Close
Faqja 0 prej 78 FillimFillim 121050 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 771
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    Këtu gjëndet një mësim mbi leximet e liturgjisë së të dielave dhe të festave, me qëllim që të kuptohet mirë mesazhin që vjen nga Shkrimi i Shenjtë.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ninoenina : 11-02-2021 më 10:33

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    E DIELA 6 VITI B

    MË 14-2-2021.

    LEXIMI I PARË: Lev. 13, 1-2. 45-46.


    1 Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha:
    2 “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose te cilido prift prej bijve të tij...
    45 “I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbartë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: “I ndyri! I ndyri!”.
    46 Gjatë gjithë kohës sa gërbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë zemërimiës”.



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI DHE LUTJA.


    LEVITIKU, NJË LIBËR QË DUHET TË RIZBULOHET.


    Libri i Levitikut nuk është fare një prej librave më të lehtë e më të lexuar të Biblës: ai përbëhet nga njëzet e shtatë kapituj plot me rregullat, shpesh herë shumë të kujdesshme deri në hollësitë më të imëta; në të shtjellohen vetëm çështjet e priftërisë dhe rregullat që duhet të respektohen në lutjen, si dhe në jetën e përditshme, në mënyrë që gjithçka të bëhet në përkim me Besëlidhjen me Zotin. Ne jemi dukshëm në prani të një rryme teologjike të veçantë, shumë klerikale, në të cilën priftërinjtë (levitët, ata që përfaqësojnë atë që ne e quajmë mjedisin meshtarak) janë ndërmjetësit e privilegjuar midis Zotit dhe njerëzve.
    Nuk ka asgjë e ngjashme me librin e Ligjit të Përtërirë (që po kemi lexuar për të Dielën e katërt), që padyshim bie nën një prirje ose frymë tjetër teologjike, në të cilën janë profetët ata që janë zëdhënësit e Zotit.
    Duhet të theksohet se pas Mërgimit, kur nuk kishte më as mbret as profet në Izrael, priftërinjtë morën përgjegjësinë për mbijetesën shpirtërore dhe madje politike të njerëzve të Besëlidhjes. Sepse për priftërinjtë (dhe kjo është ajo që e bën bukurinë e thellë të këtij libri), nëse duam të shkojmë përtej përshtypjes së parë për të lexuar midis rreshtave, Besëlidhja e propozuar nga Zoti për Popullin e zgjedhur është një nder dhe një domosdoshmëri jetike: Zoti i Shenjtë ( domethënë Gjithë-Tjetri) i ofron një bashkësi të vërtetë dashurie këtij populli të vogël; prandaj ka një rëndësi të madhe për bijtë e Izraelit që të qëndrojnë të denjë për takimin me Zotin e Shenjtë.
    Shumë rrallë lexohet Libri i Levitikut, por, për këtë të Dielë, na propozohet si ndërhyrje e ungjillit i cili raporton një mrekulli të bërë nga Jezusi: shërimin e një njeriu të sëmurë nga gërbula. Ne nuk mund ta kuptojmë rëndësinë e kësaj mrekullie, nëse nuk e dimë kontekstin në të cilin veproi Jezusi: sepse përshkrimet e ligjit të Levitikut në lidhje me të gërbulurit ishin akoma në fuqi në kohën e tij.
    Këto regulla na duken të ashpra: ata që për një fat të keq kishin marrë këtë sëmundje, padyshim që vuanin më shumë, sepse ishin përjashtuar nga shoqëria. Ky përjashtim ishtë me të vërtetë një vuajtje shtese. Dhe kjo vuajtje shtese ishte shumë e rreptë; posa dikush të tregonte shenja të një sëmundje progresive të lëkurës të llojit të lebrës, atij iu desh të paraqitej menjëherë te prifti që kryente një ekzaminim të rregullt dhe i cili vendoste nëse do ta shpallte atë person të papastër; deklarimi i papastërtisë ishte një përjashtim i vërtetë nga e gjithë jeta fetare, dhe për këtë arsye në atë kohë, nga e gjithë jeta shoqërore. Sepse, të jesh i papastër, do të thotë të jesh i papërshtatshëm për adhurim dhe të privohesh nga çdo kontakt me anëtarët e tjerë të Popullit të Zgjedhur dhe të shenjtë të cilët duhet të bënin gjithçka për të ruajtur pastërtinë e tyre. Kështu i përjashtuar nga bashkësia e të gjallëve, vetë lebrozi mbante shenjat e zisë së tij (rroba të grisura, flokë të çrregullt...): "I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje, le t’i mbartë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: “I ndyri! I ndyri!”. Gjatë gjithë kohës sa gërbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë zemërimiës” (13,45-46) .
    Jobi ishte një shembull i mirë i kësaj gjëje: vuante nga një sëmundje e llojit të gërbulës, ai kishte tërhequr pasojat vetë dhe ishte vendosur në vendgrumbullim mbeturinash (Jb 2, 8): ai nuk po bënte asgjë tjetër përveç se respektonte këtë legjislacion nga libri i Levitikut.
    Kur njeriu i sëmurë mund ta konsideronte veten të shëruar, ai u paraqitej përsëri para priftit, i cili kryente një ekzaminim të dytë shumë të plotë dhe deklaronte shërimin dhe për këtë arsye kthimin në një gjendje pastërtie dhe në jetën normale. Ky riintegrim i të sëmurit të shëruar shoqërohej nga shumë rite të ashtuquajtura pastrimi: spërkatje, banja, flijime.

    PARIMI I MASËS PARAPRAKE, PARANDALUESE.
    Pse lebra mori kaq rëndësi në jetën shoqërore? Ndoshta sepse ishte një sëmundje shumë ngjitëse, të cilën askush ende nuk dinte ta shëronte. Prandaj mençuria kërkonte maturi për të ruajtur pjesën tjetër të popullsisë. Këtu përsëri kemi prova të hierarkisë së përparësive që mbizotëruan në Izrael: mirëqenia e individit duhet t'i japë vendin interesit kolektiv.
    Vini re se, në kohëntonë, për të mbrojtur një popullatë nga rreziku i ndotjes bakteriale, ne nuk do të hezitojmë të përshkruajmë karantinë për njerëzit tashmë të infektuar. Disa nxënës janë ndaluar me kujdes shkojnë në shkollën kur ekziston dyshimi që janë infktuar nga një sëmundje ngjiitëse si Kovid 19 ose meningjit, për shembull. Nëse ato janë kafshë (murtaja e shpendëve, e lopës të çmendur ...), do të kryhet therja sistematike. Shekulli ynë i njëzetedytë menaxhon kështu atë që beson të jetë një parim i domosdoshëm i kujdesit. Sidoqoftë, i vetëdijshëm se personi në karantinë vuan shumë për shkak të këtij përjashtimi të vërtetë nga një jetë normale, pushteti politik nuk heziton të miratojë masa të tilla, në emër të interesit të përbashkët.
    Nga ana tjetër, spontanisht nëë kohën e Jezusit mendohej se sëmundja ishte gjithmonë pasojë e mëkatit. Sepse Zoti është i drejtë, askush nuk dyshon për këtë dhe, në atë kohë, ekzistonte një konceptim aritmetik i drejtësisë: njerëzit e mirë shpërblehen në përpjesëtim me meritat e tyre dhe të ligjtë dënohen sipas një vlerësimi të drejtë të mëkateve të tyre. Ky ligj, i cili nganjëherë quhet "logjika e ndëshkimit", nuk mund të pësonte, besohej, asnjë përjashtim. Aq sa, para një personi të sëmurë, nxirrej automatikisht se ai kishte mëkatuar. Prandaj, këtu përsëri kishte një sëmundje tjetër që duhej shmangur,një sëmundje shpirtërore, një mëkatë. Për këtë, për më tepër, të sëmurit nga gërbula iu desh t'i drejtohej priftit (dhe jo mjekut!) Për të deklaruar sëmundjen, si dhe shërimin.
    Duhet të besohet se në kohën e Jezuit gjërat pothuajse nuk kishin ndryshuar, pasi të gërbulurit ende krijuan të njëjtën neveri dhe të njëjtat masa përjashtimi. U desh një proces i gjatë i Zbulesës për të kuptuar se Zoti i mëshirshëm tërhiqet nga mjerimi (ky është vetë kuptimi i fjalës "i mëshirshëm") dhe se askush nuk përjashtohet nga dasshuria e tij, gjë që Jezusi erdhi për të provuar me fjalët dhe veprimet e tij.





  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    E DIELA 6 VITI B

    MË 14-2-2021


    PS. 102, 2-3. 4-5. 6.13. 20-21


    2 O Zot, dëgjoje lutjen time
    e britma ime le të mbërrijë tek ti.
    3 Mos e fsheh fytyrën tënde para meje
    në ditën time të vështirë,
    prire veshin tënd drejt meje:
    kurdo të të thërras më dëgjo shpejt!
    4 Sepse ditët e mi po zhduken si tymi,
    e eshtrat e mia po digjen si zjarri.
    5 Zemra po më thahet si bari i kositur
    e po harroj të ha edhe bukën time.
    6 Prej gjëmave të mia të mëdha
    u bëra asht e lëkurë.
    13 Por ti, o Zot, qëndron për amshim,
    prej breznie në brezni Emri yt.
    20 Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë,
    nga qielli ai vrojton mbi tokë,
    21 për t’i dëgjuar ofshamat e robërve,
    për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje.


    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.

    Ne lexojmë vetëm disa vargje të Psalmit 102 këtë të Dielë. Psalmi është shumë më i gjatë se kaq, pasi që ka njëzet e nëntë vargje, por ky ekstrakt shpreh në mënyrën e mjaftueshme mendimet, ndjenjat dhe lutjen e autorit: i gjithë psalmi përsërit nga fillimi e deri në fund dy gjëra të njëjta me forcë të njëjtë: një thirrje për ndihmë dhe siguria që kjo thirrje është dëgjuar. Në përgjithësi, këto janë dy aspekte shumë karakteristike të besimit izraelit në të gjitha rrethanat. Sepse, në Bibël, besimtari kurrë nuk dyshon se Zoti i tij e shoqëron atë në çdo kohë dhe e dëgjon lutjen e tij.
    Kush është besimtari që lutet me këtë psalm 102 e që ankohet për vështirësitë e jetës së tij ? Vargu i parë, ai që quhet "mbishkrim", thotë: "Lutja e fatkeqit që çalon dhe vajton përpara Zotit". Në të vërtetë nuk thuhet kush është ky njeri i pafat: ne do të shohim më vonë se është në fakt i gjithë popull, edhe një here.
    Por le ta fillojmë duke dëgjuar ankesën e tij, që është me të vërtetë shumë realiste. Sepse ai që flet në mënyrë të admirueshme, di të gjejë fjalët për të përshkruar vuajtjet e tij:
    "Sepse ditët e mi po zhduken si tymi,
    e eshtrat e mia po digjen si zjarri.
    Zemra po më thahet si bari i kositur
    e po harroj të ha edhe bukën time.
    Duke bërtitur ankesën time, lëkura më ngjitet në kocka" (Ps.102, 4-5).
    Duket se këtu e dëgjojmë Jobin lebroz:"Asht e lëkurë ‑ mishi shkatërruar, s’më mbeti veç rreth dhëmbësh lëkura!"(Jb 19, 20).
    Dhe ne e dimë se çfarë neveri frymëzoi kjo sëmundje:" Të gjithë miqtë e mi më urrejnë, madje edhe ata që më pëlqenin, janë kthyer kundër meje”. Kështu që sapo u shfaq një shenjë e dyshimtë, e cila mund të dukej si lebra, ai duhet të dridhej para të tjerëve: "Rrudhat në ballë dëshmojnë kundër meje, shpifje të rënda kundër meje thuhen”(Jb 16, 8). Dhe pacienti e di shumë mirë që po flitet pas shpinës së tij, se po spekulohet mbi rrjedhën e sëmundjes. Ai e di mirë se thuhet: “Ndër sy i shkrihet mishi, kur kockat nën lëkurën shihen, kur i afrohet gropës së shkatërrimit, jeta e tij shtëpisë së vdekatarëve” (Jb 33, 21-22).
    Dhe ja disa vargje të tjera nga Psalmi 102: “ U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, u bëra porsi kukuvajka në rrënoja. Rri zgjuar e rënkoj porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz” (v.7v). "Ha hi porsi bukë, e pijen time e përziej me lot" (v. 10). "Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur e unë u thava porsi bari" (v.12).
    Ai që drejtohet kah Zoti me këtë psalm është, pra, në ankth të madh; por kush është ky ankues? Vargjet e liturgjisë së sotme nuk lejojnë një përgjigje; nga ana tjetër, nëse lexojmë të gjithë psalmin, nuk do të ishte e mundur të gjejmë një përgjigje më e qartë: Pra mund të mendohet se ai që drejtohet kah Zoti me një ankth të madhe, i mposhtur nga vështirësive e situatës, është vetë populli i Izraelit, të përmendur këtu thjesht si "Sioni". Në fakt, evokimi i një sëmundjeje të tmerrshme është këtu vetëm një metaforë, një krahasim për të ngjallur dramën e madhe të përjetuar nga gjithë populli i Izraelit. Që bëhet fjalë për gjithë Popullin e Zotit, është e qartë kur lexohen vargjet 14 dhe 15: " Ngrihu, o Zot, ki dhembje për Sionin: ka ardhur koha të kesh mëshirë për të ‑ pikërisht tani është koha! Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij e u dhembet edhe pluhuri i tij".
    Sa për të ditur se për çfarë fatkeqësie flitet, dikush e kupton atë me evokimin e pluhurit dhe rrënojave: ky psalm është shkruar në një kohë kur Jeruzalemi u shkatërrua dhe banoret e tij i kërkuan Zotit që ta rindërtonte atë. Një gjë e tillë mund të na shpjegojë vargje 9 dhe 11: "Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, kur më zemërohen, e nëmin emrin tim...Për shkak të zemërimit tënd, sepse më lartësove e më mposhte".
    Dhe përveç kësaj, krahasimi me barin e tharë, i cili del dy herë në këtë psalm, tashmë na vendos në shteg; Isaia e kishte përdorur atë në kohën e mërgimit babilonas; ai tha: "Thahet bari, vyshket lulja kur fryma e Zotit bie mbi të. Vërtet populli është si bari! Thahet bari e bie lulja: kurse fjala e Zotit qëndron për amshim" (Is. 40,7-8". Duke i bërë jehonë, besimtari i psalmit tonë ankohet: "Zemra po më thahet si bari i kositur" (v 5).
    Për këtë mund të mendohet që njeriu i pafat që lutet me këtë psalm, është populli i Izraelit, i internuar dhe i burgosur në Babiloni, që ëndërron vetëm të kthehet në vendin e vet për të rindërtuar Jeruzalemin.

    Por në të njëjtën kohë, për arsye se nuk humbet kurrë besimi, besimtari i mjerë që lutet me ketë psalm e imagjinon papaprakisht rindërtimin e Qytetit të Shenjtë: "Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde. Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, u dëftua në lavdinë e vet" (v.16-17".
    Sepse nuk ka dyshim: që nga Zbulesa e shkurretit që digjet, këta njerëz e dinë, me gjithë siguri, pa ndonjë hezitim të mundshëm, që Zoti i dëgjon lutjet tona: ai ndoshta është i heshtur, por nuk është i shurdhër. Dhe në kohët më të vështira, roli i profetëve, saktësisht, është të ringjallin shpresën. Ne lutemi: " O Zot, dëgjoje lutjen time e britma ime le të mbërrijë tek ti. Mos e fsheh fytyrën tënde para meje në ditën time të vështirë, prire veshin tënd drejt meje: kurdo të të thërras më dëgjo shpejt! (v.2-3).
    Por ne tashmë e dimë që Zoti e dëgjon lutjen tonë dhe ne pohojmë: "Por ti, o Zot, qëndron për amshim, prej breznie në brezni Emri yt". Kjo është arsyeja pse, tashmë, ne mund të parashikojmë rimëkëmbjen e Jeruzalemit: "Ngrihu, ki dhembje për Sionin: ka ardhur koha të kesh mëshirë për të ‑ pikërisht tani është koha! Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tijme u dhembet edhe pluhuri i tij" (v.14-15). "Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, nga qielli ai vrojton mbi tokë, për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje, që në Sion të shpallet Emri i Zotit e lavdia e tij në Jerusalem" (v.20-23).
    Ndoshta gjëja më e mirë është që ne të gëzohemi paraprakisht që shpëtimi i dhënë Popullit të Zgjedhur është një mundësi për t'i bërë të tjerët të zbulojnë madhështinë e Zotit: "Kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit ... kur Zoti do të rindërtojë Sionin. Emri i Zotit do të shpallet në Sion dhe lavdia e tij në Jeruzalem, kur popujt dhe mbretëritë të bashkohen për t'i shërbyer Zotit. "

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË
    E DIELA 6 VITI B
    MË 14 -2-2021.

    Ungjilli: Mk. 1, 40-45:



    40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!”
    41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!”
    42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua.
    43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:
    44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”
    45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.


    SHERIMI I TË GËRBULURIT



    Ky është udhëtimi i parë misionar i Jezusit: deri më tani ai ishte në Kapernaum, të cilin ungjilltarët e paraqesin si qytetin e tij të zgjedhur në një farë mënyre, në fillim të jetës së tij publike; Jezusi kishte bërë shumë mrekulli atje dhe iu desh të shkulte veten dhe apostujt duke thënë:“Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha”.
    Dhe Mark shton:"Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë". Pra, ne jemi diku në Galile, jashtë Kapernaumit, kur një i gërbulur i afrohet.
    Në të vërtetë, në këtë tregim ka dy histori: e para, ajo që hidhet jashtë në leximin e parë, është tregimi i mrekullisë; i gërbuluri është shëruar, ai rifiton lëkurën e tij të shëndetshme dhe, në të njëjtën kohë, vendin e tij në shoqëri. Por, në të njëjtën kohë me këtë histori të mrekullisë, fillon këtu një histori krejt tjetër, shumë më e gjatë, shumë më serioze, ajo e luftës së pandërprerë që Jezusi duhej të bënte për të zbuluar fytyrën e vërtetë të Zotit. Sepse, duke marrë rrezikun e prekjes së lebrozit, Jezusi bëri një gjest të guximshëm, madje skandaloz, revolucionar.
    Kjo sigurisht është gjëra mbi të cilën Marku dëshiron të na tërheqë vëmendjen, sepse fjalët "pastroj" dhe "pastrim" dalin katër herë në këto rreshta: kjo do të thotë se pastërtia ishte një shqetësim i kohës; pastërtia, siç e njohim, ishte kushti për të hyrë në marrëdhënie me Zotin e Shenjtë.
    Të gjithë anëtarët e Popullit të Zgjedhur ishin, pra, shumë vigjilentë për këtë temë. Dhe libri i Levitikut (nga i cili lexojmë një ekstrakt në leximin e parë të kësaj të diele) ka shumë kapituj në lidhje me të gjitha rregullat e pastërtisë. Vetë Marku e kujton këtë më vonë, në vazhdimin e ungjillit të tij: «Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash)”. (Mk 7,3-4).
    Ky kërkim i pastërtisë logjikisht çoi në përjashtimin e atyre që konsideroheshin të papastër; dhe për fat të keq, në të njëjtën kohë, besohej spontanisht se trupi ishte pasqyra e shpirtit dhe sëmundja prova e mëkatit; dhe për këtë arsye, në mënyrë të natyrshme, u kërkua, për hir të pastërtisë, të shmangej çdo kontakt me të sëmurin: kjo është ajo që dëgjuam në leximin e parë: “I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje, le t’i mbartë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: “I ndyri! I ndyri!”. Gjatë gjithë kohës sa gërbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë zemërimiës”(Lev 13,45v).
    I gërbuluri, një njeri i papastër, do të jetojë i ndarë, shtëpia e tij do të jetë jashtë kampit . Kjo do të thotë që kur Jezusi dhe ky lebroz vijnë afër njëri-tjetrit, ata duhet të shmangin njëri-tjetrin me çdo kusht; që gjithashtu do të thotë, dhe kjo është një gjë e tmerrshme, nëse mendohet pak, që, në kohën e Jezusit, dikush mund të ishte i dëbuar në emër të Zotit.
    I gërbuluri nuk duhet të kishte guxuar kurrë t'i afrohej Jezusit dhe Jezusi nuk duhet të kishte prekur kurrë të gërbulurin: të dy shkelën ligjin e përjashtimeve tradicional dhe lindi mrekullia nga ky guxim i dyfishtë.
    I gërbuluri ndoshta dëgjoi për reputacionin në rritje të Jezusit që kur Marku deklaroi më herët se "Fama e tij është përhapur kudo, në të gjithë rajonin e Galilesë". Ai i drejtohet Jezusit sikur të ishte Mesia:"Ai bie në gjunjë dhe e lut atë: Nëse dëshiron, mund të më pastrosh". Nga njëra anë, ne biem vetëm në gjunjë para Zotit; dhe nga ana tjetër, në kohën e Jezusit, njerëzit mezi prisnin ardhjen e Mesisë dhe e dinin se ai do të kishte nisur një epokë të lumturisë universale; në "qiejt e rinj dhe tokën e re" të premtuar nga Isaia, nuk do të kishte më lot dhe britma (Is 65,19), as perde zie (Is 61,2). Kjo është ajo që i gërbuluri i kërkon Jezusit, shërimin e premtuar për kohët mesianike. Dhe Jezusi i përgjigjet saktësisht kësaj pritjeje: “Dua! Qofsh pastruar". Fjalë për fjalë: Unë dua, pastrohu”.
    Prandaj Jezusi shpall veten, qysh prej fillimit të veprintarisë së tij, ashtu si mesinë që pritej; më vonë, ai do t'u thotë dishepujve të Gjon Pagëzuesit: “Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli. I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!” (Mt 11,4-5).
    Ky i gërbulur është me të vërtetë i varfër: dhe nga sëmundja e tij dhe nga qëndrimi i tij duket modest: "Nëse dëshiron, mund të më kurosh". Ky hov e besimit është i mjaftueshëm që Jezusi të mund të veprojë.

    LUFTA E JEZUSIT KUNDËR TË GJITHA PËRJASHTIMEVE.


    Por kjo mrekulli e Jezusit është gjithashtu episodi i parë i luftës së tij të gjatë kundër të gjitha përjashtimeve: sepse ky Lajm i Mirë që ai njofton dhe lebrozi do të nxitojë të shpallë, është se tani e tutje askush nuk mund të deklarohet i papastër dhe i përjashtuar në emër të Zotit . Përshkrimi i botës së re në të cilën «pastrohen të gërbulurit» është vërtet një «Lajm i mirë» për të varfrit: por nuk duhet të harrohet kuptimi i plotë të këtij pastrimi që nuk konsiston vetëm në faktin që të sëmurët dhe të gërbulurit shërohen, por edhe në faktin, në një kuptim teologjik, që ata që «pastrohen» rifillojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin, bëhen përsëri «miq të Zotit».
    Kjo do të thotë që nëse duam t'i ngjajmë Zotit, duhet të jemi si Jezusi që "dëgjon ankesat e robërve dhe liron ata që duhet të vdesin" (Ps 102), nuk duhet të përjashtojmë askënd, por përkundrazi, të jemi afër të gjithëve. Të ngjasosh me Zotin e shenjtë nuk do të thotë të shmangësh kontaktin me të tjerët, cilëtdo qofshin ata, do të thotë të zhvillojmë aftësitë tona për dashuri. Ky është saktësisht qëndrimi i Jezusit këtu ndaj të sëmurëve dhe të përjashtuarve (Mk 1,40).
    Dhe Pali (në leximin e dytë të kësaj të Diele) thjesht na fton të imitojmë Krishtin: “Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit"(1 Kor. 11, 1).
    Fakti mbetet që, për të shkuar deri në fund të urdhërimit të dashurisë ("Do ta duash të afërmin tënd si vetveten"), Jezusi e shkeli Ligjin në kuptimin e ngushtë e fjalës: ai sapo ka bërë një gjest të lirisë së jashtëzakonshme, që fatkeqësisht jo të gjithë janë gati të kuptojnë. Prandaj udhëzimi i heshtjes që ai i imponon të gërbulurit të pastruar: “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi”.
    Që nga fillimi i jetës së tij publike, përshkruhet lufta që do ta çojë atë drejt vdekjes.
    Pasioni është përmendur tashmë në këto rreshta: Jezusi ulet më poshtë se një i gërbulur, i ndotur me gjak dhe pështymë, i përjashtuar më shumë se çdo tjetër, ekzekutuar jashtë Qytetit të Shenjtë, do të jetë i Dashuri i Atit, vetë shëmbëlltyra e Zotit: "I pastër", i përsosur, absolutisht i pastër, absolutisht i përsosur: “Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha: “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!” (Mk.15,39).

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    Diela e 1 E Kreshmëve VITI B

    MË 21-2-2021


    LEXIMI I PARË: Zn. 9, 8-15.


    8 Edhe këto i tha Hyji Noehit dhe bijve të tij:
    9 “Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj, pas jush 10 e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju me mbarë, gjallesat e tokës. 11 Unë po lidh besëlidhjen time me ju: nuk do të sharoset më asnjë gjallesë me ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytje që shkreton tokën”.
    12 Dhe Hyji tha:
    “Kjo është shenja e besëlidhjes
    që unë po e bëj
    ndërmjet meje e juve
    dhe me çdo gjallesë
    që është me ju
    për të gjitha breznitë e ardhshme;
    13 Ylberin tim do ta vë në re
    dhe do të jetë shenja e besëlidhjes
    ndërmjet meje dhe tokës.
    14 Kur me re ta mbuloj qiellin,
    në re do të duket ylberi im,
    15 do të më kujtohet besëlidhja ime me ju
    e me çdo frymë të gjallë që mishit i jep jetë,
    ujë përmbytjeje më s’do të ketë
    për të zhdukur mbarë frymorët.



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.


    YLBERI, SIMBOLI I BESËLIDHJES.


    Në Bibël, tregimi për Përmbytjen dhe Arkën e Noes zë katër kapituj. Sidoqoftë, leximi ynë sot ka ruajtur vetëm disa rreshta të cilat janë të fundit, sepse ato janë më të rëndësishmet. Flitet për Besëlidhjen që Zoti i ofron Noeut dhe, përmes tij, gjithë njerëzimit.
    Në këto pak rreshta, ka pesë herë fjalën "Besëlidhje": "Unë e vendos Besëlidhjen time me ty", thotë Zoti; një premtim që nuk bëhet askund tjetër përveç në Bibël: një pakt i vërtetë midis Zotit dhe njerëzve, një projekt dashamirës i Zotit mbi njerëzimin: kjo është një ide që njeriu nuk e ka gjetur kurrë me veten: ishte e nevojshme Zbulesa Biblike.
    Dhe kjo Besëlidhje e përhershme midis Zotit dhe njerëzve simbolizohet nga imazhi i jashtëzakonshëm i ylberit. Padyshim ylberi kishte ekzistuar për një kohë të gjatë kur autori i Zanafillës shkroi tekstin e tij: por çfarë frymëzimi madhështor! Ky ylber që duket se bashkon qiellin dhe tokën, i cili përkon me kthimin e dritës pas trishtimit të shiut, është një simbol i bukur për Besëlidhjen midis Zotit dhe njerëzimit; pa llogaritur lojën me fjalë që është e vlefshme në hebraisht si në frëngjisht: në të dy gjuhët, është e njëjta fjalë që përcakton ylberin dhe harkun e zjarrit që u përdor më pas për luftën: imazhi që na sugjerohet, është se Zoti e lë armën në mur.
    Mesazhi i autorit biblik këtu është: Sa herë që shihni një ylber, mos harroni se Zoti është miku i njerëzve. Unë thashë "autori biblik". Ai flet për Aleancën midis Zotit dhe njerëzve, ai flet për ylberin. Por është Shpirti Shenjt që e frymëzon atë. Diku tjetër ende nuk flitet në të njëjtën mënyrë. Sepse Bibla nuk është libri i vetëm që flet për Përmbytjen, por është i vetmi që flet për të në këtë mënyrë.
    Më lejoni të shpjegoj: Bibla nuk është e para që ka treguar një histori të përmbytjes: tregimi i librit të Zanafillës u shkrua midis 1000 dhe 500 para Krishtit. Sidoqoftë, shumë më parë, rreth vitit 1600 para Krishtit, në Mesopotami qarkulluan dy legjenda (ato të Atra-Hasis dhe Gilgamesh), të cilat flasin gjithashtu për një përmbytje: tregimet e përmbytjes, ajo e Biblës dhe ato të Babilonisë, janë shumë të ngjashme; aq sa duket e qartë se autori biblik i kishte lexuar tregimet babilonase. Historia është shumë e ngjashme: një hero (i cili quhet Atra-Hasis ose ndryshe Outnapishtim në Babiloni, Noe në Bibël) paralajmërohet nga hyjnia për një përmbytje të afërt. Ai ndërton një varkë dhe sjell të gjithë familjen e tij dhe ekzemplarët e të gjitha kafshëve në të; dritaret e qiellit hapen dhe përmbytja gllabëron tokën; kur shiu ndalet, barka ndalet dhe kapiteni lëshon zogj të cilët zbulojnë për të parë se ku po thahet toka. Kur toka bëhet përsëri e banueshme, heroi lë anijen me familjen e tij dhe ofron një flijim.



    SHPJEGIMI I PËRMBYTJES NË MESOPOTAMI DHE NË BIBLËN.

    Prandaj ka ngjashmëri të mëdha midis tregimit biblik dhe paraardhësve të tij babilonasë; por ka edhe ndryshime, dhe këta ndryshime na interesojnë. Duke i studiuar ata ndryshime mund të kuptojmë më mirë në çfarë konsiston me të vërtetë Zbulesa.
    Për sa i përket shkakut të Përmbytjes, për të filluar, gjatë gjithë kësaj periudhe besohej se Zoti ishte shkaku dhe burimi kryesor i të gjitha ngjarjeve; prandaj, në tregimet babilonasë dhe biblikë, nuk ka dyshim se Përmbytja u komandua nga Perëndia; por nuk është për të njëjtat arsye: në Babiloni, thuhej se perënditë ishin të lodhur nga njerëzit që ata kishin krijuar për kënaqësinë e tyre të mirë dhe për shërbimin e tyre, dhe që, në fund të fundit, ua prishin qetësinë; në Bibël, mesazhi është krejt i ndryshëm: njerëzit nuk janë lodra të tekave të Zotit; ishte sjellja e tyre e keqe që prishi projektin fillestar; kjo është ajo që thotë Bibla: "Zoti pa se paudhësia e njerëzve përmbi tokë ishte e madhe dhe se çdo mendim i zemrës së tyre nuk synonte tjetër, por që të bëjë vazhdimisht të keqen. Zotit i erdhi keq pse e krijoi njeriun përmbi tokë. I erdhi keq thellë në zemër e tha: “Do ta shuaj prej faqes së dheut njeriun që e krijova: njeriun, bagëtitë, zvarranikët edhe shpendët e qiellit ‑ sepse po më vjen keq që i krijova” (Zn. 6,5-7)...Porse Noehi gjeti hir para Zotit" (v.8).
    Që do të thotë se, për autorin biblik, para së gjithash, njerëzit janë përgjegjës për fatin e tyre; së dyti, Zoti nuk i gëlltit të pafajshmit me fajtorët.

    Një ndryshim tjetër është se në fund të udhëtimit, përmbytja që kishte mbaruar, në epikën e Gilgameshit, heroi babilonas çohet në parajsë dhe vetë bëhet një perëndi: ai patjetër i shpëton fatit të njerëzimit. Bibla mëson diçka krejt të ndryshme: Noeu mbetet një njeri me të cilin Zoti rinovon planin e tij të Krijimit. Autori përdor të njëjtat fjalë për Noen dhe Adamin: “Jini të pëlleshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën" (Zn. 9, 2) dhe:“Shtohuni e shumohuni e mbusheni token dhe sundojeni atë!" (Zn. 1, 28). Dhe Zoti patjetër e vendosi harkun e tij në re si shenjë e besëlidhjes së Tij me njerëzimin.

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    E DIELA E 1 E KRESH. VITI B

    MË 21-2-2021


    PSALMI: 25, 4-5ab, 6-7, 8-9


    4 Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
    e m’i mëso shtigjet e tua.
    5 Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
    sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
    në ty shpresoj gjithmonë.
    6 Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
    dhe dashuria jote që është e amshueshme.
    7 Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
    të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
    ‑ për hir të mirësisë sate, o Zot.
    8 I ëmbël e i drejtë është Zoti,
    mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
    9 të përvuajtëve u prin në drejtësi,
    të butëve ua mëson udhën e vet.



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.

    TI JE ZOTI QË MË SHPËTON.


    Psalmi 25 lexohet shumë shpesh në liturgjinë e kishës: që do të thotë se duhet të jetë për ne modeli i lutjes, më shumë se të gjithë të tjerët. Në të vërtetë, ne gjejmë të mbledhura në këtë psalm temat kryesore të lutjes dhe besimit të Izraelit. Në disa vargje që lexojmë sot, gjëjmë të paktën tre prej tyre:
    Zoti na shpëton, Zoti na mëson, Zoti na do. Dhe është sepse ai na do që na shpëton dhe na mëson.

    Tema e parë: Zoti na shpëton; është artikulli i parë i besimit të Izraelit dhe folja " shpëtoj" në besimin hebre është sinonim i foljes"çliroj". Së pari, Zoti e liroi popullin e tij nga skllavëria në Egjipt; pastaj e çliroi atë nga Mërgimi në Babiloni: janë dy përvoja të ndryshme të shpëtimit e të çlirimit, të dyja shoqëruar me një zhvendosje të frikshme gjeografike; dhurata e Tokës së Premtuar, hera e parë, pastaj kthimi në Jeruzalem, pas Mërgimit Babilonas, hera e dytë.
    Por ka forma të tjera të skllavërisë, dhe për këtë arsye çlirime të tjera, nga të cilat më e rëndësishmja është kjo: Zoti, duke ia zbuluar gradualisht vetveten popullit të tij, njëkohësisht e ka çliruar atë nga idhujtarja: idhujtarja, në fakt, është skllavëria më e keqe në botë. Sepse, edhe në burg ose në skllavëri, dikush mund të arrijë të ruajë lirinë e brendshme; por kur dikush është nën pushtetin e një idhulli, ai nuk ka më liri të brendshme.
    A nuk do të ishte ky përkufizimi i një idhulli?: Idhulli është një gjë që i zë mendimet tona deri në marrjen e vendit të parë në jetën tonë, duke arritur, në fund të fundit, të mendojë në vendin tonë, çfarë është me e mirë për ne!
    Ky Zot çlirues i fton ata që besojnë në Të, që të jenë edhe ata çlirues nga ana e tyre. Në fillim të Kreshmëve, është e dobishme të kujtohet teksti i famshëm i Isaisë: "Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha:
    t’i këputësh verigat e padrejtësisë,
    t’i zgjidhësh leqet e zgjedhës,
    t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit,
    të copëtosh çdo zgjedhë?
    A jo ta ndash bukën tënde me të uriturin,
    t’i shtiesh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët?
    Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe
    dhe mos e përbuz farefisin tënd.
    Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote,
    shërimi yt do të vijë më shpejt;
    para teje do të ecë drejtësia jote
    e do të të përcjellë lavdia e Zotit" (Is. 58,6-8).





    ZOTI UA KA MËSUAR TË PËRVUAJTURVE RRUGËN E VET.

    Tema e dytë e besimit të Izraelit: Ligji është një dhuratë e Zotit: është pasoja e zbulimit që Zoti e ka çliruar popullin e tij. Ligji i është dhënë Izraelit që të mësojë të jetojë si një popull i lirë dhe që të bëhet edhe ai, kur do të vijë koha e duhur, çlirimtar:
    " Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua e m’i mëso shtigjet e tua ...
    Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso...
    të përvuajturve u prin në drejtësi,
    të butëve ua mëson udhën e vet...
    I ëmbël e i drejtë është Zoti,
    mëkatarët i kthen në udhë të drejtë".

    Pasi ia diktoi Ligjin Moisiut, Zoti i tha, me siguri: " Oh, sikur ta kishin vërtet atë mendje: të më kishin frikë e t’i zbatonin të gjitha urdhërimet e mia gjithherë! Të lumë do të ishin ata dhe bijtë e tyre për jetë të jetës!" (Dt 5,29). Dhe Moisiu u tha njerëzve:“Mbani, pra, e zbatoni të gjitha ato që jua ka urdhëruar Zoti, Hyji juaj. Mos e shmangni rrugën as djathtas as majtas, por ecni drejt udhës që jua ka urdhëruar Zoti, Hyji juaj, që të jetoni e të kaloni mirë e të shumohen ditët e jetës suaj në tokën e trashëgimit tuaj"(Dt 5,32-33).
    Duhet të nënvizohet imazhi i rrugës (i udhës, në përkthimin e Filipajt): "Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua...mëkatarët i kthen në udhë të drejtë... të përvuajturve u prin në drejtësi...të butëve ua mëson udhën e vet...Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë... ". Dhe folja "të udhëheqësh" gjithashtu ngjall imazhin e një rruge:"Më udhëzo përmes së vërtetës tënde ... drejtësia e Tij drejton të përulurit".
    Imazhi i shtegut është tipik për psalmet pendestarë: sepse mëkati, në fund të fundit, është një rrugë e gabuar, e vështirë për të kaluar. Ai që flet këtu dhe që i kërkon Zotit t'i tregojë rrugën e duhur ("O Zot, më mëso rrugët e tua, më lejo të njoh rrugën tënde ...") është një mëkatar që e di nga përvoja se ka shumë të bëjë me të, duke luftuar vetvetiu për të qëndruar në rrugën e duhur. Në disa gjuhet perëndimore si edhe në shqip gjithashtu, në vend të fjalës "rrugë", përdoret imazhi e shtegut për të përcaktuar sjelljen tonë morale, pasi flitet për "rrugën e drejtë". Dhe, në hebraisht, fjala "konvertim" do të thotë "kthehu". Në Bibël, mëkatari i konvertuar bën një kthesë të vërtetë; ai ua kthen shpinën idhujve, kushdo që të jenë ata, që e bënë atë skllav dhe ai i drejtohet Zotit që e dëshiron atë të lirë. Në thelb, ekzaminimi i vërtetë i ndërgjegjes mund të jetë ai që na bën të zbulojmë se çfarë na pengon të jemi të lirë, të duam Perëndinë dhe vëllezërit tanë.



    MOS HARRO, O ZOT, DASHURINË TËNDE ME TË CILËN NA KE DASHUR GJITHMONË.

    Tema e tretë e besimit të Izraelit: Zoti është Dashuri, ai është vetëm Dhuratë dhe Falje.
    "Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
    dhe dashuria jote që është e amshueshme" (v.6).
    Është këtu një jehonë e përkufizimit që Zoti i dha për vetveten Moisiut në Sinai: “Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë, që qëndron besnik me mijëra brezni, që e duron fajin, kundërshtimin dhe mëkatin" (Da 34,6). Që do të thotë, edhe një herë, që nuk duhet të pritet që Besëlidhja e re ta zbulojë këtë. Dashuria e Zotit pikërisht në favor të Popullin të Zgjedhur, ka qenë dhe ka vepruar gjithmonë. Besimtarët e kohës të Besëlidhjes së vjetër e kanë ditur shumë mirë: pas përvojës së çlirimit nga Egjipti, pas zbulimit të këtij Zoti që i ofron Besëlidhjen e tij popullit të tij, njerëzit ishin në gjendje të mendonin me terma të rinj mbi aktin krijues të Zotit; dhe si rezultat, konceptimi i krijimit, që e kishte populli i Izraelit, filloi të ndryshonte shumë nga ai i popujve të tjerë. Tani e tutje, besimtaret izraelitet kuptojnë se akti krijues i Zotit është një akt dashurie; Zoti nuk i krijoi njerëzit për ti kënaqur tekat e veta ose dëshirën e vet për të pasur skllevër, si besohej në Mesopotami, por i krijoi që ti donte ata, e që të ishin një shenjë e dashurisë së tij për njerëzimin. Krijimi i tyre qe për Zotin një akt dashurie.
    Një dashuri për njerëzit e të gjitha vendeve dhe të gjitha kohërave: kjo shprehet në historinë e Përmbytjes, në leximin e parë e të Dielës së parë të Kreshmëve. Në Izrael, kur bëhet fjalë për Besëlidhjen e ofruar nga Zoti për Popullin e tij të Zgjedhur, nuk harrohet kurrë se në këtë Besëlidhje janë thirrur, që të hyjnë të gjithë njerëzit.
    Më në fund, meqenëse Zoti është Dashuri, Ai nuk pret asgjë në këmbim: dashuria është gjithmonë falas, ose nuk është dashuri! Thjesht duhet vetëm të lihet që ajo dashuri hyjnore të na mbushë vetë. Meditimi i Psalmit 25 është padyshim mënyra më e mirë për të hyrë në Kreshmët!

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    1 Kresh. VITI B

    MË 21-2-2021

    UNGJILLI: Mk. 1,12-15


    12 Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi të shkojë në shkretëtirë.
    13 Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin.
    14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit.
    15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI- LUTJA.

    TUNDIMET E JEZUSIT

    Çdo vit, në të Dielën e parë të Kreshmëve, ne lexojmë tregimin e Tundimeve nga një prej tre Ungjilltarëve Sinoptikë; këtë vit lexojmë këtë tregim në Ungjillin e Shën Markut, që do të thotë në versionin më të shkurtër të mundshëm:
    Menjëherë pastaj Shpirti Shenjt e shtrëngoi të shkojë në shkretëtirë. Në shkretëtirë qëndroi dyzet ditë, ku qe vënë në provë prej djallit. Rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin".
    Marku nuk na tregon se me cilat tundime duhej të përballej Jezusi, por vazhdimi i Ungjillit të tij na lejon t'i hamendësojmë ato: këto janë të gjitha situatat në të cilat ai duhej të thoshte jo, sepse mendimet e Zotit nuk janë ato të njerëzve dhe sepse, duke qenë vetë një njeri, i rrethuar nga njerëz, ai duhej të zgjidhte vazhdimisht të ishte besnik ndaj Atit të tij.
    Episodi që më vjen menjëherë në mendje është ai që ndodhi afër Cezaresë së Filipit: "Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata iu përgjigjën: “Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.” Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të" (Mk 8,27-30).
    Kjo ashpërsi është sigurisht tashmë një shenjë e një lufte të brendshme. Dhe menjëherë më pas, Marku vazhdon: "Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas. Dhe ju e dini pjesën tjetër: “Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”. Nga goja e Jezusit del rrëfimi për atë që ishte tundimi më i fortë: ai i ikjes nga pasojat tragjike të shpalljes së ungjillit.
    Ishte një tundim tmerrësisht delikat: sepse vinte menjëherë pas rrefimit më të bukur dhe i përsosur që Jezusi kishte dëgjuar mbi personin dhe misionin e tij: ishtë pikërisht në momentin kur Pjetri, si një teolog i zgjuar dhe i jashtëzakonshëm, pas një meditimi të shpejt, ka bërë deklaratën më e bukur dhe më e vërtetë nga ana teologjike: “Ti je Mesia” (Mk, 8,29). Profesioni i fesë së Pjetrit ia përkujtoi Jezusit gjithçka shkruan profetët për misionin e Mesisë, dhe shkaktoi në Jezusin tundimim që të shpëtohej nga mundimet e lidhur me kryerjen e këtij misioni. Fjalia e Pjetrit qe për Krishtin një rast tundimi.
    Deri në minutën e fundit, në Gjetsemanin, ai do të tundohet të shpëtohej nga vuajtjet: "E u tha: “Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni e rrini zgjuar!”
    U largua pak, ra përmbys për dhe e lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast. E thoshte: “Abba! Atë, ti mundesh gjithçka! Largoje prej meje këtë gotë, por jo çka dua unë, por çka do ti!” (Mk 14,34-36).
    Është mjaft e qartë këtu që vullneti i tij duhet të bëjë një përpjekje që të pajtohet me atë të Atit të tij.
    Jezusi ka pasur patjetër, siç e pamë, tundimin për t’u shpëtuar nga vuajtjet; ai gjithashtu e dinte që do të kishte mundësi që të kishte sukses; dhe shoqëruesit e tij e nxitën në këtë drejtim; por suksesi mund të bëhej një kurth: "Të gjithë po të kërkojnë" (Mk 1,37), dishepujt e tij i thanë në Kapernaum. Le të kujtohet konteksti; të shtunën në mëngjes në sinagogë, ai kishte shëruar një person të pushtuar nga djalli, pastaj pas një dite të qetë në shtëpinë e Simonit dhe Andreas, ai kishte shëruar vjehrrën e Pjetrit; dhe në fund në mbrëmje të gjithë banorët e vendit ishin atje, secili me pacientin e tij, dhe ai kishte shëruar shumë të sëmurë; natën tjetër, para agimit, ai kishte dalë për t'u lutur; zhgënjimi në shtëpi kur dita filloi: ai ishte zhdukur!
    "Të gjithë po të kërkojnë" i thanë apostuit... E kjo fjalë duhet ta ketë shqyer ndërgjegjen e tij ". Por ai fitoi mbi tundimin që të kthehet për të marrë nderime që i takonin atij, dhe tha:
    “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha”(Mk 1,38). Për atë dhe jo për diçka tjetër ... Ekzistonte tundimi: por Jezusi nuk pranoi të braktisë misionin e tij.



    ZGJEDHJA E BESNIKËRISË.


    Zgjedhja e besnikërisë filloi shumë herët, sigurisht, kur Jezusi duhej të përballohej me talljen e disa të afërmve; çdo profesion në shërbim të të tjerëve imponon çrrënjosjen nga familja ; familja e tij nganjëherë ishte një pengesë për misionin e tij: “Jezusi u kthye në shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin sepse flitej: “Nuk është në vete” (Mk 3,21).
    Kjo vuajtje e moskuptimit është shoqëruar nga një tundim tjetër, që t' i bindë të tjerët me veprimet spektakolare: "Atëherë erdhën farisenjtë dhe filluan të rragaten me të. Duke e vënë në provë kërkuan prej tij një shenjë prej qiellit. Jezusi duke fsharë prej fundit të shpirtit, tha: “Përse kjo brezni kërkon shenjë? Për të vërtetë, po ju them: kësaj breznie s’do t’i jepet shenjë!” Atëherë i la, përsëri hipi në barkë dhe kaloi në anën tjetër"(Mk. 8,11-12).
    Me siguri, kur Jezusi papritmas vendosi të largohej nga shoqëria me ata me të cilët po fliste në atë moment, qofshin ata miqtë e tij apo kundërshtarët e tij, kjo ishte për shkak se ai kishte një zgjedhje për të bërë.
    Kjo zgjedhje është ajo e besnikërisë ndaj misionit të tij: që ai të jetë Mesia, të gjithë e kanë menduar që nga fillimi; por problemi është se, edhe një herë, mendimet e Zotit nuk janë mendijmet tona; për shembull, njerëzir prisnin, shpresonin për një Mesi të fuqishëm politikisht, i cili do të kishte dëbuar okupatorin Romak dhe do të kishte rivendosur lirinë politike të Izraelit; Jezusit iu desh të predikonte pandërprerë madhështinë e vetme të dashurisë; kjo është arsyeja pse ai imponon në mënyrë të përsëritur sekretin për ata që kanë parë misterin e tij (qoftë në Shpërfytyrim apo diku tjetër): ai nuk dëshiron të lejojë se ata që janë përreth tij, të zbresin në një shteg të rremë.
    As ne nuk jemi të befasuar që ai jetoi paqësisht në shkretëtirë për dyzet ditë (numër simbolik) në mes të kafshëve të egra: sepse kështu profeti Isaia kishte imaxhinuar harmoninë që do të mbretërojë në krijimin e ri.: "Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi,
    viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin,
    fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Lopa e arusha bashkë do të kullotin,
    këlyshët e tyre së bashku do të rrinë,
    luani kashtë do të hajë si kau.
    Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit
    fëmija dorën do ta futë" (Is 11, 6vv).
    Duke i komentuar se bashku të gjitha këto gjëra, Marku na thotë se Jezusi është njeriu me të vërtetë i lirë nga të gjitha tundimet, i parëlinduri i njerëzimit të ri.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ninoenina : 20-02-2021 më 03:45

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    E DIELA E 2 KRESH. VITI B

    MË 28-2-2021


    LEXIMI I 1: Zn. 22,1-2. 9a. 10-13. 15-18


    1 Pas këtyre ngjarjeve Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham”! Ai iu përgjigj: “Tek jam”! 2 I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”.
    9 Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. Pastaj e lidhi Izakun, djalin e vet, e vendosi mbi lter mbi turrën e druve, 10 shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet. 11 Dhe ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”! Ky iu përgjigj: “Urdhëro”! 12 Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkakun tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”.
    13 Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit
    15 Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: 16 “Pasha mua ‑ është fjala e Zotit ‑ pasi e bëre këtë gjë dhe nuk t’u dhimbs djali yt i dëshirit,
    17 unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet 18 dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën”.



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA


    NJË TEKST QË DUHET TË LEXOHET NËN FRYMËZIMIN E FESË.


    Aspekti i keq i këtij teksti është se ka dy mënyra për ta lexuar! Një mënyrë e tmerrshme që imagjinon Perëndinë duke ia dhënë një urdhër Abrahamit vetëm për kënaqësinë e vet, për të shuar etjen e tij për gjak… për të parë nëse Abrahami do t'i bindej ... dhe vetëm atëherë, si kundër-urdhër, Perëndia tha: "Mos e vër dorën te fëmija"
    Duhet të themi: “Mirë, se Ai dha këtë urdhër të dytë: Ishte koha!” Por, akoma në të njëjtën perspektivë, (tmerruese!) mendohet se, sepse Abrahami u soll mirë, sepse ai bëri atë që u urdhërua (dy herë me radhë, ai vetëm përgjigjet "këtu jam" ...), Zoti i premton atij malet dhe mrekullitë.
    Por, ky është një lexim pagan! Flitet për një Zot që pret që njerëzit ta dëgjojnë, që na zë kurthe dhe që si një sovran absolut shpërblen dhe ndëshkon ... një Zot siç e imagjinojmë disa herë edhe ne sot ndonjëherë, dhe jo siç është Ai në të vërtetë.
    Leximi i besimit është krejt i ndryshëm; dihet, siç thuhet, që shikojmë ata që duam me sytë e dashurisë; në të njejtën mënyrë mund të thuhet që shikohet dikush me sytë e besimit.
    Për më tepër, nëse do të kishim kohë ta lexonim tërë këtë tekst, siç është në Biblën (këtu kemi leximin liturgjik, i cili për fat të keq është shumë i shkurtër), do të kishim vërejtur se tema e vështrimit është shumë e pranishme në këtë tekst: fjalët "shoh, shikoj, shikoj lart" gjenden nga fillimi e deri në fund në këtë tekst. Vetë emri Moriah është një lojë fjalesh në lidhje me foljen shoh: dhe fjala Moriah mund të përkthehet "Zoti sheh", por edhe "Zoti shihet". Një mënyrë për të thënë se besimi është në çfarë mënyrë si një palë syzesh që vendosen për të parë botën dhe gjithçka me sy të Zotit, si ai i sheh.
    Pra, duke shpresuar që shpjegi të jetë interesant, unë ju ofroj një lexim sipas besimit të këtij teksti, një lexim me sytë e besimit.
    Së pari, kur u shkrua ky tekst, kishin kaluar afërshisht një mijë vjet nga koha në të cilën u shvillua kjo histori dhe të gjithë e dinin, kur u shkrua ky tekst, që Isaku nuk u vra nga Abrahami, dhe përkundrazi jetoi deri në një moshë shumë të vjetër. Prandaj, autori i kësaj historie nuk na ofron një tekst të njashëm me një tregim të krijiuar vetëm për të tërhequr vëmendjen.
    Në këtë aspekt, mund të mendohet se disa piktura që paraqesin flijimin e Isakut, e kalojnë masën duke krijiuar këtë pritje që të mban pezull, si në një film aventurash, si në një film horror.
    Së dyti, kur u shkrua ky tekst (vetëm rreth vitit 700 para Krishtit, ndërsa Abrahami jetoi në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit), dihej shumë mirë që Zoti absolutisht i refuzonte sakrificat njerëzore! Dhe në këtë kohë të gjithë e dinin që Zoti i kishte refuzuar gjithmonë këta sakrifica. Ne gjithashtu e dimë se ishte shumë e vështirë të ndiqej nga Populli i Zgjedhur ky ndalim kur të gjithë popujt përreth praktikonin sakrifica njerëzore. Gjithë kjo, për një nderrim rrenjësor, kërkonte një kthim të shikimit të njeriut ndaj Zotit. Dhe kështu, pasardhësit e Abrahamit e lexuan këtë tekst si historinë e kthimit të shikimit të Abrahamit te Zoti; ishte si në qoftë Zoti t'i thoshte Abrahamit: "Si më sheh, Abraham, kur të kërkoj një kurban?" A e imagjinon një Zot që dëshiron vdekjen e fëmijës tënd? E po, e ke gabim! Sidoqoftë, unë kam bërë gjithçka për të të kujtuar se nuk e kam harruar Premtimin tim sipas të cilit do të të jap pasardhës, përmes këtij djali, saktësisht".
    Ne e njohim këtë Premtim të famshëm nga kapitujt e mëparshëm të librit të Zanafillës: “Unë do t'ju bëj një komb të madh dhe do t'ju bekoj. Unë do ta bëj emrin tënd të madh ... Në ty do të bekohen të gjitha familjet e tokës ... Unë do të shumëzoj pasardhësit e tu si pluhuri i tokës ... Merre parasysh qiellin, numëroji yjet nëse mund t'i numërosh: të tillë do të jenë pasardhësit e tu ... është me anë të Isakut që pasardhësit e tu do të mbajnë emrin tënd ... "(të gjitha këto premtime gjenden në kapitujt 12-21 të Zanafillës).


    HYJI NUK E HARROI PREMTIMIN E VET.

    Kur e vuri në provë Abrahamin, Perëndia ishte i kujdesshëm për t’i kujtuar atij këtë premtim, për t’i treguar se nuk e kishte harruar. Perëndia u bë i kujdeshëm prej fillimit, nga momenti kur tha fjalën e parë: "Abraham ...". Perëndia e quan atë, jo me emrin e tij të lindjes, Abram, por me emrin që i ka dhënë që kur u bë Besëlidhja, "Abraham" që do të thotë: "Ati i shumë njerësve". "Merre djalin tënd, djalin tënd të vetëm, atë që e do, Isakun".
    Në leximin pagan, ne do të kishim thënë: Zoti nuk ia pyet vetëm Abrahamit një gjë të tmerrshme, por përveç kësaj ai "argëtohet" me të "duke e vënë gishtin në plagë". domethënë duke bërë që ai të vuajë edhe më shumë.
    Leximi tjetër është: nëse Zoti insiston, duke thënë: "Djali yt, djali yt i vetëm, ai që ti e do, Isaku ...", kjo është një mënyrë për të thënë: "Unë nuk e kam harruar Premtimin tim, nuk e kam harruar që te ai, te Isaku qëndrojnë të gjitha shpresat tona:... "Në këtë djalë tënd Unik", vetëm përmes tij dhe vetëm prej tij do të realizohet premtimi, nga ai do të lindin pasardhësit e tu".
    Isaac, emri i tij do të thotë: "Fëmija i të qeshurit": mos harro, Abraham, ti qeshe kur të premtova; dhe Sara gjithashtu qeshi ... ju nuk e besonit më në atë lindje, në moshën tuaj, dhe ajo lindja u bë, sepse unë ju premtova atë. Isak është "djali yt unik", dhe premtimi do të realizohet vetëm prej tij. Dhe vetëm prej tij, do të lindin pasardhësit e tu ... "Do të kesh aq shumë pasardhës sa kokrrat e pluhurit të tokës (Zn 13), aq shumë si yjet e qiellit (Zn 15).
    Me siguri e keni vërejtur kalimthi që u përdor një formulë kurioze, duke imagjinuar se Zoti i tha Abrahamit se "mbi Isakun dhe vetëm mbi Isakun të gjitha shpresat qëndronin...": ky është ndryshimi midis leximit pagan dhe leximit të besimit: pagani mendon se Zoti nuk është interesuar për të; besimtari Izraelit, përkundrazi, zbulon dhe beson se shpresa e njeriut mund të jetë edhe shpresa e Zotit; ai beson se interesat e njerëzve dhe ato të Zotit janë të njëjta, pasi Zoti është i angazhuar në aventurën e Besëlidhjes; në besojmë, (duhet të kthehemi në këtë të vërtetë sa më shumë është e mundur), kur pavarësisht nga gjithçka që mund të ndodhë, jemi të bindur se plani i Zotit është themëluar vetëm në dashamirësinë, në dashurinë e Zotit!
    Me të vërtetë, pikërisht, deri në këtë lartësi arrinte besimi i Abrahamit; ai besonte se në një mënyrë që ai nuk e njihte, por sigurisht në një farë mënyre, Zoti do ta përmbushte Premtimin e tij e do të kishte dhënë pasardhës nga Isakut, dhe jo nga një tjetër; dhe kjo është arsyeja pse Abrahami u dha si shembull pasardhësve të tij; dhe kjo është edhe arsyeja pse Zoti ishte në gjendje të provonte besimin e tij deri në atë pikë.
    Dhe, menjëherë, falë këtij besimi të pathyeshëm të Abrahamit, një pikë kthese unike, vendimtare u tejkalua në historinë e Zbulesës. Abrahami zbuloi se kur Zoti tha "flijioje" ai nuk po thoshte: "Vrit"; sikur gjaku ta kënaqte! Zoti i tha Abrahamit: "Ma ofro djalin tënd si në një flijim"; dhe Abrahami zbuloi se kjo do të thotë vetëm: "Bëje të jetojë, duke mos harruar kurrë që vetë unë të kam dhënë ty atë djalë". Tani e tutje, do të dihet në Izrael përgjithmonë se Zoti kurrë nuk dëshiron vdekjen e njeriut për ndonjë arsye. Dhe se ai nuk e do vdekjen e mekatarit, por që të kthehet dhe të jetojë.
    Pra, meqenëse Abrahami nuk e la besimin, ai mund të dëgjojë përsëri premtimin për të cilin nuk dyshoi kurrë: "
    ...trashëgimtari yt do të jetë pinjolli yt që do të rrjedhë prej teje... Shikoje qiellin dhe numëroji yjet, po munde”! Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu...
    “Ja, marrëveshja ime me ty: Do të bëhesh trungu i popujve të shumtë.
    Nuk do ta kesh më emrin Abram,
    por emri yt do të jetë Abraham,
    sepse të bëra babë të shumë kombeve.
    Do të bëj të shtohesh shumë, tejet shumë,
    prej teje do të bëj të rrjedhin popuj,
    dhe prej teje do të lindin mbretër".
    Mund të lexohet historia më e saktë e premtimeve në kapituj 12-21 të librit të Zanafillës.
    Deri më sot, ky premtim i Zotit nuk është përmbushur: pasardhës të panumërt sigurisht ekzistojnë, por që të jetë një burim bekimesh për të gjithë popujt, duke filluar nga Populli i Zgjedhur, kjo nuk ndodhi akoma! Kur shohim se sa të ashpra janë betejat midis vetë pasardhësve!
    Meritojnë të quhen "bij të Abrahamit" sot ata që besojnë se Premtimi i Zotit do të realizohet, pa marrë parasysh çfarë, thjesht sepse Zoti e ka premtuar atë dhe është besnik. Ose më saktë ... Meritojnë, me të vërtetë, të quhen "bij të Abrahamit" sot ata që besojnë në këtë Premtim dhe punojnë me të gjitha forcat për ta realizuar atë!
    Ndryshuar për herë të fundit nga ninoenina : 25-02-2021 më 06:56

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    E DIELA E 2 Kresh. VITI B

    MË 28-2-2021


    PS. 116, 10. 15, 16ac-17, 18-19


    10 Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: “Jam i pafat për së tepërmi!”.
    15 E çmueshme është para Zotit vdekja e shenjtërve të tij.
    16 O Zot, unë jam shërbëtori yt shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. Ti i këpute hekurat e mia:
    17 ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
    18 Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit në praninë e mbarë popullit të tij,
    19 në oborret e Shtëpisë së Zotit,
    mes teje, o Jerusalem!


    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.

    E ÇMUESHME ËSHTË PARA ZOTIT VDEKJA E SHENTËRVE TË TIJ.



    Është Populli i Zgjedhur, që beson në Zotin, që flet në këtë psalm; ky popull ka bërë eksperiencën, edhe në mes të vuajtjeve, që Zoti ishte aleati i tij "Unë besoj dhe do të flas, unë që“Jam i pafat për së tepërmi!”, që kam vuajtur shumë, sepse:"Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes, sytë e mi prej lotëve, këmbët e mia prej rënies. ...Ti i këpute hekurat e mia".
    Vuajtja për të cilën autori i psalmit flet këtu, është ajo e skllavërisë në Egjipt: dhjetë herë Faraoni premtoi lirinë, por gjithmonë në fund, ai u soll si një armik; vetëm Zoti e mbështeti përpjekjen çlirimtare të popullit të tij dhe e ndihmoi në ecjen e tij në shkretëtirë edhe duke e mbuluar me një re.
    Ja citime të disa vargjeve që nuk lexohen sot, por që spjegojnë këtë kontekst: "Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: “Jam i pafat për së tepërmi!”.
    “Në hutimin tim kam thënë: “Rrenacak është çdo njeri”!...
    “O Zot, unë jam shërbëtori yt, shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. Ti i këpute hekurat e mia: Si do t’ia shpërblej Zotit për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?" (v.12...15).
    "Zinxhirat-Hekurat" për të cilët njerëzit e Izraelit po flasin këtu janë ato të Egjiptit; por gjatë shekujve Populli i Zgjedhur ka njohur shumë hekura-zinxhirë të tjera, shumë skllavëri të tjera. Dhe secili prej nesh e di se, edhe duke jetuar në një mënyrë që dukek e lirë, ne mund të imponohemi "zinxhirë" që mund të na bëjnë skllevër, edhe pse nuk janë bërë me hekur.

    Por, ka edhe zinxhirë të tjera! Ndër të tjera, dhe akoma më të keqija, sesa të kesh një imazh të rremë të Zotit, është të imagjinosh një Zot si rival të njeriut (për shembull, si në mitologjinë Mesopotamiane) ose të imagjinosh një Zot të pangopur për gjak të sakrificave njerëzore ( për shembull, si në fetë kanaanite). Kur populli hebre u vendos në Kanaan, ai ra në kontakt me një fe që nuk i ndalonte sakrifica njerëzore; besimtaret izraelitë donin të rezistonin dhe të ishin besnikë ndaj Besëlidhjes, por nuk paten gjithmonë sukses. Kur gjithçka nuk shkonte mirë, e njerëzit kishin frikë nga lufta, ose nga një katastrofë, për të shmangur diçka të keqe ishin gati të provonin çdo gjë; dhe nëse dikush i bindte se, për të arritur qëllimin, duhet të plotësonin kërkesën e një perëndie që kërkonte sakrifica njerëzore, disa ishin të gatshëm edhe për këtë ...
    Kështu, në shekullin e tetë para Krishtit, mbreti Akaz flijoi djalin e vet, duke besuar se ai duhej të bënte këtë për të shpëtuar mbretërinë e tij.
    Pikërisht për këtë arsye u shkrua tregimi i sprovës së Abrahamit.
    Zbulimi i jashtëzakonshëm që Abrahami bëri ishte: Zoti dëshiron që të gjithë njerëzit të jetojnë; asnjë vdekje nuk e nderon Hyjin tonë, ai nuk i dëshiron këta sakrifica: ai nuk e don vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet e të jetojë ... Dhe kur lexojmë në psalmin: "I kushton Zotit të shohë të dashurit e tij të vdesin (në një version tjetër: E çmueshme është para Zotit vdekja e shenjtërve të tij) ...", ne e kuptojmë se ky psalm na ofrohet sot si jehon e historisë së sprovës së Abrahamit.
    Ky zbulim, "I kushton Zotit të shohë të vdesin miqtë e Tij ..." nuk është kurrë fare një arritje njëherë e përgjithmonë.
    Gjarpri në Kopshtin e Zanafillës sugjeroi që Zoti dëshironte më tepër që njeriu të vdiste, të largohej nga kopshti i Edenit ... dhe pikërisht tregimi biblik që jemi duke mësuar pohon se ky mendim është një tundim në të cilit nuk duhet të biem.
    Tundimi po rishfaqet vazhdimisht kur mendohet se Zoti është një rival për lirinë dhe jetën tonë, e që Ai duket se është në gjendje të luajë me jetën tonë si të dojë.
    Padyshim, marrëdhënia jonë me Zotin dhe me të tjerët varet nga imazhi i Zotit që kemi.
    Në skemën pagane, mund të thuhet se ekzistojnë dy faza: 1) njeriu dëshiron diçka; 2) për ta marrë atë, ai përpiqet të bëjë gjithçka është e mundshme që perëndia e tij të jetë në favor, me të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë edhe sakrificat njerëzore, nëse është e nevojshme.
    Psalmi i sotëm pasqyron qëndrimin e besimit, i cili është një përmbysje e plotë e këtij modeli: ka dy faza, po, por të përmbysura.

    Së pari, në Izrael (ne e dimë) është Zoti ai që ka pasur gjithmonë iniciativën; me Adamin, me Noehun, me Abrahamin, çdo herë ishte Zoti që e thirri njeriun në ekzistencë dhe në Besëlidhje për lumturinë e njeriut dhe jo për përfitimin e tij, e Zotit. Pastaj, kur populli vuajti në Egjipt, vetë Zoti i erdhi në ndihmë: " “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht dhe mjaltë..., pra, klithma e bijve të Izraelit arriti deri tek unë, po edhe unë vetë e pashë shtypjen e tyre që po e pësojnë prej egjiptianëve. Pra, eja se dua të të çoj te faraoni që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, prej Egjiptit”!(Dal,3,7-10). Dhe Zoti e liroi popullin e tij. Zoti e ka iniciativën!
    Së dyti, dhe kjo është pasoja, çdo gjest i njeriut ndaj Zotit është vetëm një përgjigje; për shembull, kur njerëzit e falënderojnë Zotin, ata vetëm po e njohin veprën e Tij: "Si do ta shpërblej Zotin për tërë ato që më ka bërë? "



    UNË DO TË MBAJ PREMTIMET E MIA NDAJ ZOTIT.


    Dhe tani falënderimi do të shfaqet jo vetëm me sakrifica në tempull, por, gjithashtu dhe mbi të gjitha, me një sjellje të përditshme të bërë në harmoni me vullnetin e Zotit. "Unë do të të ofroj një flijim falënderimi, do të thërras emrin e Zotit. Unë do t'i mbaj premtimet e mia ndaj Zotit, po, përpara tërë popullit të tij, në hyrje të shtëpisë së Zotit, në mes të Jeruzalemit".
    Sigurisht, ky psalm merr kuptimin e tij të plotë kur dimë se është pjesë e psalmeve Hallel, (psalmet 112/113 deri 117/118 që u kënduan me rastin e festës hebraike të Pashkës). Kështu që Jezusi e këndoi atë në mbrëmjen e të Enjtes së Madhe.
    Marku vëren: " Pasi kënduan himnin, (kënduan psalmet e Hallelit, dhe në veçanti këtë Psalm), u nisën drejt Malit të Ullinjve" (Mk 14,26). Dhe ajo që bie më shumë në sy është ngjashmëria midis këtij psalmi që Jezusi këndoi të enjten në mbrëmje dhe atij që do të thotë në kryq: " O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? ”(Ps. 22,22). Të dy evokojnë dhimbje: sapo kemi dëgjuar britmën e Psalmit 22,2: "O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?". Dhe mund të kujtohet vargu i parë të Psalmit të sotëm "Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: “Jam i pafat për së tepërmi!”, që përkthehet në disa Bibla edhe: "Unë besoj, do flas, unë që kam vuajtur shumë ”. Të dy përfundojnë me falënderime, dhe pothuajse në të njëjtat terma; Psalmi 22/26v:
    « Prandaj do të të lëvdoj në kuvendin e dheut, ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej kushtet.
    Do të hanë skamnorët e do të ngihen, do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkojnë: ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’
    Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës, do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve..." (Ps. 22, 26-28).
    Si një jehonë, psalmi ynë i sotëm, na nxit të marrim të njëjtën vendim: "Unë do të mbaj premtimet e mia bërë Zotit, po, përpara tërë popullit të tij, në hyrje të shtëpisë së Zotit, në mes të Jeruzalemit!


  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2020
    Postime
    1,677
    Postimet në Bllog
    3

    Për: Përgatitja e liturgjisë së festave të urdhëruara. Komente postohen disa ditë përpara festave.

    PËRGATITJA E LITURGJISË

    2Kresh VITI B

    MË 28-2-2021


    UNGJILLI: Mk. 9, 2 – 10.



    2 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë dhe u shndërrua para tyre.
    3 Petkat e tij u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu.
    4 Atyre iu dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin.
    5 Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”
    6 Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. 7Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ djali i Dishirit! Atë dëgjojeni!”
    8 Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.
    9 Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri.
    10 Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?”



    LECTIO DIVINA-MEDITIMI-LUTJA.


    JEZUSI U URDHËROI APOSTUJVE QË TË MOS FLISNIN ME ASKEND PËR KËTË.



    Çdo vit, e diela e dytë e Kreshmëve bën të rilexojmë një nga tre tregimet e Shpërfytyrimit të Jezusit: në vitin A sipas hartimit të Mateut, në vitin B, sipas ungjillit e Markut e në vitin C siaps hartimit e Lukës. Prandaj do të përqendrohemi këtë vit vetëm duke kërkuar të kuptojmë mesaxhin e veçant që na jep Marku në tregimin e vet. Vemendja jonë mund të tërhiqet nga një aspekt me të vertetë befasues të këtij teksti nga Marku: “ Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë derisa Biri i njeriut të ngjallej prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë, por njëri‑tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri?” (v 9-10).
    Dikush mund të pyesë veten pse Jezusi u jep dishepujve të tij një udhëzim të tillë fshehtësie.
    Së pari, çfarë panë ata? Jezusi u shfaq atyre me lavdi në një mal midis dy figurave më të mëdha të Izraelit: Moisiu çliruesi, ai që dha Ligjin; dhe Elia, profeti i Horebit. Dihet fundi i historisë, nëse mund të thuhet kështu, dhe dihet (gjë që dishepujt ende nuk e dinin në kohën e tyre) se ca kohë më vonë Jezusi do të kishte qenë në një mal tjetër, i kryqëzuar mes dy grabitësve.
    Jezusi, ai e dinte shumë mirë se vështirësia më e madhe e besimit të apostujve do të kishte qenë të njihnin imazhin e Atit në këto dy fytyra të Mesisë: "Kush më ka parë mua ka parë Atin", do t'i thotë Jezusin Filipit në prag të vdekjes së tij. (Gjn 14.9). Është e besueshme se kjo është një prej frazave kryesore të misterit të Krishtit.
    Këto dy figura, Jezusi në lavdi dhe Jezusi në vuajtje, janë dy anët e së njëjtës dashurisë së Perëndisë për njerëzimin, pasi ai u mishërua në Jezu Krishtin; siç thotë Shën Pali në letrën drejtuar Romakëve, dashuria për Zotin "shfaqet" (bëhet e dukshme) në Jezu Krishtin (Rom 8,39). Dhe, në disa raste, vetë Jezusi bëri lidhjen midis lavdisë dhe vuajtjeve kur fliste për Birin e njeriut; por është ende herët që dishepujt të kuptojnë dhe pranojnë këtë mister të Mesisë që vuan. Kjo është ndoshta arsyeja pse Jezusi u urdhëroi apostujve që të mos i tregojnë askujt atë që kishin parë, "derisa Biri i Njeriut të ringjallet prej së vdekurish".
    Dhe Marku na tregon se ata iu bindën Jezusit, por duke menduar se çfarë mund të ishte kuptimin e fjalëve "ringjallja nga të vdekurit". Mund të mendohet se dishepujt besuan në ringjalljen e të vdekurve, si shumica e hebrenjve të kohës së tyre, por që ata e imagjinuan atë ringjallje vetëm për fundin e kohës. Dhe kështu, ata nuk e panë kuptimin e kësaj heshtjes "deri në ringjalljen e të vdekurve" që do të thotë "deri në fund të kohës"!
    Një tjetër befasi për ta, sigurisht, ka qenë ky titull i Birit të njeriut që, padyshim, Jezusi ia atribuoi vetvetes: kur ai fliste për Birin e njeriut, besimtarët izraelitë menjëherë mendonin për profetin Daniel i cili foli për Mesinë, duke e quajtur atë "bir i njeriut"; por ky "bir i njeriut" ishte në të vërtetë një qenie kolektive, pasi profeti e quajti gjithashtu "Popullin e Shenjtërve të Më të Lartit". Në kohën e Jezusit, kjo ide e një Mesia kolektiv ishte e zakonshme në qarqe të caktuara, në të cilët njerëzit gjithashtu flisnin me gatishmëri për "tepricen e Izraelit", domethënë, për një grupë të vogël besimtaresh besnike që do të shpëtonte botën.
    Por, sigurisht, Jezusi, vetvetiu, nuk mund të konsiderohej si një qenie kolektive! Këtu përsëri, do të jetë e nevojshme të pritej Ringjallja dhe madje Rrëshajë që dishepujt e Jezusit nga Nazareti të mund të kuptojnë që Jezusi mori kokën e "Popullit të Shenjtërve të Më të Lartit" dhe se të gjithë të pagëzuarit në të gjithë botën janë ftuar të bëhen një gjë e vetme me të, me Jezusin e Ringjallur, për të shpëtuar njerëzimin. Ja, pra, dy arsye të mira për t'i ftuar ata të mos thonë menjëherë ato gjëra që nuk i kishin kuptuar ende. Ndërkohë, atyre u kërkohet të dëgjojnë: kjo është mënyra e vetme për të hyrë në misteret e Zotit. "Ky është Biri im i dashur, dëgjojeni".



    “KY ËSHTË BIRI IM, DJALI I DISHIRIT: ATË DËGJOJENI!”


    Fraza: "ATË DËGJOJENI" tingëllon në veshët e apostujve si një jehonë e atij profesioni të besimit që ata recitojnë çdo ditë, pasi ata janë hebrenj, "Shema Israel", "Dëgjo Izraelin". Është një thirrje për të besuar pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë. Besimi që do të sprovohet rëndë në muajt në vijim: sepse Shpërfytyrimi ndodh në një moment të veçant të shërbesës së Jezusit: mbaron shërbesa në Galile dhe Jezusi tashmë mori vendimin të shkojë në Jeruzalem dhe në kryq. Titulli i "Të dashurit" shkon në të njëjtin drejtim: sepse ishte një nga emrat që profeti Isaia i dha atij të cilin ai e quajti Shërbëtori i Zotit; ai tha se ky Mesi do të përjetonte vuajtje dhe përndjekje për të shpëtuar popullin e tij.
    Por Jezusi beson se e gjithë kjo duhet të mbetet akoma e fshehtë: pikërisht sepse dishepujt nuk janë ende të gatshëm të kuptojnë (dhe turmat edhe më pak) misterin e Personit të Krishtit: kjo shkëlqim i lavdisë së Shpërfytyrimit nuk duhet të mashtrojë ata që ishin spektatorë : nuk është shenja e suksesit dhe lavdisë në mënyrën njerëzore, është shkëlqimi i dashurisë; jemi larg nga ëndrrat të triumfit politik dhe të fuqisë magjike që ende jetojnë në apostuj dhe që do të jetojnë në ta deri në fund. Duke u dhënë atyre këtë udhëzim të heshtjes, Jezusi u jep atyre një vështrim se vetëm Ringjallja do të hedhë dritë mbi misterin e tij. Tani për tani, apostujt duhet të kthehen poshtë malit, t'i rezistojnë tundimit për t'u vendosur këtu mbi malin në një tendë të izoluar; por duhet përkundrazi të përballen me armiqësi, përndjekje, vdekje.
    Vizioni u zbeh: "Tani e tutje ata panë vetëm Jezusin"; kjo fjali rezonon si një kujtesë e realitetit të tanishëm, të patjetërsueshëm. Lavdia e Krishtit, shumë e vërtetë, nuk e përjashton atë nga kërkesat e misionit të tij. Mbase udhëzimi i heshtjes që ai u jep dishepujve të tij pasqyron vullnetin e tij për të mos i shpëtuar asaj që e pret dhe për të kapërcyer për vete tundimin për t'i shpëtuar asaj?

Faqja 0 prej 78 FillimFillim 121050 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 11-02-2021, 09:44
  2. Zbukurimet E Festave *-*
    Nga alketi83 në forumin Albumi fotografik
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 17-01-2011, 23:54
  3. Atmosfera e Festave!
    Nga Mina në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 02-04-2004, 09:25
  4. Si te ruajme linjat pak dite para festave.
    Nga Mina në forumin Bukuri dhe estetikë
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 13-12-2002, 23:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •