PËRGATITJA E LITURGJISË
E DIELA 33 Ord. VITI C.
MË 13-11-2022.
PSALMI: 98. 5-6, 7-8, 9.
5 Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
6 me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!
7 Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
8 lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare,
9 para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi.
LECTIO DIVINA – MEDITIM – LUTJE.
ENDRRA E PERËNDISË PËR HARMONI…
Ky psalm na çon me mendimet e vet deri në fund të botës: është i gjithë Krijimi i ripërtërirë që e thërret gëzimin e tij, sepse mbretërimi i Perëndisë, më në fund, ka ardhur.
Thashë: "gjithë krijimi" sepse lexova në psalmin:
"Le të buçasë deti me ç’ka në të,
rruzulli me banuesit e tij;
lumenjtë le të duartrokasin
e malet le të gërthasin me hare”.
Thotë mirë Shën Pali në letrën e tij drejtuar Efesianëve se ka qenë gjithmonë Plani i Perëndisë që “të bashkojë gjithë universin”. Ju kujtoj këtë tekst:
" Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet
‑ synim që lirisht kishte vendosur që më parë ta kryente në Të ‑
kur të plotësohej koha:
d. m. th. të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit,
të gjitha qeniet që janë në qiell e në tokë” (Ef. 1,9-10).
"Të bashkosh gjithçka", Krijimin, domethënë kozmosin dhe krijesat: dhe fjala "të bashkosh" duhet të merret në kuptimin e fortë të bashkimit. Projekti i Zotit, nga gjithë përjetësia, është harmonia mes të gjithëve; këtë psalm ne e këndojmë sikur të ishte realizuar tashmë: deti dhe të gjitha krijesat ujore rezonojnë, bashkohen në tingujt e borisë, lumenjtë duartrokasin, malet këndojnë gëzimin e tyre. Ne kujtojmë ëndrrën e vjetër të Isaias në kapitullin 11, 6-9:
“ Ujku do të banojë me qengjin,
përbri kecit do të shtrihet leopardi,
viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin,
fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë.
Lopa e arusha bashkë do të kullotin,
këlyshët e tyre së bashku do të rrinë,
luani kashtë do të hajë si kau.
Foshnja do të luajë
mbi vrimën e shlligës,
në strofullin e kapastrecit
fëmija dorën do ta futë.
S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush
në mbarë malin tim të shenjtë,
sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit,
porsi deti që mbushet me ujë”.
Një ëndërr shumë e ndryshme nga realiteti që ne njohim: Izraeli i njeh rreziqet e detit dhe, zakonisht, Bibla ngjall më tepër zhurmën e stuhisë, humnerat e vdekjes. Dhe nëse është midis elementeve dhe njeriut, midis kafshëve apo midis vetë njerëzve, ne jemi dëshmitarë të betejave të të gjitha llojeve, ndonjëherë një luftë të pamëshirshme. Ku ka shkuar ëndrra jonë e bukur e harmonisë? Ku ka shkuar mbi të gjitha ëndrra e bukur e Zotit? Por ngaqë është plani i Zotit, njeriu i Biblës e di se do të vijë dita kur ëndrra do të bëhet realitet. Në të gjitha epokat, është roli i profetëve që ta ringjallin këtë shpresë. Isaia, për shembull, foli për mbretërimin e Mesisë, duke thënë:
“Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia,
me besnikëri do t’i ngjeshë ijët”(Is. 11,5).
Është gjithashtu roli i psalmeve që të na bëjnë të përsërisim pa u lodhur arsyet tona për shpresë: këtu, në psalmin 98, ne këndojmë mbretërimin e Perëndisë dhe kjo do të thotë rivendosjen e harmonisë universale. Dhe pas kaq shumë mbretërve që i kanë zhgënjyer popullin në veri dhe në jug të vendit, pas kaq shumë padrejtësive të të gjitha llojeve, do të fillojë një mbretërim drejtësie dhe paqeje. Nëse e këndojmë tashmë, është në pritje. Duke e kënduar këtë, ne tashmë imagjinojmë (sepse e dimë se ai do të vijë) ditën kur Zoti do të jetë me të vërtetë mbreti i gjithë tokës, domethënë i njohur nga e gjithë toka.
"Falënderoni Zotin, sepse ai vjen të sundojë tokën,
të sundojë botën me drejtësi dhe popujt me drejtësi".
Vargjet e para të këtij Psalmi i kishim lexuar disa javë më parë:
“Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë” (Ps 98, 1-3).
Këndojini Zotit një këngë të re, sepse ai ka bërë mrekulli; me krahun e tij më të shenjtë, me dorën e tij të fuqishme, ai siguroi fitoren. Ishte në të kaluarën; por në fakt, tani jemi ne që i kujtojmë veprat e mëdha të Zotit në favor të popullit të tij, domethënë çlirimin nga Egjipti, së pari, pastaj gjithçka bëri Zoti për Popullin e tij, gjithmonë i pranishëm në mes të të gjitha ngritjeve dhe rënieve të historisë së tij.
PËR TË GJITHË KRIJIMIN.
Po, këtu psalmi flet në kohën e tashme:
"Para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.
Ai do ta gjykojë botën me drejtësi
e popujt me maturi” (v. 9).
Sepse është pikërisht përvoja e së shkuarës që i lejon Izraelit të parashikojë të ardhmen. Zoti e ka provuar veten, në një farë mënyre; në të njëjtën mënyrë që ai e çliroi popullin e tij nga robëria në Egjipt, ai do ta çlirojë njerëzimin nga të gjithë zinxhirët që e burgosin atë, ata të urrejtjes dhe padrejtësisë. Prandaj, ne mund ta vlerësojmë tashmë mbretërimin e Perëndisë si të kryer, sepse e dimë, pa asnjë hezitim të mundshëm, se është vetëm një çështje vonese.
Është psalmi 90, 4 që thotë:
“ Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!”
Dhe Shën Pjetri përdor pak a shumë të njëjtat terma: të krishterëve që janë të padurueshëm me kohëzgjatjen e vonesës së ardhjes së Mbretërisë, Pjetri u përgjigjet: "Por një gjë, fort të dashur, assesi s’duhet ta harroni, e kjo është se te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme: Nuk vonon Zoti ta çojë në vend premtimin, si disa e mendojnë të ngadalshëm, por është i durueshëm me ju, se nuk do që ndokush të birret, por do që të gjithë ta kenë mundësinë të kthehen”(2 Pj 3,8-9).
Këtu gjejmë një jehonë të premtimeve të Malakias, të cilat i dëgjojmë këtë të dielë në leximin e parë:
“Ja, po vjen dita e Zotit që digjet si një furrë...
Për ju që keni frikë nga emri im,
dielli i drejtësisë do të ngrihet;
do të sjellë shërim në shkëlqimin e tij”.
Ata që e këndojnë këtë psalm janë të përulurit, të varfërit e Zotit, pikërisht ata që presin me padurim ardhjen e tij, shkëlqimin e tij, siç thotë Malakia.
Në kohën kur u kompozua ky psalm, ishte vetëm populli i zgjedhur që këndonte në tempullin e Jeruzalemit "Beko Zotin, o mbarë tokë, lavdëro mbretin tënd, Zotin". Por kur të plotësohen kohët, është i gjithë Krijimi që do të këndojë dhe jo vetëm Populli i Zgjedhur... Dhe ne kemi parë tashmë se fjala “këndo” këtu është shumë e dobët; në fakt, me fjalorin e përdorur në hebraisht, ky psalm është një klitmë fitoreje, klithma që njeriu shtyn në fushën e betejës pas fitores.
Por në qiejt e rinj dhe tokën e re që Perëndia do të krijojë, kjo klitmë fitoreje do të transformohet: nuk do të ketë më vend për thirrjet e luftës, sepse, dhe është përsëri Isaia që flet:
" Sepse tenja do t’i brejë si petkun,
porsi leshin krimbi do t’i brejë;
kurse drejtësia ime do të qëndrojë gjithherë,
shëlbimi im brezni më breznii” (Is. 51,8).
E kuptojmë pse Jezusi na bën të përsërisim:
“Ardhtë mbretëria jote!”
Krijoni Kontakt