‘Kontrata sekrete’; PD kallëzon kryetarin e bashkisë për koncesionin e kullave në qendër të Elbasanit

Kryetari bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja e ka cilësuar kallëzimin e PD-së për shpërdorim detyre si një inskenim politik të frymëzuar nga e shkuara komuniste.

Emri:  KryetariBashkiseElbasan.jpg

Shikime: 40

Madhësia:  32.4 KB

Partia Demokratike, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Gazmend Bardhi, ka kallëzuar penalisht në SPAK kryetarin e bashkisë Elbasan, Gledian Llatja – të cilin e akuzon se ka favorizuar kompani private duke i falur tokë publike për ndërtimin e kullave në qendër të qytetit të Elbasanit.

“Nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme, kryetari i Bashkisë Elbasan, ka dëmtuar interesin publik, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik Bashkisë Elbasan, në të paktën 8.3 milion euro, duke konsumuar elementët e veprës penale “shpërdorim i detyrës”,” shkruhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

Në kallëzimin penal shkruhet se nga zbatimi i kontratës së Partneritetit Publik Privat, bashkia po përfiton vetëm 2648 m2 sipërfaqe të re ndërtimi, ndërkohë që duhet të kishte përfituar 14,560 m2. Në këtë mënyrë, institucioni i bashkisë ka humbur një sipërfaqe prej 11,912 m2, me vlerë rreth 8.3 milion euro.

Nëpërmjet një prononcimi në median vizive, kryetari i bashkisë Gledian Llatja i cilësoi akuzat si inskenime politike.

“PD kthehet në komunizëm, ku pronën private të familjeve Haxhiademi, Geta, Ferhati – familje të vjetra në Elbasan, ta konsiderojë pronë publike,” tha Llatja.

Ai theksoi se një vendim i Këshillit Bashkiak Elbasan që mban datën 23 maj 2019, i jep pronarëve apo pasardhësve të tyre të drejtën të bien dakord me një kompani private për të zhvilluar pronat e tyre.

“Është marrë një vendim i Këshillit Bashkiak para pak më shumë se 3 vjetësh, kur unë nuk kam qenë kryetar bashkie dhe ku prezentë kanë qenë edhe përfaqësues të PD-së, të cilët kanë votuar,” tha Llatja.

“Është vendosur që bashkia të përfitojë 35% të të gjithë sipërfaqes së zhvilluar, një investim prej 4 mln euro për zyrat e reja të administratës së bashkisë Elbasan,” shtoi ai.

Llatja i cilësoi akuzat si produkt të një lufte brenda PD-së, ku figurat e reja kërkojnë të heqin figurat e vjetra që kanë qenë anëtarë të këshillit bashkiak dhe që e kanë votuar këtë marrëveshje.

“Ky inskenim është filluar nga një anëtar i këshillit që ka votuar edhe vetë,” theksoi Llatja.

Rreth 3 muaj më parë objekti aktual i bashkisë së Elbasanit iu nënshtrua një projekti zhvillimor, i cili përfshin rikonstruksionin e vetë objektit, shtimin e kateve dhe ndërtimin e një kulle 16 kate të lartë, ku bashkia duhet të përfitojnë 35% të sipërfaqes së ndërtuar, pa përfshirë sipërfaqen ekzistuese të bashkisë.

Bëhet fjalë për një sipërfaqje prej 2600 m2 ku përfshihen tre ish-pronarë dhe bashkia Elbasan. Nga kjo sipërfaqje e zhvilluar, PD pretendon se bashkia ka “falur” një sipërfaqje të konsinderueshme ndërtimi privatëve. Kontrata e kësaj marrëveshje koncesionare nuk është bërë ende publike.

Edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka nxiturar ta cilësoi kallëzimin e PD-së si akuzë politike. Ai theksoi se marrëveshja bazohej në një studim fizibiliteti të kryer nga qeveria e ish-kryeministri Sali Berisha, e mbështetuar nga vendime të njëpasnjëshme të këshillit bashkiak.

“Qytetarët e dinë fare mirë që duam të mos i harxhojmë për zyra por për shtimin e hapësirave publike dhe investime për qytetarët,” tha Balla në një deklaratë për mediat, ndërsa shtoi se nëpërmjet PPP-së zyrat e bashkisë do të jenë shumë herë më të mira.

“Ishte një ndërtesë që duhej hedhur poshtë dhe nuk mund të rikuperohej,” theksoi kreu i grupit parlamentar socialist.

Por Blendi Himçi, përfaqësues i PD-së në Këshillin Bashkiak Elbasan, i tha BIRN së 3 vjet më parë këshilltarët e kanë miratuar në parim këtë marrëveshje që sigurisht detajohet nga kontrata, e cila mbahet sekret nga kryetari i baskisë.

“I kemi kërkuar kryetarit të bashkisë të publikojë kontratën dhe sa është respektuar vendimi i Këshillit Bashkiak ku bashkia përfiton 35% të pronës së zhvilluar,” tha ai.

Himçi theksoi se Balla në reagimin e tij anashkaloi faktin se me ardhjen e kryeministrit Rama në pushtet, plani rregullues i ‘Bërishës’ është shfuqizuar.

“Ne kërkojmë thjesht transparencën e kontratës,” tha Himçi. “Nëse nuk ka asgjë për të fshehur atëherë pse mbahet e fshehtë kjo kontratë,” përfundoi ai.

Bardha Nergjoni
BIRN