Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,317
    Postimet në Bllog
    7

    Tre zakonet që do ta forcojnë më tej shpirtin tuaj krijues

    Emri:  Screenshot-2021-02-10-at-12.28.53-PM.jpg

Shikime: 779

Madhësia:  48.6 KB


    Aftësia për të qenë kreativ,nuk është e lindur. Përkundrazi, ajo është një aftësi që mund të zhvillohet përmes adaptimit të zakoneve të caktuara. Dhe si një sipërmarrës që jam, ajo është një aftësi të cilën unë kam e përdorur shumë për ngritjen e bizneseve të suksesshme. Dhe nuk jam i vetmi që e kam bërë këtë.

    Studimet e IMB dhe LinkedIn, zbuluan se krijimtaria është një nga aftësitë më të vlefshme dhe të kërkuara që mund të ketë një punonjës. Nëse doni që të përmirësohet karriera juaj, që biznesi juaj të dallojë nga pjesa tjetër, apo që arti juaj të fitojë nivele të reja të larta, filloni që të zgjeroni kreativitetin tuaj. Ja cilat janë 3 nga veprimet që unë bëj rregullisht për të pasur sa më shumë kreativitet në punën dhe jetën time.

    Ndërtoni një lloj kalendari që e mbështet kreativitetin
    Ju mund të jeni duke menduar se njerëzit kreativë kanë nevojë për liri, dhe jo për caktime oraresh, por strukturimi i kohës është diçka që ndihmon vërtetë. Kur e planifikoni ditën, ju zhdukni nevojën për të marrë vendime gjatë gjithë ditës për detyra të vogla.

    Me një orar të strukturuar, ju nuk keni pse t`a harxhoni kohën duke menduar se çfarë të hani për drekë apo kur të kryeni një telefonatë me ekipin tuaj, pasi ajo tashmë është bërë. Kjo gjë krijon më shumë kohë dhe energji për t’u përqendruar në krijimin e ideve të reja apo formimin e zgjidhjeve.

    Shumë udhëheqës të njohur, kanë folur për ndikimin që mund të ketë reduktimi i vendimeve të vogla ditore, kur kërkohet përqendrimi tek ato që kanë vërtet rëndësi. Gjeni kohë për të hartuar ditë më parë një orar javor dhe ditor për veten tuaj, dhe pastaj përdoreni atë për të kursyer energjinë tuaj dhe kreativitetin tuaj për gjërat që kanë më shumë nevojë.

    Konsumoni krijimet e të tjerëve
    Gjeni kohë në jetën tuaj për të konsumuar përmbajtje që ngjallin kuriozitet brenda jush. Futuni në rrjedhën e kreativitetit,duke e rrethuar mendjen tuaj me art dhe njerëz që krijojnë përmbajtjet e tyre. Konsumimi i asaj që krijojnë njerëzit e tjerë, siguron vlerë duke zbuluar vrima apo boshllëqe që mund t’u kenë shpëtuar krijuesve.

    Kjo qasje ju lejon që ta perceptoni artin e tyre përmes përvojës tuaj. Meqë në fakt nuk ka asnjë ide të re, gjithçka ka të bëjë me perceptimin ndryshe të gjërave, dhe përdorimin e imagjinatës tuaj në procesin e krijimin. Por për t`a bërë këtë, ju duhet qët`a dini se çfarë ka atje.

    Ndaj krijoni pak hapësirë kohore për të shijuar konsumimin e krijimeve të të tjerëve, hulumtimin e përmbajtjes mediatike të konkurrentëve, apo përvetësimin e një arti krejtësisht të ndryshëm nga arti juaj. Krijimtaria e të tjerëve, do të ndezë diçka unike brenda jush, por që mund t`a shihni vetëm ju.

    Përcaktoni se çfarë duhet të ketë prioritet gjatë reflektimit
    Pa reflektim nuk mund të ketë rritje. Për të krijuar, ju duhet që të reflektoni mbi atë që konsumoni. Kurioziteti është shpesh burimi i shpikjes, prandaj jini vazhdimisht kureshtarë për gjithçka që ju rrethon. Pyesni pse gjërat funksionojnë dhe pse jo, dhe synoni të kuptoni jo vetëm krijimet, por edhe njerëzit.

    Pastaj tek fundit, merrni në analizë çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo. Unë vetë kam një zakon ditar, dhe çdo ditë reflektoj mbi ato që kam përjetuar, vëzhguar dhe mësuar gjatë ditës. Ky nivel intensiv reflektimi, e detyron mendjen tuaj të punojë në një gjendje të ngritur, dhe e mban të mprehtë shikimin tuaj rreth asaj që po ndodh rreth jush.

    Kur të filloni që të bëheni kureshtarë për gjithçka, atëherë do të filloni të gjeni kudo ide dhe mundësi të “varrosura”. Mos lejoni që vetja t’ju ndalojë të mendoni se mund të jeni krijues. Mos lejoni që i gjithë arti që ekziston tashmë në botë, t’ju ndalojë që të bëni artin tuaj. Që të shkëlqeni, bëhuni të qëllimshëm në lidhje me ndërtimin e zakonit të krijimtarisë në jetën tuaj. / “Inc.com” – Bota.al

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Tre zakonet që do ta forcojnë më tej shpirtin tuaj krijues

    Kjo është formula ime, paksa më ndryshe nga ajo më lart:

    1. Kurioziteti është çelësi hapës i krijimtarisë

    Në çdo fushë të jetës, shkencës, artit, kulturës, po të vini re se cilët njerëz janë krijuesit më të mirë, janë ata që janë kuriozë nga natyra. Jo të diturit, jo të mençurit, jo të shkolluarit, por ata që janë tepër kuriozë nga natyra e tyre. Bëjnë shumë pyetje, duan të mësojnë për gjithçka dhe këdo me të cilët bien në kontakt. Dhe ky kuriozitet, i shtyn të realizojnë dy gjëra më mirë se të tjerët: 1) të mbledhin sa më shumë informacion rreth gjithçka që i rrethon e ta sistemojnë në mendjen e tyre 2) të krijojnë një rrjet të gjerë shoqëror; kur bën shumë pyetje, krijon shumë lidhje, kontakte, miqësi. Të gjithë njerëzit kanë aftësi krijuese, por ky grup njerëzish që janë tejet kuriozë nga vetë natyra e tyre, kanë prirjen më të madhe të prodhojnë si sasi edhe cilësi në krijimtarinë e tyre.

    2. Syri kritik

    Kur je kurioz nga natyra, dhe nuk pushon së mësuari e lexuari, problemi që has është që nis shumë projekte, por nuk mbaron asnjë. Këtu ndodh edhe një seleksionim natyral i njerëzve me natyrë kurioze. Ata që paralizohen në krijimtarinë e tyre nga shuarrja e etjes së kuriozitetit. Dhe ata që dinë ta kontrollojnë këtë etje, dhe të përzgjedhin një fushë studimi apo interesi që i tërheq më shumë se çdo gjë tjetër. Ky grupi i dytë janë ata që fillojnë e reflektojnë për fushën e tyre, gjendjen e saj aktuale, dhe e shikojnë me syrin kritik për të gjetur diçka që nuk shkon në atë fushë. Diçka që atyre nuk u pëlqen, që nuk është perfekte në sytë e tyre, që duhet ndryshuar e perfeeksionuar. Kjo është në vetvete dhe mundësia që ata vetëkrijojnë, për të lënë gjurmët e tyre krijuese në atë fushë interesi. Por përpara se të lindi ideja se çfarë e si duhet ndryshuar, syri kritik është i rëndësishëm për të bërë dallimin e asaj që shkon bukur kështu siç është, dhe asaj që duhet ndryshuar.

    3. Qetësia

    Kur fëmija lind nga barku i nënës, ai lind mes dhimbjesh të forta e klithmave të nënës, aqsa edhe fëmija kur lind fillon e qan. Shenja e parë e jetës së fëmijës është e qarra e tij/saj. Por kur vjen fjala tek krijimtaria jonë si njerëz, parakushti është qetësia absolute. Vetëm kur njeriu mbyllet në mendjen, zemrën e tij, ai është në gjendje të prodhojë krijimtari mahnitëse. Asnjë këngë, roman, tragjedi apo komedi, nuk është prodhuar nga një "komitet njerëzish". Në të gjitha këto raste, ideja lindi tek një njeri i vetëm, i cili shkruajti vargjet e këngës, apo kompozoi muzikën e saj, apo shkruajti historinë e romanit, apo skenarin e komedisë. Kur njeriu nuk ka qetësi dhe kushte pune për të punuar i qetë në qetësi, delli krijues i atij njeriu nuk do të ketë rendiment. Dhe në qetësi, lind dhe merr formë ideja e re.

    4. Vlera

    Çdo njeri që krijon diçka, e bën për të zgjidhur një problem apo shqetësim për shoqërinë, për të treguar diçka të vërtetë e të bukur siç janë artet e bukura, apo për ta bërë jetën e njerëzve më të lehtë apo më të pasur. Kur ideja lind e merr formë, shqetësimi i krijuesit kthehet tek ajo që unë e quaj vlera e krijimit të tij. Ka njerëz që e shikojnë vlerën e krijimtarisë së tyre të lidhur me aspektin monetar. Ka njerëz që e lidhin vlerën e krijimtarisë së tyre me një aspekt kulturor apo shpirtëror, apo njerëzor. Shqetësimi kryesor është "perfeksionimi" i një projekti e ideje, por kjo fazë nuk zgjat gjatë, pasi shumë shpejt e kupton që e rëndësishme nuk është që krijimtaria juaj të jetë perfekte, por të jetë e vlerësuar nga shoqëria e gjerë. Mosha dhe vitet tek njeriu, bëjnë punën e tyre, për ta ndërgjegjësuar njeriun se njeriu vetë është i vdekshëm. Por krijimtaria e tyre, nëse vlerësohet ashtu siç duhet, është e pavdekshme. Mozarti ka shekuj që ka vdekur, por kompozimet klasike të tij dëgjohen sot me po atë kënaqësi si shekuj në kohën e tij.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 16-03-2021 më 16:29

  3. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Neteorm (14-05-2021)

Tema të Ngjashme

  1. Ullinjtë forcojnë dëshirën seksuale të meshkujve
    Nga [Asteroid] në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 09-12-2012, 07:01
  2. Andrea Stefi - Krijues “sui Generis”
    Nga Askusho në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-09-2012, 15:35
  3. per shpirtin tuaj
    Nga xnjeri në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-12-2006, 20:03
  4. Tradita dhe Zakonet Shqiptare
    Nga dodoni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-04-2005, 22:13
  5. Ndue Shyti, krijues i përsosur i muzikës popullore
    Nga StormAngel në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 18-09-2004, 11:59

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •