Emri:  h-8.jpg

Shikime: 1139

Madhësia:  23.0 KB

Skulptori i njohur Arben Bajo, i cili ishte infektuar me Covid, ka ndërruar jetë sot në spital.
Bajo ndodhej në gjendje të rëndë dhe i intubuar te spitali Infektiv, ndërsa dje miqtë e tij bënë apel se 53 vjeçari ka nevojë urgjente për gjak.
Lajmi i trishtë për ndarjen e tij nga jeta, është bërë me dije nga miku i tij Arbër Kadia, i cili shkruan se Bajo nuk ia doli të fitojë betejën me Covid.
“Mëngjes i trishtë! Duararti Arben Bajo nuk i’a doli dot, fitoi Covid-19! Paqe e përjetshme për ty mjeshtër”, shkruan Kadia.
Arben Bajo, është skultori i njohur që riktheu Vaçe Zelën në vendlindjen e saj në qytetin e Lushnjes. Ai ka lindur në vitin 1967 në Gjirokaster, liceun e kreu në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë, (1988-1992). Ka hapur shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Bajo krijoi bustin e Vaçe Zelën të ulur në një stol, ndërsa në dorë mbante kitaren e saj. Ka krijuar skulptura të bukura të personaliteteve të tjera të panumërta shqiptare si At Zef Pllumi në Shëngjin, Asim Zeneli në Gjirokastër dhe Lef Noci në Elbasan dhe shumë të tjera.
Mjeshtri është i famshëm edhe për stilin e tij bashkëkohor. Ai numëron gjithsej nëntë ekspozita personale dhe dhjetëra bashkëpunime të tjera. Ajo që bie në sy menjëherë në veprat e tij është përqendrimi i tij në aspektin njerëzor, i përcjellur bukur në të dy anët e tij të prekshme dhe elastike. Skulptori ka jetuar për afro 14 vjet në Greqi, ku bashkëpunoi me muze të ndryshme, për 6 vite ka dhënë edhe mësim në një shkollë private, derisa në 2008-ën u kthye përfundimisht në Shqipëri.