INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore dhe polifonike, “Mjeshtre e Madhe”, Paro Ziflaj

- Kudo më kërkojnë këngë polifonike, kënga që na indetifikon si komb

Në rreth 55 vite në skenë kam kënduar rreth 450 këngë polifonike dhe 105 këngë popullore

- Në vite kam bashkëpunuar me kompozitorët Adrian Hila, Gramoz Kozeli, Genc Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban Hoxhaj

-Më këtë Pandemi shtëpinë e kam kthyer në studio muzikore

Albert Z. ZHOLI

Emri:  paro_ziflaj.jpg

Shikime: 1142

Madhësia:  33.7 KB

Edhe pse situatë Pandemie, Parua e ka kthyer shtëpinë në studio muzikore. Duke qenë njëkohësisht dhe kantautore ajo shkruan, këndon, hedh vija muzikore, duke e mposhtur këtë situatë. Tashmë ka gati disa këngë të cilat po i incizon me formacione të ndryshme muzikore. Në vitin 2016 nga Presidenti Nishani mora titullin “Mjeshtre e Madhe”. Në rreth 55 vite në skenë ka kënduar rreth 450 këngë polifonike, 105 këngë popullore. Si kantautore ka në repertor 100 këngë. Ka bashkëpunuar me kompozitorët Adrian Hila, Gramoz Kozeli, Genc Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban Hoxhaj, etj. Bashkëpunim me këngën popullore ka me grupin “Djemtë e Vjosës” dhe me këngëtarët Silva Gunbardhi, Dule Malindi, Adriana Kureta, etj. Kam qenë pjesëtare dy herë në “Maratonën e këngës Popullore” të organizuar nga TV ‘Klan’.


-Situatë e vështirë për artin, kryesisht për këngëtarët. Çfarë bën Parua në këtë situatë?

-Ne jemi mësuar me njerëz, me aktivitete, me koncerte. Jemi mësuar gjthmonë në lëvizje brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo situatë na ka izoluar por sërish unë nuk rri. Shtëpinë e kam kthyer në një studio, ku shkruaj tekste. Këndoj dhe ideoj këngë të reja mbi këto tekste, apo tekste të tjera që më sjellin njerëz të ndryshëm. Pra intesitetin e punës e kam normal, se kërkesa për këngë të reja kam shumë, por kryesorja është se më mungon publiku. Më mungojnë fansat. Më mungon skena. Tani kam gati disa këngë popullore, por edhe polifonike. Punoj edhe në stuio për këngë të veçanta duke ruajtur kushtet e Pandemisë. Dukem si një bilbil i mbyllur në kafaz, por që kënga më jep forcë dhe ide të reja.

-Cilët janë kompozitorët dhe këngëtarët që ke më shumë bashkëpunime dhe cila është tabloja e punës, apo më mirë të themi e arkivit tuaj 55-vjeçar në skenë?

-Në vite kam bashkëpunuar me kompozitorët Adrian Hila, Gramoz Kozeli, Genc Malaj, Vani Rushiti, Edmond Zhulali, Alban Hoxhaj, etj. Bashkëpunim me këngën popullore ka me grupin “Djemtë e Vjosës” dhe me këngëtarët Silva Gunbardhi, Dule Malindi, Adriana Kureta, etj...Në rreth 55 vite në skenë, kam kënduar rreth 450 këngë polifonike, 105 këngë popullore dhe si kantautore kam në repertor 100 këngë. Kam qenë pjesëtare dy herë në “Maratonën e këngës Popullore” të organizuar nga TV ‘Klan’. Në vitin 2016 nga Presidenti Nishani mora titullin “Mjeshtre e Madhe”. Pra ndihem e motivuar, me plot miq dhe mikesha, e rrethuar me ngrohtësi dhe kujdes. Kur ke miq të mire, fëmijë të mire, jeta bëhet e bukur. Dhe pse djalin e kam larg, ai me fëmijët e tij është në çdo minutë pranë meje, pasi mjetet e komunikimit janë të shumta dhe më duket sikur i kam në shtëpi në çdo kohë. Më mungon puthja në mëngjes e nipërve, por largësinë nuk e ndjej pasi në celular kam qindra foto dhe regjistrime me ta. Sot e rrethuar me kaq shumë miq më duket sikur vitet kanë ngelur në vend, sikur ato janë thjesht numra.

-Nga Tepelena në Tiranë. Pra keni kohë që jeni vendosur në kryeqytet, ju mungon Tepelena dhe si ndiheni sot në kryeqytet ku dhe morët titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe”?

-Ishte një lëvizje që e solli koha. Sot artistët e gjejnë veten më mirë në kryeqytet. Ndaj dhe unë e kam gjetur shumë mirë veten në Tiranë. Tepelena më mungon shumë, por arti do hapësirë, do komunikim do ambiente, ndaj mund të them se sot ndihem më mirë për artin këtu në kryeqytet këtu arti është shumë masiv. Tirana të krijon shumë mundësi për aktivitete. Tepelena është qytet i pastër, i bukur, me natyrë përrallore, me ujë kristal, me mish të rrallë, por i mungon pjesa aktive e artit. Unë pa art, pa muzikë nuk mund të rri. Të dyja në një kohë nuk mund t’i kesh, dhe Tiranën dhe Tepelenën. Por unë edhe në Tepelenë shkoj shpesh.

- Për çdo ditë këngëtare të reja.. A ka treg për të gjitha, apo vetëm për këngëtaret e bukura? Ke xhelozi ndaj të rejave që më shumë bien në sy për bukurinë?

– Koha ecën se ndalon dot. Me kohën ka dhe ndryshime dhe këngëtare të reja. Mund të them se secila kënëgtare e re në mënyrën e vet ka kërkesat e saj, ka simpatizuesit e saj. Pra tregu është i hapur dhe përderisa të gjitha këndojnë, do të thotë që tregu u ka hapur dyert. Asgjë nuk është e prerë me thikë në art. Arti ka shumë hapësira dhe ai që guxon dhe ka talent e gjen veten. Unë e pranoj konkurrencën dhe shumicën në treg. Nga ana tjetër dua të them, se çdo kush e do të bukurën. E bukura mbetet e bukur, mbetet joshëse. E kujt nuk i pëlqen e bukura? Edhe gjella më e thjeshtë po të jetë me një garniturë të bukur, po të jetë me një mënyrë të serviruri artistikisht hahet me ëndje. Personalisht i respektoj këto këngëtare. Ato nuk kanë zërin shumë të bukur, por janë shumë të bukura vetë. Pra plotësojnë atë që u mungon. Me këtë dua të them se do të ishte më mirë ti kishin të dyja, por zoti nuk ti jep të gjitha. Unë i respektoj këto femra. Asgjë nuk është perfekte. Ato guxojnë dhe përmirësohen.
-Keni një repertor për të patur zili, që rrallë këngëtare e kanë. Por për ju vetë cilat janë këngët më të preferuara që i kërkojnë Paros të këndojë në aktivitete, festa, dasma apo dhe në emisione të ndryshme?

