidhjes, të pinte një kafe të ngrohtë në klubin e saj, të takohej me shokët krijues, të jepte edhe ndonjë intervistë për televizionin shtetëror mbi situatën. Pastaj të kthehej në darkë në gjirin e ngrohtë të familjes etj. Dritëroi atëherë i kishte kaluar të pesëdhjetepestat, një moshë jo fort e re për aventura në kohë bore. Isha i bindur që ai nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga “lart” për të ardhur atje, se ai vetë ishte “lart”. Ishte vetëm “urdhri” i ndërgjegjes së tij prej shkrimtari, që i thoshte se duhet të ishte atje ku është ngjarja. Dhe ngjarja ato ditë ishte atje, në veri, ku bora dhe akulli kishin pllakosur gjithçka..

    Emri:  driteroagolli_0004.jpg

Shikime: 119

Madhësia:  39.8 KB

    NË ZYRËN E KRYETARIT


    Në majin e vitit 1990 isha në detyrën e redaktorit për letërsinë dhe artin në gazetën “Zëri i popullit”. E kërkonte puna të shkoja shpesh në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Atje organizoheshin takime të shumta të krijuesve, “konsulta” siç quheshin atëherë, ku diskutoheshin probleme të aktualitetit, të zhvillimeve në vend etj.. Thuajse çdo ditë organizohej një takim i tillë. Në presidium, zakonisht ishte i ulur në kolltuk Dritëroi. Flitej për problemet ekonomike e shoqërore, për mungesat e ushqimeve bazë nëpër dyqane, për mungesën e lëndëve të para në ndërmarrje, për autobusët e vjetër të Tiranës etj., etj.. Folja “mungon” ishte fjala më e përdorur në ato diskutime. Vetëm për letërsinë dhe artin nuk flitej në ato konsulta të ndezura. Këto të dyja kishin dalë në plan të dytë apo të tretë. Kjo më habiste pak mua që kisha ardhur rishtazi në Tiranë. Në këto diskutime ngriheshin probleme dhe bëheshin kritika që i konsideroja disi të “forta” për atë kohë. Ishte koha e “mendimit ndryshe”, siç kishte filluar të quhej atëherë, koha kur lejohej “pluralizmi i mendimit”, term i shpikur së fundmi nga propaganda zyrtare, por jo edhe “pluralizmi politik”. Në Lindje kishte ndodhur përmbysja e madhe, ndërsa në Rumani ishte pushkatuar udhëheqësi Çaushesku.

    Në Lidhjen e Shkrimtarëve ky “mendim ndryshe”, ishte në pararojë, në raport me mjedise të tjera. Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve ngjante kështu me Klubin “Petef” në Budapest, që mbante emrin e poetit të madh hungarez dhe ku në vitin 1956 zhvillohej veprimtari kundërrevolucionare” (sipas propagandës zyrtare këtu), që pastaj u shtyp me gjak. Pas pak javësh do të ndodhte edhe këtu eksodi i madh, me hyrjen në ambasadat e huaja të pesë mijë shqiptarëve. Gazeta “Drita” i pasqyronte ato diskutime në formën e kronikave të zgjeruara, ndërsa “Zëri i popullit” nuk i pasqyronte fare. Sidoqoftë, ato ishin shumë të vlefshme për mua që mbuloja letërsinë dhe artin në gazetë. Në një ditë të tillë, vendosa të shkoja ta takoja Dritëroin në zyrën e tij, pas përfundimit të “konsultës” në sallën e Lidhjes. Nuk kishte kuptim të mos takoja kryetarin e saj, kur mbuloja letërsinë dhe artin. Ai e dinte emrin tim prej artikujve që kisha botuar. Trokita në derë, duke u dridhur nga ndrojtja prej emrit të madh dhe dëgjova fjalën “hyr” nga brenda saj. Shtyva derën dhe u ndodha në zyrën e tij. Nuk kishte as paradhomë, as sekretare atje. Dritëroi ishte duke lexuar një material mbi tavolinën e punës. I thashë se kush isha e nga vija. Nuk isha njohur asnjëherë nga afër me të, përveçse në rastin kur ishim takuar në Peshkopi, pesë vjet më parë.

    – Ooooo, ti je ai? ,– pyeti i habitur Dritëroi dhe më dha dorën – Ulu, ulu, – dhe më tregoi një karrige. Heshtje për disa çaste. Pastaj ai mori fjalën, pa më pyetur fare se përse kisha shkuar në zyrë. – I kam lexuar artikujt e tu në gazetë, – tha pa shumë hyrje e dalje të bisedës, sikur të ishim të njohur të vjetër dhe heshti përsëri për pak çaste. Kisha gati një vit që botoja në gazetën “Zëri…” artikuj për letërsinë dhe artin, pa qenë gazetar atje. – Shiko, – vazhdoi Dritëroi, duke thithur cigaren. – Disa nga artikujt e tu më kanë pëlqyer. Po në disa të tjerë, të them të drejtën, ka pasur gjëra që nuk qëndrojnë. Domethënë, si të ta them më qartë, sikur e ke tepruar ca me kritikat ndaj shkrimtarëve. Dakord, kryevepra nuk ka pasur këto vitet e fundit. Veprat kanë qenë të nivelit mesatar, siç thua ti, dakord, a më kupton? Por kryeveprat nuk krijohen përditë. Ato krijohen rrallë. Pastaj, kanë edhe halle e vështirësi shkrimtarët. Ca janë pa shtëpi, flenë nëpër konvikte, ca i kanë gratë pa punë. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë, po ato janë mundësitë. Ja, këto e të tjera të kësaj natyre e bëjnë të vështirë punën e tyre, domethënë. Prandaj them që e ke tepruar ca me kritikën.

    si cjapi te kasapi. Por unë edhe i prisja ato. Prandaj kisha vajtur atje. Le të ma bënte vetë Dritëroi “gjyqin” për gabimet që mund të kisha bërë nëpër shkrime, mu në zyrën e tij, pastaj le të vendosnim “paqen”, natyrisht, aq sa mund të bëhej paqe me një takim. E dija që Dritëroi kishte pasur kritika për ndonjë shkrim timin të botuar në gazetën “Zëri…”. Për këtë, ai ishte ankuar edhe te kryeredaktori i gazetës, Marash Hajati. Kritikat nuk ishin për artikuj për veprat e Dritëroit, por ai, si kryetar i Lidhjes, nuk ishte dakord që gazeta ku kish punuar prej shumë vitesh, të vihej tani në një pozicion të tillë kritik ndaj letërsisë dhe artit, që ai, si kryetar i Lidhjes, drejtonte. Dritëroit pra, i ishte prekur “çifligu” i Lidhjes që drejtonte prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, prej gazetës ku kishte qenë vetë “violinë e parë” për rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë. Ngrehina e vjetruar e Lidhjes do të shkërmoqej pas një viti, nën peshën e rëndë të ngjarjeve dramatike të ndërrimit të sistemeve. Gazeta nuk më kishte thënë gjë nga këto pakënaqësi të Dritëroit, por i merrja vesh nga të tjerët. Atje më thoshin të vazhdoja punën me shkrime kritike si më parë. Dhe kryeredaktor atje ishte Marash Hajati, jo dosido. Një personalitet i shquar i shtypit dhe i kulturës sonë. Ishin kohë të turbullta të pranverës së vitit 1990. Nuk merrej vesh se nga të vinte popla prapa koke. Lëviznin shumë rryma të nëndheshme atë pranverë, që e bënin tokën të rrëshqitshme. Pikërisht në këtë kohë e pësoi edhe vetë Marashi, duke u shkarkuar nga detyra, pa i mbushur ende dy vjet në të. Natyrisht, jo për artikujt e mi dhe as prej Dritëroit, por sepse ishte kritikuar udhëheqja e lartë e partisë në gazetën që ai drejtonte në artikuj të tillë si: “Në kërkim të kohës së humbur”, të profesor Ylli Popës, “Kur koha ta shkurton vendin”, të vetë Marashit etj. Atë që ma tha me “diplomaci” Dritëroi me fjalët e tij, ma shkoqiti më “shqip” pak kohë më vonë Vath Koreshi, atëherë nënkryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Trokita në zyrën e tij dhe i thashë se kush isha.

    – Ooo, hajde, hajde, – tha Vathi, duke më dhënë dorën. – Unë të kërkoja në qiell e ti më dole në tokë, more djalë. Po ç’bëni, more, ashtu ju, me ata artìkujt tuaj kritikë në gazetë? A jeni në terezi ju apo s’jeni, ore? Mblidhni more, mendjen në kokë! Artistët nuk kanë bukë të hanë, ore! Artistët nuk kanë brekë të veshin, veshin brekë të arnuara, se nuk kanë lekë të blejnë të reja, ndërsa ju kërkoni kryevepra prej tyre, – tha ai me një ton të tillë që, me njërën dorë më mbante e me tjetrën më binte. Dhe kështu vazhdoi edhe ca Vathi, duke shfryrë kundër gazetës, më shumë sesa kundër meje, derisa u qetësua disi. Vathi tha pa zbukurime ato që më kishte thënë më “ëmbël” Dritëroi në zyrën e tij. Më erdhi keq nga kritikat, por më erdhi mirë që ai foli me një gjuhë të drejtpërdrejtë. Ai e njihte mirë gjendjen e problemeve në vend, natyrisht edhe ato të artistëve. Ai ishte vetë një krijues i dorës së parë. I njihja veprat e tij të shquara letrare dhe artistike. Edhe në takimin me të pashë krijuesin, në vend të zyrtarit. Pas pak kohësh, e pamë pozicionin e artistëve dhe të inteligjencës në përgjithësi ndaj zhvillimeve në vend. “E shkuara ka orë e çaste të hidhura, mos ma kujto!”

    2. TE SHTËPIA E SHKRIMTARIT

    Në mesin e vitit 1992, vendi ndodhej ende në flakët e zjarrit të pluralizmit politik alla shqiptar. Lulëzonte shtypi i lirë i sapolindur. Kush kishte pesë lekë nxirrte një gazetë, qoftë edhe vetëm për pesë ditë. Pastaj ajo shuhej për t’ia lënë vendin një tjetre. Në vend kishte shpërthyer anarkia e të gjitha llojeve. Në shtyp kishte shumë abuzime. Liria e të shprehurit, nga shumë njerëz ishte kuptuar si liri për të shkruar gjithçka, për të akuzuar këdo dhe për të përbaltur këdo. Te gjithë, kundër të gjithëve. Demokracia ishte kuptuar si mënyrë për të nxjerrë thikat kundër njëri–tjetrit. Këtë përshtypje të krijonte zallamahia e shtypit. Pjesërisht kjo ishte e kuptueshme dhe e shpjegueshme. Pas më shume se dyzetë vitesh ndalim të fjalës së lirë, tani ajo po shpërthente si tenxherja e presionit. Por kishte dhe shume raste abuzimesh me lirinë, shpifje, denigrime të njerëzve të pafajshëm, pasaktësira për ato që shkruheshin, inate të vjetra e të reja, pezm i pafund etj. Në gazetën “Zëri …. “ ishim mësuar me këtë lloj gjullurdie të përgjithshme. U ndodhëm të parët të sulmuar, prandaj na ishte argasur lëkura nga të sharat, të çjerrurat e akuzat. Pjesërisht e justifikonim këtë shpërthim të pezmit të përgjithshëm, me atë që kishte kaluar vendi nën diktaturë. Pjesërisht e quanim të gabuar, të tepruar e të pajustifikuar. Shtatëdhjetë për qind e gazetarëve e braktisën punën dhe u kthyen në shtëpi, ose shkuan në gazetat e reja të opozitës për të dhënë atje “kontributin demokratik”. Ne që mbetëm lëpinim plagët dhe vijonim punën. Në redaksi me thanë të shkoja te shtëpia e Dritëroit për të marrë një cikël me poezi për t’i botuar në gazetë.

    – E vërtetë?, – pyeta.

    – E vërtetë, – m’u përgjigjën.

    – Ka marrë vetë Dritëroi në telefon dhe ka thënë se ka një cikël me vjersha të reja për t’i botuar. Do t’i botojmë për nesër. ….Ai po rikthehej te shtëpia e tij e dikurshme. Ishte tufa e parë me vjersha, që do të botoheshin pas vitit 1990, një ngjarje kjo, jo vetëm për gazetën tonë. Te shtëpia ishin Dritëroi me të shoqen, Sadien. Pritja ishte e thjeshtë dhe e natyrshme, si për një njeri të njohur. Duket se ata prisnin në shtëpi përditë njerëz dhe ishin mësuar me ta. Me vonë mësova se dera e tyre ishte e hapur gjithmonë dhe për të gjithë. U ula në një kolltuk në kuzhinë. Sadia na mbushi nga një gotë të vogël me raki. – Kam shkruar një cikël me poezi, – tha Dritëroi, duke u ulur në kolltuk. – Dua t’i botoj te “Zëri … “. Ja ku janë, – dhe më vuri përpara një tufë me letra formati, ku ishin poezitë e shtypura. U hodha një sy shpejt e shpejt. Ishin nja njëzetë copë. Dritëroi rrinte ulur me gotën e vogël të rakisë në dorë e më vështronte tek po lexoja. Flokët e tij të gjatë e të thinjur dukeshin si një krifë luani. Hunda e tij me kurriz i ngjante asaj të shqiponjës. Nëpër fytyrë kishin filluar t’i dukeshin vijat e rrudhave, sepse i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Këto ishin krijimet e para që ai po botonte pas vitit 1990 dhe përbënin një thyerje të plotë tektonike të krijimtarisë, një fillim të ri të saj, që ndryshon thelbësisht në përmbajtje nga krijimtaria e mëparshme. Këtu fillon etapa e dytë e poezisë së poetit, ajo e zhgënjimit dhe e deziluzionit për atë që kishte ndodhur në të kaluarën. Ky fenomen, jo vetëm në krijimtarinë e tij, kërkon studim të posaçëm.

    3. KËNDO O MUZË, ZEMËRIMIN E POETIT!

    Duke lexuar poezitë, lëshoja herë–herë ndonjë fjalë a pasthirrmë të natyrshme: “Bukur, bukur!” Pastaj, ja një poezi që më bëri më shumë përshtypje se të tjerat. Ishte një krijim artistik i ashpër, kundër dikujt, një njeriu konkret, një shkrimtari të ri në moshë. Dritëroi e kishte përmendur me emër e mbiemër, nga dy here në të pesë strofat prej katër vargjesh të vjershës. Ky shkrimtar i ri kishte botuar në gazetat e kohës disa artikuj kundër Dritëroit, artikuj me shpifje, sharje e fyerje ndaj tij. Ishin në modë atëherë sulmet ndaj figurave të shquara, kushdo qofshin ato. Poeti i madh kishte duruar sa kishte duruar, pastaj i ishte sosur durimi dhe i ishte përveshur keqas atij. Dritëroi tani po i përgjigjej jo me artikull gazete, por me anë të një vjershe me njëzetë rreshta. Ishte një shpatë e vërtetë në duart e tij, e ngritur mbi kokën e krijuesit të vogël e mjeran, sikur donte ta këpuste si një lakër. Ishte një pamflet poetik i ngjashëm me “Marshin e Barabajt” të Nolit. Një vjershë e drejtpërdrejtë, pa alegorizma e nënkuptime. Ishte shkruar me varg të rregullt trokaik, me ritme, rima e aliteracione të fuqishme, që të krijonin idenë e vrapit të një kalorësi të zemëruar, që sulet mbi prenë e vet për ta shqyer njëherë e mirë. Ishte si të thuash, një ekzekutim poetik që Dritëroi po i bënte publikisht këtij krijuesi “bukëshkalë”. Vjersha thoshte në fund të saj se, me gjithë artikujt denigrues të atij krijuesi kundër Dritëroit, ai nuk ishte bërë e nuk do të bëhej dot kurrë: me famë. “Fama, nga ky vargu im i mbeti”, mbyllej vjersha. Nuk e kisha parë asnjëherë tjetër Dritëroin kaq të zemëruar në krijimtari. Dukej se një helm i madh e kishte inatosur shpirtin prej fshatari dhe e kishte bërë të shpërthente kështu. Këndo o muzë zemërimin e poetit, thashë me vete. Nga ana tjetër, ky inat ishte derdhur në mënyrë të përsosur nëpër kallëpet artistike të poezisë. Hapa gojën e thashë:

    – E fortë kjo poezi.

    – Po – tha Dritëroi. – Ashtu e donte ai. Ashtu i donte mushka drutë. E kam përkrahur sikur ta kisha njeriun tim. E kam marrë nga rrethi dhe e kam sjellë në Tiranë. E kam ndihmuar me sa kam mundur, se kam menduar që është një talent i ri e me perspektivë, prandaj e kam bërë. Ndërsa ai, ja se si ma shpërblen nëpër gazeta tani. Ka zhveshur shpatën kundër meje. Qëndrova edhe pak te shtëpia, mora poezitë, u përshëndeta dhe shkova në gazetë. Aty krijimet u lexuan menjëherë nga të gjithë gazetarët që ishin në redaksi. Do të botoheshin të nesërmen në një faqe të posaçme në gazetën me format të madh, siç ishte atëherë. Vargjet pikante recitoheshin me zë të lartë që në atë çast nga gazetarët: “Fama nga ky vargu im i mbeti”. Cikli me poezi u prit mjaft mirë nga lexuesit. I merrnim vesh opinionet e tyre nga takimet që kishim me njerëzit. Megjithëse gazeta vazhdonte të paragjykohej si gazetë ish–komuniste, ajo u shit e tëra. E merrnim vesh edhe përshtypjen që kishte bërë në opinion poezia e Dritëroit për atë krijuesin.

    4. TESTAMENTI ESTETIK

    Por ajo nuk ishte një poezi e zakonshme e Dritëroit, kundër një emri të përveçëm. Ishte një testament estetik për të gjithë krijuesit shqiptarë, nga “Ajetollahu” i letërsisë shqipe. Mos sulmoni shoku – shokun vend e pavend. Demokracia nuk është fyerje, pezm e hakmarrje. Jemi krijues e duhet të jemi shpirtgjerë. Bëjmë edhe gabime në këtë botë, po duhet ta falim njëri– tjetrin. Mbi të gjitha, nuk duhet të jemi mosmirënjohës e bukëshkalë. Fyerjet dhe shpifjet nuk të nxjerrin askund, ato nuk janë pjesë e letërsisë dhe e artit…

    Rreth një vit me vonë, më 1993, Dritëroi nxori vëllimin poetik “Pelegrini i vonuar”. Libri doli në qarkullim nga shtëpia botuese “Progresi”, e krijuar pranë gazetës, për botimin e krijimtarisë letrare, në kushtet kur shtëpitë botuese të së kaluarës ishin mbyllur, ndërsa shtëpitë e reja botuese private nuk kishin lindur akoma. Libri i parë që botoi kjo ndërmarrje e re ishte ai me kujtimet e ish–të burgosurit politik Todi Lubonja, ish– kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit”. Libri i dytë ishte ky i Dritëroit.

    E bleva librin, siç kisha blere gjithë librat e tjerë të Dritëroit. E lexova me një frymë. Atje ishte edhe cikli i poezive që ishte botuar disa muaj më parë në gazetë. Por në libër mungonte ajo poezia për atë krijuesin …. Më erdhi keq për këtë. “Si nuk e ka futur në libër!, – thashë me vete.

    – Do ta pyes ndonjë ditë Dritëroin për këtë”. U takova me të pas disa ditësh te kafja e Partisë Socialiste.

    – E lexova librin e ri me poezi, – i thashë. – Urime. Libër i bukur. Por atje nuk ishte botuar ajo poezia për … ,- dhe i përmenda emrin e atij krijuesit.

    – Po, – tha Dritëroi. – Nuk e vura. Kështu e gjykova. Nuk duhej vënë në libër ajo vjershë. – Po ajo ishte poezi e bukur,– i thashë. – Ashtu është, – tha ai. – E bukur ishte. Por e lashë me aq. E bëri punën e saj ajo, kur u botua në gazetë. Nuk kish nevojë të botohej prapë në libër. – Ai heshti për pak çaste, sikur po mendohej për diçka. Thithi cigaren dhe vazhdoi: – Shiko. Gazeta del sot, lexohet dhe ikën, griset dhe hidhet poshtë, nuk është më nesër. Kaq e ka gazeta. Ndërsa libri është tjetër gjë. Libri rron gjatë. Ai qëndron atje, në raftin e bibliotekës, edhe njëqind vjet të tjera. E unë nuk desha që ajo poezi të mbetet në libër. Ja, kështu.

    Më habitën fjalët e tij. Ai kishte menduar të mos e përfshinte poezinë në librin që kish botuar, sepse nuk donte që ajo të mbetej gjatë në duart e lexuesve. Ai e kishte quajtur të mjaftueshëm botimin në gazetë. Vjersha e kishte dhënë mesazhin. Me kaq ishte boll. Personi e kishte marrë kumtin. Dhe jo vetëm ai, edhe të tjerët po ashtu. Krijuesit nuk duhet të vazhdonin me sharje e çjerrje për njëri- tjetrin. Dhe vërtet, ajo sëmundje nuk vazhdoi më. Kështu që, ajo poezi nuk duhet të botohej nëpër libra, nuk duhet të mbetej në raftet e librarive. Ky ishte mesazhi i Dritëroit. Ajo tani gjendet vetëm në një kopje të gazetës, në bodrumet e Bibliotekës Kombëtare. Dritëroi disa herë pati premtuar publikisht se do të shkruante një libër me kujtime nga jeta e tij gjatë regjimit komunist, që “do të çudiste dynjanë” me “bëmat” e shumë vetëve të njohur, që e kishin sulmuar atë vend e pavend. Dhe dihet që ai ka pasur jetë interesante dhe nuk i mungonte penda për të shkruar. Pastaj, ai tha se libri do të botohet pas vdekjes së tij. Me sa duket, libri nuk është shkruar fare. Dritëroi nuk ka dashur të lërë fjalë të keqe për të tjerët pas largimit të tij nga kjo botë. Nuk ka dashur të lërë plagë pas. Ç’u bë, u bë. Të shkuara të harruara. Se fjala vret më shumë se plumbi, thotë populli. “Po kur të jesh mërzitur shumë, / në raft të librave kërkomë”.

    (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

    PANORAMA
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    “Gjashtë orët e debatit në mbledhjen e PS, 25 vite më parë”- Hamdi Jupe: Ju rrëfej referendumin e ‘94, si fitoi opozita me Nanon në burg

    Emri:  pjimage-48.jpg

Shikime: 114

Madhësia:  82.5 KB

    Mbushen plot 25 vjet, që nga dita kur shqiptarët i thanë “jo” Kushtetutës së propozuar nga maxhoranca e djathtë në pushtet. Ishin rreth 53% e pjesëmarrësve në referendum, që votuan për “jo”, në 6 nëntor të vitit 1994. Hamdi Jupe, asokohe gazetar, që ndoqi hap pas hapi opozitën e majtë, me liderin Fatos Nano në burg, na tregon se çfarë ndodhi çerek shekulli më parë.

    Cila ishte situata politike dhe ekonomike në Shqipëri, si u zhvillua fushata, pse opozita pas shumë dilemash vendosi të marrë pjesë në referendum, pse u votua kundër projekt-kushtetutës, ku vetëm një pjesë fare e vogël e kishin lexuar atë… gjithçka në “Shënimet e gazetarit”.

    Nga HAMDI JUPE

    REFERENDUMI QË RRËZOI KUSHTETUTËN

    Më 6 nëntor të vitit 1994, populli shqiptar u thirr në referendum kombëtar për miratimin e Kushtetutës. Në shtetin 82-vjeçar shqiptar, ky ishte i pari i tillë. Një komision i posaçëm parlamentar vendosi, vetëm me votat e maxhorancës të Partisë Demokratike, të miratojë një projektkushtetutë që nuk kishte mbështetjen e opozitës. Pas një fushate referendare marramendëse, populli e hodhi poshtë projektin me shumicë dërmuese.

    Emri:  Untitled-48.jpg

Shikime: 120

Madhësia:  196.4 KB

    PANORAMË JURIDIKE

    Në Parlamentin e parë pluralist në vitin 1991, partitë politike kishin miratuar një paketë të përkohshme kushtetuese, që do të shërbente deri në miratimin e Kushtetutës së re. Paketa “Dispozita kryesore kushtetuese” kishte funksionuar si dokumenti themelor i shtetit deri në vjeshtën e vitit 1994. Me zhvillimet e reja politike, ekonomike, sociale etj., kishte lindur nevoja për një Kushtetutë të plotë. Vetë “Dispozitat”, në fundin e tyre, theksonin se çdo ndryshim e plotësim, bëhet me dy të tretat e votave në Parlament. Por raporti i forcave atje, tani ishte i tillë, që kjo gjë ishte e pamundur. Maxhoranca e fryrë parlamentare e Partisë Demokratike, e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, kishte pësuar fraktura të mëdha, për shkak të krizave brenda vetes. Vendi nuk kishte një ligj për referendumet. Ligji nr. 78 66, datë 06.10. 1994, u propozua në Parlament nga Presidenti i Republikës dhe u miratua vetëm tridhjetë ditë para referendumit, me procedurë të përshpejtuar, pa opozitën që e bojkotoi dhe pa u transmetuar seanca në televizion. Sipas Nenit 2 të këtij ligji: “Referendumi mund të vendosë për të miratuar Kushtetutën dhe amendamentet e saj”. Në fakt, i gjithë qëllimi i ligjit ishte pikërisht Neni 2, për të shmangur Parlamentin nga miratimi i Kushtetutës. Ligji u dekretua nga Presidenti më 11 tetor. Po atë ditë, u shpall prej tij data e referendumit. Ishin vetëm 25 ditë deri te dita e votimit. As që bëhej fjalë për diskutim paraprak të përmbajtjes së projektit në popull. Dukej qartë se çështjet e referendumit ishin qepur “e zeza mbi të bardhë”. Ky nxitim dhe kjo shkelje e procedurave kushtetuese e shqetësoi opozitën dhe opinionin në tërësi. Kali e kishte marrë frerin nëpër këmbë. Por veprimet prandaj edhe bëheshin në atë mënyrë: që opozita të kapej gafil në kohë e të shpallte falimentin politik. Opozita bëri ankesë në Gjykatën Kushtetuese, me shpresë se ajo, Gjykata, do të shprehej kundër mbajtjes së referendumit. Por Gjykata e shtyu shqyrtimin për në kalendat greke. Tre gjyqtarë të Gjykatës dhanë dorëheqjen në mënyrë publike, në shenjë proteste. Gjyqtarët që u dorëhoqën, ishin zgjedhur në atë detyrë nga po ajo maxhorancë, që tani mbronte referendumin.

