F.A. E DIELA E 2 E KRESH. VITI A.
PËRGATITJA E LITURGJISË
E DIELA E 2 E KRESH. VITI A
MË 5-3-2023.
UNGJILLI: Mt. 17, 1-9
1 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë.
2 Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita.
3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të.
4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit:
“Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!”
6 Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi.
7 Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!”
8 Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.
9 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi:
“Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri”.
LECTIO DIVINA-MEDITIM-LUTJE.
Çdo vit, të dielën e dytë të Kreshmës, propozohet shpërfytyrimi i Jezusit në mal. Për çfarë bëhet fjalë?
Ndoshta për një mrekulli të kryer nga Jezusi, i cili donte t'u tregonte diçka nga parajsa tre prej dishepujve të tij, jo të gjithëve, tre të privilegjuarve?
Nëse do të ishte kështu, pasazhi i sotëm i Ungjillit nuk do të kishte shumë për të na thënë, përveçse të ngjallte pak zili për Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin.
Nuk bëhet fjalë për këtë, por është historia e përvojës shpirtërore intensive, shqetësuese që patën tre dishepujt e Jezusit; ata ishin ndoshta tre më të përgatiturit për të mirëpritur dhe përvetësuar atë që Mjeshtri donte të tregonte për identitetin e vet: Jezusi nuk ishte Mesia që ata prisnin dhe nuk ishte e lehtë të kuptonin identitetin e Mesisë së Hyjit.
Megjithatë, të tre ndoshta kanë filluar të kuptojnë diçka më shumë se të tjerët në një përvojë shpirtërore në të cilën Jezusi i ka thirrur.
Për ta përshkruar, ungjilltari i është drejtuar imazheve biblike: kjo duhet mbajtur parasysh përndryshe mesazhi humbet; ne do të përpiqemi të kuptojmë kuptimin e këtyre imazheve.
Qëllimi për të cilin Mateu shkroi këtë faqe nuk është të na tregojë një episod më shumë të jetës së Jezusit, ai donte të na ofronte mundësinë që sot të kemi përvojën që patën tre dishepujt në mal.
Nëse nuk arrijmë të soditim fytyrën e shpërfytyruar të Jezusit, nuk do të jemi kurrë në gjendje t'i japim atij pëlqimin për të qenë dishepuj të tij, nuk do të kemi kurrë guximin për të vënë në praktikë propozimin e tij të jetës.
Është thelbësore për ne që të kemi këtë përvojë të shpërfytyrimit të Jezusit dhe ungjilltari sot, me pasazhin e ungjillit, me të vërtetë dëshiron të na prezantojë këtë përvojë.
Le të dëgjojmë se çfarë na thotë:
“Gjashtë ditë më vonë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij dhe i çoi vetëm në një mal të lartë” (v. 1).
Historia fillon me një tregues të kohës: gjashtë ditë më vonë.
Në përgjithësi, episodet ungjillore janë përballur me njëra-tjetrën pa tregues të kohës. Atëherë pyesim: Pse shënohet këtu “gjashtë ditë më vonë”?
Është një ftesë e qartë për të shkuar dhe për të verifikuar atë që kishte ndodhur gjashtë ditë më parë.
Grupi i dishepujve me Mësuesin ishte në Cezarenë e Filipit dhe atje Jezusi u kishte bërë pyetjen: "Kush jam unë për ju?"
Pjetri u përgjigj: "Ti je Mesia!"
Jezusi e miratoi përgjigjen e Pjetrit dhe më pas vazhdoi duke paraqitur për herë të parë se si do të kishte qenë fati i tij... do të shkonte në Jeruzalem dhe atje do ta kishin gjykuar pleqtë, krerët e priftërinjve, skribët, e do ta kishin vrarë. Kështu do të kishte pasur fund aventura e tij në tokë?
Vdekja e tij do të ishte ndjekur nga një fat të lavdishëm jahstëzakonshëm: Nga ringjallja!
Pjetri u trondit nga ky njoftim i parë i pasionit, ai e mori Jezusin mënjanë dhe filloi ta qortojë; "epitimao" folja e përdorur nga ungjilltari, është folja që përdoret kur Jezusi dëbon demonët dhe Pjetri po kryen një ekzorcizëm mbi Jezusin: "Çfarë ke thënë? Kjo nuk do të ndodhë kurrë".
Në Besëlidhjen e Vjetër nuk thuhet kurrë se Mesia i Perëndisë nuk mbrohet nga Zoti dhe se ai nuk është një fitimtar i lavdishëm.
Jezusi e qorton Pjetrin dhe i thotë:
“Ti je një Satana, d.m.th., ti dëshiron të nderhysh, të jesh një pëngesë në rrugën që më ka gjurmuar Ati, shko pas meje, mos qëndro para meje për të më treguar rrugën.
Shko pas meje, shejtan, sepse mendon sipas parimeve të kësaj bote, jo sipas Zotit: ti e ndjek arsyetimin e njerëzve dhe duhet të shkëputesh nga ky arsyetim nëse do të bësh pjesë në grupin e botës së re që unë tani po filloj të formoj.
Në botën e lashtë ligji që imponohej, ishte ai i më të fuqishmëve, ligji i atyre që dëshironin të dominonin të tjerët e t'i shërbeheshin prej tyre: tani Jezusi po formon këtë grup të vogël që duhet të paraqesë një botë alternative ndaj asaj të vjetër, nuk do të jetë më ajo e dominuesit, por ajo e shërbëtorëve dhe Pjetri nuk dëshiron ta pranojë këtë.
Çfarë bën Jezusi?
Ai merr një grup dishepujsh të tij, ndoshta më të përgatiturit për të pranuar risitë e mbretërisë së re, dhe i çon ata mbi një mal të lartë.
Tani fillon paraqitja e kushteve të nevojshme nëse duam të njihemi me
Këtë përvojë të zbulimit të fytyrës së lavdishme të Jezusit dhe rrjedhimisht të shpërfytyrimit të tij.
Kushti i parë është që të lejojmë që Jezusi vetë të na shoqërojë në mal.
Mali nuk është kodër e vogël, thuhet se është një mal i lartë, domethënë arrin deri në qiell, deri te Zoti.
Në Bibël mali tregon botën e Zotit: nëse doni të takoni Zotin, nëse doni të mirëpritni mendimin e tij, mënyrën e tij të vlerësimit, të gjykimit, duhet të shkëputeni nga fusha ku janë të gjithë njerëzit, ku qarkullojnë disa fjalime, arsyetime të caktuara që nuk kanë të bëjnë me mënyrën e të menduarit të Zotit. Pjetri arsyeton sipas njerëzve sepse është në fushë, jo akoma në mal, dhe tani Jezusi e shoqëron atë, së bashku me Jakobin dhe Gjonin, në një mal të lartë që ta njohë mënyrën se si ta shohë fytyrën e Jezusit në dritën e Perëndisë.
Më pas Jezusi largohet nga fusha dhe nëse ne nuk e shohim këtë fytyrë të shpërfytyruar, fragmenti i sotëm i ungjillit nuk është i dobishëm për ne: për këtë ne duhet ta kemi këtë përvojë, prandaj le të lejojmë që të na shoqërojë në mal, e le të shkëputemi nga mënyra e gjykimit të njerëzve.
Kushti i dytë, ai i merr ata mënjanë.
Kjo është ajo që ne jemi të ftuar të bëjmë: nëse duam të kemi përvojën e ndarjes së mendimit të Zotit, duhet të krijojmë gjithashtu një hapësirë në të cilën të izolohemi nga zhurma, konfuzioni dhe gjithashtu nga shqetësimet e jetës së përditshme, të cilat janë e rëndësishme, por duhet të hyjmë edhe në momente heshtjeje, vetmie, për të menduar për gjërat thelbësore të jetës.