Emri:  paro_ziflaj_polifoni.jpg

Shikime: 2727

Madhësia:  38.3 KB

-Unë kam këngët e mia të veçanta si në polifoni edhe në këngët popullore, por të them të vërtetën më shumë më kërkojnë polifoninë. Deri dje mendoja se polifonia është këngë e thjeshtë, këngë që nuk do shumë angazhim artistik. Por tani që kam kërkesa dhe në raste të veçanta nuk kam kthyesin, pritësin apo ata që mbajnë iso si duhet, shikoj se kënga stonon. Tek polifonia është kthyesi. Në polifoni rolin e kthyesit nuk e bën kushdo, madje ka rëndësi po aq sa marrësi. Rolin e kthyesit e bëjnë shumë pak, ata janë njerëz të lindur të trevës së Labërisë. Këta njerëz, këngëtarë të polifonisë mund ti gjesh në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër. Me ato karakteristika zëri të veçantë. Kthyesi luan atë rol që luan tastiera tek kënga e muzikuar, që do kohën kur të fillosh ose kur ta ndërpresësh këngën. Pra kthyesi luan rolin e ritmit të këngës si tastiera. Sot jam e bindur plotësisht se polifonia nuk bëhet pa kthyesin profesionist. Kthyesi është lezeti i këngës dhe këtë e kupton çdo njeri që e këndon polifoninë dhe që e ndjek atë në vijimësi. Kur fillon isua duket sikur nuk ka rol, por veshi i stërvitur e kap atë. Pra si ruhet ritmi i muzikës, ruhet dhe ritmi i polifonisë nga kthyesi, ndryshe nuk del polifonia. Nuk them se çdo kthyes duhet të jetë perfekt, por kur nuk është me ty gjithmonë, ai kthyesi profesionist, ti e ndjen që kënga nuk ecën si duhet, paçka që shumë nga publiku nuk e kupton. Pra ky është roli i kthyesit. Ai të jep kohën e duhur në polifoni nis nuk e kap kënga dështon, bllokohet kënga. Ajo, oooooooooooo-ja, e zgjatur të jep kohën, masën se kur duhet të hysh sërish në këngë. Pra të jep kohën e kalimit nga strofa në strofë. Këtu dua të them se janë të lidhur, marrësi, kthyesi, duhet të jenë në sinkron.
-Pra polifonia sot kërkohet po aq sa kënga popullore?

-Në zonën e Labërisë, po. Ndoshta është dhe ajo që shumica më njohin me ato këngë të dëgjuara, të bukura, të cilat kanë lënë gjurmë në këtë trevë. Shumë kanë nostalgji për të shkuarën, e kujtojnë me shumë dëshirë. Por unë këndoj me aq dëshirë dhe pathos si këngën popullore dhe polifoninë. Tek polifonia shkrihem, tek kënga popullore plotësoj veten.
-Ku është e kërkuar Parua jashtë?

– Unë kam qenë në shumë shtete të botës. Që nga Amerika, Italia, Gjermania, pa diskutuar Greqinë që jam si në shtëpinë time. Pra jam kudo e kërkuar dhe e mirëpritur, por nuk shkoj kudo. Ka vende të largëta që tashmë nuk i preferoj.
-Të kanë kërkuar në ndonjë vend të këndosh këngën e Enver Hoxhës “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”?

-Po, ma kanë kërkuar, por nuk e kam kënduar. Kënga është art kolektiv, unë shkoj në aktivitete me pjesëmarrje të madhe dhe kështu do të kishte qejfmbetje. Nuk dua të prish atmosferën. Secili ka dëshirat e veta dhe nuk dua ti lidh me politikën aktivitetet. E di që në rast se do e këndoj do ketë qefmbetje, madje dhe zënka.

-Je penduar që ke kënduar këtë këngë për Enver Hoxhën?
Asnjëherë. Unë jam artiste, nuk bëj politikë. Unë këndoj çka më ofrojnë dhe përbëjnë art. Preferencat janë individuale. Në atë kohë unë nxirja në pah vlerat artistike të grupit, të zërit dhe pak rëndësi ka kujt i këndoje. Por di që atë kohë, ajo këngë për vite të tëra u bë hit. Nëse dje do dilje në skenë dhe merrje duartrokitje, të nesërmen të jepnin këngë të vështira. Unë nuk bëja zgjedhje. Unë bëja art. Zgjedhjet i bënin të tjerët, drejtuesit. Ajo këngë ishte shumë e vështirë, jo kushdo mund ta këndonte. Pra e tillë ishte koha, e tillë ishte situata.

-Kam dëgjuar që Enver Hoxha ju ka përmendur në një vepër, e mbani mend çfarë ka cituar?

-Di që pas asaj kënge shumë miq dhe shoqe të Komitetit të Rinisë, më thoshin që Enveri ka shkruar për ty. Madje ka shkruar gjatë për grupin e Bënçës. Me atë çka ato më thonin, (se vetë nuk i kisha veprat) Enveri kishte shkruar pak a shumë kështu:
“Dëgjoj grupin e Bënçës. Aty është një vajzë dhe një djalë që i japin tonin grupit. Njëri ja merr dhe tjetri ja kthen këngës. Vallë të jenë burrë dhe grua? Jo! Të jenë motër e vëlla? Jo! Këta janë thjesht disa të rinj që i ka bashkuar kënga polifonike dhe këndojnë me zërin e shpirtit. Kënga e tyre të jep forcë, të bën të këndosh dhe ti me ta. Pra kanë zë qiellor.”

