Shqipëria do të pendohet për vendimin që mori për të dëbuar diplomatin rus nga Tirana, u shpreh zv/ministri i Jashtëm Aleksandër Grushko për ”RIA Novosti”. ”Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”,-komentoi Grushko.
Për më tepër ai tha se një nga parimet kryesore në diplomaci është reciprociteti. Kjo është hera e parë që një diplomat rus përjashtohet këtë vit, shkruan më tej media ”RIA”. Në vitin 2020, hapa të tillë u ndërmorën në Bullgari, Hollandë, Austri, Sllovaki dhe Republikën Çeke, mirëpo për akuza për spiunazh.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, shpalli person non grata një diplomat rus, pasi ka shkelur rregullat ndaj Covid-19. Diplomati që Shqipëria i kërkon të largohet nga vendi është Sekretari i Dytë i Ambasadës, Alexey Krivosheev. “Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Tirana tha se ky vendim do të perceptohet nga Moska si një masë e detyrueshme për të mbrojtur shëndetin dhe gjithashtu siguroi palën ruse për ndjenjat miqësore dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis vendeve.
Koha Jone
Krijoni Kontakt