Kur dikush është i zhytur plotësisht nga problemet e jetës materiale, nga agjitacioni, nga stresi, ai përfundon duke mos pasur më kohë për të reflektuar, për të menduar.
Le të dëgjojmë tani se çfarë ndodh me ata që krijojnë këtë moment intimiteti me Zotin, shkëputen nga mënyra e të menduarit të njerëzve dhe e lejojnë veten të përfshihen në mendimet e Perëndisë:
“Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të” (v. 2-3)
Çfarë po ndodh tani në mal?
Tre dishepujt e shohin Jezusin të shpërfytyruar, folja e përdorur është "metamorfomai" që do të thotë se ata kanë qenë dëshmitarë të një metamorfoze, të një shpërfytyrim të Jezusit.
Ne e dimë se çfarë është një metamorfozë, vemja duket e shëmtuar, e neveritshme, por ky nuk është identiteti i saj, prandaj pastaj bëhet një flutur e këndshme, magjepsëse. Në shpalljen e fatit që e priste, Jezusi u paraqit si i dështuar në sytë e atyre që janë në fushë dhe që vlerësojnë personin e suksesshëm sipas kritereve të tyre. Jezusi, sipas kritereve të kësaj bote, sigurisht që nuk ishte tërheqës: ai u paraqit si ai shërbëtori i Zotit për të cilin fliste profeti Isaia: i përbuzur, i refuzuar nga njerëzit, një njeri i dhembjes, që i njeh mirë vuajtjet. Ai u paraqit si dikush perballë të cilit njeriu mbulon fytyrën e vet sepse frikesohet kur e shikon atë të përbuzur sepse për të nuk ka vlerë, madje gjykohet si i denuar, si i rrahur nga Zoti... sipas kritereve të kësaj bote ai nuk është një person për t'u admiruar.
Çfarë ndodh në mal? Gjykimet ndryshojnë, kthehen përmbys, aty ne shohim identitetin e vërtetë të Jezusit dhe këtë zbuluan dishepujt. Jezusi duhej të kalonte atë që njerëzit e gjykojnë si dështim, në mënyrë që të tregonte lavdinë e tij të vërtetë, që është lavdia e atyre që duan.
Dy imazhe biblike janë përdorur për të paraqitur këtë metamorfozë që ata dëshmuan:
1)Imazhi i parë"Fytyra e tij shkëlqeu si dielli".
Dielli është imazhi i lavdisë së Zotit për plotësinë e dritës që zotëron dhe mbi të gjitha për pakorruptueshmërinë e tij.
Njollat e diellit u zbuluan nga Galileo, përpara besohej se dielli ishte i përsosur, i pakorruptueshëm.
Dielli është imazhi me të cilin paraqitet fytyra autentike e Jezusit, si ajo e Perëndisë, "i cili është dielli", thotë Psalmi 86, dhe është dritë, "Zoti është i mbështjellë në dritë si me një mantel", thotë Psalmi 104.
2)Imazhi i dytë: Rrobat e bardha. Ngjyra e bardhë është karakteristikë e botës së Zotit, sepse ajo të kujton gjithmonë dritën dhe rrobat janë manifestimi i jashtëm i identitetit të njeriut, pra i veprimeve të tij.
Çfarë del nga Jezusi? Rrobat e tij… me çfarë është veshur?
Nga drita!
Kjo dritë është dashuria e Hyjit Atë, e cila shfaqet si dritë nëpërmjet Jezusit dhe tek askush si tek Ai nuk shfaqet.
Janë shëmbëlltyrat e dritës që më pas ngrihen sërish në Pashkë, kur Engjëlli i Zotit që zbret nga qielli, rrotullon gurin, ulet mbi të dhe “pamja e tij ishte si rrufeja, veshja e tij e bardhë si bora”...
