“Unë mbajta peng drejtorin, Enver Hoxha kishte lejuar që të bëhej ai aksion, zgjati 8 orë”

Dëshmia e rrallë e 97 vjeçarit: Si e rrëmbyem depon e Bankës së Durrësit në ’43-in, se nuk kishim sheqer!

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e Astrit Leka me origjinë nga Borshi i Sarandës dhe me banim në Zvicër. Ai ishte një nga veteranët e Luftës së Dytë Botërore si pjestar i Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, anëtar i njësiteve guerile të Tiranës, përgjegjës i Rinisë Komuniste të Batalionit “Çermenika” dhe partizan në Brigadën e Parë Sulmuese të komanduar prej Mehmet Shehut.

Emri:  pjimage-151.jpg

Shikime: 872

Madhësia:  72.2 KB

Dëshmitë e rralla të 97 vjeçarit Leka, që nga periudha kur ai studionte në kolegjin “Cicognini” të Pratos-Firence në Itali dhe në vitin 1941 goditi një nga krerët e rinisë fashiste të shkollës që shau flamurin shqiptar një ditë pas atentatit të Vasil Laçit ndaj Mbretit Viktor Emanueli i III-të, takimi me Qemal Stafën që e bindi të kthehej në atdhe për të luftuar kundër okupatorit, angazhimi me ‘Grupin Komunist të të Rinjëve’, ku ishin edhe Alqi Kondi e Ramiz Alia, aksionet e shumta në Tiranë e Durrës, e deri tek atentatet e dështuara ndaj kryeministrit Mustafa Kruja që mbeti i plagosur, si dhe ndaj Xhaferr Devës, ku Astrit Leka, kishte mundur të hynte brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja.

Si u shpall Astriti “armik i popullit” në vitin 1967 dhe u detyrua që të punonte si punëtor krahu deri në vitin 1990, kur u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Zvicër, ku jeton dhe aktualisht.

“Ndërsa unë qëndroja brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja dhe informoja rregullisht Nako Spiron, Gogo Nushin e Ymer Dishnicën, për çfarë flitej aty, më erdhi urdhëri që të mos kryhej atentati ndaj Xhaferr Devës, pasi aksioni ishte anulluar! Pas kësaj dhe prita që ishte bërë jashtë shtëpisë u hoq dhe Adem Kosova me shokët e tjerë u larguan”.

Kështu e kujton 97 vjeçari Astrit Leka, njërin prej 44 aksioneve që ai ka kryer gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, kur ai drejtonte njësitet guerile të udhëhequra nga Partia Komuniste Shqiptare e kryesuar prej Enver Hoxhës.

I zgjedhur si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Veteranëve për Konfliktet Ushtarake, me qendër në Paris, zoti Leka vjen herë pas here nga Zvicra (ku është rezident prej vitesh me familjen e tij) në Tiranë, për të marrë pjesë në festimet e 28 dhe 29 nëntorit, apo edhe në ceremoni të tjera përkujtimore ku ai është i ftuar. Edhe pse mbante mbi vete autorësinë e një barrë aksionesh, dhe ishte diplomuar në tre fakultete, në vitin 1967, atij i’u mohuan të gjitha, u shpall «armik i popullit» dhe u detyrua të punonte si punëtor në kazëm për vite me rradhë, deri sa u largua nga Shqipëria në maj të 1990-ës.

Por për të gjitha ato peripeci ai nuk ka dëshirë të flasë, duke i quajtur të kaluara, dhe pranon të dëshmojë për Memorie.al vetëm për aksionet e Luftës dhe shokët e tij, me qëllimin e vetëm që “ato ngjarje të mos harrohen, të dalë e vërteta historike dhe ai të mos i marrë me vete në varr!”

Përveçse i zgjedhur si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Veteranëve për Konfliktet Ushtarake, me qendër në Paris, Anëtarë i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Shqipërisë, (OBVL-Tiranë), Themelues dhe Kryetar i ‘SOLIDEST’ (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Vendeve Lindore me seli në Gjenevë), ish-Këshilltar i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Veteranëve (me 37 milionë anëtarë), FMAC-Paris, Zv/President i Konfederatës Evropiane të Veteranëve dhe Ushtarakëve të Luftës, CEAC-Paris dhe Kryetar Nderi i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë ‘UIAS’ – Bernë, Zvicër, zoti Astrit Leka, pas viteve ’90-të ka dhënë edhe një kontribut shumë të çmuar për përhapjen e vlerave më të çmuara të kombit shqiptar në botë, si dhe për vendosjen e busteve të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në disa kryeqytete të Botës, për të cilat, në vitin 2019, u vlerësua me një medalje nga ana e ambasadës shqiptare në Bernë të Zvicrës.

Zoti Astrit, si u larguat nga zyra e ministrit të Ekonomisë Kombëtare, pas marrjes së autorizimit?

Pasi mora autorizimin, unë u largova nga zyra e tij dhe zbrita shkallët, në pritje të breshërive të armëve të rojeve personale, me urdhër të tij. Por ai e bëri si burrat dhe nuk reagoi kundër meje. Kështu që unë u largova pa probleme, së bashku me shokët e mi që më prisnin jashtë me autoveturë për në drejtim të bazës, tek shtëpia e Esat Dishnicës, ku ishte udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Si e pritën krerët e lartë të PKSH-së këtë aksion?

Ata me gëzimin më të madh më përqafuan, pasi me atë autorizim që sigurova unë, zgjidhej problemi i furnizimit me ushqime të disa brigadave partizane, por dhe më qortuan rëndë, pasi për mënyrën e kryerjes së aksionit, kisha vepruar pa marrë aprovimin e tyre. Ata më thanë se dështimi i këtij aksioni do të ishte shoqëruar me masakra të gjermanëve, të cilët nuk mund të lejonin kurrë që një guerilas të hynte në zyrën e një ministri dhe t’i merrte me armë në kokë një firmë në të bardhë. Desha të them se vite më vonë, më 1967, pak kohë pas fjalimit të Enver Hoxhës, të 6 Shkurtit, kur unë shërbeja si mësues i frëngjishtes në gjimnazin “Partizani” të kryeqytetit dhe kur Sekretari i Komiteti të Partisë së Tiranës, me pa të drejtë, më shpalli ‘armik’ se unë nuk bëra autokritikën që më imponohej, ky aksion më shpëtoi nga burgu.

Emri:  888.jpg

Shikime: 872

Madhësia:  27.0 KB

Konkretisht, si ndodhi?

Problemi im shkoi deri në Sekretariatin e K.Q. të PPSH-së, i cili nuk e aprovoi cilësimin armik, që më ishte bërë nga Komiteti i Partisë i Tiranës. Atëhere unë dëgjova se në atë mbledhje ishte përmendur ky aksion që kisha bërë unë në atë kohë, duke u quajtur si aksioni më i guximshëm i njësiteve guerilje, që ishte bërë gjatë Luftës. Edhe pse ky aksion m’u njoh nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, disa organe, që unë po i quaj delikate, më thanë se unë kisha vepruar si anarkist. Por unë i’u përgjigja duke u thënë se rrezikova veten, për t’i shërbyer luftës për çlirim.

A mund të na thoni ndonjë nga aksionet apo atentatet e tjera të guximshme që keni bërë ju gjatë Luftës?

Ndonëse unë kam marrë pjesë në më shumë se 44 aksione, nuk kam bërë asnjë atentat dhe nuk kam vrarë asnjeri gjatë Luftës. Edhe në atentatin kundër Mustafa Krujës, roli im ka qenë mbështetës. Por kam bërë aksione që më kanë rrezikuar më shumë se atentatet. Një nga aksionet, që, sipas meje, është dhe më i madhi, më i rrezikshmi dhe më i rëndësishmi dhe më me rezultat, ka qenë ai marrjes me forcë të depos së degës së Bankës Kombëtare të Durrësit, në 6 nëntorin e vitit 1943.

Kush urdhëroi për atë aksion dhe kush e kreu atë?

Aty nga muaji tetor 1943, Enver Hoxha i kërkoi udhëheqjes së Luftës së Tiranës, sigurimin e ushqimeve me para, për brigadat partizane. Pas kësaj, Abdyl Këllezi, i cili ishte financier i Partisë, i dorëzoi Gani Goxhit dhe mua 2 mijë napolona kartëmonedhë, për të shkuar në Kosovë dhe për të blerë ushqimet.

Këto para nuk mjaftonin për ushqimet që kërkoheshin dhe mua më lindi ideja që të merrnim me forcë sheqerin që mbahej i bllokuar në depot e Bankës së Durrësit, për t’u përdorur nga ushtria gjermane. Në atë kohë, në tregun e lirë nuk kishte asnjë kg. sheqer dhe as në farmaci nuk gjeje, përveçse në tregun e zi, ku një kg. kushtonte 6 napolona letër.

Në depot e Bankës së Durrësit ndodhej dhe një sasi e madhe leshi, e cila pritej të nisej për në Gjermani, për t’u përdorur për ushtrinë naziste. Në tregun e zi një kg lesh kushtonte 10 napolona, kur një nëpunës i mesëm merrte 60 napolona letër rrogë mujore. Unë i’a propozova aksionin Nakos, Gogos, Ymer Dishnicës e Mustafa Gjinishit, të cilët fillimisht nuk ma aprovuan, nga frika e propagandës që bënte Balli Kombëtar, që do të na cilësonin si gangsterë që vidhnim banka.

Si vepruat pas kësaj?

Unë shpjegova se materiali ishte strategjik dhe aksioni mund të justifikohej në popull. Ata më kërkuan që t’u paraqisja një plan më të hollësishëm për aksionin, pasi ai ishte i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe për realizimin e tij duhej një kohë e gjatë e një sasi njerëzish, të paktën 35 persona. Dhe, sipas Nakos që banonte në atë zonë, aksioni paraqiste rrezikshmëri për të gjitha njësitet nga pozicioni shumë i disfavorshëm për ne dhe shumë i favorshëm për armikun, i cili me katër feld-xhandarë, bllokonte gjithë sektorin e Bankës.

Si u vendos më pas?

Unë vazhdoja të insistoja në mundësinë e kryerjes me sukses të aksionit, ndoshta nga mosdështimi i asnjë aksioni deri në atë kohë. Unë e shikoja çështjen me syrin e një të riu, që në atë kohë sfidonte vdekjen pa e përfillur fare atë. Pas këtij insistimi, ata më dhanë leje të shkoja në Durrës dhe ta studioja çështjen me Kozma Nushin, Telat Nogën, Stavri Manjanin etj. Ata nuk ma pranuan propozimin, pasi gjendja në qytetin e Durrësit ishte shumë kritike nga atentatet e shpeshta që kishin bërë njësitet guerilje kundër agjentëve të armikut, gjë e cila i kishte irrituar shumë ata. Unë shkova disa herë në Durrës dhe studiova vendin ku ndodheshin depot dhe të gjitha mundësitë e kryerjes së aksionit.

Çështja u zgjat shumë dhe në datën 5 nëntor 1943, gjermanët filluan sulmin ndaj Pezës, duke e rrethuar atë me forca të shumta të nisura nga Tirana, Elbasani, Peqini, Rrogozhina e Kavaja. Unë kërkova nga udhëheqja që të nesërmen e asaj dite, me çdo kusht, duhej të bëhej operacioni, se për ndryshe ai nuk bëhej kurrë. Unë kërkova që në planin që i kisha dorëzuar udhëheqjes së Qarkorit të Tiranës dhe Durrësit, të mos fuste duart asnjeri. Këtë do ta udhëhiqja vetë, përndryshe nuk e merrja përsipër.

Thonë se Enver Hoxha kishte lejuar që unë ta bëja atë aksion. Pas kësaj, Gogo me Nakon më vunë në dispozicion të gjitha njësitet guerilje të Tiranës e Durrësit dhe në Tiranë, e mori përsipër vazhdimin e aksionit vetë Gogo Nushi, duke u ndihmuar nga Qamil Poda, Ali Kubati, Manol Milo, Skënder Kosova dhe disa shokë të tjerë, të cilëve nuk u’a kujtoj dot emrat.

Si u realizua aksioni?

Unë mbajta peng drejtorin e Bankës, komendator Bresanin, zotin Mango etj., dhe mbajta nën kontroll centralin. Duke pasur peng drejtorin e Bankës, unë neutralizova ndërhyrjen e feld-xhandarmërisë gjermane të zonës së bankës dhe të Portit. Operacioni zgjati 8 orë dhe si rezultat ne mundëm të merrnim me forcë nga depot e Bankës, 150 kv. lesh të larë, 860 kv. sheqer dhe 11 revolverë, të cilat i transportova për në Tiranë me 20 kamionë, ku secili kamion ishte marrë me aksion më vehte.

Si mundët të mos diktoheshit gjatë këtij aksioni që zgjati 8 orë dhe kishte 20 kamione në dispozicion?!

Ne kishim marrë masat, duke bërë me hollësi të gjitha veprimet e duhura për të kaluar postoblloqet, që nga dokumentet shoqëruese, shoferët që duheshin, bllokimin e shoferëve në Porto-Romano, e zëvendësimin e tyre me njerëzit tanë, etj. Në fund të aksionit, unë nënshkrova një deklaratë me pseudonimin tim të Luftës, “Alariku”, të cilin i’a lashë administratës së Bankës.

Nga shitja e një pjese të sheqerit tek tregtarët që ndihmonin Luftën, ne siguruam miliona franga shqiptare për financat e Luftës, pasi në atë muaj, sipas Gogo Nushit, në arkën e Partisë ndodheshin 16 mijë franga. Kurse pas aksionit, ato u bënë rreth 2 milionë franga. Si hollësi, po ju them, se 60 mijë napolona flori nga këto të ardhura, u përdorën për të shpëtuar jetën e Qamil Podës, Ali Kubatit, Manol Milos e Skënder Kosovës, të cilët priteshin të pushkatoheshin. Për këtë aksion komandanti i përgjithshëm i forcave gjermane në Shqipëri, baron Von-Thungen, i shkruante qeverisë shqiptare dhe Regjencës në Tiranë. Po kështu desha të them se në historikun e Luftës së Durrësit, ky aksion i është atribuar njerëzve të ndryshëm, ndërsa në atë kohë, më 8 nëntor 1943, Nako Spiru i shkruante Enver Hoxhës: “Aksioni është vepër e Astrit Lekës, i cili ka bërë 3/4 e punës për sigurimin e ushqimeve nga Kosova për brigadat tona”. Dy javë më vonë shumë nga shokët e Durrësit, pjesëmarrës në aksion, u internuan nga gjermanët në kampet naziste dhe nuk u kthyen më.

Dëshmia e majorit të Xhandarmërisë: “Astriti mbajti qëndrim burrëror në burg dhe…”

Një nga shokët e klasës në gjimnazin e Tiranës dhe bashkëluftëtarët e Astrit Lekës, ka qenë edhe Muhamer Spahiu, ish-udhëheqës i Rinisë Antifashiste Shqiptare gjatë Luftës (i zgjedhur që në Kongresin e Helmësit, dhe më pas, sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë e deputet në Kuvendin Popullor), i cili nga viti 1961 deri në vitin 1989-ën, u dëbua, internua dhe u burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Në një dëshmi të tij për Astritin, ndërmjet të tjerash, ai është shprehur: “E kam njohur Astrit Lekën gjatë Luftës, si një nga të rinjtë më aktivë dhe më trima, që ka marrë pjesë dhe ka drejtuar shumë aksione të njësiteve guerile në disa krahina të Shqipërisë. Megjithatë, nga fundi i vitit 1943, duke dyshuar shumë në drejtësinë e vijës së Partisë Komuniste, lidhur me qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës dhe konfrontimit me armë me organizatën e Ballit Kombëtar, ai u pa me sy të keq nga udhëheqja e Luftës, duke u konsideruar si ‘element antiparti’. Në prill të vitit 1945, Brigada ku bënte pjesë Astriti, ishte transferuar në Korçë. Qe një fat për Astritin, që tamam në atë kohë ne shkuam në Korçë për probleme të Rinisë, u njoftuam se Astriti ishte arrestuar. Unë dhe Nako Spiru kishim dobësi për Astritin, sepse e njihnim mirë kontributin e tij në Luftën Antifashiste. Po të mos kishim ndodhur ne aty, Astritin do ta kishin pushkatuar. E shpëtoi ndërhyrja e Nako Spirut, atëherë President i Rinisë Komuniste Shqiptare. Më vonë, Astriti u ç’mobilizua, mbasi mbaroi shkollën e mesme që e kishte ndërprerë për shkak të Luftës dhe filloi jetën normale. Unë di që Nakua takohej herë pas here me Astritin, të cilin ai e vlerësonte shumë. Astriti është konsideruar si ‘element antiparti’ dhe është persekutuar vazhdimisht, dikur më pak e dikur më shumë, sipas nuancave që merrte lufta e klasave”. Po kështu, lidhur me qëndrimin e Astrit Lekës gjatë kohës që ai ka qenë i arrestuar në burgun e Tiranës, ka dëshmuar edhe një nga ish-oficerët e Xhandarmërisë së asaj kohe, i quajtur Andrea Botka. Në dëshminë e tij të dhënë në vitin 1953, midis të tjerash, ai është shprehur: “Në kohën që është arrestuar Astriti, unë kam qenë oficer në Xhandarmërinë e Tiranës dhe kam asistuar në komisionin e Xhandarmërisë, që përbëhej nga major Hamdi Isufi, Xhelal Stravecka, Ludovik Saraçi etj. Aty nga muaji gusht i vitit 1944, gjatë pyetjeve dhe presionit që i’u bë të arrestuarit Astrit Leka, ai ka mbajtur një qëndrim të palëkundur dhe ka refuzuar çdo akuzë, duke mos pranuar të nënshkruajë asnjë deklaratë kundër shokëve të tij dhe për të sharë Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Unë në atë periudhë kam qenë në lidhje me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kryesoja Këshillin Nacionalçlirimtar të oficerëve të Xhandarmërisë”.

Këtë dëshmi të ish-majorit të Xhandarmërisë e kanë konfirmuar edhe shokët që Astriti ka pasur në burg, si Hamdi Sallaku (ish-zv/kryeredaktor i gazetës ‘Zërit të Popullit’), Bedri Çeliku (Kryetar i Këshillit Popullor të Tiranës më 1944), Perikli Kasneci, Qemal Toska, Ilhami Tomini etj”.

Letra e prokurorit Rrapi Mino në 1982-in, për Ramiz Alinë: “Astrit Lekës, i pushuar për veprimtari armiqësore, t’i njihet kontributi i Luftës”

Një nga personat që ka qenë pjesëtar i njësit guerilje që drejtonte Astrit Leka në vitet e Luftës, ka qenë edhe Halim Haxhiu, anëtar i PKSH–së që nga 20 shkurti i vitit 1942. Në një dëshmi të tij për Astritin, midis të tjerash, ai ka shkruar: “Në vjeshtën e vitit 1943, shoku Astrit punonte në Tiranë me njësitet guerilje, duke mbajtur lidhje direkte me shokun Gogo Nushi dhe Nako Spiru. Shoku Gogo më ngarkoi mua të punoj me njësitin që drejtonte Astriti. Nëpërmjet tij, unë u njoha me shumë shokë në Tiranë, si “Heroin e Popullit” Lym Keta, i cili erdhi në aksionin e miellit të Nozullimit, që bëri njësiti ynë i drejtuar nga Astriti. Gjithashtu, njësiti ynë shkoi në Kosovë, ku në qytetet Prizren, Gjakovë, Pejë, Rahovec, Shtimje, Prishtinë, Lipian, Ferizaj dhe Gjilan, si dhe në disa fshatra ku kreu shumë aksione për të plotësuar porosinë që Enver Hoxha i kishte bërë Gogos dhe Nakos mbi problemin e furnizimeve të brigadave partizane. Duhet vënë në dukje se njësiti ynë ka kryer edhe aksione të tjera në qytetin e Tiranës, përveç atij të miellit. Kështu kemi marrë shaptilografe, makina shkrimi dhe materiale të tjera shtypshkrimi në agjencinë “Oliveti”. Kemi kryer aksione të tjera në shoqëritë italiane, të cilat ishin vënë në shërbim të okupatorit gjerman dhe punonin të drejtuara nga organizata e xhenjos ushtarake gjermane (TODT) për fortifikime të ndryshme. Prej tyre po përmend disa shoqëri: “Bellotti”, “Siderurgica”, “Pasotti” etj. Veç këtyre kemi kryer aksionin kundër Radio–Tiranës, atë për të siguruar fonde financiare për Lëvizjen Nacionalçlirimtare etj. Lidhur me aksionet që ka bërë Astriti gjatë Luftës, ka dëshmuar edhe Kryetari i Komitetit të Veteranëve të Elbasanit, Jorgji Shuteriqi (ish-anëtar i Qarkorit të PKSH-së), i cili ka bashkëpunuar ngushtë me Astritin në aksionet e njësiteve guerilje të Elbasanit. Po kështu edhe dy veteranët e njohur të Qarkut të Dibrës, Qemal Agolli dhe Mehmet Hajrullau, kanë dëshmuar se kanë bashkëpunuar ngushtë me Astritin, në aksionin e 24 korrikut 1942 në Maqedoni, për prerjen e linjave telefonike. Ndërsa Enver Maçi, anëtar i PKSH-së dhe anëtar i Komitetit Ushtarak të Tiranës, gjatë periudhës së Luftës, ndër të tjera ka dëshmuar se bashkë me Astritin, ka marrë pjesë në aksionin e marrjes së miellit në ‘Pazarin e Ri’, aksion në të cilin kanë qenë edhe Myslim Keta, Adem Krasniqi etj. Lidhur me mohimin që i’u bë Astrit Lekës në vitin 1967, për aktivitetin e tij gjatë Luftës, në vitin 1982, Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, në një relacion të gjatë dërguar Sekretarit të K.Q. të PPSH-së, Ramiz Alia, midis të tjerash ka shkruar: “Në bazë të studimeve që kemi bërë, Astrit Leka ka një aktivitet të pashkëputur në favor të Luftës Nacionalçlirimtare, prandaj mendojmë se duhet t’i njihet vjetërsia prej vitit 1941 e deri në mbarimin e Luftës, si aktivist shumë i dalluar në kuptim të nenit 48 të ligjit “Mbi sigurimet shoqërore”.

Memorie.al