    SITUATA POLITIKE

    Bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës në vitin 1994 ishte një mision i pamundur. Lideri i opozitës, Fatos Nano, prej më shumë se një viti, ishte i burgosur me akuza për “korrupsion”, por që nga opozita konsiderohej si “burgosje politike”. Një numër ligjesh dhe vendimesh të qeverisë po penalizonin njerëzit e opozitës në mënyrë të skajshme. Një ligj famëkeq, 24/1, mbi disa ndryshime në Kodin e Punës, i miratuar menjëherë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, i kishte hapur rrugën largimit arbitrar nga puna të mijëra njerëzve, pa të drejtë ankimimi në Gjykatë, me akuzën se i kishin shërbyer regjimit të vjetër. Pas entuziazmit të parë për ndërrimin e sistemit politik, me ardhjen e opozitës në pushtet, shpejt filluan të bien buritë e alarmit se qeverisja e re nuk po sillte rezultatet e premtuara me bollëk në zgjedhje. Ekonomia ishte në kolaps të plotë. Ndërmarrjet shtetërore, ku dikur punësonin mijëra punëtorë, tani po mbylleshin njëra pas tjetrës, sipas direktivës së “terapisë së shokut”. Po flakeshin në rrugë punëtorë e specialistë, që kishin mbajtur familjet me bukë në to. Asetet e mbetura publike po grabiteshin prej drejtuesve e rinj, shpesh pa shkollë. Kjo krijoi pakënaqësi të madhe te njerëzit. Në zgjedhjet për qeverisjen vendore, të zhvilluara më 26 korrik 1992, vetëm katër muaj pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet, ajo pësoi humbje shokuese. Nga 67% të votave të popullit që kishte marrë më 22 mars të atij viti, tani, pas katër muajsh, elektorati u nda në gati përgjysmë midis maxhorancës dhe opozitës. Shtypi i shkruar ishte nën represion të hapur. Mungonin totalisht mediat e pavarura elektronike. Radiotelevizioni shtetëror ishte tërësisht nën kontrollin e pushtetit. Gazetarët që kritikonin qeverinë, shpesh burgoseshin me akuza absurde. Një gazetar i “Koha Jonë” u burgos vetëm sepse botoi një shkrim me titull. “Tanket shkuan drejt veriut”, me akuzën për “nxjerrje të sekretit shtetëror”. Në këto rrethana, një mendje e kthjellët do të thoshte se nuk duhej shkuar në popull për Kushtetutën, por duheshin kërkuar rrugët e bashkëpunimit dhe të konsensusit me opozitën.

    “TË HYJMË A TË MOS HYJMË, KJO ËSHTË ÇËSHTJA”

    Në Partinë Socialiste, partia kryesore e opozitës, ranë sirenat e alarmit. Të hyjmë a të mos hyjmë në referendum, kjo ishte çështja. Të dyja alternativat kishin argumente. E para: Të mos hyjmë, se referendumi është antikushtetues. Dispozitat kushtetuese e thonë qartë se Kushtetuta miratohet me dy të tretat e votave në Parlament. Ne vetë e kemi ankimuar referendumin në Gjykatë. Atëherë, përse të bëhemi bashkëshkelës të Kushtetutës? Edhe koha për fushatë nuk është e përshtatshme. Berisha na ka lënë vetëm 25 ditë për të. Si do t’i takojmë njerëzit tanë e të bëjmë fushatë për kaq pak kohë? Prandaj, të mos hyjmë. Alternativa e dytë: Të hyjmë në referendum dhe të fitojmë. Populli është me ne, opozitën. Ne kemi fituar në zgjedhjet lokale të zhvilluara dy vjet më parë. Përse të mos fitojmë tani? Pakënaqësia ndaj pushtetit është rritur. Po nuk hymë ne në Referendum, Saliu do bëjë ç’të dojë, do mbushë kutitë e votimit dhe do thotë “U miratua Kushtetuta”. Prandaj, të hyjmë. Këto debate zhvilloheshin në Kryesinë dhe në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, forumi kombëtar drejtues i Partisë. Ky u thirr me urgjencë dhe u drejtua nga nënkryetari Servet Pëllumbi, i cili praktikisht drejtonte partinë. Nuk ka kohë për të komunikuar me kryetarin e burgosur Nano, që ndodhet në Tepelenë. Në rend të ditës së mbledhjes: të hyjmë apo të mos hyjmë në referendum? Gjashtë orë debat me argumente dhe kundërargumente. Merret vendimi: Brenda njëzetekatër orëve të mblidhen të gjitha forumet e partisë në rrethe. Të diskutohet atje me përgjegjësi dhe të merret vendim sesi do të bëhet. Brenda 48 orëve, të mblidhet përsëri KPD dhe të vendosë, mbi bazën e vendimeve të marra në terren. Ashtu bëhet. Mbledhja e dytë është e shkurtër: Kush është dakord për të hyrë në referendum, të ngrejë dorën. Mbi 70% e pjesëmarrësve votojnë “pro” hyrjes.

    Emri:  izeti.jpg

Shikime: 122

Madhësia:  31.7 KB

    RTSH, NË FUSHATË PËR “SHPËLARJE TRURI”

    Makina propagandistike “pro” Kushtetutës filloi me shpejtësi nga puna dhe drejtohej nga Presidenca, sepse ai ishte “arkitekti” i referendumit. Kamerat e shumta të televizionit shtetëror filmonin në plane të afërta turmën e njerëzve në mitingjet e tij anekënd vendit. Kjo bënte që, në një takim ku ishin, të themi, 50 vetë, të dukeshin sikur ishin 500 e kështu me radhë. Në mitingjet e Berishës importoheshin njerëz nga Tirana ose rrethe te tjera pranë. Pamjet e filmuara në një miting në Krujë, transmetoheshin pastaj sikur të ishin të një mitingu në Pogradec, ndërsa në mitingun e Patosit, Presidenti u drejtohej të pranishmëve me shprehjen: “Të nderuar qytetarë të Roskovecit”. Presidenti lëvizte gjithmonë me helikopterë të Ushtrisë, nga njëri rreth në tjetrin, duke zhvilluar nga tetë mitingje në ditë. Këshilltarët e Presidentit, të pranishëm në mitingje, shpërndanin në turmë, para kamerave televizive, broshurën e projektit të Kushtetutës. Populli me fytyra të “lumtura” për këtë dhuratë “të çmuar”, merrte në duar aktin themelor të shtetit që ia jepte vetë Presidenti, shpeshherë me autograf. Ata falënderonin “nxehtësisht” Presidentin për këtë “dhuratë”. Një fotografi e vjetër e Enver Hoxhës, që u shpërndante fshatarëve tapitë e tokave në vitin 1946 në Lushnjë, nuk ishte asgjë para këtyre pamjeve fantastike të tanishmeve, që transmetoheshin me zë e figurë në televizion. Filmimet e takimeve dhe fjalimeve të Presidentit montoheshin nga vetë zëdhënësja e tij e shtypit, dikur gazetare e televizionit. Zërat thoshin se i gjithë televizioni shtetëror është kthyer në studio në shërbim të fushatës së Presidentit. E saktë është ajo që dukej në ekran: kronikat e mitingjeve të tij për referendumin zgjasnin deri në 27 minuta secila. Populli bombardohej gjatë 24 orëve me këto kronika, duke harruar parimin e njohur se, teprimi me televizionin, bën efektin e kundërt te shikuesit. Atmosferë referendare: “Na pri, Komandanti ynë! Kushtetutën nuk ua prura unë. Atë e gjeta mjedis jush.”

    Radiotelevizioni shtetëror, në vend që të shpëlante trurin e popullit, po shpëlante kështu trurin e atyre që e organizonin këtë fushatë, duke i bërë ata vetë të besonin se ajo “çorbë” që shpërndahej në ekran, ishte e vërtetë. Ja si e përshkruan poeti Dritëro Agolli këtë rol të TVSH-së në një artikull të tij një javë pas referendumit: “Ekipi i RTV-së ka dhënë me një vërtetësi të mahnitshme panoramën epike të udhëtimeve të kalorësve tanë nëpër atdhe, me veprën kolosale në duar, vepër që mori emrin Kushtetuta e Referendumit. Mua ende nuk më hiqen nga sytë skenat televizive me helikopterë dhe vetura, me furgonë, me kioska me rrota, me motorë, me kuaj, me rapsodë, me poetë, me gjuhëtarë, me akademikë, me ministra, me presidentë e me kryetarë. Nuk më hiqen nga mendja tablotë me turma të mallëngjyera, pas dhënies së besës ndaj Presidentit, një besë burrash që e mbajtën deri në fund, për të votuar për Kushtetutën. Këto turma zgjasnin duart drejt prijësit, qanin e qeshnin, betoheshin dhe brohorisnin. Prijësi merrte lule nga burrat e besës, i fuste në xhepin e xhaketës dhe pastaj njërën dorë e vinte në buzë në shenjë puthjeje dhe me tjetrën ua hidhte lulet që i tepronin përsëri njerëzve dhe ata prekeshin pa masë. Tablo të tilla pa këtë ekip televiziv nuk kishte si t’i shihnim”.

    ZËRI I OPOZITËS

    Opozita, nga ana e saj, e përbërë prej 60 partive të majta e të djathta, kishte zgjedhur të përdorte në fushatë një gjuhë përgjithësisht të thjeshtë dhe të kuptueshme për popullin. Kishte njëlloj “ndarje rolesh”. Nënkryetari Pëllumbi, që udhëhiqte fushatën, përdorte një gjuhë më të zgjedhur, më të përpunuar e më të kultivuar për t’iu drejtuar votuesve, ku ruhej njëfarë elitarizmi në të folur dhe ku përmendeshin disa elemente kryesore të projektit të Kushtetutës, ashtu siç e donte çasti i fushatës dhe siç ishte vetë kultura e profesorit, sado që e thjeshtë dhe e kuptueshme. Nënkryetari tjetër i PS-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar, Namik Dokle, përdorte në fushatë një gjuhë më të drejtpërdrejtë popullore, të mbushur me shprehje frazeologjike të krahinave të ndryshme të tipit: “Mos e hani sapunin për djathë!”; “Më mirë djepin bosh, sesa shejtanin (kupto: Kushtetutën e Berishës) brenda”; “Berisha kërkon të bëhet mbret, po ne nuk do ta lejojmë” etj. Këto slogane aq të njohura nga populli, ishin shumë më të efektshme, sesa t’u shpjegoje atyre brenda pak ditëve se ku flinte “lepuri” i përmbajtjes së Kushtetutës. Shoqërova si gazetar grupin e drejtuesve të Partisë Socialiste të kryesuar nga nënkryetari Pëllumbi në rrethin e Gramshit, pak ditë para referendumit. Kur shkuam atje, kryetari i partisë së rrethit tha se takimi në qytet do të organizohej në mbrëmje, ndërsa në drekë ishin planifikuar takime në Kukur dhe në Skënderbegaz, dy komuna kodrinore – malore më shumë se një orë larg qytetit. Duke udhëtuar për në Kukur me makinat “Landrover”, me ndenjëse anësore aspak të rehatshme, që të shkulnin veshkat nga vendi në rrugën e paasfaltuar, njeri nga deputetët që shoqëronte Pëllumbin, tha: -E ç’na u desh të vijmë deri këtu? Shpenzim kohe dhe karburanti kot. Kaq vota i mblidhnim në Laprakë në Tiranë. Kur u afruam te qendra e fshatit, pamë të mblidhen atje, sikur mbinë nga dheu, me qindra njerëz dhe filloi orkestra dhe vallja. Të lënë për më shumë se katër vjetësh në vetminë e tyre, pa asnjë lloj përkrahjeje, ata po na prisnin sikur të ishim dasmorë që po çonim nusen. Në fshatin e tyre nuk kishte shkuar asnjëherë një udhëheqës i lartë, siç ishte nënkryetari i opozitës. Ata e kishin parë e dëgjuar në televizor, ndërsa tani e kishin mes tyre. Pëllumbi u ngjit në një tribunë të vogël të ngritur enkas për të, në mes së turmës gjithë entuziazëm, për të mbajtur fjalimin e rastit. Ai tha disa fjali stereotipe, siç thuhen në raste të tilla. I kishte thënë e stërthënë ato sa e sa herë nëpër mitingje të tjera, ditë më parë. Por të thëna këtu, në sheshin e këtij fshati, para atyre njerëzve që e shikonin me sytë që u lëshonin shkëndija nga gëzimi, ishte një gjë e veçantë. Pranë pashë gazetaren e TVSHsë, Tefta Radi, që kishte ardhur për të pasqyruar aktivitetin e opozitës për referendumin. Ajo atëherë konsideroj si “moniste”, sepse kishte punuar në RTSH edhe në kohën e shkuar. Si folëse kryesore e lajmeve, kishte dhënë e para në ekran lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës dhe ky fakt tani ishte një “argument” i mjaftueshëm për ta shpallur atë “të deklasuar” nga ana e drejtuesve të rinj “demokratë” të RTSH-së. Prandaj, ajo, megjithëse mbi dyzetë vjeç, trajtohej tani si reportere e dorës së dytë ose të tretë dhe dërgohej në terren (kupto: orizore), kryesisht për të pasqyruar aktivitetet e opozitës. Kur të kthehej në televizion, natën natyrisht, ajo do të përgatiste një kronikë prej një minute kohë, për të gjitha veprimtaritë që kishte organizuar lideri i opozitës anekënd vendit gjatë ditës. Dhe kjo kronikë njëminutëshe do të transmetohej pastaj aty nga fundi i emisionit të lajmeve, rreth orës 00:00, sa për të thënë që “ja, kemi edhe ne opozitë”. Por ja që edhe ajo minutë transmetim, bënte punën e saj tek elektorati. Të pranishmit në drekën e rastit u zhytën te pjata dhe ngrinin kokën vetëm kur ngriheshin dollitë: Dollia e parë, për fitoren në referendum. Ja gëzuar të gjithëve! Dollia e dytë për Partinë Socialiste. Të na rrojë sa malet. Dollia e tretë për shokun Servet, që na ka ardhur sot këtu, në fshatin tonë. E paçim përjetë. Ta gëzojë shoku Servet! Dollia e katër për kryetarin tonë, shokun Fatos, që u kalb në burg i ziu, ia marrsha të keqen, ia marrsha! Poshtë Sali Berisha! Ashtu, pra, të lumtë goja. Dollia e fundit për shokun Namik, që i këndon goja në Parlament e jashtë tij. Hajt, gëzuar! Ky ishte populli, që pas pak ditësh do të shkonte në votim.

    NATA E “JO” – SË

    Në mbrëmjen 6 nëntorit u afruam te selia e Partisë Socialiste. Ishte ende herët për rezultatin, por nuk na mbante vendi. Ankthi i pritjes ishte i madh. Ishin mbyllur kutitë e votimit. Ethet e rezultatit ndiheshin gjithandej. Të gjitha zyrat e partisë ishin në punë. E njëjta gjë ndodhte edhe gjetkë, te “pala tjetër” e Referendumit, te ata që prisnin “PO”–në e popullit në të. Këto ishin zyrat e Partisë Demokratike, të Presidencës dhe ato të qeverisë. Edhe ata prisnin “fitoren plebishitare” dhe bëheshin gati të hapnin shishet e shampanjës. Ata ishin më të qetë se “fitoren e kemi në xhep. A nuk i kini parë mitingjet në televizor?!” Nëpër korridoret e Partisë Socialiste filluan të flisnin për rezultatet. Kishin rënë telefonat e parë nga rrethet. “Fitore, fitore!”. Ishin ende thirrje të përmbajtura, të matura, gjithë drojë e frikë natyrisht, sepse duhej kohë për të kuptuar rezultatin e përgjithshëm. Sidoqoftë, lajmet ishin inkurajuese. Informacionet i dërgoheshin menjëherë nënkryetarit Pëllumbi. Numërimi i votave bëhej në çdo qendër votimi, në çdo fshat apo qytet. Kjo e shpejtonte daljen e rezultatit. Fleta e votimit ishte e thjeshtë, vetëm me dy alternativa, “Po” ose “Jo”. Kolegët gazetarë të mediave të huaja në Tiranë lëviznin sa nga selia e PD-së, tek ajo e PS-së, për të marrë vesh rezultatin. Kur vinin te kjo e fundit, ata thoshin se atje, te PD, nuk të jep njeri informacion. “Atje është një situatë e vakët dhe e ftohtë, sikur ka vdekur njeri”, thoshin. Kjo ishte shenjë se diçka nuk po shkonte mirë në kampin e tyre. Te PS ishin mbledhur shumë nga gazetarët e shtypit të pavarur shqiptar. Ishin aty edhe gati të gjithë liderët e partive të opozitës, me sytë e veshët nga PS. Ata nuk kishin struktura të rregullta të tyre në bazë për të administruar votat. Ata të PBDNJ-së kishin një problem specifik: Sipas një neni të projektit të Kushtetutës, të gjithë krerët e komuniteteve fetare, duhet të ishin shqiptarë. Kështu, me miratimin e saj, Hirësia e tij, Janullatos, duhet të largohej nga Shqipëria. Prandaj ishin rreshtuar totalisht kundër projektit. Berisha që kishte dekretuar ardhjen e Janullatosit dy vjet më parë, tani kërkonte ta zbonte atë me votën e popullit. Rreth orës 22:00, thirrjet për fitore po shtoheshin gjithnjë e më shumë, jo vetëm nëpër korridore, por edhe jashtë. Përpara selisë së PS-së, turma e socialistëve sa vinte e rritej. Po vinin rezultatet e qytetit të Tiranës. Në tri votimet e mëparshme këtu kishte fituar bindshëm Partia Demokratike. Si do të ishte rezultati tani? Njoftimet thoshin se edhe Tirana kishte votuar me shumicë për “Jo”… U largova nga selia e partisë pas orës 12:00 të natës. Rezultati i referendumit tani ishte i qartë, të paktën për opozitën. RTSH nuk kishte dhënë asnjë informacion për përfundimet e tij, as nga ndonjë institucion shtetëror, si Komisioni Qendror i Referendumit, as nga vetë gazetarët e tij. Heshtje totale për verdiktin e popullit të shprehur në referendumin e parë kombëtar në historinë e tij. Dita që po gdhihej nuk kishte as gazeta, se ishte e hënë. Njerëzit filluan të shpërndahen nëpër shtëpi. Rrugët e Tiranës ishin tërësisht të qeta. Asgjë nuk pipëtinte në to, sikur të mos kishte ndodhur gjë e veçantë pak orë më parë. Te selia e Partisë Demokratike, buzë rrugës, nuk dukej këmbë njeriu. “Kur flet sovrani, të tjerët heshtin” Të hënën, më 7 nëntor, konferencë shtypi e Presidentit në Pallatin e Kongreseve. Pritej me ankth reagimi i tij për rezultatin e Referendumit. Do ta pranonte humbjen apo jo? Pëllumbi kishte bërë një deklaratë për mediat e huaja në të gdhirë të asaj dite,që ishte transmetuar në emisionet e tyre të mëngjesit: “Shqiptarët e kanë hedhur në kosh projektin e Berishës. Nëse rezultati i Referendumit nuk do të respektohet, ne do t’i bëjmë thirrje popullit të dalë në sheshe”. Berisha erdhi në konferencën e shtypit në kohën e caktuar. Zi në sallë. Dukej sikur kishte vdekur njeri. Në fakt, kishte vdekur projekti i Kushtetutës. Kryet shëndoshë! Presidenti dukej i lodhur dhe i dërmuar, por po përpiqej të mos e jepte veten. Kishte bërë gati një muaj fushatë nga veriu në jug dhe ja tani, rezultati katastrofik. Ai hapi gojën: “Dje u zhvillua referendumi kombëtar për Kushtetutën. Pjesëmarrja në të ishte e lartë. Rezultatet zyrtare do të bëhen të ditura nga Komisioni Qendror. Por, nga informacionet paraprake që na kanë ardhur, rezulton se shumica e shqiptarëve kanë votuar kundër projektit të Kushtetutës. Verdikti i popullit do të respektohet plotësisht. Kur flet sovrani, të tjerët duhet të heshtin”.

    Berisha po e pranonte humbjen. Sovrani e kishte bërë esëll prijësin, duke e zhytur atë në kazan me ujë të ftohtë, për t’i dalë “rakia” e marrëzisë së madhështisë. Sovrani e kishte shfryrë tullumbacen e Referendumit. Plateja e sallës së konferencës së shtypit dukej si e mbushur me kufoma të gjalla. Shumica në të ishin gazetarë pranë pushtetit, të angazhuar në fushatë pro tij, edhe ata vrer për humbjen. Shumë prej tyre kishin ëndërruar ndoshta ndonjë”shpërblim” për mundimin e bërë. Por çdo shpresë ishte fashitur. Ah, sovran, sovran, ç’na bëre! Presidenti e kishte organizuar gjithçka vetë dhe tani po vetë, po e pinte kupën e “helmit” me fund. U bënë pak pyetje, si në vaki, sa për të thënë: “M’ka çue nana me la gojën”. Berisha doli, ashtu i vrerosur siç hyri. Ishte konferenca më e shkurtër për shtyp që kishte organizuar ndonjëherë. Kur flet sovrani, të tjerët heshtin. Këto fjalë më mbetën në mendje. Berisha po heshtte i pari. Dolëm. Nëpër shtyllat buzë rrugëve valëviteshin ende flamujt laramanë të partive, si leckat e firmës “GAB”-i, të rreckosur prej erës dhe shirave të vjeshtës, të vendosura atje një muaj më parë. Ata do të rrinin atje edhe për shumë kohë, ndoshta deri në fushatën tjetër të zgjedhjeve. Nuk kishte njeri terezi të merrej me ta.

    PËRSE U RRËZUA KUSHTETUTA?

    Së pari, populli nuk votoi për projektin e Kushtetutës, të cilin nuk e kishin lexuar as një për qind e votuesve. Ai votoi kundër atyre që ia servirën atë projekt. Votoi kundër mënyrës së keqe të qeverisjes së vendit nga ana e Presidentit Berisha dhe e qeverisë së tij; kundër autoritarizmit dhe përpjekjeve për të hedhur në duar të gjitha pushtetet. Ato pushtete, Berisha i kishte marrë në mënyrë të paligjshme edhe më parë dhe populli e kishte provuar këtë në shpinën e tij, ndërsa tani kërkonte t’i ligjëronte me anë të Kushtetutës. Populli votoi kundër trajtimit brutal që pushteti i Berishës po i bënte opozitës politike, duke i burgosur liderin e saj etj. Populli e identifikoi Kushtetutën me Presidentin Berisha dhe prandaj i hoqi vizën asaj. Populli votoi edhe kundër mënyrës sesi RTSH u kthye në vegël qorre të pushtetit në Referendum. Referendumi tregoi se sovrani, edhe pa shumë traditë demokratike, di të thotë fjalën e vet ashtu siç duhet, kur i ka vajtur thika në kockë. Populli votoi kundër asaj halabakërie të pashembullt politike, të paguar nga taksat e qytetarëve të mjerë, që u shfaq në fushatën 25-ditore. Më shumë se 5% e votave (rreth 86 mijë) u quajtën të pavlefshme, sepse në to, sovrani, përveç votimit, kishte shfryrë me laps në letër të gjithë “talentin” e tij në fushën e sharjeve, talljeve e mallkimeve, me të gjithë arsenalin e pasur që ka gjuha e lashtë shqipe në këtë fushë, kundër pushtetit dhe vetë Presidentit. Edhe kjo ishte pjesë e “Jo”-së popullore.

    (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

    PANORAMA

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    “Një pjesë e ëndrrave të 2 korrikut kanë mbetur rrugëve”- Gazetari Hamdi Jupe tregon ç’ndodhi te ‘Zëri i Popullit’ me shkrimin e Ylli Popës: Nuk u kuptua nga të gjithë, por…

    Për gazetarin Hamdi Jupe, 2 korriku mbetet gjithnjë një datë e mirë për të bërë një bilanc mbi atë çka ëndërronin shqiptarët 30 vite më parë. I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën, Jupe thotë se gjërat në vend kanë ndryshuar edhe pse jo në mënyrë të kënaqshme.

    Emri:  hamdi-jupe.jpg

Shikime: 114

Madhësia:  32.3 KB

    “Kishte shumë pritshmëri ato pritshmëri nuk janë realizuar të gjitha. Natyrisht ka edhe arritje të pamohueshme. Shqipëria ka hyrë në rrugën e ekonomisë së tregut. Institucionet funksionojnë, vendi është hapur me botën. Jemi bërë anëtarë të NATO-s. Ndërsa pjesa tjetër ka mbetur rrugës” – u shpreh Jupe.

    Jupe, kujton se shkrimi i botuar në gazetën ‘Zëri i Popullit’, nga Ylli Popa, ndonëse nuk u kuptua shënoi nisjen e ndryshimit.

    “Ai i tha gazetarit se jam i bindur që ju nuk e botoni. Por Musa Ulqini kishte besimin se shkrimi do të botohej pasi ishte shkrimi i një profesori, i një deputeti. Dhe u botua shkrimi në dy numra gazete. Ai I drejtohej pjesës së ngritur të inteligjencës, nuk i drejtohej popullit. Shumë gjëra aty nuk kuptoheshin. Dhe kur I jam kthyer tani edhe unë I kam kuptuar. Ai flet për Picason, kur për të ishin burgosur njerëz. Shkrimi, nuk u kuptua sikur dicka po lëvizte. Po u tha se ka gjëra të reja të cuditshme, por këto i di udhëheqja. Kryesorja ishte se nga lart nuk pati asnjë reagim për shkrimin. Nuk them e kishte konsultuar me Ramiz Alinë, po ai e kishte ndjerë se sistemi po hapej në Shqipëri. Ndoshta Ramiz Alia kishte bërë premtime, dhe ai ishte ekzaltuar dhe e kishte kaluar masën” -u shpreh Jupe.

    Hamdi Jupe kujton se nga ai moment cdo ditë në gazetë botohej dicka ndryshe, një ndër to ishte njoftimi se në Zvicër ka 25 mijë vende të lira pune.

    “Cdo shkrim që botohet në gazetë ka një mesazh. Cili ishte mesazhi i këtij, kjo lidhej edhe me artikullin e Ylli Popës, thonim dicka po ndodh këtu, por kryeredaktorin nuk e pyesnim. Ai kishte një status të lartë, psh. Unë kam hyrë vetëm dy herë në zyrën e tij nga dy minuta, në 4 muaj” -ndërsa sjell në vëmendje mbledhjet e mëngjesit në redaksi.

    “Ai zhvillonte mbledhje me shefat e sektorit, dhe quhej kolegjiumi I gazetës, cdo mëngjes. Dhe thoshte që do trajtohet kjo temë, kjo temë.. dhe kaq mbaronte puna e tij me shefat, ata ngarkonin gazetarët dhe në darkë shkrimet do të ishin gati. Pasta jai do të kontrollonte shkrimet, do vinte në orën 20:00 do kontrollonte faqet dhe në 20:30 ikte. Nga njëra anë shkrimi i Popes, nga ana tjetër njoftimi, më tej thotë do shkruajmë edhe për pronën private. Madje njëri iu kthye ‘ e ke fjalën për pronën vetjake” – rrëfen Jupe.

    Panorama

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    “10 pastrues hynë në ambasadën turke dhe fituan azil politik”- Hamdi Jupe kujton eksodin e 2 korrikut. Ç’ndodhi me dy vëllezërit nga Durrësi, pas vizitës së…

    Në rrëfimin e tij mbi eksodin e ambasadave, gazetari Hamdi Jupe, tregon se cfarë ndodhi ditën e 2 korrikut 1990. Ai kujton se në mëngjes pa turma njerëzish, por në gazetë nuk kishte asgjë të botuar.

    Emri:  Hamdi-Jupe-nisida-tufa.jpg

Shikime: 110

Madhësia:  31.4 KB

    Por sipas tij 2 korriku nuk ishte i papritur, pasi në fillim vëllezërit Popa nga ambasada italiane dhe 10 pastrues të Tiranës që u futën në ambasadën turke e fituan azilin politik.

    “Një ditë në mëngjes shkoj në gazetë dhe zbres te klubi i gazetarëve. Atje kam parë turmat e njerëzve, shohim gazetën.. asgjë e botuar. Ne e dinim që përditë atje po hynin njerëz, po që nuk shkruhej as te gazeta jonë, as gazetat e tjera. Kjo punë vijoi 10 ditë dhe më pas atyre iu dhanë pasaportat. Pati ndërhyrje nga Perez de Cuellar që kishte qenë në Shqipëri dhe ata ikën.

    2 korriku nuk ishte i papritur, sepse kur erdhi Perez de Cuellar në Shqipëri ai kërkoi që dy vëllezërit Popa nga Durrësi, qe rrinin prej 5 vitesh në ambasadën italiane të lejoheshin të shkonin në Itali dhe qeveria i lejoi ata. Pas kësaj 10 pastrues të Tiranës, natën futen në ambasadën turke, kërkojnë strehim politik aty. Ambasada i çon te hotel Arbëria se nuk kishte vend, ku ti çonte. Shkon Adil Carcani në Turqi kthehet e presin mirë ata, dhe sapo kthehet i lë të ikin ata në Turqi. Tani njerëzit shikonin, që mund të futeshe në ambasadë, dhe të jepej pasaporta.

    Këtu lind dyshimi që vetë sistemi ishte I interesuar të kishte disa shfryrje. Varfëria ishte absolute, nuk gjeje vezë, qumësht, blihej me triska. Popullsia ishte 4 fishuar si asnjë vend të botës. Politika e gabuar e sistemit e kishte asfiksuar ekonominë. Në Dibër e gjeta pazarin plot me mall, në 1981 u shkatërrua tëresisht. Tani si do ushqeheshin këta njerëz. Kjo ishte situata, humusi ku u ngrit kjo pakënaqësi. Por ka shumë hipoteza pse shpërtheu më 2 korrik, disa e lidhin me Kosovën. Disa ishin të interesuar për destabilizim në Shqipëri” kujton Hamdi Jupe.

    Panorama

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    “Berisha tha që populli s’është gati për pluralizëm!”- Gazetari Hamdi Jupe tregon prapaskenat e takimit në gusht të ’90-tës: Si u përplas Ramiz Alia me Ismail Kadarenë

    Emri:  admin-ajax.jpg

Shikime: 107

Madhësia:  35.8 KB

    Diktatura ishte në grahmat e fundit. Ramiz Alia zhvillonte takime me intelektualë, ku theksonte se “nuk do të kishte kurrë pluralizëm politik” dhe kërkonte, në njëfarë mënyre, të legjitimonte vendimin e tij, duke e “shitur” si mendim të elitës intelektuale.

    Hamdi Jupe, ishgazetar në gazetën “Zëri i Popullit” në ato vite, tregon pikërisht ata muaj të ethshëm takimesh, përplasjesh, debatesh, qëndrimesh të figurave të njohura të kulturës dhe politikës shqiptare; për tensionin e krijuar, sidomos pas largimit të Ismail Kadaresë dhe mënyrën se si u dha lajmi i kërkesës së tij për azil politik në Francë.

    Jupe tregon debatin mes Ramiz Alisë dhe Ismail Kadaresë në takimin e 10 dhjetorit 1990 dhe diskutimin e Sali Berishës, i cili asokohe ishte i mendimit se populli shqiptar ende nuk ishte gati për pluralizëm politik..

    HAMDI JUPE

    TRIDHJETË VJET MË PARË: KUR KËRKOHEJ PLURALIZMI POLITIK


    Më kërkuan të organizoja një bisedë në redaksi me intelektualë të njohur, me temë: “Debati si shprehje e demokracisë”. Nëntori i vitit 1990. Po përpiqesha të kuptoja përse po thirreshin intelektualët, kur mendimet e tyre për zhvillimet njiheshin. I kishin shprehur ato në takimin me Ramiz Alinë tre muaj më parë si dhe në gazetat “Drita”, “Zëri i rinisë”, në radion “Zëri i Amerikës” etj.

    Gazeta e partisë, “Zëri i Popullit”, ku punoja, po braktisej nga intelektualët dhe lexuesit. Kjo kishte filluar pas 2 korrikut dhe shkarkimit të kryeredaktorit Hajati. Në këto rrethana, kjo bisedë në redaksi dukej si përpjekje e sforcuar për të rifituar “pozicionet e humbura”.

    Emri:  ramiz.jpg

Shikime: 106

Madhësia:  192.2 KB

    Në listën e intelektualëve të ftuar ishin emra të njohur: profesor Alfred Uçi, kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve; dr. Petrit Skënde, drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore; profesor Luan Omari, jurist konstitucionalist i njohur; dr. Servet Pëllumbi, profesor i Filozofisë në Universitet; profesor doktor Sali Berisha, mjek i njohur kardiolog; Fatos Nano ekonomist, bashkëpunëtor shkencor. Tre prej tyre, Omari, Berisha dhe Nano, kishin qenë në takimin e intelektualëve me Alinë.

    “KURRË PLURALIZËM PARTIAK NË SHQIPËRI”

    Tre muaj më parë, më 10 gusht (1990) Alia organizoi një takim me intelektualë “të zgjedhur”, kryesisht shkrimtarë dhe artistë, por edhe nga fusha të tjera. Nuk ishte i ftuar ministri i Arsimit dhe as kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve që mbulonin sektorët. Tema e takimit nuk dihej dhe shumica e të ftuarve ishin thirrur nga plazhet ende pa mbaruar pushimet. Udhëheqësi përpiqet të tregohet “i hapur”.

    Përshëndetet me të gjithë, pastaj i drejtohet shkrimtarit Ismail Kadare: “Ku je ti, Ismail, përse në rreshtin e tretë (të karrigeve). Hajde këtu pranë”. Duket, ka diçka të veçantë për t’i thënë. “Hë pra, do ta filloni ju apo ta filloj unë? (Ata nuk dinë se për çfarë të fillojnë) Mirë, pra, po e filloj vetë”. Fjalimi i tij është i gjatë, rreth dyzetë minuta, për ndryshimet që kanë ndodhur në vendet e lindjes komuniste ku, siç thotë, “pushtetin e kanë marrë në duar klasat e përmbysura”. “Direktiva” është e qartë: qëndroni edhe ju në këtë linjë në diskutime.

    Flasin emra që nuk përfaqësojnë gjë të madhe dhe deklarojnë atë që kërkon udhëheqësi: “Duam pluralizëm mendimi, por jo pluralizëm politik”. Por “njëshi” nuk është i kënaqur. Ideja kryesore e fjalimit që sapo ka mbajtur: nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në Shqipëri, sepse ajo është “rast i veçantë”, pra, “as lindje, as perëndim”. “Ramiz Alia nuk kish dalë para grupit të intelektualëve në rolin e dëgjuesit, por të kreut të Partisë e të Shtetit, që jep direktiva se çfarë lejon Partia dhe çfarë nuk e lejon”. (Alfred Uçi, gazeta “Dita”).

    Ai kërkon të flasin “të mëdhenjtë” në mbështetje të tij: “Jo, dëgjo Ismail, e kuptoj, por këtu e kam hallin, që ndoshta duhet të nxjerrim një konkluzion edhe neve: që të tërë duhet të jemi më aktivë, mendoj unë…”.

    Shkrimtari mundohet të rihapë çështjen e pluralizmit partiak. “Lidhur me pluralizmin që shtruam këtu, që unë nuk e kam shumë të qartë, të them të drejtën, nga ana juridike, as statusin e pluralizmit d.m.th….” Alia ndërhyn: “Shiko, “pluralizëm”, “status”, e di që ç’ke me të ti se ç’domethënë, posi. S’e ditke ti! Të ma thotë ndonjë që s’e di, mirë.

    Si s’e di? E di, e di ti…”. Kadare vazhdon të bëjë të “paditurin”: “Ose më mirë: ç’kuptohet me këtë fjalë te ne…?” Tensioni është ulur këmbëkryq midis të dyve, edhe pse të tjerët nuk e dinë shkakun: Kadare i ka dërguar një letër Alisë tre muaj më parë (3 maj ’90) ku ngrinte probleme të mprehta të situatës, sidomos dhunën e përdorur nga policia ndaj protestuesve në Shkodër dhe Kavajë.

    Emri:  Ramiz-Alia-dhe-Sali-Berisha.png

Shikime: 118

Madhësia:  195.1 KB

    Ai kërkonte që vendi të futej në rrugën e demokratizimit. Për letrën ka marrë një përgjigje ironike, prandaj tani nuk ka shumë besim tek udhëheqësi. “Letra nuk më la përshtypje të mirë, jo për paragrafët “e zymtë”, po për shpërthimin inatçor ndaj atyre forcave që ti i quan “konservatore”… Në letrën tënde me mbi 3 mijë fjalë, nuk ndesha asnjëherë në fjalën ‘Parti'” (Alia, përgjigje për Kadarenë, 21 maj).

    Kuptohet qartë pezmi i politikanit ndaj shkrimtarit dhe anasjelltas. Alia merr përsipër të shpjegojë çfarë është pluralizmi politik: “Ç’kuptohet? Kuptohet që përveç Partisë së Punës së Shqipërisë, të ketë edhe një parti tjetër, social-demokrate, republikane, një parti liberale, një parti e gjelbër. Ja, kjo është. Ja këto janë…”. Kadare ndërhyn sërish: “Kjo është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike për këtë problem…”.

    Alia bën deklaratën e qëllimit të takimit: “Shiko, ngarkesë politike ka dhe ky është i tëri politik. Që ta përmbledh këtë muhabet. Unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë kurrë pluri-partizmin. Ky do të ishte shkatërrimi i pushtetit popullor pa pikën e dyshimit”.

    BERISHA PROVOKON ME GAZETËN E PARTISË

    Doktor Sali Berisha ndërhyn: “Unë, në radhë të parë, i përmbahem një shprehjeje: Never say never!. Kurrë mos thuaj kurrë. Unë jam i bindur se në stadin aktual ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (pluralizmin partiak – H.J.). Jam për pluralizmin e mendimit”. Ai, pra, tregohet i “kujdesshëm”: edhe “kurrë mos thuaj kurrë”, edhe “ky popull nuk është i përgatitur”. Por ai hedh në sallë një “popël” të padëgjuar: ” ‘Zëri i popullit’ të jetë organ i partisë, jo i Komitetit Qendror”, siç ka qenë për 48 vjet. Kjo është si t’i hedhësh benzinë zjarrit. Paskërka një hendek të madh midis partisë, nga njëra anë dhe udhëheqjes nga ana tjetër. Ideja kundërshtohet nga Alia.

    Ai nuk mund të pranojë ekzistencën e konfliktit parti – udhëheqje dhe të lejojë gazetën t’i ikë nga duart. Në takimin prej tri orë e gjysmë nuk pati të kënaqur, por në pamje të parë, as të pakënaqur, megjithëse fjala “pluripartizëm” u lakua në të gjitha rasat. Alia kërkonte një miratim sado formal të mendimit kundër pluralizmit dhe, në pamje të parë, ia arriti. Në gazetën e partisë njoftimi për takimin botohet sipas ATSH-së, pa u përmendur fare thelbi i tij: përpjekja e sforcuar për t’i vënë fre pluri-partizmit. Megjithatë, djalli kishte dalë nga shishja dhe vërtitej tani nëpër Tiranë në formën e diskutimeve për këtë çështje.

    Këshilltarët e Alisë botuan një përmbledhje “të redaktuar” të diskutimeve, por shpejt ajo u zhduk nga qarkullimi. Më mirë të mos ekzistojë fare. Takimi nuk ka shkuar ashtu siç pritej për udhëheqjen. Kjo është përshtypja e përgjithshme. Alia nuk e mori atë që priste. Në vend që të vinte vetulla, kishte nxjerrë sytë. E kishte zgjuar shejtanin nga gjumi. Në një përpjekje të dëshpëruar për të rivënë në vend “nderin e humbur”, tri ditë më vonë organizoi një takim me intelektualët e ekonomisë, ku u fol për “pluralizmin” e preshit dhe të kastravecëve.

    IKJA E KADARESË

    Më 24 tetor, “Zëri i Amerikës” tha lajmin se shkrimtari Ismail Kadare ka kërkuar strehim politik në Francë. Vetë Kadare deklaron në valët e saj se ka ikur nga atdheu, sepse nuk është dakord me politikat e udhëheqjes komuniste dhe se do të rikthehet sapo vendi të hyjë në rrugën e demokracisë. Zi në redaksinë e gazetës. Çfarë duhet të ndodhte tjetër për ta quajtur situatën katastrofë? Kanë kaluar vetëm dy muaj nga përplasja e shkrimtarit me Alinë në takimin me intelektualët. Udhëheqjes së shokuar komuniste i duhen dyzetë e tetë orë kohë për të formuluar tri rreshta lajm për opinionin e brendshëm, të cilin e shpërndanë me anë të ATSH-së. Titulli: “Ismail Kadare dezertoi”.

    Lajmi, i botuar në fundin e faqes së parë të gazetës: “Nga njoftimet e shtypit të huaj bëhet e ditur se shkrimtari Ismail Kadare, që ndodhej prej afro një muaji në Francë, kërkoi pardje strehim politik atje. Me këtë akt të shëmtuar që fyen rëndë ndërgjegjen patriotike e qytetare të njerëzve tanë, ai braktisi popullin dhe atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të popullit shqiptar”.

    Është lajmi më i shkurtër dhe më i trishtë i botuar në dyzetë e tetë vjet të jetës të gazetës. Në të, Kadare ka filluar punë para tridhjetë vjetësh, pas kthimit nga studimet në Bashkimin Sovjetik. Ai ishte jo vetëm shkrimtar i njohur botërisht, por edhe deputet dhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Goditja ndaj regjimit pra, është “brinjë më brinjë”, prandaj edhe gjuha e përdorur në njoftimin zyrtar është nervoze dhe e ulët. Nuk ka shenja se do të ndalohet vepra letrare e “dezertorit” dhe “shërbëtorit të armiqve” Kadare.