Shenja e pranisë së Zotit është pikërisht kjo dritë dhe kjo çiltërsi: prania e Perëndisë në Jezusin është e përsosur. Jezusi ishte vetë Zoti që u shfaq në gjithë lavdinë e tij. Lavdia e Zotit nuk është triumfi njerëzor, është shfaqja e dashurisë së tij.
Tani ungjilltari kujton dy personazhe nga Besëlidhja e Vjetër, Moisiun dhe Elinë. Pse kujtohen në historinë e shpërfytyrimit? Sepse ata të dy u ngjitën në mal, siç bënë dishepujt: ata ishin ngjitur për të parë lavdinë e Perëndisë, por nuk e panë, ata intuitën diçka; njeriu e sheh atë në mal kur takon Jezusin... atje lavdia e Perëndisë shkëlqen në plotësinë e saj.
Moisiu i kishte kërkuar Zotit: "Më trego lavdinë tënde" dhe Zoti i ishte përgjigjur: "Ti nuk mund ta shohësh fytyrën time, sepse askush nuk mund ta shohë atë dhe të mbetet i gjallë". Pastaj Moisiu hyn në shpellë, Zoti vendos dorën e vet në fytyrën e vet dhe i thotë: “Do të më shohësh kur të kem kaluar, do të mund të më shohësh shpatullat, por jo fytyrën time, nuk mund ta sodisësh lavdinë e Zotit”.
Elia, edhe ai kishte ikur nga Samaria sepse Jezabela po e përndiqte. Elia kishte vrarë priftërinjtë e Baalit dhe gjithashtu kishte menduar se kishte bërë një vepër të mirë, sepse shëmbëlltyra e Perëndisë që kishte Elia, ishte ajo e Perëndisë që triumfon duke treguar fuqinë e tij... e që tregon fuqinë e tij duke vrarë të keqinj e duke shpërblyer të mirët.
Pastaj ai kishte ikur në shkretëtirë dhe ishte gjithashtu i zemëruar me Perëndinë sepse tha se nuk ishte në anën e tij kundër Jezabelës: ishte imazhi i Zotit që kishte në mendje, ai nuk e kishte parë fytyrën e vërtetë të Zotit që e shfaq lavdinë e tij në dashuri dhe jo në mposhtjen e armiqve.
Elia ngjitet në mal dhe konvertimi i tij ndodh atje, konvertimi i imazhit të Zotit që kishte kultivuar për shumë vjet, zhduk. Atje në mal shpërtheu një termet, shfaqja e forcës me të cilën u imagjinua fuqia e Zotit... Por Zoti nuk ishte në tërmet, nuk ishte në zjarr, nuk ishte në erën e vrullshme që çante gurët.
Pastaj pati një zë heshtjeje të lehtë, Elia mbulon fytyrën sepse po kalonte lavdinë e Perëndisë që nuk mund ta shihte ende.
Tani ata janë në mal duke dialoguar, duke u përballur me Jezusin; imazhi që ata kishin për Perëndinë tani duhet të përballet me zbulesën e vërtetë të lavdisë së Perëndisë, e cila nuk është ajo e fuqisë, por ajo e dashurisë. Është një lavdi e çuditshme, e papritur, nuk është ajo që prisnin dishepuijt, do me thotë, imaxhi i një Zoti të tmerrshëm me mëkatarë, ligjvënësit dhe xhelatit: nuk ishte imazhi i Zotit që pretendon se i binden të gjithë dhe i shërbejnë… jo!
Moisiu dhe Elia nuk e kishin parë këtë lavdi, tani edhe ata duhet të krahasojnë lavdinë që imagjinuan me lavdinë që shkëlqen në fytyrën e Jezusit. Nëse nuk e kemi këtë përvojë të metamorfozës dhe nuk e kuptojmë se lavdia qëndron në atë dashurie që jep jetën siç bëri Jezusi (“nuk ka dashuria më e madhe se dashuria e atij që jep jetën e vet për miqtë e vet...), ne nuk do të kemi guximin t'i përmbahemi propozimit të jetës që na bën Jezusi.
“Tre tende”.
Le të dëgjojmë tani reagimin e Pjetrit përballë kësaj zbulese të papritur, përballë metamorfozës së shërbëtorit që paraqitet në dritën e Zotit:
“Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” (v.4-5)
Pjetri thërret: "Zotëri, është mirë që ne jemi këtu!" Ai ishte magjepsur nga bukuria.
Çfarë bukurie ka kapur?
Para së gjithash bukuria e fytyrës së Zotit...Perëndia që shohim te Jezusi është i bukur: një farë imazhi i Perëndisë që na u paraqit në katekizmin nuk ishte i bukur, dikush ende e shpall atë; do të thotë se ai nuk ka pasur përvojën e soditjes së fytyrës së Perëndisë në Jezusin.
Pjetri e bëri atë dhe ne gjithashtu jemi të ftuar të kuptojmë bukurinë e kësaj fytyre, duke u ngjitur në mal, duke u shkëputur nga imazhi i Zotit që kemi krijuar për veten tonë dhe duke soditur vetëm fytyrën e Perëndisë që shohim te Jezusi.
Atëherë Pjetri e kapi bukurinë e njeriut të vërtetë, të njeriut që do, që jep jetë!
Tani nuk mjafton ta sodisim këtë bukuri, duhet që kjo bukuri të frymëzojë veprimin dhe jetën tonë, pra duhet të kthehemi në botë, në jetën konkrete, të veshur edhe me këtë bukuri dhe këtë dritë, duke u bërë transparencë e bukurisë që kemi soditur në Krishtin. .
Nëse e kemi kuptuar se kuptimi i jetës është ta japim atë, duhet të fillojmë t'u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona.
Pjetri thotë: "Le të bëjmë tre çadra"
Kush ndërton një tendë do të thotë se dëshiron të banojë në të: soditja e kësaj bukurie nuk mjafton, atëherë duhet të zbresë nga mali dhe të kthehet në jetën e përditshme, të largohet nga kisha dhe të fillojë të dashurojë, të kthehet në punë, në përgjegjësitë e tij shoqërore duke kryer profesionin e tij por në një mënyrë ndryshe se më parë kur ishte në rrafsh: tani e kryen për të shërbyer dhe jo për të qenë ndëruar e për të kërkuar kotësinë e kësaj bote.
Liturgjia jonë e së dielës duhet jetuar pikërisht në këtë këndvështrim për të qenë autentike dhe e bukur, për t'u kthyer pastaj në botë të veshur me dritën e Krishtit. Le të kujtojmë se kur Moisiu zbriti nga mali, ishte i ndritshëm, madje edhe i krishteri, nëse ka qenë vërtet në mal dhe ka soditur bukurinë e Krishtit, kthehet i veshur në këtë dritë... është ajo që thotë Jezusi: "Ju jeni drita e botës". Por me të vërtetë kjo nuk është një dritë e jona: është drita e Perëndisë dhe e Krishtit që ne reflektojmë.
Pjetri ishte ende duke folur kur një re i mbështjell dhe i mbuloi me hijen e saj.
Është një imazh tjetër biblik, është reja që shoqëroi njerëzit në rrugën e tyre nëpër shkretëtirë, është një përkëdhelje, tregon praninë e Zotit që mbështjell ata që e kanë kuptuar këtë bukuri të Krishtit: ai që tani zbret nga mali, duhet të ketë këtë ndjenjë: se është e vërteta e të ndjerit gjithmonë të mbështjellë nga mirësia dhe butësia e Zotit, që duhet ta shoqërojë në jetën konkrete.
Zëri nga qielli.
Kur përdoret ky imazh, në botën rabinike, synohet të shpjegohet vizioni i Zotit për atë që po ndodh; zëri e paraqet Jezusin si djalin e dashur.
Biri, në kulturën semite, është ai që i ngjan babait, këtu Jezusi paraqitet si imazhi i përsosur i Atit, tek Ai Ati Qiellor kënaqet, ai e njeh veten në mënyrë të përsosur.
Ky zë i Zotit kumbon dy herë në Ungjill: hera e parë në pagëzim, kur qiejt hapen gjerësisht dhe më pas dëgjohet ky zë nga qielli duke thënë:
"Ky është djali im i dashur, në të cilin jam shumë i kënaqur".
Nuk thuhet: “Atë dëgjoje” sepse nuk ka folur ende, nuk e ka treguar ende fytyrën, është në fillimet e jetës publike.
Herën e dytë që dëgjohet ky zë, pra në shpërfytyrim shtohet: “Atë dëgjojeni”.
“Atë dëgjojeni”, kjo shprehje i referohet para së gjithash propozimit që ka bërë Jezusi: “Nëse do të vish pas meje, hiq dorë nga të menduarit për veten, bëj zgjedhjen të jesh shërbëtori të cilit të gjithë mund t'i japin urdhër, ofro jetën tënde për dashuri". Dëgjojeni atë, nëse edhe ju dëshironi të jeni fëmijë të Atit Qiellor, nëse dëshironi që edhe kjo bukuri që shkëlqen në fytyrën e Jezusit të shkëlqejë në ju.
Dëgjojeni këtë më shumë se një urdhër, është gati një lutje që lind nga butësia e dashurisë së Atit, duket se ai na thotë, na sugjeron: "Të lutem, të lutem, dëgjoje atë nëse nuk dëshiron të bësh gabime në jetën tënde”.
Është një propozim kërkues. Le të dëgjojmë tani se cili është reagimi i dishepujve:
“Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm” (v 6-8).
Dishepujt bien me fytyrë për tokë dhe i ka kapluar një frikë e madhe, janë të frikësuar sepse kanë kuptuar se çfarë do të thotë të presësh në jetën tënde bukurinë që kanë parë te Jezusi, do të thotë të japësh jetën.
Kush nuk trembet do të thotë se nuk e ka kuptuar: ndoshta mendon se për të qenë dishepull mjafton të kryet ndonjë praktikë fetare. Në këtë rast uk frikësohet. Por kur e kupton se duhet dhënë jetën, atëherë ka frikë, sepse instinkti ynë natyror na shtyn të mbrojmë ekzistencën tonë, prandaj të përdorim të gjitha realitetet, gjërat, njerëzit përreth për të mbrojtur veten, për të realizuar veten.
Jezusi kërkon vetëmohim, njeriu ideal i botës është ai që nuk lë të mungojë asgjë dhe përdor gjithçka dhe këdo për t'u ndjerë mirë, për të shijuar jetën. Ky nuk është njeriu i pashëm që ne shohim tek Jezusi. Ai na bën një tjetër propozim të njeriut, një realizim të jetës që është paradoksal sepse është përtej çdo verifikimi, çdo kontrolli nga ana e njeriut.
Kush na thotë se në fund të fundit njeriu nuk pendohet nëse ka shijuar jetën si të gjithë, jo për të shërbyer, por për t'u shërbyer… a nuk do të pendohem unë?
Këtu është frika e mbjelljes së farës në tokë: çfarë thotë Jezusi:
"Nëse fara që bie në tokë nuk vdes, ajo mbetet e vetme, por nëse jep jetën, jep shumë fryt".
Janë të frikësuar, Jezusi u afrohet dishepujve, i prek, i përkëdhel: "Çohuni, mos kini frikë"
Të ngrihesh, është folja e ringjalljes, do të thotë të ngrihesh në këmbë, duke mos qenë plak, por njeriu i ngritur në këtë jetë të re që ti ke menduar në mua.
Dishepujt ngrenë sytë dhe shohin vetëm Atë.
Kjo është ftesa që ne është bërë: që t’i ngremë sytë për të soditur vetëm bukurinë dhe të mos e lëmë veten të magjepsemi nga ndonjë pamje tjetër bukurie që është realiteti i idealeve të njeriut të kësaj bote.
Ruaj Lidhjet