-Kush është komplimenti më i madh që ke marrë për këtë këngë?
-Janë shumë, por ajo që më ka mbetur në mendje është e një shoqeje që ma thoshte me zë të lartë, ti Paro je e veçantë, je e vetmja që ke bërë Enverin të qajë. Mund të thuhen shumë, mund të diskutohen shumë për atë kohë, por unë hodha shtat dhe u bëra këngëtare në atë kohë dhe nuk mund ta mohoj. Çdo sistem ka të mirat dhe të këqijat e veta, ndaj dhe unë nga ai sistem kam marrë anët më të mira. Vlerat e një epoke nuk mohohen, të tjerat i përjashtojmë me kohën.
-Po Nexhmije Hoxhën e ke takuar dhe çfarë të ka thënë?

-E kam takuar vetëm njëherë kur vajtëm për ta ngushëlluar pas vdekjes së Enverit. Erdhëm nga Tepelena në Tiranë. Kur na takoi Nexhmija na tha: Ju jam mirënjohëse, Enveri e dëgjonte shpesh këngët tuaj, jo vetëm këngën e tij, por tërë këngët e grupit tuaj. Këngët tuaja atë e rinonin. Ky ishte takimi i parë dhe i fundit.
–Klipi i fundit më i klikuar?

-Po. Klipi që është shumë i klikuar është “Nuse moj, t’u bëftë nëna”. ..dasmë s’kemi parë e s’kemi parë/ çifti pastë këmbën e mbarë … kam bërë dhe një këngë tjetër duet “Lart nga maja e malit” .

-Thonë që nga vokali Paro është si 30-vjeçe, ka ndonjë sekret?

-Jo, asnjë sekret. Zërin ma ka dhënë natyra, ma ka dhënë zoti. Unë mundohem ta ruaj. Pra për këtë vokal pëlqehen këngët e mia, për këtë vokal mua më ftojnë kudo. Tjetra është se unë kam dashuri për artin, për këngën. E adhuroj muzikën dhe i jap shumë dashuri dhe ajo ma shpërblen me të njëjtën monedhë. Të isha pak më e re në këto vite besoj se do kisha dhënë më shumë. Sot ka më shumë hapësira, ka lëvizje, ka mënyra të ndryshme të komunikimit dhe reklamës, ndaj po të isha e re besoj se do kisha më shumë rezultate. Pra do kisha bërë art të vërtetë.

-Si i mbani lidhjet me djalin në Holandë?

-Po sot komunikimi është i paanshëm. Flas disa herë në ditë. Ka dy djem që flasin shqip. Dhe pse ka nusen holandeze, fëmijët flasin njëlloj si gjuhën holandeze po ashtu dhe gjuhën shqipe. Kjo më gëzon shumë, se kur shkoj aty ose kur vijnë ata këtu, miremi mirë vesh, madje shumë mirë. Fëmijët dhe nusja e pëlqejnë shumë Shqipërinë. Vijnë çdo vit në Himarë, Ksamil, Sarandë. U pëlqen shumë bregdeti ynë. U pëlqen shumë Tirana, por më shumë dielli shqiptar. Pra kjo e diellit është specifike pasi aty është vend i ftohtë.
-Po Parua ka menduar ndonjëherë të jetojë në Holandë?

-Jo, kurrë. As e mendoj. Nuk e ndërroj Shqipërinë me asgjë. Këtu kam miqtë, farefisin, kam të afërm këtu, kam ata me të cilët punoj. Këtu kam këngën. E shumta kur shkoj qëndroj 15 ditë dhe mërzitem.
-Ju disa këngë i keni bërë vetë. Parua është dhe poete?

-Unë s’jam poete, por i dua poezitë, sepse ato janë tharmi i këngës, janë mjalti i këngës. S’mund të jetë kurrë e bukur një këngë që nuk ka tekst të bukur. Ajo mund të pëlqehet, por kurrë s’merr notat më të larta të vlerësimit. Ndaj dhe poetët janë udhërrëfyesit e këngës, e notës së saj.