    “Gjenerali” i letërsisë botërore do të vazhdojë të lexohet e të studiohet edhe më tej. Regjimit i kanë renë brekët në fund të këmbëve. Cari e kishte frikë Tolstoin, ndërsa Tolstoi nuk e kishte frikë carin. Më vonë autori do të deklaronte: “Kam kërkuar azilin politik, pas një letërkëmbimi të ashpër me presidentin Alia, ku përfundimisht kuptova se asnjë shpresë nuk mund të pritej prej tij, në kohën kur shumë njerëz besonin se ai mund të bëhej një Gorbaçov shqiptar”. (“Shqiptarja.com”, 7.07.2019)

    GJINUSHI: “TË LEJOHET PLURALIZMI PARTIAK”

    Kuvendi Popullor zhvilloi punimet në sesionin e vjeshtës, më 13 dhe 14 nëntor. Në rend të ditës: Ndryshimet Kushtetuese në rrethanat e reja. Deputetët Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti, përkatësisht ministër i Arsimit dhe ministër i Ndërtimit, kërkojnë lejimin e pluralizmit politik. Thuhet se ka edhe deputetë, ministra dhe intelektualë të tjerë që i mbështesin. Përmenden emra: profesor Xhevat Lloshi, profesor Zabit Brokaj, profesor Fafrudin Hoxha, profesor Ahmet Kamberi, profesor Ismail Lleshi, profesor Robert Koli, profesor doktor Gramoz Pashko etj.

    Të gjithë këta ishin komunistë. Regjimi kishte përgatitur “varrmihësit” e vet. Kjo ndodhte vetëm tre muaj pas takimit të Alisë me intelektualët, ku u theksua se nuk do ketë kurrë pluralizëm politik. Disidenca politike ishte ende e ngujuar në qelitë e burgjeve të Spaçit dhe Burrelit. Diskutimet e deputetëve erdhën me buletinin e ATSH-së të plota në gazetë. Sektori i Brendshëm (çfarë emri!) merret me redaktimin e tyre. Nuk kanë gjë interesante për t’i botuar, thjesht “për të pasqyruar” punimet e Kuvendit.

    Emri:  hamdio-jupe.jpg

Shikime: 101

Madhësia:  28.0 KB

    Në këtë kuadër të redaktimeve, “redaktohet” edhe diskutimi i ministrit Gjinushi: hiqet fraza ku kërkohet pluralizmi politik dhe vendoset diskutimi në fund të faqes tre, pa asnjë përkujdesje në paraqitje: “Ja, ta botuam edhe ty diskutimin!”. Por ato janë dëgjuar nga dyqind e pesëdhjetë deputetë dhe dhjetëra punonjës të administratës së Kuvendit, kështu që fjala merr dhenë: është kërkuar pluralizmit politik.

    Është rasti i parë që një kërkesë e tillë bëhet zyrtarisht nga foltorja e Kuvendit, nga dy ministra të qeverisë komuniste, në prani të udhëheqjes së lartë. Duket se në kupolën e kuqe ka ndodhur një krisje e madhe, ku një pjesë e saj, kryesisht të rinj, janë kundër pjesës tjetër për çështjen e pluralizmit politik. Është çarë “rrjeta” dhe peshqit e pabindur po dalin prej saj.

    “RRIPAT E TRANSMISIONIT” NË VEND TË PLURALIZMIT

    Po afronin zgjedhjet e reja për Kuvendin dhe udhëheqja komuniste hodhi në lojë “kartën e fundit” për të penguar pluralizmin politik. Kjo do të realizohej duke u futur në zgjedhje me kandidatë “alternativë”, krahas Partisë së Punës, edhe subjekte të tjera. Kjo sanksionohej në Projektligjin e ri të zgjedhjeve, të botuar në gazetë.

    Neni 23: “Kanë të drejtë të paraqesin kandidatë për deputetë në Kuvendin Popullor organizatat politike e shoqërore: Partia e Punës së Shqipërisë, Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Komiteti Kombëtar i Veteranëve, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve si dhe çdo organizatë dhe shoqatë tjetër e njohur me ligj”. Nuk kanë të drejtë të paraqesin kandidatë vetëm Shoqata e Gjuetarëve dhe Organizata e Pionierëve të Enverit, sepse këta të fundit janë nën moshën 18 vjeç! Ideja e re e “pluralizmit” dukej joshëse vetëm për naivët. Të gjitha këto “subjekte zgjedhore” mbeteshin në vartësi të Partisë komuniste, si “rripa transmisioni” të saj me masat, siç deklarohej me bujë dhe, si të tilla, ishin vetëm dekor për të ashtuquajturin “pluralizëm alla shqiptar”. Ajo u mbajt gjallë deri sa doli në dritë opozita politike.

    TË FTUARIT NË REDAKSI

    Në ftesën për intelektualët jepej data dhe tema e bisedës, si dhe lista e të ftuarve, për t’u dhënë të kuptonin se me kë do të ishin në tryezë. A do të vinin apo jo? Që të vinin, ata duhet të flisnin atë që mendonin dhe dihej se çfarë mendonin ata, ndërkohë që njihej qëndrimi i udhëheqjes dhe i gazetës ndaj zhvillimeve. Me ftesat në duar shkova në të gjitha institucionet, ku punonin për t’ua dorëzuar në dorë. Në spitalin 1, kati i dytë, te dhoma e kardiologut, takova doktor Sali Berishën, i veshur me bluzën e bardhë të mjekut.

    E kisha parë dikur në Peshkopi, kur vinte me grupet e mjekëve nga Tirana për ndihmë për disa ditë atje. Nga të gjithë të ftuarit, ky dukej si më “problematiku” me mendimet e tij nëpër artikuj dhe intervista. Doktori e lexoi ftesën në këmbë, pa atje të ftuarit e tjerë, falënderoi dhe tha: “Do vij patjetër”. Ky ishte një reagim më shumë se i mirë, sepse prisja refuzimin e tij me justifikime të ndryshme. Të dytit ia çova ftesën Fatos Nanos. Para pak muajsh, në një takim në sallën e katit të tretë të Pallatit të Kulturës, kishte folur për atë që quhej “mekanizmi i ri ekonomik”, një variant i vonuar i vetadministrimit jugosllav të ndërmarrjeve, që synonte t’u jepte pavarësi relative atyre, si shpresë e fundit për t’i nxjerrë nga kolapsi.

    Ai foli afro një gjysmë ore rreth temës, po nuk kuptova asgjë nga ato që tha. Dukej sikur fliste që të mos merrte vesh njeri për ato që thoshte, sikur nuk i besonte as vetë ato, vetëm se ishte i detyruar nga “lart” të vinte atje. I konsideruar nga disa si “ylli në ngjitje” i politikës shqiptare, Nano e pranoi ftesën pa hezitim. Problematike ishte dorëzimi i ftesës kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Profesor Uçit. Për faj tim apo të drejtuesve të gazetës, isha vënë në pozicion të vështirë me të, sepse e kisha tepruar disi me shkrime kritike ndaj institucioneve të kulturës dhe artit dhe vetë Komitetit.

    Atë sektor mbuloja, por nuk mungonin edhe nxitjet e herëpashershme të shefave që më thoshin: “Bjeri Komitetit të Kulturës!”. Ndoshta kishin “llogari” të tjera me të dhe prandaj përdornin gazetën për ta goditur. Protestat e artistëve të Kinostudios me rastin e dy korrikut, kishin tensionuar marrëdhëniet midis udhëheqjes komuniste dhe kreut të Komitetit të Kulturës. Uçi tani përflitej si njeri me “njollë” në biografi për ato ngjarje. Për fat të mirë, ai nuk ndodhej në zyrë dhe ftesën ia lashë sekretares së tij.

    Panorama

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    Nga “zbulimi” i Sudes dhe Xhaferrit në ‘93, te letra sekrete e Aleksander Meksit për Ridvan Boden e Sali Berishën në ’96! Historia e 26 firmave piramidale që i morën 1.3 miliardë USD kursime të shqiptarëve

    Emri:  Fimat-Piramidale-historia-Sali-Berisha-Panorama-al.jpg

Shikime: 109

Madhësia:  65.1 KB

    NGA HAMDI JUPE

    NËN GËRMADHAT E PIRAMIDAVE FINANCIARE


    Ato kishin filluar të gëlonin që para vitit 1996, por atë vit u shfaqën me agresivitet të madh, duke përshpejtuar edhe shembjen e tyre të pashmangshme. Historia tragjike e fundshekullit, e shoqëruar me mbi 3000 viktima në njerëz, mijëra të plagosur, 1,3 miliardë USD humbje financiare dhe mbi 500 mijë armë zjarri të nxjerra anarkishëm nga depot e ushtrisë, kishte arsyet e veta politike, ekonomike, psikologjike, të brendshme e të jashtme. Injoranca e shqiptarëve të sapodalë nga sistemi komunist në fushën e panjohur të ekonomisë së tregut, u bashkua me përdorimin e saj për qëllime politike të ditës, duke çuar në krizën më të rëndë që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912.

    FILLIMET


    Emri:  Maksude-Kadena.jpg

Shikime: 106

Madhësia:  17.3 KB
    Maksude Kadena

    Kapitalizmi i ri shqiptar nisi të hidhte hapat e para pas vitit 1990 mbi baza empirizmi të theksuar, me njohuri të mësuara nga librat e shkollës komuniste. Në rrethanat e reja ekonomike, shqiptarët duhet “të çanin detin me këmbë”, pa pasur as ide të qarta dhe as kapitale financiare mënjanë, pa njohuri për biznesin dhe pa mbështetjen e duhur institucionale.

    Ata nuk dinin thuajse asgjë nga grackat e ekonomisë së tregut. Shumë prej tyre iu drejtuan formës së mbledhjes së kursimeve të pakta të qytetarëve dhe investimit të tyre në biznese, duke u kthyer kreditorëve mbrapsht interesa të larta të panatyrshme fitimi.

    Kanë qenë me mijëra bizneset e vogla dhe të mesme që u mbështetën në financimin informal prej huamarrjes nga publiku, në kushtet kur mungonin kreditë dhe kontrollet bankare, burimet e tjera të ligjshme të financimit për biznesin, strukturat shtetërore të kontrollit, baza ligjore për to etj. Publikisht dhe në mënyrë të frikshme, ato u shfaqën veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 1996.

    Por veprimtaritë e dyshimta financiare, që grumbullonin paratë e qytetarëve për investime, ishin të njohura që në vitin 1991, me veprimtarinë e biznesmenit Hajdin Sejdia, me gropën e tij të famshme prapa Pallatit të Kulturës.

    Emri:  unnamed3.jpg

Shikime: 108

Madhësia:  50.7 KB
    Vebi Alimuça

    Më 1993 filloi aktivitetin firma piramidale me emrin e pronares së saj, ish-punëtoren e fabrikës së këpucëve, romen Sudja (Maksude Kadëna). Ishin, pra, marrëdhënie jo të rregullta (joformale) financiare midis njerëzve që pretendonin se merreshin me bishës të ligjshëm nga njëra anë, dhe qytetarëve që kishin diçka mënjanë nga kursimet e tyre, të siguruara në rrugë të ndryshme brenda apo jashtë vendit, por të pamësuar me rregullat e ekonomisë kapitaliste.

    Dalëngadalë kjo dukuri u kthye në sëmundje epidemike për shumë arsye. Të shesësh shtëpinë, dyqanin, tokën, traktorin apo çdo lloj prone tjetër e t’i futësh paratë në firmën piramidale se “kështu të del më mirë”; të rrish duke pirë raki me bërxolla derri në kioskat që kishin mbërritur deri në sheshin “Skënderbej” – kjo epidemi u kthye në moto për shumë qytetarë.

    Prej këtyre aktiviteteve “humbën kursimet rreth 1.8 milionë shqiptarë dhe përmasat e skemave piramidale arritën deri në 50 për qind e GDP-së”. (A. Malaj, “Panorama”, 11 maj 2021) Përvoja botërore me piramidat financiare Historia botërore në këtë drejtim është e hidhur.

    Ato nuk janë “shpikje shqiptare”, por të vendeve me ekonomi dhe përvojë të zhvilluar kapitaliste. Në SHBA ekzistonte deri vonë një skemë e tillë, e njohur si “Skema Madoff” nga emri i drejtorit të saj, që kishte grumbulluar rreth 40 miliardë USD prej klientëve të mashtruar nga e gjithë bota dhe që u shkri një ditë si bora në ujë. Çështja ishte se kjo përvojë e hidhur nuk njihej nga “bijtë e shqipes” në mesin e viteve nëntëdhjetë. Të sapodalë nga ekonomia e centralizuar, ata “ranë brenda” lehtësisht si mizat në qyp.

    Pronarët e firmave piramidale e kishin taktikë të punës së tyre publicitetin e shfrenuar dhe lidhjen me njerëz dhe struktura të pushtetit e të fushave të tjera të rëndësishme shoqërore, si pjesë e “marketingut” të aktivitetit të tyre për të tërhequr publikun. Në rrethana të tilla, edhe institucionet shtetërore të specializuara të kontrollit ndodh të sugjestionohen prej tyre. Fakti që kompania e Madoff në SHBA gjalloi me anë të mashtrimit deri në vitin 2009, tregon se ato janë rrezik potencial në çdo kohë, edhe sot, veçanërisht për ata që nuk i kanë provuar më parë.

    Emri:  hamdi-jupe.jpg

Shikime: 103

Madhësia:  44.6 KB
    Hamdi Jupe

    FIRMAT PIRAMIDALE “ALLA SHQIPTARE”

    Kompanitë financiare piramidale të paregjistruara ligjërisht ishin dukur herët, por në vitin 1996 morën leje aktiviteti në gjykatë dhe u shfaqën publikisht në numër shqetësues.

    Sipas hetimeve të mëvonshme, ishin 26 të tilla në vend në vitin 1996. Kjo ndodhi veçanërisht para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të majit të atij viti. Se sa informale ishin ato, kuptohet nga fakti që “Sudja”, me aktivitet që nga vitit 1993 dhe e regjistruar në gjykatë në vitin 1996, me rreth trembëdhjetë mijë kreditorë, nuk kishte fare llogari në bankë dhe paratë e qytetarëve i mbante në “qymezin” e shtëpisë së vet në pallat.

    Kompania “VEFA hollding”, me pronar ish-kapterin Vehbi Alimuça, me shtrirje aktiviteti në të gjithë vendin, me 59 mijë kreditorë, ishte krijuar në 29 mars të vitit 1994 si firmë biznesi.

    Fondacioni “Demokracia Popullore-Xhaferri” u krijua në vitin 1995 dhe filloi të shtrinte veprimtarinë e tij kryesisht në fshatrat e Lushnjës, Fierit dhe Beratit, pikërisht në vitin 1996. Fondacioni “Populli” u krijua më 30 mars të po atij viti “pjellor” në fushën e piramidave financiare.

    Emri:  unnamed-12.jpg

Shikime: 97

Madhësia:  71.2 KB

    Historia e lindjes dhe e “lulëzimit” të tyre tregon, pra, se periudhat zgjedhore, siç ishte viti 1996, ishin koha “e artë” e krijimit dhe ngritjes së tyre, si ndërtimet e paligjshme në kohë fushatash elektorale. Kanë ekzistuar dy modele të firmave piramidale financiare në Shqipëri: ato që kishin në bazën e tyre një lloj aktiviteti biznesi, sado minimal dhe prandaj ishin më joshëse për klientët, si dhe forma tjetër, ajo e “fondacioneve” që nuk kishin asnjë lloj kapitali konkret, por qarkullonin vetëm paratë e klientëve të tyre.

    Ndër të parat bënin pjesë kompanitë “Vefa”, “Gjallica”, Kamberi”, “Cenaj” etj., ndërsa të dytat ishin Sudja, Xhaferi, Populli etj. Thelbi i aktivitetit të tyre ishte mbledhja e parave nga një masë investitorësh, për të shlyer detyrimet e investitorëve të mëparshëm e kështu deri në falimentim. Aktiviteti i kompanive piramidale ishte i mbuluar nga terri informativ për publikun.

    Përmasat e vërteta të kësaj drame u mësuan vetëm kur u bë transparenca e tyre nga kompania e huaj “Deloite and touch” e caktuar nge qeveria shqiptare pas vitit 1997. Ato kishin hedhur në duar një shumë të përgjithshme prej rreth 1,3 miliardë USD kursime të qytetarëve dhe kishin deri në 81 mijë kreditorë vetëm njëra prej tyre, siç ishte “Gjallica”.

    PËRSE U LEJUAN NGA AUTORITETET?

    Përvoja në administrimin, kontrollin, verifikimin, ndalimin etj., të këtyre fenomeneve të zeza ekonomike, nuk ekzistonte. Vendi sapo kishte hyrë në rrugën e ekonomisë së tregut. Legjislacioni për parandalimin e tyre ishte jo i plotë. Në komunizëm nuk ekzistonin fenomene të tilla. Në njëfarë mase, pra, ato ishin produkt i rrugës së panjohur të ekonomisë së tregut, por vetëm kaq.

    Shteti shqiptar kishte në dorë informacionin për gjendjen (siç pretendonte),legjislacionin për të ndaluar në kohë aktivitetin e tyre me pasoja të rënda dhe, gjithashtu, mund të miratonte legjislacion të ri sipas nevojave, por ai zgjodhi të bëjë (të paktën për njëfarë kohe) “sehirxhiun” në këtë aventurë vetëvrasëse financiare. Kjo lidhej me ngjarjet e rëndësishme politike të vitit 1996, pra, zgjedhjet.

    Në Shqipëri nuk kishte sistem bankar privat të zhvilluar, i cili ka rregulla strikte në administrimin e parasë dhe nuk lejon të kryhen veprime “me urdhër nga lart”, siç ndodh me bankat shtetërore. Shteti shqiptar mendonte se me këto probleme të mprehta do të merrej sapo të mbaronin zgjedhjet dhe të sigurohej mandati i ri i pushtetit, por situata i doli jashtë kontrollit.

    Në prag të katastrofës, për të shpëtuar veten nga përgjegjësia, ai u përpoq të paraqitej “duar jashtë” nga historia e piramidave, duke i paraqitur ato si “çështje personale” të individëve dhe prandaj ai, shteti, nuk kishte përgjegjësi për to, por kjo nuk funksionoi. E kishte marrë ferra uratën.

    Aspekti politik i problemit Puna me zgjedhjet nuk u kishte shkuar mirë atyre që ishin në pushtet: Partisë Demokratike dhe Presidentit Berisha. Pas fitores plebishitare në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992, ata kishin humbur në ato për pushtetin vendor katër muaj më vonë, në korrik të atij viti. Dy vjet më pas, më 1994, kishin pasur një tjetër humbje turpëruese në një referendum kombëtar për Kushtetutën, me pesëdhjetë e tre për qind kundër tyre.

    Në lojë ishte edhe mandati i ri i Presidentit të Republikës, i cili do të zgjidhej nga Kuvendi i ri në mars të vitit 1997. Ekonomia ishte në rrokullimë të pandalshme, pasojë e “terapisë së shokut” që zbatoi qeveria me ndërmarrjet shtetërore që, në njëfarë mase, mund të funksiononin ende, derisa të krijoheshin strukturat e reja të ekonomisë së tregut, por që u falimentuan artificialisht dhe u shpërbënë duke u privatizuar arbitrarishte duke hedhur në rrugë dhjetëra mijëra punëtorë.

    Kostot e mëdha sociale të reformave në qytet dhe fshat kishin rritur pakënaqësinë ndaj pushtetit. Këto do të përktheheshin pastaj në kosto politike.

    Në zgjedhjet e reja të zhvilluara në të gjitha vendet ishkomuniste, kishin ardhur në pushtet forcat e majta. Kjo pritej të ndodhte edhe në vendin tonë, si një prirje e pashmangshme historike. Forcat e djathta opozitare kishin ardhur në skenën e historisë për ta shembur sistemin komunist, por ishin të papërgatitura sa duhet për të qeverisur shoqërinë e re.

    Këtë frikë, pra, se kjo do të ndodhte edhe në Shqipëri, e kishte edhe Partia Demokratike dhe prandaj po merrte masa të panatyrshme për të shpëtuar me çdo kusht nga humbja. Krijimi i iluzionit fals të “mirëqenies”, “bollëkut”, “pasurimit të shpejtë e pa punë”, me sloganin elektoral zyrtar të fushatës së tyre: “Me ne fitojnë të gjithë”, ishte një rrugë efektive për të mashtruar votuesit në prag të zgjedhjeve.

    “ALARMI NË SHISHE” I QEVERISË

    Qeveria e ish-Kryeministrit Meksi kishte dijeni për aktivitetin e firmave piramidale dhe për rrezikun e tyre për vendin, të paktën qysh në mesin e vitit 1996. Kryeministri ishte informuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë për rrezikun që paraqisnin ato. Ai kishte kërkuar të shikohej mundësia ligjore e mbylljes së aktivitetit të një pjese të tyre dhe kishte informuar edhe Presidentin e Republikës Berisha rreth kësaj situate, me anë të një letre “Sekret”.

    (Se mos na e merr vesh njeri këtë punën e piramidave financiare në gusht të atij viti, kur atë e dinin të gjithë shqiptarët!)(Letra “sekret” e ish-Kryeministrit Meksi drejtuar institucioneve financiare dhe Presidentit të Republikës, 20 gusht 1996). Në letër, Kryeministri i trajton në mënyrë selektive firmat piramidale dhe nuk i godet në bllok, por vetëm disa prej tyre.

    Ai kërkon mbylljen e atyre “që sapo kanë filluar një aktivitet të tillë si “Silva”, fondacioni bamirës “Populli” etj.”, ndërkohë që tanimë janë plot 26 kompani që zhvillojnë aktivitet informal kriminal nën hundën e shtetit.

    Dukej se Kryeministri ose nuk merrte vesh sa duhej nga rreziku i pasojave të kësaj dukurie, ose nuk kishte autoritetin e nevojshëm për të vendosur për to. Janë të tjerë ata që marrin vendime, duke lënë të kuptohet Presidentin e Republikës. Të tjerët poshtë tij thjesht e njihnin problemin dhe këmbenin letra “sekrete” për të qetësuar veten se “ne e bëmë detyrën tonë”.

    LEJIMI ME DASHJE I PIRAMIDAVE FINANCIARE

    Përveç informacioneve nga burime zyrtare të institucioneve të specializuara, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, kalonte dy herë në ditë para ndërtesës së gazetës “Zëri i popullit”, në bulevardin “Zogu i Parë”, në katin e parë të së cilës gjendeshin sportelet e Fondacionit “Populli” dhe ku rrinin në radhë natë e ditë për të futur paratë me mijëra njerëz.

    Radha e gjatë e tyre pengonte shpeshherë edhe eskortën e Presidentit në rrugë. Ai i kishte mekanizmat për t’i kontrolluar e bllokuar ato, por kjo nuk ndodhi dhe kjo lidhet me arsyet e përmendura. Gjendja e këtyre firmave piramidale u rëndua veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 1996, si pasojë e zgjerimit të aktivitetit të tyre.

    Emri:  lista-e-firmave-piramidale-e1637579643858.jpg

Shikime: 106

Madhësia:  17.8 KB

    Autoritetet nuk mund të bënin ndërhyrje për mbylljen, sepse masat e kreditorëve do të bënin përgjegjëse ato për humbjen e parave dhe kjo do të reflektohej pastaj në votimet e 20 tetorit për qeverisjen lokale. Në popull ekzistonte bindja se këto firma piramidale funksiononin me dijeninë dhe miratimin e plotë të shtetit.

    A nuk ka thënë vetë Presidenti Berisha: “Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë”? Për këtë arsye nuk u ndërhy as kur erdhën rekomandime nga Banka Botërore dhe FMN për mbyllje. Le të mbarojnë zgjedhjet më parë, pastaj kemi kohë të merremi me to.

    Politika. pra, në plan të parë. Presidenti Berisha deklaronte poshtë e lart se kompanitë rentiere janë “dallëndyshet e para të kapitalizmit në Shqipëri”. Në një intervistë për televizionin “Klan” tre vjet më vonë (5 dhjetor 1999) ish-zëvendëskryeministri Tritan Shehu deklaronte se bashkë me Kryeministrin Meksi, i kishin kërkuar Berishës të vihej nën kontroll Sudja, sepse ajo nuk kishte as llogari në bankë.

    Edhe me Suden, pra, duhet të merrej Presidenti i Republikës. Ky ishte shteti “piramidal” i asaj kohe. Presidenti ishte përgjigjur se “çdo gjë është nën kontrollin e SHIK-ut dhe të institucioneve të specializuara”. Se sa “nën kontroll” e kishte SHIK-u situatën, kjo u duk kur piramidat financiare filluan të bien.

    Letër sekrete nr. 2858 e Kryeministrit Aleksandër Meksi për piramidat

    Drejtuar: Ministrit të Financave, Ritvan Bode, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Kristaq Luniku

    Për dijeni: Presidentit të Republikës, zotit Sali Berisha

    Në lidhje me zhvillimet e fundit të tregut joformal, nga ana juaj më është bërë e ditur për zhvillimet jashtëzakonisht të këqija që po vazhdon të vërehen në zhvillimin e huamarrjes me interesa tepër të larta nga disa firma tashmë të njohura si VEFA, Gjallica, Kamberi, Sudja etj., por edhe të sapokrijuarat si Silva, Populli, etj., gjë e cila, siç është theksuar edhe nga ana juaj, po çon në zhvillimin tepër negativ për tregun financiar, që mund të kalojnë në pasoja tepër të rrezikshme ekonomike, sociale, politike si dhe për zhvillimin e formave të ndryshme të kriminalitetit. Por në informacionet e dërguara nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, përveç evidentimit dhe konstatimit të këtij fenomeni tepër të rrezikshëm, nuk përcaktohen masat e nevojshme për eliminimin e këtij fenomeni, duke tërhequr vëmendjen sidomos në drejtimet e mëposhtme:

    1. Kontrollin e aktivitetit të tyre nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve mbi detyrimet fiskale që këto firma kanë kundrejt buxhetit të shtetit në zbatim të legjislacionit të sotëm fiskal për aktivitetin ekonomik që këto firma kryejnë, si dhe rishikimin, konform legjislacionit të vendeve të zhvilluara, të politikës fiskale me qëllim vendosjen e tatimeve të reja për transaksionet financiare (përfshi këtu depozitat dhe kreditë) që kryhen nga institucionet e licencuara financiare, si dhe nga subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun joformal. Po kështu, të studiohet nga ana juaj vendosja e një takse për shitblerjen e pasurive të paluajtshme përpara regjistrimit të tyre në regjistrin e pasurive të paluajtshme.

    2. Të kërkohet nga ana e Departamentit të Politikës dhe Operacioneve monetare që të gjitha firmat që kanë aktivitet në tregun joformal, të deklarojnë aktivitetin e tyre të përgjithshëm si dhe masat që ato parashikojnë në drejtim të bilancimit të arkivave dhe pasurive të bilancit të tyre. Në qoftë se ka pengesa ligjore për kërkimin e një informacioni të tillë, të studiohet mundësia e përgatitjes së shpejtë të një ligji të tillë.

    3. Nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë të kërkohet ndihma e specialistëve të huaj për të treguar, ose gjetur forma më efikase për parandalimin dhe luftën kundër këtij fenomeni.

    4. Për firmat e reja, që sapo kanë filluar një aktivitet të tillë si “Silva”, fondacioni bamirës “Populli” etj., nga ana juaj të kërkohet menjëherë mbyllja e aktivitetit të tyre, duke gjetur dhe përdorur në këtë rast argumentet dhe format e duhura juridike e ligjore. Për sa më sipër, nga ana juaj mund të studiohen edhe masa të tjera me karakter administrativo-ligjor, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e ministrive apo institucioneve të tjera shtetërore, që duhet të angazhohen në këtë drejtim, për plotësimin e kuadrit ligjor në këtë fushë.

    Kryetar i Këshillit të Ministrave,

    Aleksandër Meksi

    Tiranë 20.08.1996

    (Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

    PANORAMA
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gazetari Hamdi Jupe, i gazetës së rregjimit komunist Zëri i Popullit, rrëfen për historinë

    Prapaskenat e vitit 1996, heshtja e PS për piramidat dhe roli i ambasadave! Rrëfimi i gazetarit Hamdi Jupe: Kur nisën protestat, opozita ishte e përçarë në…

    Është një periudha që e rishikuar tani vishet me një mjegull të dendur absurditeti. Bëhet fjalë për vitin 1996, në kohën e lulëzimit të firmave piramidale, kur paraja prodhohej në kafe, nga biznese pa aktivitete tregtare apo prodhuese.

    Emri:  Protesta-qytetaret-fajdet-piramidat-.jpg

Shikime: 101

Madhësia:  79.6 KB

    Gazetari i njohur Hamdi Jupe, në librin “Shënimet e gazetarit”, rikthen ditët dhe muajt e vitit që ndezi fitilin e përplasjes së madhe në 1997-ën.

    Në numrin e kaluar, Jupe tregoi si lindën dhe u përhapën, me lejen de facto nga ish-qeveria e PD-së, firmat piramidale. Si u krijuan 26 biznese magjike që morën kursimin e shqiptarëve.

    Në numrin e sotëm të gazetës po risjellim pjesën e dytë të rrëfimit. Pse heshti PS, ish-opozita, ndaj këtij fenomeni. Roli i diplomatëve të huaj, kush mbështeste qeverinë dhe si ndryshoi qëndrimi pas zgjedhjeve të 1996-ës.

    HAMDI JUPE

    ÇORODITJA E OPOZITËS


    Opozita politike, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, u treguan të paqartë dhe pasivë në denoncimin në kohë dhe me forcë të aktivitetit kriminal piramidal. Ndoshta nuk i dinin përmasat e vërteta të dukurisë, sepse nuk kishin informacion zyrtar për shifrat e parave dhe të personave të përfshirë në to, as për rreziqet reale. E diskutonin edhe në mbledhjet e tyre, por nuk e ngritën zërin e kritikës në mënyrë publike për arsye elektorale edhe ato.

    Emri:  Protesta-qytetaret-fajdet-piramidat-1.jpg

Shikime: 103

Madhësia:  39.7 KB

    Shumë qytetarë, që i kishin depozituar paratë në firmat piramidale, edhe pse të majtë, do të votonin në zgjedhjet që po afroheshin kundër një partie që vinte në dyshim piramidat, sepse do të humbnin paratë. Njerëz të opozitës, të mbetur pa punë prej qeverisë së Partisë Demokratike, ishin punësuar në këto firma për të siguruar bukën e gojës, prandaj ndienin frikë nga shembja e tyre.

    Pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit, kohë kur u trash zullumi i firmave piramidale, opozita u gjet e çoroditur rëndë nga përçarjet e brendshme të shkaktuara nga i ashtuquajturi “mocion” kundër udhëheqjes. Në plan të parë të saj doli çështja: “Bëri veza pulën, apo bëri pula vezën?”. Partia u përfshi në një qorrollisje disamujore debatesh pa fund kundër njeri-tjetrit, duke akuzuar për këtë bustin prej allçie të Marksit, të gjetur në një qoshk të dollapit në zyrën e udhëheqësit faktit të opozitës, Servet Pëllumbi. Vendi digjej, socialistët kriheshin.

    Ai pra, busti, na e paskësh pasur fajin që i humbëm zgjedhjet parlamentare të 26 majit (jo manipulimet e Berishës), prandaj ta pastrojmë këtë “guralec nga gryka e qypit me mjaltë” të socialistëve. Partia u nda në dy pjesë që luftonin kundër njëra-tjetrës. Një udhëheqje e re që doli nga kongresi i jashtëzakonshëm i vjeshtës nuk mundi të orientohej si duhet deri në zgjedhjet e reja lokale të 20 tetorit. Fitorja plebishitare e opozitës në një referendum kombëtar për Kushtetutën dy vjet më parë tani i përkiste historisë. Opozita humbi rëndë edhe këto zgjedhje vendore me rezultat vetëm 26 për qind në shkallë vendi. Na rroftë pra mocioni dhe lufta kundër bustit të Marksit!

    Kjo i dha dorë partisë në pushtet për të forcuar “legjitimitetin” e munguar në zgjedhjet parlamentare dhe megalomaninë e veprimeve të saj abuzive. Kur vjen e keqja, hapi derën. E keqja ishte ulur këmbëkryq edhe në partinë kryesore të opozitës. Kur filloi rënia e firmave piramidale (Sudja, 6 nëntor 1996), qytetarët dolën në mënyrë të vetvetishme në rrugë për të kërkuar paratë e humbura, ndërsa opozita në fillim ngurronte të vihej në krye të tyre, me justifikimin: “As ne nuk ua kthejmë dot paratë, prandaj nuk mund të mbështesim protestat e tyre”. Ajo nuk ishte në gjendje të kuptonte se tani protestat po merrnin gjithnjë e më tepër natyrë politike dhe jo vetëm financiare.

    Piramidat financiare ishin pasoja, shkaku ishte politika e gabuar që i lejoi ato. Me pezmin për humbjen e parave bashkohej edhe çështja e zgjedhjeve të manipuluara parlamentare, dhuna ndaj opozitës, burgosja politike e kryetarit të saj Nano, gjendja e rëndë ekonomike etj., të cilat po çonin në një situatë shpërthyese. Ishin turmat e revoltuara të qytetarëve që nxorën udhëheqjen socialiste nga zyrat e ngrohta në sheshet e protestave në dimrin e vitit 1996.

    ABUZIMI ME PARATË E PIRAMIDAVE

    Emri:  hamdi-jupe.jpg

Shikime: 96

Madhësia:  33.4 KB
    Hamdi Jupe

    Kur kompanitë piramidale falimentuan dhe faktet mbi to dolën në dritën e diellit, opinioni mësoi se shumë nga paratë e depozituara në to kishin përfunduar për sponsorizimin e fushatave elektorale të kandidatëve të partisë në pushtet, si dhe për veprimtari të tjera propagandistike në shërbim të tij. Kompania “Gjallica” p. sh. kishte sponsorizuar me një milion USD të kreditorëve spektaklin “Mis Bota” të zhvilluar në Tiranë, ku vetë bashkëpronari i kompanisë, Fitim Gërxhalliu, u shfaq në skenë me frak e papijon si dordolec i kohëve të shkuara.

    Dolën fakte për financime me shuma të mëdha të fushatave elektorale dhe “ahengjeve” të tjera të Partisë Demokratike dhe eksponentëve të saj. Nga ana tjetër, miliona lekë ishin paguar për reklama në gazeta për të krijuar imazhin “e fuqisë” së këtyre piramidave etj. Ka fakte të shumta që e pasurojnë tablonë e abuzimit të partisë në pushtet me paratë e kreditorëve të kompanive piramidale. Në çastet e fundit para shembjes, shumë individë shqiptarë e të huaj që kishin mundësi të fusnin duart në arkat e tyre përvetësuan sasi të mëdha parash në dëm të kreditorëve fatkëqij.

    HESHTJA E SHTYPIT

    Shtypi i shkruar (deri në vitin 1997 nuk ekzistonte shtypi i pavarur elektronik) e njihte dukurinë e ngritjes së firmave piramidale financiare. Në bisedat midis gazetarëve thuhej se kjo situatë absurde me kursimet e qytetarëve do të shpërthente si bombë një ditë dhe do të merrte me vete shumë viktima. Por në faqet e shtypit nuk bëhej thuajse asgjë për denoncimin e tyre. Mos o Zot! Të gjitha firmat piramidale botonin reklama nëpër gazetat kryesore për të ndjellë klientët të depozitonin paratë në to dhe, nga ana tjetër, për t’i mbyllur gojën (e uritur) shtypit me ndonjë shuk parash.

    Nëse do të ngrije shqetësimin për rrezikun e piramidave në faqet e gazetës, mbeteshe pa reklamë, shtypit i pritej koromania. Shtypi po merrte përsipër kështu një pjesë të përgjegjësisë për mosdenoncimin e tyre në kohën dhe me forcën e duhur. Edhe vetë qytetarët nuk donin që ky problem të ngrihej në shtyp, sepse kështu, mendonin ata, do të rrezikoheshin paratë e tyre.

    Gazetarët e shtypit të huaj që punonin në Shqipëri shpesh gjendeshin nën sulmet e egra të turmës së frikësuar të kreditorëve, sikur të ishin ata fajtorë për falimentimin, pse e kishin trajtuar problemin në mediat e tyre. Televizioni shtetëror, e vetmja medie elektronike në vend, ishte tërësisht nën kontrollin e shtetit, me përfaqësuesen e devotshme Vjollca Vokshi në krye, e arratisur me helikopter të huaj ushtarak jashtë shtetit në mars 1997, e tmerruar prej zemërimit popullor për paratë e humbura. Kur shtypi filloi të fliste, atij iu vu zjarri, siç ndodhi me gazetën e pavarur “Koha jonë”, ose u mbyll tërësisht me ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme.

    KONFLIKTI ME NDËRKOMBËTARËT

    Deri në zgjedhjet parlamentare të majit të vitit 1996, Berisha dhe qeveria e tij ndiheshin të përkëdhelur nga faktori ndërkombëtar. Këtu bënin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kishin besuar verbërisht te ky ish-komunist 25-vjeçar, i konvertuar papritur në “demokrat” të flaktë, prandaj edhe dëshironin që ai të vazhdonte të qëndronte edhe më tej në pushtet.

    Fqinja jonë jugore, Greqia, e qeverisur nga PASOK-u i Papandreut, e mori Berishën pak ditë para zgjedhjeve me avion të posaçëm të ardhur nga Athina për të firmosur atje një “Traktat miqësie dhe bashkëpunimi”, të cilin Berisha e “shiti” shtrenjtë në fushatë, si një “fitore të madhe” në marrëdhëniet me fqinjët, pavarësisht se ky “traktat miqësie” vazhdonte të linte edhe më tej në fuqi ligjin e luftës me vendin tonë, që Greqia e mbante që nga viti 1940, siç po e mban edhe sot.

    Ishin disa qindra mijë emigrantë shqiptarë në Greqi në atë kohë dhe prandaj duhej kjo propagandë “miqësie” për familjet e atyre që do të votonin këtu. Ambasadori italian në Tiranë, Paolo Foresti, ishte “partizan” i flaktë i mbajtjes së Berishës në pushtet edhe për katër vitet e ardhshme. Këto simpati u demonstruan edhe në përpjekjet e tij për të nxitur vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBEODHIR-it të shkruanin fjalë të “sheqerosura” në raportin për zgjedhjet e manipuluara të 26 majit, gjë që nuk funksionoi, përpara skenave të dhunës barbare kundër opozitës në sheshin “Skënderbej” më 28 maj.

    Nga ana tjetër, nuk ka pasur asnjë denoncim prej të huajve për atë që po ndodhte me piramidat financiare. E gjithë situata në vend pra ishte një piramidë politiko-ekonomike-propagandistike, e krijuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm.

    Kjo piramidë e kishte emrin “Sali Berisha”. Të huajt ishin kështu pjesërisht bashkëpërgjegjës të asaj tragjedie kombëtare shqiptare që erdhi pas pak muajsh, kur ata u detyruan të dërgojnë këtu trupat shumëkombëshe për të ruajtur rendin publik.

    Çështja u doli jashtë kontrollit kur Policia sekrete shqiptare masakroi me dhjetëra politikanë dhe qytetarë të opozitës që dolën në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve, mu përpara syve të vëzhguesve dhe të shtypit të huaj. Këtu ndodhi thyerja e madhe e Perëndimit me Berishën, që para pak muajsh kishte “fituar” në zgjedhje 131 deputetë, nga 140 gjithsej që kishte Kuvendi. SHBA kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në 40 zona zgjedhore, masë kjo e pjesshme, që mund ta mbante edhe më tej atë në pushtet. Por kur Berisha e kundërshtoi edhe këtë kërkesë minimale, atëherë të gjitha bateritë e Perëndimit u drejtuan kundër tij.

    Në këtë situatë të rëndë gjendej vendi në vjeshtën e vitit 1996. Përmasat dramatike të krizës do t’i dëshmonin shpejt ngjarjet tragjike që do të vinin me shembjen e piramidave. “Fara” e shkatërrimit ishte hedhur prej kohësh.

    (Nga libri “Shënimet e gazetarit”)

    PANORAMA

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 09-04-2014, 20:00
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 31-08-2013, 02:14
  3. Libër: "Zëri i popullit" dhe zëri i Jusuf Gërvallës
    Nga projekti21_dk në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 07-11-2012, 18:29
  4. I.Kadare ose shkrimtari që i zgjati jetën Rregjimit komunist
    Nga pirro10 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 31
    Postimi i Fundit: 02-08-2012, 12:30
  5. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •