PËRGATITJA E LITURGJISË.
E DIELA E DYTË E KOHËS SË ARDHJES VITI C.
MË 8 – 12- 2024.
LEXIMI I PARË: Ba. 5, 1 – 9
1 “Hiqe, Jeruzalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd
e veshu me shkëlqimin e lavdisë së nderit të përhershëm, që po të vjen prej Hyjit!
2 Mbështillu me mantelin e drejtësisë, që vjen prej Hyjit, vëre në krye kësulën e lavdisë së të Amshueshmit!
3 Sepse Hyji do t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt, gjithkund nën qiell”
4 Për amshim do ta qesë emrim:
“Paqjia e drejtësisë” , “Lavdia e hyjshërbimit”
5 Ngrihu, Jeruzalem, e qëndro në maje.
Shiko përreth në lindjen,
shiko si janë bashkuar bijtë e tu
prej ku lind dielli e ku perëndon,
në urdhrin e Shenjtit,
plot gëzim për kujtimin e Hyjit!
6 Prej teje dolën të dëbuar nga armiku,
do t’i bierë te ti Hyji
të mbartur me nder porsi froni i mbretit,
7 sepse Hyji urdhëroi të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur,
të mbushën luginat e të barazohen me tokën
që të kthehet Izraeli i sigurt nën lavdinën e Hyjit!
8 Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet
Dhe të gjitha pemët e erëndshme,
9 sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet
me mëshirë dhe me drejtësi që vijnë prej të Lumit.
LECTIO DIVINA – MEDITIMI – LUTJA.
“HIQE, JERUZALEM, PETKUN E TRISHTIMIT E TË MJERIMIT TËND.
Është i mrekullueshëm ky tekst! Por në të njëjtën kohë, ne kemi përshtypje që jemi duke lexuar diçka të njohur, që kemi lexuar në një libër tjetër të Biblës, që bën që të provojmë një ndjenjë tashmë të provuar! Nuk eshtë gjë për të na habitur fakti se në disa vende autori i librit të Barukut rikopjon fjali të tëra nga profeti Isaia. Ne nuk e dimë se kush ishte autori i librit të Barukut: ai ishte sigurisht një profet, që jetoi rreth shekullit të dytë para Krishtit; ne nuk dimë emrin e tij, por ai kishte admirim të pakufishëm për Jéréminë dhe mori emrin e sekretarit të Jeremisë, Barukut. Kjo bëhej në mënyrë rutinore në atë kohë. Dhe marrja e emrit të Barukut ishte mbi të gjitha një mënyrë për t'u regjistruar në linjën shpirtërore të Jeremisë, profetit të madh të shpresës. Sepse, në kohën kur profeti ynë po shkruan, tundimi ishte i madh për t'u dëshpëruar: a do të përmbushen një ditë të gjitha premtimet e bukura të Zotit, të përsëritura, si një jehonë, pa ndërprerje nga profetët e tij? Më shumë, e famshmja "Dita e Zotit" për të cilën foli Jeremia, ajo kohë e Besëlidhjes së Re, ajo kohë e mbretërimit të Zotit, duket se ishte në atë kohë një mirazh që largohej në mënyrë të pa shmangshme me kalimin e kohës.
Atëherë, për të rikthyer energjitë e bashkëkohësve të tij, autori nga ana e tij mori orakujt e mëdhenj të shpresës nga libri i Isaisë. Kjo nuk ishte plagjiaturë, ishte një profesion besimi në vlefshmërinë e premtimeve. Pikërisht këtë fenomen e kemi hasur javën e kaluar në një tekst të futur në librin e Jeremisë, shekuj pas vdekjes së tij.
Tekstet që autori i librit të Barukut kopjoi nga libri i Isaisë datojnë nga Mërgimi në Babiloni ose nga periudha pasuese dhe janë huazuar nga Isaia i dytë ose i tretë. Disa kanë të bëjnë me lavdinë e ardhshme të Jeruzalemit, të tjerët shpallin kthimin e të mërguarve. Le të fillojmë me premtimet e kthimit në vend: për të njoftuar se hebrenjtë e dëbuar në Babiloni nga Nabukodonozori do të lirohen së shpejti dhe do të marrin rrugën e kthimit, Isaia kishte thënë se shkretëtira që ndan Jerusalemin nga Babilonia do të bëhej një “autostradë” e vërtetë: këto janë fjalët e Isaisë:
" Një zë lëshon kushtrimin:
“Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit,
rrafshoni në stepë
shtigjet e Tenzot.
Le të ngritet çdo luginë,
le të ulet çdo mal e kodër,
rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë,
e rrëpira le të bëhet e rrafshtë"(Is. 40, 3-4).
"Të gjitha malet e mia udhë unë do t’i bëj,
rrugët e mia do të lartësohen" (Is. 49,11).
Dhe Baruku bën jehonë:
"Perëndia ka vendosur që malet e larta dhe kodrat e përjetshme do të ulen dhe luginat do të mbushen; kështu toka do të rrafshohet, që Izraeli të mund të ecë i sigurt në lavdinë e Perëndisë".
Një tjetër imazh: në shkretëtirë, si mund të mendohet, nuk ka bimësi; për të shpallur kthimin, si një mrekulli të Zotit, Isaia tha:
"Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,
akacjen, mirtën e ullirin;
në shkretëtirë bredhin do ta mbjell,
bashkë me vidh e qiparis,
që të shohin e ta kuptojnë,
ta mendojnë e vesh ta marrin njëherësh,
se dora e Zotit këtë e bëri,
e krijoi Shenjti i Izraelit" (Is 41,19).
Baruku tha nga ana e tij:
“ Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet
Dhe të gjitha pemët e erëndshme,
sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit
me dritën e lavdisë së vet,
me mëshirë dhe me drejtësi
(Ba. 5,8-9).
Për sa i përket lavdisë së ardhshme të Jeruzalemit, Isaia i dytë tha:
“Zgjohu, zgjohu,
ngjeshu me fuqinë tënde, Sion,
veshi petkat ku i ke më të bukurat,
Jerusalem, qyteti i shenjtë,
sepse nëpër ty kurrë më nuk do të kalojë
i parrethprerë e i papastër!" (Is 52, 1).
Dhe ne dëgjojmë çdo vit për festën e Epifanisë të famshme:
"Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote,
mbi ty po lind Lavdia e Zotit!" (Is. 60, 1).
Çfarë mori Baruku për bashkëkohësit e ti nga libri i profetit Isaisë?:
“Hiqe, Jeruzalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd
e veshu me shkëlqimin e lavdisë së nderit të përhershëm,
që po të vjen prej Hyjit! ...
Sepse Hyji do t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt,
gjithkund nën qiell ...
Ngrihu, Jeruzalem, e qëndro në maje".
GUXIMI I BESIMTARËVE!
Ne duhet të gjejmë kohë për t'u ndalur në këto fraza të pabesueshme nëse duam të mendojmë rreth tyre:
"Veshu me shkëlqimin e lavdisë së nderit të përhershëm,
që po të vjen prej Hyjit!":
Është një fjali që na thotë, as më shumë e as më pak, që të bëhemi bartës të vetë shkëlqimit të Zotit!
Isaia shkroi përsëri:
"Çoji përreth sytë e tu e shiko,
të gjithë po bashkohen e po vijnë te ti!
“Pasha jetën time ‑ është fjala e Zotit ‑
të gjithë këta ti do t’i veshësh si stoli,
porsi nusja do të ngjeshesh me ta!” (Is. 49,18).
Ky është libri i dytë i Isaisë.
Dhe i treti thotë:
"Lartësoji përreth sytë e tu e shiko:
të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë,
bijtë e tu po vijnë prej së largu,
bijat e tua para duarsh po i sjellin" (Is 60, 4).
Dhe, përsëri, në librin e Barukut ne mund të gjejmë një jehon të kësaj gjeje:
"Ngrihu, Jeruzalem, e qëndro në maje.
Shiko përreth në lindjen,
shiko si janë bashkuar bijtë e tu
prej ku lind dielli e ku perëndon,
në urdhrin e Shenjtit,
plot gëzim për kujtimin e Hyjit!
Prej teje dolën të dëbuar nga armiku,
do t’i bierë te ti Hyji
të mbartur me nder porsi froni i mbretit" (v. 5v).
Natyrisht, mund të shtrohet pyetja: nëse libri i Barukut është shumë më i vonshëm se ai i Isaisë, pse rifillimi i të gjitha këtyre premtimeve? Mërgimi babilonas ka kohë që ka mbaruar! Prandaj, ai nuk u premton më të dëbuarve të shekullit të gjashtë kthimin. Për kë i merr ai temat dhe madje fjalët e profetëve të së shkuarës? Në fakt, "të mërguarit" të cilëve u drejtohet janë hebrenjtë e dispersionit (ajo që quhet "Diaspora"), të gjitha ato komunitete hebreje të përhapura në të gjithë botën greko-romake dhe që ndihen si të mërguar nga Jeruzalemi. Profeti e di mirë se, pavarësisht peripecive të historisë, plani i Zotit për Jerusalemin dhe për mbarë njerëzimin do të realizohet.
Prandaj Baruku predikoi, ashtu si Isaia në një periudhë dekurajimi dhe zymtësie: këtu është një mësim i bukur besimi dhe shprese për ne: të gjitha dramat e kohës sonë, çfarëdo qofshin ato, nuk duhet të na zhytin në atë dëshpërim dhe dekurajim që bëjnë të humbim energjitë tona. Përkundrazi, në dramat dhe vështirësitë e jetës, si edhe në përsekutimet duhet t'i dhjetëfishojmë energjitë tona.
Krijoni Kontakt