Basha publikon listën me premtimet e pambajtura të Edi Ramës: Nuk bëri asgjë, vetëm propagandë




Kryetari i Partisë Demokratike ka publikuar sot 12 premtimet kryesore që Edi Rama premtoi se do realizonte gjatë qëndrimit të tij në pushtet. Premtimet nisin shëndetësia falas, 300 mijë vende pune, ulja e taksave dhe borxhit dhe deri të projekti për rikthimin e emigrantëve në vend.

Rezulton se asnjë prej tyre nuk është mbajtur nga Edi Rama dhe në shumë sektorë situata është përkeqësuar.

“E vetmja gjë që di të bëjë Rama është vetëm propaganda. Me Ramën Shqipëria ka ngecur në baltë, dhe ka ardhur koha që ta nxjerrim atë nga balta. Më 25 prill Rama do të humbë dhe do të fitojë Shqipëria!”,- deklaroi kreu i PD-së në një konferencë për mediat.

Kreu i PD shtoi se gjatë tetë viteve shqiptarët kanë parë vetëm propagandë dhe asnjë punë konkrete edhe në momente më të vështira që ka kaluar vendi.

“Çfarë bën Edi Rama sa herë që njerëzit kanë nevojë për ndihmën e shtetit? Vetëm propagandë! Çfarë bëri Rama pasi ra tërmeti? Vetëm propagandë! Çfarë bëri kur nisi pandemia? Vetëm propagandë! Çfarë bëri kur u bllokua Kakavia? U zhduk! Dhe vetëm propagandë! Çfarë bëri kur nisën përmbytjet? Vetëm propagandë! Çfarë bëri kur e gjithë Shqipëria u mbulua nga dëbora dhe akset kombëtare u bllokuan? U Zhduk! Dhe vetëm propagandë! Në fakt ka bërë të vetmen gjë që di të bëjë: vetëm propagandë”,- deklaroi kreu i PD.

Lista e premtimeve të pambajtura të Edi Ramës

1) 300 mijë vende punë

Rama: “Ne kemi ardhur këtu për të vendosur me votë tek numri 29 çlirimin e energjive të jashtëzakonshme të këtij populli dhe për të luftuar së bashku që të hapim 300 mijë vende të reja pune”.

25 Maj 2013

2) Shëndetësi Falas

Rama: “Shërbim shëndetësor falas brenda 4 viteve të para të qeverisjes sonë”.

27 Maj 2013

3) Heqja e TVSH-së për ushqimet bazë

Rama: “Heqja e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe ulja e TVSH-së mbi ushqimin, janë e vetmja rrugë për t’u ardhur sadopak në ndihmë sot”.

29 Maj 2013

4) Ulja e çmimit të energjisë elektrike. Do të ulim taksën për faturën e energjisë për familjarët.

25 Maj 2013

5) Negociatat me Bashkimin Europian

“Rama: Unë mund t’ju them një gjë sot, ne do t’i hapim negociatat, ne do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Europian”.

14 Janar 2018

6) Uljen e Borxhit publik

Rama: “Do ta përcaktojmë me ligj masën e borxhit, të mos lejojmë një borxh pa asnjë tavan ligjor Deficit dhe borxh publik nën kontroll, përmes politikash të përgjegjshme fiskale”.

13 Qershor 2013

7) Buxhetin për arsimin 5%

Rama: Arsimi, angazhimi ynë, burimet financiare nuk do të jenë më pak se 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto

13 Qershor 2013

8) Legalizime falas + Ujin në çdo parcelë e shtëpi

Rama: “Dy gjëra, këto 4 vite, do merrem unë personalisht dhe do të përgjigjem unë personalisht. Mbas 4 vitesh nuk do t’ja vë absolutisht përgjegjësinë askujt: Legalizimet falas të shtëpive të ndërtuara në zonat informale dhe ujin në çdo metër katror tokë buke dhe ujin e pijshëm në çdo shtëpi. Me këto dy gjëra do merrem unë dhe do përgjigjem unë”.

25 Qershor 2013

9) Kthimi i emigrantëve në vend

Rama: “Ne do të ndërtojmë mirëqenie dhe do të krijojmë kushtet që dhe bijtë tuaj të kthehen nga andej nga janë. Mos rropaten më në tokat e fqinjëve, po të vijnë dhe të ndërtojnë të ardhmen dhe pasurinë e tyre këtu në tokat e stërgjyshërve të tyre”.

27 Maj 2013

10) Uljen e taksave për 95% të qytetarëve

Rama: Do të ul taksat për 95% të shqiptarëve.

25 Maj 2013

11) Subvencione për bujqësinë

Rama: Në katër vitet e ardhshme ne do të financojmë direkt për fermerët 232 milionë dollarë.

15 Qershor 2017

12) Luftë ndaj korrupsionit

Rama: “Lufta kundër korrupsionit është lufta për modernizimin e shtetit dhe lufta për transformimin e një sistemi që korrupton njerëzit në një sistem që është i pakorruptueshëm”.

Koha Jone