BESIMI NË BOTËN E ARDHSHME
Me besimin në botën e ardhshme nënkuptohet besimi në tërë atë që na ka informuar All-llahu xhel-le shanuhu në Librin e Vet dhe Pejgamberi Tij në Hadithin e vet, për atë se çka do të ndodhë pas vdekjes, siç është: provimi dhe vuajtja ose kënaqë-sia në kabur (varr), ringjallja pas vdekjes, tubimi në një vend, parashtrimi i librit të veprave, llogaria, peshimi (matja) e vepra-ve, Havdi (Burimi), ura Sirat, shefa’ati, Xheneti, Xhehenemi dhe çdo gjë tjetër që All-llahu xhel-le shanuhu ka përgatitur në to për banorët e tyre.
THEKSIMI I VEÇANTË I KËSAJ BAZE TË BESIMIT NË KUR’AN DHE SHKAKU I KËSAJ
Kur’ani Madhështor shumë shpesh përmend botën e ardhshme, duke vërtetuar me kujdes në çdo vend ekzistimin e saj dhe në të gjitha rastet duke tërhequr vërejtjen në të, e gjatë tërë kësaj përdor metoda të ndryshme ligjërimi të gjuhës arabe.Një nga argumentet e theksimit të kësaj baze të besimit është ai se Kur’ani ndërlidh fuqimisht besimin në All-llahun xhel-le shanuhu me besimin në botën e ardhshme. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “...Mirësia është kur (njeriu)beson All-llahun, Ditën e Kiametit.” (El-Bekare: 177) “...Kushdo që beson All-llahun (si është urdhëruar) dhe jetën tjetër, e bën vepra të mira, për ata, me të vërtetë, ka shpërblim të Zoti i tyre; për ta nuk ka kurrfarë droje, e as mërzie!” (Bekare: 62) “Kështu këshillohet çdonjëri prej jush që beson All-llahun dhe Ditën e Kiametit.” (El-Bekare: 232) “Luftoni kundër aty që nuk besojnë All-llahun, as Ditën e Kiametit.” (Et-Teube: 29) “... Adhuroni vetëm All-llahun, shpresoni në Ditën e Kiametit (shpëtimin) dhe mos bëni keq në Tokë.” (El-Ankebut: 36)
Ekzistojnë edhe shumë ajete të tjera që flasin përkitazi me ketë. Se sa rëndësi te madhe i jep Kur’ani botës së ardhshme, shihet edhe nga ajo se sa shpesh përmendet. Gati nuk kalon asnjë faqe e Kur’anit e të mos flitet për botën e ardhshme dhe për atë se çka do të ndodhë në të, e tërë kjo përmes mënyrave të ndryshme të shpjegimit. Gjithashtu do të vëresh se Kur’ani i parashtron hollësisht detajet e fillimit të Ditës së Kijametit, që nuk ndodh me temat e ndryshme të gajbit.
EMRAT E DITES SE GJYKIMIT
Një nga argumentet është edhe shumësia e emrave me të cilët Kur’ani e quan atë, e çdo emër tregon një nga detajet e asaj Dite. Disa prej atyre emrave janël-Kijame(Ngritja, zgjimi), Es-Sa’a(Çasti), El-Ahireh (Bota tjetër), Jeumud-Din(Dita e fesë), Jeumul-Hisab (Dita e dhënies së llogarisë), Jeumul-Fet’h(Dita e fitores), Jeumul-Telak (Dita e takimit), Jeumul-Xhem’(Dita e tu-bimit), Jeumul-Tegabun (Dita e vetëmashtrimit), Jeumul-Hulud(Dita e amshimit), Jeumul-Hasre (Dita e pendimit), Jeumul-Tenad(Dita e thirrjes), El-Azife (Kiameti), Et-Tamme (Vështirësia, Mynxyra), El-Sahha (Zëri shurdhues), El-Hakka (Çasti i pashmangshëm), El-Gashije(Mynxyrë e rëndë), El-Vaki’a (Ndodhia) etj.[1]Ndërsa shkaku i dhënies rëndësi kaq të madhe kësaj baze të besimit është seesimi në botën e ardhshme ka ndikim të madh në jetën e njeriut. Imani (besimi) në botën e ardhshme dhe në çdo gjë që do të ndodhë në të: Xheneti, Xhehenemi, dhënia e llogarisë, ndëshkimi dhe shpërblimi, shpëtimi dhe dështimi, në mënyrë efikase ndikoj në drejtimin e njeriut, në disiplinën e tij gjatë jetës në këtë botë, në kryerjen e veprave të mira dhe në ruajtjen e imperativit të devotshmërisë. Ekziston një dallim i pakrahasueshëm ndërmjet dy njerëzve: atij që nuk i beson ringjalljes pas vdekjes, as dhënies së llogarisë për veprat dhe fjalët e veta dhe nuk udhëhiqet nga asgjë gjatë veprimeve të veta, përveçse nga interesi personal dhe nga leverdia personale, dhe atij i cili beson se do të vijë dita kur do të pyetet për veprat dhe fjalët e veta para Gjykatësit më të drejtë, e do të shpërblehet për veprat e mira ose do të ndëshkohet për veprat e këqija. I pari, gjithsesi është jashtë çdo kontrolli, përveç kontro-llit të pasioneve dhe lakmive të veta dhe qëllimi i tij është tërësisht egoist; ai arsyeton të gjitha mjetet dhe sjelljet pa marrë parasysh sesa të dëmshme janë ato. Ndërsa i dyti është i kufizuar në kufijtë e së vërtetës dhe së mirës, e këto janë gjëra të cilat atë ditë do ta kenë peshën dhe vlerën e vet tek All-llahu xhel-le shanuhu. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “Peshimi (i veprave) atë Ditë do të jetë i drejtë, atij që i rëndohet terezia me vepra të mira, do të jetë i lumtur; kurse atij që i lehtësohet terezia me vepra të mira, ai do ta humbë veten, për shkak se i ka mohuar argumentet Tona.” (El-A’raf: 8-9). Për këtë, në shumë vende, tregon edhe metoda se si Kur’ani lidh kryerjen e veprave të mira me besimin në botën e ardhshme: -“A e di ti për atë që e përgënjeshtron Ditën e Llogarisë? E ai është që ashpër i dëbon bonjakët dhe nuk nxiton t’i ushqejë të varfërit.” (El-Ma’un: 1-3) -“Xhamitë e All-llahut i mirëmbajnë vetëm ata që i besojnë All-llahut dhe botës tjetër...” (Et-Teube: 18)
-“Nga ti nuk do të kërkojnë leje për të mos luftuar me pasurinë dhe trupin e tyre ata që besojnë All-llahun dhe Ditën e Kiametit. E All-llahu i di mirë ata që ruhen nga mëkatet. Nga ti do të kërkojnë leje vetëm ata që nuk besojnë në All-llahun dhe në Ditën e Gjykimit dhe ata zemrat e të cilëve dyshojnë. Ata luhaten në dyshimin e vet.” (Et-Teube: 44-45)
-“Njerëzit që besojnë All-llahun dhe Ditën e Kiametit nuk duhet të ushqejnë dashuri ndaj atyre që kundërshtojnë All-llahun dhe Pejgamberin e Tij.” (El-Muxhadele: 22) “Me të vërtetë, ky ka qenë shembull i mirë për ju, për ata që shpresojnë në All-llahun dhe në Ditën e Kiametit.” (Mumtehine: 6) “... Kjo është këshillë për ata që i besojnë All-llahut dhe Ditës së Kiametit.” (Et-Talak: 2) “... Ata që besojnë në jetën e ardhshme besojnë edhe në të (Kur’an).” (El-En’am: 92)
Ekzistojnë edhe shumë ajete të tjera që flasin për këtë.
Meqenëse njeriu gjithmonë synon t’i përmbushë interesat e veta dhe të largojë çfarëdo dëmi prej vetes, besimi në botën e ardhshme e nxit vetëkontrollin e tij dhe prirjen për të bërë vepra të mira, duke e larguar të keqen. Për këtë shkak, Kur’ani shpeshherë dhe me kujdes të madh përkujton ahiretin, e pasqy-ron dhe e prezanton atë në mënyra të ndryshme, në mënyrë që kjo ndjenjë (vetë-kontrolli) të zmadhohet në zemrën e njeriut dhe ndikimi i tij të rritet.
Shkaku pse Kur’ani thekson shpesh ngjarjet në ahiret, me siguri është ngaqë njerëzit shpeshherë e harrojnë atë dhe nuk i japin rëndësi, për shkak të lojalitetit të madh ndaj jetës së kësaj bote dhe nga dashuria ndaj kënaqësive të kësaj bote. Prandaj, besimi në botën e ardhshme, me të gjitha kënaqësitë dhe ndëshkimet që do të jenë në të, e zbut dëshirën e tepruar për kënaqësitë e kësaj bote dhe njerëzit bëhen të vetëdijshëm se të gjitha kënaqësitë e kësaj bote nuk meritojnë çfarëdo mundimi, qoftë dhe nxitimi për to, ngase ajo që e meriton që për shkak të saj të bëjmë gara është ajo që na ka përgatitur All-llahu xhel-le shanuhu në botën tjetër. Lidhur me këtë All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“O besimtarë! Ç’keni që ngurroni, - thuajse jeni ngjitur përtokë - kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e All-llahut!” A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së përhershmes (të amshue-shmës) E, kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër - është shumë e vogël.” (Et-Teube: 38)
Shkaku i përmendjes së shpeshtë të ahiretit me siguri është edhe fakti se, edhe sot e kësaj dite, ky nxit te jobesimtarët dhe kafirët çudi dhe habi, për shkak se kjo i kundërvihet asaj që ata shohin me shqisat e tyre të kufizuara e çka paraqet (sipas tyre) të kundërtën e ringjalljes pas vdekjes. Ata, bie fjala, shohin se trupi i njeriut shndërrohet në pluhur, e si të ringjallet pastaj? Për të tillët All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Kaf. Pasha Kur’anin e Madhërishëm! Ata janë çuditur që nga mesi i tyre u ka ardhur një paralajmërues, e, mohuesit thanë: “Kjo gjë është e çuditshme: vallë, a pasi të vdesim e të bëhemi dhe (do të ringjallemi)? Ky kthim nuk mund të paramendohet!” (Kaf: 1-3)
All-llahu xhel-le shanuhu u përgjigjet atyre në shumë ajete (disa do t’i përmendim më vonë) se shqisat, në bazë të të cilave ata refuzojnë këtë fakt, janë të papërkryera dhe të paafta të shohin këtë, edhe pse ekzistojnë shumë shembuj në jetën e njeriut të cilat udhëzojnë në ringjalljen pas vdekjes, por, nuk janë të verbër sytë, po të verbëra janë zemrat që gjenden në kraharor.
ARGUMENTET E BESIMIT NË BOTËN E ARDHSHME DHE PËRGJIGJA NDAJ DYSHIMIT TË JOBESIMTARËVE
Se duhet besuar në botën e ardhshme provojnë Kur’ani, Hadithi i Pejgamberit alejhis-selam, mendja njerëzore dhe karak-teri (natyra) korrekt. All-llahu xhel-le shanuhu shpeshherë përmend besimin në botën e ardhshme dhe sjell argumente për të dhe në shumë vende i përgjigjet dyshimeve të jobesimtarëve për botën e ardhshme. Gjithashtu, Kur’ani i përshkruan imtësisht ngjarjet e Ditës së Kijametit, që nuk ndodh me asnjë Libër të mëparshëm, edhe pse çdo Pejgamber që ka dërguar All-llahu xhel-le shanuhu e ka sihariquar popullin e vet me lajme të gëzuara për këtë Ditë dhe ua ka tërhequr vërejtjen për mynxyrat e saj. Prandaj, çdonjëri që mohon këtë a dyshon në të konsiderohet si jobesimtar. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“All-llahu është Një, i Vetëm - i Pashoq. Ai me të vërtetë do t’ju tubojë në Ditën e Kiametit, Për këtë nuk ka dyshim fare! E kush është në fjalë më i drejtë se All-llahu?” (En-Nisa’: 87) “Mirësia nuk është kthimi i fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është kur (njeriu) beson All-llahun, Ditën e Kiametit...” (El-Bekare: 177)
“... E ai që nuk beson All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, Pejgamberët e Tij dhe Ditën e Kiame-tit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” (En-Nisa’: 136)
Kur’ani na informon se profeti Nuhu alejhis-selam i ka thënë popullit të vet:
“All-llahu ju ka krijuar nga toka (dheu) ashtu si bimët, pastaj ju kthen në të dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë.” (Nuh: 17-18)
E profeti Ibrahimi a. s.thotë: “Dhe i Cili, shpresoj, se do të m’i falë gabimet e mia në Ditën e Kiametit!” (Esh-Shu’ara’: 82)
E profeti Musa alejhis-selam ka thënë: “Çasti i ringjalljes do të arrijë me siguri - dhe Unë pothuaj e mbaj të fshehtë atë - kur secili sipas angazhimit të vet i shpërblyer apo i ndëshkuar do të jetë. Andaj, le të të mos shmangë ty assesi nga besimi në të ai që nuk i beson kësaj dhe që jepet pas epsheve të tij, e të humbasësh” (Ta Ha: 15-16)
All-llahu xhel-le shanuhu në shumë vende të Kur’anit i ka urdhëruar Pejgamberit të Vet, Muhammedit alejhis-selam, që të përbetohet me Të për njëmendësinë e ringjalljes pas vdekjes: “Mohuesit kujtojnë se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: “Po, pasha Zotin tim, pa tjetër do të ringjalleni dhe pastaj do të informoheni se ç’ keni punuar!” E kjo për All-llahun është lehtë!” ( Et-Tegabun: 7)
Ata që mohojnë ringjalljen i përgënjeshtrojnë të gjithë Pejgamberët, për sinqeritetin e të cilëve dhe për tërë atë që kanë thënë ekzistojnë argumente të pakontestueshme racionale dhe shqisore. Prandaj, të konsiderohet i rrejshëm cilido lajm që kanë sjellë ata, do të thotë mospërfillje globale e arsyes e cila ka nxjerrë konkluzion për sinqeritetin e tyre dhe përgënjeshtrim i vetë asaj (arsyes), që gjithsesi paraqet kokëfortësi pa kurrfarë kuptimi.
Mohuesit e ringjalljes nuk kanë kurrfarë argumenti për mohimin e tyre, ngase kjo është çështje e gajbit (të padukshmës), të cilin nuk e di askush përveç All-llahut xhel-le shanuhu. Dhe, rregull i përgjithshëm i gjërave që i përkasin gajbit është se askush nuk është në gjendje që t’i argumentojë a t’i mohojë këto, përveçse në një mënyrë të vetme - me lajmërimin e All-llahut xhel-le shanuhu përkitazi me të. E, ai i cili zotëron argumente të pakontestueshme se ka pranuar Shpalljen nga All-llahu xhel-le shanuhu, ai gjithsesi është tërësisht i sinqertë për atë që transmeton për ndonjë gjë të gajbit.[2] Ky sinqeritet është vërtetuar vetëm te Pejgamberët fisnikë. Këta janë ata të cilët All-llahu xh. sh. i ka përkrahur dhe i ka forcuar me mu’xhize dhe u ka zbuluar diçka nga bota e gajbit, e tanimë kemi thënë se të gjithë ata kanë folur për botën e ardhshme.
Mirëpo, ata që e mohojnë ringjalljen theksojnë disa dyshime për ekzistimin e botës së ardhshme, duke thënë, për shembull, se është larg mendjes dhe i pamundur kthimi i sërishëm në jetë pasi të jenë bërë një herë hi e pluhur. Ata patën thënë atë që All-llahu xhel-le shanuhu thotë për ta: “Vallë. a pasi të vdesim e të bëhemi dhe (do të ringjallemi)? Ai kthim është larg (mendjes e mundë-sisë)!” (Kaf: 3)
“E, ata thonë: “Ekziston vetëm jeta jonë në këtë botë, vdesim dhe jetojmë, e vetëm koha na shkatërron. Ata për këtë nuk kanë kurrfarë dijenie, ata vetëm parafytyrojnë ashtu.” (El-Xhathije: 24)
Pra, të gjitha dyshimet e tyre mbështeten në konstatimin se ringjallja është e largët, e pamundshme dhe e çuditshme.
All-llahu xhel-le shanuhu është përgjigjur në këto dyshime dhe në shumë vende të Kur’anit e ka sqaruar pathemelësinë e tyre. U ka sqaruar se arsyeja nuk e mohon besimin në ringjallje, porse e pranon atë dhe se ringjallja nuk është në kundërshtim me atë që është e zakonshme, por ajo posedon shembujt e vet në jetën e kësaj bote dhe për këtë dëshmojnë shumë dukuri natyrore, të cilat gjithashtu janë vepra të All-llahut xhel-le shanuhu.
1 - All-llahu xhel-le shanuhu thotë:“Ata thonë: “Vallë, kur të bëhemi eshtra dhe pluhur, a do të ringjallemi në krijesa të reja?” Thuaj: “Po, edhe sikur të jeni gurë ose hekur, ose çfarëdo krijese qoftë për të cilën mendoni se nuk mund të ringjallet.” Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë ne në jetë?” Thuaj: “Ai që ju ka krijuar herën e parë.” E ata do të tundin kokat e tyre nga ti (duke të përqeshur) e do të thonë: “Kur është ajo (ringjallja)?” Ti thuaj: “Ndoshta së shpejti!” Atë ditë kur do t’ju thërrasë Ai, e do t’i përgjigjeni duke iu falënderuar Atij dhe do të mendoni se në këtë jetë nuk keni qëndruar veçse pak kohë”. (El-Isra’: 49-52)
Shikoji vetëm dyshimet dhe pyetjet që bëjnë mohuesit e ringjalljes në të gjitha kohët, e do të shohësh se ato sillen rreth asaj që ata e konsiderojnë si të pamundshme (nga All-llahu xhel-le shanuhu) se hiri dhe pluhuri, në çka do të shndërrohen trupat e njerëzve, do të shndërrohen në krijesa të reja që do të ecin dhe do të ndiejnë. Ata mendojnë se kjo është përtej fuqisë së All-llahut xhel-le shanuhu dhe konsiderojnë se kjo është e largët, ngase nuk dinë se kur do të ndodhë kjo.
Siç po e sheh, të gjitha dyshimet e tyre rrjedhin nga mosnjohja e realitetit të jetës dhe vdekjes, nga mosnjohja e fuqisë së All-llahut xhel-le shanuhu dhe nga mospërfillja e argumentit të qartë të kësaj fuqie absolute, që mund të krijojë nga hiçi. E, do të mjafton-te të jenë të arsyeshëm, t’u përkujtohet fuqia e All-llahut kur i krijoi herën e parë, pasi ishin hiç, e të bëhen të sigurt në vërtetë-sinë e Sunduesit kur i informon ata për ringjalljen e sërishme, për dhënien e llogarisë, për shpërblimin dhe ndëshkimin. Pra, çështja është e thjeshtë e përgjigjja shembullore, e njëkohësisht e thjeshtë dhe bindëse. Sepse, njeriu e di se është krijuar edhe pse nuk ka ekzistuar më parë. Pra, duhet të ekzistojë krijuesi i cili e ka krijuar, kur ai nuk ka ekzistuar më parë. Pastaj, me vdekjen e tij, është shndërruar nga një gjendje në tjetër dhe duhet të ekzistojë faktori i këtij ndërrimi. Gjithsesi, ky nuk mund të jetë askush tjetër përveç All-llahut xhel-le shanuhu, i Cili e ka krijuar herën e parë, ngase, sikur ta kishte bërë këtë dikush tjetër, atëherë ai do të ishte në gjendje që edhe ta shpëtojë nga vdekja. Prandaj, çdo polemizim rreth asaj se a mundet Krijuesi, Dhuruesi i jetës dhe i vdekjes, - kur thotë se do ta ringjallë njeriun edhe për të dytën herë dhe do t’ia kthejë pamjen dhe figurën e tij - ta bëjë këtë me të vërtetë, është vetëm inatosje dhe kryelartësi.
All-llahu xhel-le shanuhu thotë:“Thuaju (atyre): “All-llahu ju ngjall (ju jep jetën), pastaj ju vdes, e mandej do t’ju tubojë në Ditë e Kiametit; në këtë nuk ka kurrfarë dyshimi, por (këtë) shumica e njerëzve nuk dinë.” (El-Xhathije: 26)
2 - All-llahu xhel-le shanuhu thotë:“Dhe ai na sjell shembull, e harron krijimin e vet. (thotë) “Kush do t’i ngjallë eshtrat duke qenë ato të kalbura (shkapërderdhura)?” Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi herën e parë; Ai i di të gjitha ato që i ka krijuar, (Ai) i Cili e bëri për ju - prej drurit të njomë - zjarrin dhe ju prej tij ndezni. Vallë, a nuk është i fuqishëm Ai që krijoi qiejt dhe Tokën të krijojë qenie të ngjashme (të ringjallë pas vdekjes)? Po, me të vërtetë, Ai është Krijues i çdo gjëje dhe Ai është i Gjithëdijshëm.” (Ja Sin: 78-81)
Komentuesi i Tahaviut, duke i komentuar këto ajete, thotë: “Sikur dikush ndër më të njohurit, me oratori më të madhe dhe me shkathtësi hulumtimi do të bënte përpjekje që të vijë me argument më të mirë se ky, apo të ngjashëm me të, sipas fjalëve që do t’i përngjanin këtyre fjalëve, sipas koncizionit dhe qartësisë së argumentimit, nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë. All-llahu xhel-le shanuhu e fillon këtë argumentim me pyetjen të cilën e parashtron jobesimtari dhe kërkon përgjigje duke harruar se si është krijuar. Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu për-mbajnë përgjigje dhe argument të mjaftueshëm, saqë nuk ka vend më për dyshim. E kur All-llahu xhel-le shanuhu ka dashur ta vërtetojë argumentin dhe ta arsyetojë edhe më, atëherë ka thënë: “Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi herën e parë”, duke marrë krijimin nga hiçi si argument të fuqisë për rikthimin në gjendjen e përparshme. Pra, duke argumentuar krijimin e parë me mundësinë e krijimit të sërishëm, ngase çdo njeri i arsyeshëm e di se ai i cili ka mundur të krijojë diçka për herë të parë, ai mund të krijojë edhe për herë të dytë, e nëse nuk është në gjendje të krijojë për herë të dytë, atëherë as që do të jetë në gjendje të krijojë për herë të parë. E pasi që akti i krijimit kërkon fuqinë e krijuesit për krijimin e krijesave dhe njohjen e të gjitha pjesëve të krijesave të veta, All-llahu xhel-le shanuhu vazhdon: “dhe Ai është i Gjithëdijshëm”. Ai i di të gjitha detajet lidhur me krijimin e parë, pjesët e materies dhe të formës. Njësoj është edhe me krijimin e dytë. E, nëse Sunduesi posedon dituri të përsosur dhe të plotë, atëherë si të mos jetë në gjendje t’i ngjallë eshtrat e kalbura!? Pastaj këtë e konfir-mon me argument të pakundërshtueshëm dhe të qartë, i cili në vete përmban përgjigjjen e pyetjes së jobesimtarit tjetër, i cili thotë: “Kur eshtrat shndërrohen në pluhur, atëherë ato bëhen të thata dhe me natyrë të ngurtë, ndërsa është e njohur se mbartësi i jetës duhet të jetë me natyrë të ngrohtë dhe të lagësht (të njomë).” E All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “(Ai) i Cili e bëri për ju - prej drurit të njomë - zjarrin dhe ju prej tij ndezni.” All-llahu xhel-le shanuhu na informon për nxjerrjen e kësaj substance (zjarrin) jashtëzakonisht të nxehtë (të thatë) nga drunjtë e njomë, i cili është plot lagështirë dhe i ftohtë. Prandaj, Ai i Cili prej diçkaje nxjerr diçka tërësisht të kundërtë dhe të Cilit i nënshtrohen të gjitha krijesat dhe pjesët përbërëse të tyre, gjë që nuk paraqet kurrfarë vështirësie për Të, atëherë Ai është në gjendje që me të vërtetë të bëjë atë që mohojnë jobesimtarët. Çdo njeri i arsyeshëm është i vetëdijshëm se ai që është në gjendje të bëjë diçka të madhe dhe të komplikuar, gjithsesi është në gjendje të bëjë diçka më të thjeshtë dhe më të lehtë. Ai i cili është në gjendje ta mbajë peshën njëtonshe, ai gjithsesi e ka shumë më lehtë ta mbajë një barrë më të lehtë. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “Vallë, a nuk është i fuqishëm Ai që krijoi qiejt dhe Tokën - të krijojë qenie të ngjashme (të ringjallë pas vdekjes)?” Pra, Ai i Cili i ka krijuar qiejt dhe Tokën, madhësinë e tyre, rolin e tyre dhe mënyrën mrekulluese të funksionimit të tyre, Ai gjithsesi e ka shumë më lehtë t’i ngjallë eshtrat e shndërruara në pluhur dhe t’i rikthejë në gjendjen e tyre të mëparshme.[3]127
3 - All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen (pas vdekjes), dijeni se Ne ju kemi krijuar ju prej dheut (Ademin), pastaj prej pikës së farës (spermës), pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej (copëzës) mishit (embrionit) me pjesë (gjymtyrë) të dukshme e të padukshme, për t’ju treguar juve (fuqinë Tonë).Dhe Ne, e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim ju si fëmijë; e pas kësaj, do të arrini ju (fuqinë) më të madhe. disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në kufirin më të ulët të jetës, që të mos dijë asgjë nga ajo që ka ditur më parë. Dhe, ti, e sheh tokën e thatë, e kur Ne lëshoj-më ujin (të reshu-rat) në të, ajo lëkundet dhe gufon, dhe mbijnë (rriten) gjithfarë lloj bimësh të mrekull-ueshme, meqë All-llahu ekziston, dhe Ai është i fuqishëm për t’i ngjallur të vdekurit, dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë, dhe, ngase, me të vërtetë Dita e Kiameti do të vijë. Për të s’ka dyshim dhe që, në të vërtetë, All-llahu do t’i ringjallë ata që janë në varre (të vdekurit).” (El-Haxhxh: 5-7)
Kundroji mirë këto ajete të madhërishme nga surja Haxh. Në to do të gjesh argumentet për ringjalljen pas vdekjes dhe shenjat e qarta për fuqinë e All-llahut që t’i ngjallë të vdekurit. Këto argumente zhdukin nga zemrat çdo dyshim për këto çësht-je, duke larguar çdo çuditje, dhe i rrëzojnë të gjitha dyshimet e jobesimtarëve:
a) - Para së gjithash ato përmbajnë argumentin e krijimit të të gjitha krijesave, ndërsa njerëzit janë krijuar nga dheu, ku nuk ekzistojnë kurrfarë shenjash jete. Për këtë argument tanimë kemi folur.
b) - Me anë të këtyre ajeteve shprehet një aspekt i fuqisë së All-llahut xhel-le shanuhunëpërmjet krijimit të njeriut dhe kalimit të tij nga një fazë në fazën tjetër, e cila ndryshon tërësisht nga ajo e para, e kështu me radhë. Me të vërtetë, Ai që e ka kaluar nga faza e një pike të farës në fazën e droçkave të gjakut, pastaj në fazën e një copëze mishi, pastaj ia ka formuar të dëgjuarit dhe të parët, pastaj i ka vënë shqisa, i ka dhënë fuqi, eshtra, nerva, e të tjera. Ai pastaj e ka përsosur qenien e tij në mënyrën më të mirë dhe e ka nxjerrë në këtë formë dhe pamje, që paraqet formën dhe pamjen më të bukur. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun në formën (harmoninë) më të bukur.” (Et-Tin: 4)
A thua vallë, Ai i Cili i ka bërë të gjitha këto, nuk është në gjendje ta ringjallë njeriun dhe t’ia kthejë jetën? E kjo nuk paraqet asgjë tjetër veçse kalim prej një faze në fazë tjetër, e këtë e vëren edhe fanatiku në vetvete dhe te çdo njeri tjetër në këtë botë.
Nje mendimtar i Islamit S.K- rahimehull-llahu - pas komentimit të ajeteve të cekura, na ka tërhequr vërejtjen për një porosi shumë të rëndësishme të tyre: “...dhe se këto faza, nëpër të cilat kalon embrioni, e pastaj fëmija, pasi ta ketë parë dritën, na mësojnë se ky vullnet që drejton këtë do ta shpie njeriun gjersa ky ta arrijë përsossmërinë e plotë në shtëpinë e përsos-smërisë, e duke qenë se njeriu nuk mund të arrijë përsossmërinë gjatë jetesës në këtë botë, sepse ai ngec në të, e pastaj kthehet (...në mënyrë që së shpejti të harroni atë që dini), është nevoja për botën e ardhshme, ku do të përkryhet personaliteti i njeriut.”
Këto etapa, nëpër të cilat kalon njeriu, provojnë në dy mënyra ringjalljen pas vdekjes. Ato provojnë ringjalljen nga aspekti i faktit se ai i cili ka qenë në gjendje të krijojë nga hiçi, gjithsesi është në gjendje përsëri ta rikthejë në jetë. Dhe provojnë ringjalljen me atë që “vullneti sundues” do ta përsosë zhvillimin e njeriut në botën e ardhshme.
Pra, shohim se si takohen ligjet e krijimit me ligjet e kthimit të sërishëm, ligjet e jetës me ligjet e ringjalljes dhe ligjet e llogarisë me ligjet e ndëshkimit ose të shpërblimit. E tërë kjo dëshmon për ekzistimin e Krijuesit udhëheqës, në për-hershmërinë e të Cilit nuk ka kurrfarë dyshimesh.”[4]Përmes kuvendimit për fazat e njeriut dhe krijimin e tij nga pika e farës dhe droçkave të gjakut, shënojmë edhe një vërejtje, me të cilën dëshirohet t’u tërhiqet vëmendja atyre të cilët me kokëfortësi refuzojnë të besojnë në ringjallje, se ajo pasqyrohet në vetveten e tyre dhe te çdo njeri, ngase ai, para se të bëhet vërtet krijesë, ka qenë vetëm një pikë lëngu pa kurrfarë vlere, pastaj droçkë gjaku, pastaj mish i paformësuar. Të gjitha këto janë faza të ulëta, në të cilat njeriu është pothuajse tërësisht i vdekur. Mirëpo, pas kësaj All-llahu xhel-le shanuhu ia jep jetën, e formëson dhe e pajis me nevojat elementare për jetë, derisa, në fund, rritet në njeri të kompletuar, që mendon, ndien, bën polemizime dhe diskutime. A nuk i ngjan kjo vepër e All-llahut xhel-le shanuhungjalljes së të vdekurve, të cilën nuk e besojnë mohuesit e ringjalljes? Prandaj All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“A s’ka qenë njeriu së pari pikë fare (sperme) që hidhet lehtë, pastaj u bë gjak i droçkuar, nga i cili Ai (All-llahu) e ka krijuar dhe e ka formuar të plotë, dhe prej tij i bëri çiftet: mashkullin e femrën, e, vallë, Ai Krijues, a nuk ka fuqi edhe t’i ngjallë të vdekurit?” (Kijame: 37-40)
c) - Në ajetet e cituara gjendet edhe një argument për fuqinë e All-llahut xhel-le shanuhu që t’i ngjallë të vdekurit. Në tokë të thatë, në të cilën nuk sheh asnjë gjurmë të jetës dhe nuk mbin asgjë, pasi All-llahu xhel-le shanuhu lëshon shiun mbi të, paraqitet jeta, mbijnë bimë lloj-lloj ngjyrash, shijesh, aromash dhe për qëllime të ndryshme. Lidhur me këtë All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“E, s’ka dyshim se Ai që e ngjall atë, do t’i ngjallë edhe të vdekurit, sepse Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Fussilet: 39)
E kanë pyetur Pejgamberin alejhis-selam “Si do t’i ngjallë All-llahu xhel-le shanuhu të vdekurit? Dhe kush është argument për këtë në krijesat e tij? Pejgamberi alejhis-selam është përgjigjur: “A nuk ke kaluar ndonjëherë pranë luginës që ka pësuar nga thatësira?” Tha: “Po.” “E pastaj një herë tjetër ke kaluar pranë saj dhe e ke parë se ajo është plot gjelbërim?” Tha: “Po, e kam parë.” “Kësh-tu All-llahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe kjo është shenjë e Tij në mesin e krijesave të Tij.”[5]
4 - All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Mos vallë, keni menduar se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do ktheheni te Ne?” (El-Mu’minun: 115)
“Vallë, a mendon njeriu se do të lihet në vullnet të vet (pa përgjegjësi)?” (El-Kijame: 36)
Këto dy ajete, dhe të tjerat të ngjashme me këto, vërtetojnë se besimi në ringjallje, në llogari dhe në ndëshkim a shpërblim, është pjesë e përbërëse e besimit në cilësitë e përsosmërisë dhe në emrat e bukur të All-llahut xhel-le shanuhu. Kjo bazë është e lidhur ngusht me bazën e parë të emrave, prandaj ai që e mohon këtë bazë, ai nuk e beson All-llahun xhel-le shanuhu, ngase kjo në mënyrë të pashmangshme shpie në mohimin e urtësisë së All-llahut xhel-le shanuhu, të drejtësisë së Tij në krijim dhe shpie nga mohimi i cilësive të Tij.
Gjithashtu, nga mohimi i ringjalljes rezulton edhe nënçmimi i vetë njeriut, sepse ai konsideron se është krijuar më kot, e jo nga urtësia e madhe, se ekzistenca e tij është e kufizuar vetëm me jetën e shkurtër të kësaj bote, e cila është përplot me vështirësi, mynxyra, fatkeqësi, padrejtësi, krime dhe mëkate. Konsideron se ai është i lënë vullnetit të vet dhe se dhunuesi nuk do të jetë i ndëshkuar për krimet e tij, as i drejti nuk do të shpërblehet për drejtësinë e tij, e as shkatërruesi nuk do të ndëshkohet për veprën e tij.
Pra, ringjallja pas vdekjes pikërisht i përgjigjet madhërisë së All-llahut xhel-le shanuhu dhe drejtësisë e urtësisë së Tij. Kështu konkludon arsyeja njerëzore, siç e pranon edhe natyra e paturbulluar e njeriut.[6]
HOLLËSITË E BESIMIT NË BOTËN E ARDHSHME
Besimi në botën e ardhshme është nga bazat më të rëndësishme të imanit dhe ky nuk do të realizohet e as do të plotësohet përderisa nuk përfshihen edhe këto dy gjëra:
E para: Që njeriu të besojë në botën e ardhshme përgjithësisht. E ky është minimumi që duhet të realizohet në mënyrë që të zotërohet themeli i imanit.
E dyta: Që të besojë tërë atë që na ka informuar Pejgamberi i All-llahut për ndodhitë pas vdekjes. Në faqet vijuese do të shqyrtojmë gjërat më të rëndësishme për të cilat na flasin ajetet kur’anore dhe hadithet autentike.
1 - Sprovimi në varr dhe marrja në pyetje nga engjëjt
Jemi të obliguar të besojmë në tërë atë për të cilën na ka informuar Pejgamberi alejhis-selam lidhur me sprovimin dhe pyetjet e dy engjëjve ndaj çdo njeriu për Zotin e tij, për fenë e tij dhe për Pejgamberin e tij. Pejgamberi alejhis-selam na ka informuar, me anë të haditheve autentike, se njerëzit do të pyeten në varret e tyre dhe se çdonjërit prej tyre do t’i thuhet: “Kush është Zo-ti yt? Cila është feja jote? Kush është Pejgamberi yt?” Besimtari do të përgjigjet: “Zoti im është All-llahu, feja ime është Islami, ndërsa Muhammedi është Pejgamberi dhe Lajmëtari im.” Ai i cili është i hutuar do të përgjigjet: “Nuk e di, i dëgjoja njerëzit se diçka shqiptonin, andaj shqiptoja edhe unë”, pastaj do të rrihet dhe mundohet.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “Mu në këtë çast pashë tërë atë që nuk më është treguar gjer më tani, madje e pashë Xhenetin dhe Xhehenemin dhe më është shpallur se ju do të jeni të sprovuar në varret tuaja, me një sprovim që do të jetë i ngjashëm me sprovimin e Dexhalit. Çdonjëri prej jush do të pyetet: “Ç’di ti për këtë njeri?” Besimtari - mu’mini ose mukini - do të përgjigjet: “Ky është Muhammedi, i Dërguari i All-llahut. Na ka ardhur me argumentin e qartë dhe me Udhëzimin, e ne i jemi përgjigjur dhe e kemi pasuar atë. Ai është Muhammedi (tri herë)” Pastaj do t’i thuhet: “Fli i qetë, ne e kemi ditur se ti fuqimisht i ke besuar atij.” E, për sa i përket munafikut, ai do të thotë: “Nuk di, i dëgjoja njerëzit se shqiptonin diçka, andaj edhe unë shqiptoja.”[7]
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enes bin Maliku radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “Kur njeriu vendoset në varr e largohen të pranishmët - e ai i dëgjon mirë rropatjet e këpucëve të tyre - do t’i vijnë dy engjëj e do ta vendosin ulur, e pastaj do ta pyesin: “Çka mendon ti për këtë njeri?” Për sa i përket besimtarit, ai do të thotë: “Dëshmoj se ai është robi i All-llahut dhe i Dërguari i Tij.” Pastaj do t’i thuhet: “Shikoje vendin tënd në zjarr, të cilin All-llahu xhel-le shanuhuta ka zëvendësuar me një vend në Xhenet.” Atëherë Pejgamberi i All-llahut tha: “E do t’i shohë që të dyja.” Katade thotë: “Na ka thënë se varri i tij do të zgjerohet dhe do të bëhet shtatëdhjetë llëra (bërryla), do të mbushet me gjelbërim dhe do të qëndrojë kështu gjer në ringjalljen e sërishme.” E për sa i përket munafikut dhe kafirit, atij do t’i thuhet: “Ç’ke folur për këtë njeri?” Ai do të përgjigjet: “Nuk di, kam folur për të ashtu si flisnin njerëzit.” Pastaj do t’i thuhet: “As që ke ditur, as që ke folur.” Pastaj do të goditet me çekan të hekurt aq fort, saqë klithmën e tij do ta dëgjojnë të gjitha krijesat në afërsi të tij, përveç njerëzve dhe xhinëve.”[8]
Buhari dhe Muslimi transmetojnë edhe nga Bera bin ‘Azibi radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “All-llahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme.”
Ky ajet është shpallur përkitazi me çështjen e sprovimit në varr, ku do t’i thuhet njeriut: “Kushështë Zoti yt?” Ai do të përgjigjet: “Zoti im është All-llahu, e Muhammedi është Pejgamberi im.” Këto janë Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu:“All-llahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme, në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse zullumqarët i shpie në humbje; All-llahu punon ç’të dojë.” (Ibrahim: 27)
Ekzistojnë shumë hadithe autentike që flasin për sprovimet e varrit dhe pyetjet e engjëjve.
2 - Vuajtjet dhe kënaqësitë në varr
Jemi të obliguar të besojmë edhe në vuajtjet dhe kënaqë-sitë në varr, të cilat do të ndodhin pas marrjes në pyetje, e për të cilat na flet Pejgamberi alejhis-selam. Për këtë temë flasin shumë ajete dhe hadithe. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“...e ithtarët e faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë. Ata ia nënshtroi zjarrit mëngjes e mbrëmje, e kur të arrijë Çasti (Dita e Kiametit, u thuhet engjëjve): “Shpini ithtarët e faraonit në dënimin më të rëndë!” (El-Mu’min: 45-46)
All-llahu xhel-le shanuhu i ka kërcënuar njerëzit e faraonit me dy lloj dënimesh: së pari me fjalët: “Ata ia nënshtroi zjarrit mëngjes e mbrëmje”, e së dyti me fjalët: “e kur të arrijë Çasti (Dita e Kiametit) u thuhet engjëjve: “Shpini ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” Pjesës së dytë ia ka shtuar “atf”, që do të thotë se ato dënime nuk janë të llojit të njëjtë. Nëse lloji i dytë i dënimit fillon pas Ditës së Kiametit (siç kuptohet nga ajeti), atëherë është e qartë se lloji i parë fillon pas vdekjes së tyre e gjer në ringjallje, që është gjithsesi vuajtje e varrit. All-llahu xhel-le shanuhu tërheq vërejtjen në vuajtjet e varrit edhe me këto fjalë:“... E, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt zgjasin duart (për t’ua marrë shpirtin, duke thënë): “Shpëtoni pra vetveten (nëse mundeni)!” “Sot ju do të ndëshkoheni me dënim të turpshëm për shkak të pavërtetave që i keni thënë për All-llahun dhe që jeni krenuar (duke mos besuar) ajetet e Tij.” (El-En’am: 93)
Transmetohet se Ibni Abbasi radijAll-llahu anhu, duke komentuar këtë ajet, ka thënë: “Kjo ngjan gjatë vdekjes së tyre, atëherë ata do të goditen nëpër fytyrat dhe shpinat e tyre.” Ibni Haxheri thotë: “Këtë e vërteton edhe ky ajet: “E, si do të jetë atëherë puna e tyre, kur engjëjt ua marrin shpirtin, duke i rrahur ata nëpër fytyrat dhe shpinat e tyre?” (Muhammed: 27), e pastaj tha: “Edhe pse këtu flitet për vuajtjen para varrimit, kjo megjithatë bën pjesë në vuajtjet që do të ngjajnë deri në Ditën e Gjykimit. Por i veshet varrit, pasi shumica e këtyre vuajtjeve (para Ditës së Gjykimit), do të ndodhin në të.”[9]
Për sa u përket haditheve që flasin për vuajtjet e varrit, ato janë të shumta dhe arrijnë shkallën e tevaturit. Imam Neveviu, në komentin e vet të Sahihut të Muslimit, thotë: “Dije, se pasuesit e drejtimit të Ehli Sunetit dënimin e kaburit e konsiderojnë të vërtetë, sepse për të ekzistojnë shumë argumente nga Kur’ani dhe Suneti. All-llahu xhel-le shanuhuthotë: “Ata i nënshtroi zjarrit mëngjes e mbrëmje”, ndërsa ekzistojnë shumë hadithe të Pejgamberit alejhis-selam që i transmetojnë shumë as’habë nga viset e ndryshme e që flasin në favor të kësaj. Gjithashtu, duke shikuar arsyeshëm, nuk është e pamundur që All-llahu xhel-le shanuhu t’ia kthejë jetën një pjese të trupit dhe ta ndëshkojë atë. E, nëse kjo nuk bie në kundërshtim me arsyen, e për këtë kemi vërtetim në argumentin sheriatik, atëherë kjo duhet të pranohet dhe të besohet.”[10]
Imam Muslimi në Sahihun e vet cek shumë hadithe që vërtetojnë vuajtjen në kabur dhe thotë se Pejgamberi alejhis-selam i ka dëgjuar ata të cilët vuajnë në kabur, se të vdekurit dëgjojnë rropëllimën e këpucëve të atyre që largohen nga varrezat, e të ngjashme. Në hadithe përmendet edhe fjalimi i Muhammedit alejhis-selam drejtuar kufomave të idhujtarëve të varrosur në varrin e përbashkët, pas Betejës së Bedrit, atëherë kur i është përgjigjur as’habëve se ata aspak nuk dëgjojnë më mirë se ata (të varrosurit). Pastaj flitet për atë se si do t’u zgjerohet varri atyre që janë të shpëtuar dhe do t’u tregohet vendi në Xhenet, ndërsa e kundërta atyre që kanë pësuar dhe gjëra të tjera, që mund të lexohen në këto hadithe.
Imam Muslimi në Sahihun e vet transmeton nga Zejd bin Thabiti, se ka thënë: “Së bashku me Pejgamberin alejhis-selam ishim në një parcelë, e cila ishte në pronësinë e BeniNexh-xharit, kur papritmas u shqetësua mushka në të cilën kishte hipur dhe për pak sa nuk e hodhi poshtë. Kur, aty i vërejtëm disa varre (gjashtë, ose pesë, ose katër) e Pejgamberi alejhis-selam pyeti: “Cili prej jush i njeh këta që janë varrosur këtu?” Njëri nga të pranishmit tha: “Unë.” Pejgamberi alejhis-selam pyeti: “Kur kanë vdekur?”“Para Islamit”, - tha (njeriu). “Njerëzit vërtet ndëshkohen në varre. Sikur ju të mos varroseshit, do ta lusja All-llahun xhel-le shanuhu që t’jua mundësojë t’i dëgjoni vuajtjet e varrit siç i dëgjoj unë.” Pastaj u kthye nga ne e tha: “Kërkoni nga All-llahu mbrojtje prej zjarrit.” Ne të gjithë zëshëm e lutëm All-llahun që të na mbrojë nga zjarri. Pastaj tha: “Kërkoni mbrojtje nga vuajtjet e varrit.” Atëherë ne kërkuam mbrojtje nga vuajtjet e varrit. Pastaj tha: “Kërkoni nga All-llahu mbrojtje prej të gjitha ngatërresave - të hapta dhe të fshehta.”Ne atëherë kërkuam mbrojtje nga të gjitha llojet e ngatërresave - të hapta dhe të fshehta. Pastaj tha: “Kërkoni mbrojtje nga All-llahu prej sprovimit të Dexhalit.” Atëherë ne kërkuam mbrojtje nga Dexhali dhe sprovimi i tij.”[11]
Buhariu, Muslimi dhe të tjerë transmetojnë nga Ibni Abbasi radijAll-llahu anhu, se ka thënë: “Pejgamberi alejhis-selam duke kaluar pranë dy varresh ka thënë: “Ata janë duke u ndëshkuar, e dënimi u ka arritur për shkak të gjërave të imëta.” Pastaj ka thënë: “Njëri prej tyre përçonte lajme të rrejshme, me të cilat i fuste të tjerët në ngatërresë, e i dyti nuk merrte tahret (pastrim) pas kryerjes së ne-vojës të vogël.”[12]
Buhariu e Muslimi transmetojnë nga Abdull-llah bin Umeri radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “Kur dikush prej jush vdes, vendi i vet i tregohet për çdo mëngjes dhe mbrëmje. Nëse është nga banorët e Xhenetit, i tregohet vendi në Xhenet, e nëse është nga banorët e Xhehenemit, i tregohet vendi në Xhehenem. Dhe i thuhet: “Ky është vendi që të pret pas Ditës së Gjykimit.”[13]
Për sa i përket mënyrës së ndëshkimit në varr ose kënaqësisë në të dhe mënyrës së kthimit të shpirtit në trupin e mejjitit (të vdekurit), lidhur me këtë çështje nuk është e lejuar t’i shtohet asgjë asaj që është transmetuar në hadithet sahih. Komentuesi i Tahaviut thotë: “Hadithet që flasin për vuajtjet ose kënaqësitë e varrit dhe për pyetjet e engjëjve kanë arritur shkallën e tevaturit, prandaj jemi të obliguar të besojmë në këtë. E dimë se sheriati nuk ka ardhur me asgjë që është në kundërshtim me arsyen, por mund të vijë me diçka që do të mund ta hutonte arsyen, prandaj ne nuk do të shqyrtojmë mënyrën e vuajtjeve të varrit, mënyrën e ndëshkimit a provimit, sepse arsyeja nuk është në gjendje të kuptojë këtë, ngase kjo nuk ndodh në këtë botë. Gjithashtu, kthimi i shpirtit në trup nuk është mënyrë e zakonshme në jetën e kësaj bote, por kjo ndodh në mënyrë krejtësisht tjetër, e për ne të panjohur.
Dhe dije se vuajtja e varrit është vuajtje në berzah. Çdokë që ka vdekur e që ka merituar vuajtjen e varrit, ajo do ta arrijë njësoj, u varros ai a jo, e kanë ngrënë bishat apo është djegur, a është bërë hi e është shpërndarë në ajër, a është gozhduar apo është mbytur në det - shpirtin dhe trupin e tij do ta arrijë dënimi njësoj sikur të ketë qenë varrosur. E. për sa i përket haditheve në të cilat transmetohet se i vdekuri do të vendoset ulur, se brinjtë do t’i ndahen nga dhembja dhe ngjashëm me këtë, prej këtu duhet të nxirret mësimi i Pejgamberit alejhis-selampa shtime a mungime. Prandaj fjalët e tij nuk do të komentohen me çfarë atë që nuk përmbajnë, e as që do të lihen pas dore, saqë të shpërfillet udhëzimi dhe shpjegimi i Pejgamberit alejhis-selam.[14]
Ibni Kajjumi thotë: “Seleful ummeti (brezat e parë) dhe të parët në dituri konsiderojnë se kur njeriu vdes, do të jetë në kënaqësi ose në vuajtje dhe se kjo pasqyrohet në shpirtin e tij dhe në trupin e tij dhe se shpirti pas ndarjes së tij nga trupi edhe më tej mbetet në kënaqësi a në vuajtje dhe se ai ngandonjëherë bashkohet me trupin, i cili së bashku me të këna-qet ose vuan. E kur të vijë Dita e Gjykimit shpirtrat do t’u kthe-hen trupave të tyre dhe nje-rëzit do të ngrihen nga varret dhe do të nisen te Zoti i tyre. Ringjallja e trupit është gjë për të cilën janë në pajtueshmëri muslimanët, hebrenjtë dhe të krishte-rët.”[15]
3 - Parashenjat e Ditës së Gjykimit
Jemi të obliguar të besojmë se Dita e Gjykimit do të vijë dhe se në këtë nuk ka aspak dyshim. Se kohën e saj nuk e di askush përveç All-llahut xhel-le shanuhu, i Cili e ka fshehur këtë nga njerëzit, madje edhe nga Pejgamberët dhe Lajmëtarët, dhe se askush nuk është në gjendje të mësojë se edhe sa kohë i ka mbetur kësaj bote.
“Të pyesin ty (o Muhammed!) kur do të ngjajë Dita e Kiametit. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë do ta tregojë vetëm Ai. (Tmerret e Ditës së Kiametit) do të jenë të rënda për qiejt dhe Tokën, do t’u vijë krejtësisht papritmas. Të pyesin, thuajse ti di diçka për të. Thuaj: “Këtë e di vetëm All-llahu; e shumica e njerëzve nuk e kuptojnë këtë (të vërtetë).” (El-Araf: 187)
Mirëpo, ne jemi të obliguar të besojmë në parashenjat e Ditës së Gjykimit, për të cilat na flet Pejgamberi alejhis-selam në hadithet sahih. Është transmetuar me besnikëri nga Resulull-llahu alejhis-selam se ai i ka përmendur parashenjat e vogla të Ditës së Gjykimit, të cilat më së shpeshti flasin për prishjen e njerëzve kohëve të fundit, për çrregullimet që do të paraqiten në mesin e tyre, e disa flasin për udhëzimin e All-llahut xhel-le shanuhu dhe për rrugën e Pejgamberit alejhis-selam, si dhe për parashenjat e mëdha.
Për sa i përket parashenjave të vogla, për këto flasin shumë hadithe, e ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre:
a - Buhariu dhe Muslimi transmetojnë një hadith nga Resulull-llahu alejhis-selam, ku ai thotë: “Unë jam i Dërguar, e deri në Ditën e Gjykimit ka mbetur vetëm aq sa është largësia ndërmjet këtyre dy gishtërinjve”, dhe e zgjati gishtin tregues dhe gishtin e mesëm.”[16]
Ky hadith është argument për pejgamberllëkun e Muhammedit alejhis-selam dhe për përfundimin e pejgamberllëkut me të, që është një nga parashenjat e ardhjes së afërt të Ditës së Gjykimit. Nga hadithi kuptohet se ndërmjet Resulull-llahut alejhis-selam dhe Ditës së Gjykimit nuk do të ketë më asnjë Pejgamber, porse ajo do të vijë menjëherë pas tij, që gjithsesi paralajmëron afërsinë e Ditës së Gjykimit.[17]
b - Në hadithin e njohur të Xhibrilit, ku ai e pyet Resulull-llahun alejhis-selam për Ditën e Gjykimit, Resulull-llahu alejhis-selam është përgjigjur: “Kur robëresha i lind vetes zotëriun[18] dhe kur t’i shohësh barinjtë dhe të varfrit të zbathur dhe të mbathur ligsht se si nxitojnë në ngritjen e ndërtesave të larta.”[19]
c - Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre radijAll-llahu anhu, se Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Nuk do të ndodhë Dita e Gjykimit derisa të fillojnë luftën dy grupe të mëdha[20], ndërmjet të cilave do të bëhet luftë shumë e madhe, e të dyja do t’i takojnë së njëjtës fe. Dhe përderisa të mos paraqiten pejgamberë të rrejshëm, numri i të cilëve do të arrijë 30,[21]e çdonjëri prej tyre do të thotë se është i Dërguar i All-llahut. Derisa të zhduket dituria (ilmi), me vdekjen e ulemasë. Derisa të rritet numri i tërmeteve. Derisa koha të bëhet e shkurtër dhe të kalojë shpejt.[22]Derisa të rritet numri i luftërave dhe i vrasjeve. Derisa në mesin tuaj të paraqitet pasuri aq e madhe, saqë njeriu do të ofrojë zekatin e vet e askush nuk do të dëshirojë ta marrë, por ai të cilit i ofrohet do të thotë: “Unë nuk kam nevojë për të.” Derisa në mesin e njerëzve të paraqitet vrapimi në ndërtimin e banesave të larta. Derisa të vijë aso kohe kur njeriu, duke kaluar pranë varrit të shokut të vet, të thotë: “Ku të kisha fat e të isha unë në vendin tënd.” Derisa Dielli të lindë nga perëndimi,[23]e kur të ndodhë kjo, e njerëzit ta shohin këtë, të gjithë do të besojnë, por atëherë askujt nuk do t’i shërbejë imani i tij nëse nuk ka besuar më herët ose si besimtar nuk ka bërë ndonjë vepër të mirë. Dita e Gjykimit do të ndodhë aq befasisht, saqë rroba për të cilën kanë bërë pazar dy veta do të mbetet e pablerë dhe e pambësh-tjellur (e kthyer); njeriu do ta bartë qumështin që e ka mjelë nga deveja e vet, por nuk do të arrijë ta pijë atë. Do të arrijë aq befasisht, saqë njeriu do ta riparojë burimin, por nuk do të arrijë të pijë ujë nga ai. Do të arrijë aq befasisht, saqë njeriu nuk do të këtë kohë ta hajë kafshatën të cilën tanimë e ka afruar te goja e vet.”[24]
d - Enes b. Maliku radijAll-llahu anhu transmeton, se Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Prej parashenjave të Ditës së Gjykimit është edhe se do të zhduket dituria e do të paraqitet mosdija, zinallëku (prostitucioni), alkooli, do të rritet numri i grave e do të zvogëlohet numri i meshkujve, kështu që mes pesëdhjetë grash do të jetë vetëm një mashkull.”
e - Ebu Hurejre radijAll-llahu anhu transmeton: “Një njeri i ka thënë Resulull-llahu alejhis-selam: “Kur do të ndodhë Dita e Gjykimit?” Resulull-llahu alejhis-selam u përgjigj: “Kur të zhduket besimi ndërmjet njerëzve, prite Ditën e Gjykimit.” Njeriu përsëri pyeti: “Si do të zhduket besimi ndërmjet njerëzve?”
“Kur funksionet me përgjegjësi të madhe i besohen atyre që nuk e meritojnë, prite Ditën e Gjykimit.”[25]
f - Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu gjithashtu transmeton se Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Nuk do të ndodhë Dita e Gjykimit derisa muslimanët të fillojnë luftën kundër hebrenjve, kur muslimanët do t’i mbysin aq shumë, saqë hebrenjtë do të fshihen pas drunjsh dhe gurësh, por çdo dru dhe çdo gur do të flasë: “O muslim, o rob i Zotit, ja tek është një hebre, është fshehur pas meje, eja e mbyte atë”, përveç drurit Gardak, sepse ai është dru hebre.”[26]
Ekzistojnë edhe shumë hadithe të cilat na flasin për parashenja të tjera të Ditës së Gjykimit, e që mund të kërkohen në koleksionet autentike të haditheve.[27]
E, për sa i përket parashenjave të mëdha, në hadithet autentike përmenden dhjetë, siç është hadithi i Hudhejfe b. Usejd el Gaffarit, ku thuhet: “Resulull-llahu alejhis-selam na hasi duke i përsëritur disa ligjerata, e pyeti: “Çka mësoni kështu?”“Ligjeratë për Ditën e Gjykimit” - thamë ne. Ai tha: “Dita e Gjykimit nuk do të vijë derisa para tij t’i shihni dhjetë parashenja”, e pastaj përmendi Du-hanin, Dexhalin, lindjen e Diellit nga perëndimi, zbritjen e Isait alejhis-selam, birit të Merjemes, Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët, tri depresione të mëdha të tokës: në lindje, në perëndim dhe në Gadishullin Arabik, e i fundit prej tyre do të jetë zjarri, i cili do të paraqitet në Jemen dhe do t’i përzërë njerëzit në vendin e llogarisë.”[28]
Në faqet vijuese do t’i sqarojmë parashenjat më të rëndësishme me radhë, ashtu siç i kanë përmendur komentuesit e haditheve.
a - Lindja e Diellit nga perëndimi
Kjo parashenjë është fillimi i ndërrimit që do të bëjë All-llahu xhel-le shanuhu në sistemin e gjithësisë së kësaj bote, kështu që do të paraqiten gjërat që për njerëzit do të jenë tërësisht të jashtëzakonshme e që do të jenë argument i qartë për fillimin e Ditës së Kiametit, në ku do të ndodhë ndërrimi total në sistemin e gjithësisë. Për këtë ndërrim All-llahu xhel-le shanuhu na flet në shu-më sure të Kur’anit Madhështor. Fillimi i këtij ndërrimi, siç përmendet në shumë hadithe, do të jetë lindja e diellit nga perëndimi, që është tërësisht në kundërshtim me ligjet ekzistuese. Por, Ai që ka qenë në gjendje të bëjë që Dielli të lindë nga lindja, Ai është në gjendja ta ndërrojë këtë e Dielli të lindë nga perëndimi, sepse Ai e ka krijuar dhe e mirëmban atë.
Në disa hadithe autentike thuhet se kjo do të jetë parashenja e parë e madhe që do të paraqitet.[29] Abdull-llah bin Amër bin Asi radijAll-llahu anhu transmeton se Resulull-llahu alejhis-selamka thënë: “Parashenjat e para që do të paraqiten janë lindja e Diellit nga perëndimi dhe dalja e kafshës nga toka në mëngjesin e ditës së njëjtë dhe cilado prej tyre që paraqitet e para, e dyta pason menjëherë pas saj.”[30]
Në hadithin e përmendur më parë, të cilin e transmeton Ebu Hurejre radijAll-llahu anhu, thuhet se pas paraqitjes së kësaj parashenje të gjithë njerëzit do të besojnë, por atëherë nga imani nuk do të kenë dobi ata që nuk kanë besuar më parë, siç thotë All-llahu xhel-le shanuhu:
“Atë ditë kur të vijnë parashenjat nga Zoti, atëherë askush nuk do të ketë dobi prej asaj që do të besojë, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë si besimtar.” (El-En’am: 158)
Një numër i madh mufessirësh, duke komentuar këtë ajet, thonë se jobesimtarit nuk do t’i bëjë dobi imani pas lindjes së Diellit nga perëndimi, siç nuk do të vlejë as pendimi i mëkatarëve, e as veprat e mira të atyre që këto nuk i kanë bërë më parë, madje edhe nëse janë besimtarë.[31]
b - Dalja e kafshës nga toka
Për këtë parashenjë All-llahu xhel-le shanuhu flet në Kur’an, ku thotë:
“Dhe, kur të vijë koha që ata të ndëshkohen, Ne do të bëjmë që nga toka të dalë një kafshë, e cila do t’u thotë atyre se njerëzit nuk u janë bindur argumenteve Tona.” (En-Nemël: 82)
Dalja e kafshës nga toka përmendet edhe në shumë hadithe, prej të cilave disa janë sahih (disa i kemi përmendur), por në hadithet sahih nuk transmetohet përshkrimi i kësaj kafshe, të cilën All-llahu xhel-le shanuhu do ta nxjerrë nga toka si parashenjë për ardhjen e Ditës së Kiametit. E tërë ajo që përmendet në disa libra për përshkrimin e saj është marrë nga hadithet të cilat nuk kanë arritur shkallën e autenticitetit. Mirëpo, besimtari as që lakmon që të mësojë përshkrimin e saj, sepse atij i mjafton të mbetet në tekstin e Kur’anit dhe të hadithit sahih, ku thuhet se dalja e kësaj kafshe është një nga parashenjat e Ditës së Gjykimit, kur do të përfundojë periudha e pranimit të pendesës dhe kur njerëzit do të gjykohen sipas veprave të bëra gjer në atë çast. Atëherë All-llahu xhel-le shanuhu do ta nxjerrë kafshën nga toka dhe do t’i shënojë besimtarët dhe jobesimtarët. E, nëse njerëzit nuk janë mësuar me të folurën e kafshëve, All-llahu xhel-le shanuhu, Krijuesi i Gjithëmbarshëm, është Ai i Cili do t’ia mundësojë këtë asaj. Njerëzit do ta kuptojnë atë dhe do të dinë se ajo është një prej mrekullive të All-llahut xhel-le shanuhu, me të cilën paralaj-mërohet afrimi i Ditës së Kiametit, pasi para kësaj nuk kishin besuar në shenjat e All-llahut xhel-le shanuhu e as në Ditën e Gjykimit.[32]
c - Paraqitja e Dexhxhalit(antikrishtit)
Dexhxhal në gjuhën arabe do të thotë rrenacak, me aftësi të madhe mashtrimi. Prandaj rrenacaku quhet dexhxhal, ngase ai të vërtetën e fsheh me gënjeshtrën e vet.
Njëra nga parashenjat e mëdha të Ditës së Gjykimit është edhe paraqitja e personit të cilin All-llahu xhel-le shanuhu e ka quajtur “Dexhxhal”, për shkak të gënjeshtrave dhe mashtrime-ve të tij tejet të mëdha. Ai do ta konsiderojë veten zot dhe do të përpiqet t’i kthejë njerëzit nga feja e tyre me gjërat mbinatyrore të tij, të cilat do të jetë në gjendje t’i bëjë me dëshirën e All-llahut xhel-le shanuhu. Në këtë mënyrë, ai do ta mashtrojë një pjesë të njerëzve, e pastaj All-llahu xhel-le shanuhu do të lejojë që sprovimit të tij t’i vijë fundi, prandaj do të zbresë Isai alejhis-selam dhe do ta mbysë.
Në komentin e Neveviut të Sahihut të Muslimit qëndron: “Hadithet që i përmend Muslimi dhe të tjerët për Dexhxhalin janë argument për pasuesit e së vërtetës për njëmendësinë e ardhjes së tij. Ai është person i caktuar, nëpërmjet të cilit All-llahu xhel-le shanuhu do t’i sprovojë robërit e Vet. All-llahu xhel-le shanuhu do t’ia mundësojë atij gjërat të cilat nuk është në gjendje t’i bëjë askush përveç All-llahut xhel-le shanuhu, siç është ngjallja e njerëzve të vdekur, të cilët i ka mbytur po ai, kopshti i gjelbër që do ta përcjellë gjithnjë, xheneti dhe zjarri, dy lumenj, pasuria e thesarëve të kësaj bote, urdhri ndaj qiejve që të bjerë shi, e me të vërtetë ndodh kjo gjë, urdhri ndaj tokës që të mbijë, e kjo e bën këtë, e të gjitha këto do t’i bëjë me dëshirën dhe fuqinë e All-llahut xhel-le shanuhu. Pastaj All-llahu xhel-le shanuhu do t’ia bëjë të pamund-shme këtë, e nuk do të jetë më në gjendje të mbysë asnjë njeri, e as të bëjë më çkadoqoftë prej asaj që bënte më parë. Pastaj këtë do ta mbysë Isai alejhis-selam, kurse All-llahu xhel-le shanuhu do t’i përforcojë besimtarët në imanin e tyre.
Ky është qëndrimi i pjesëtarëve të Ehli Sunnetit, i të gjithë muhadithëve, fakihëve dhe apologjetëve.
Havarixhët, xhemhitë dhe disa mu’etezilë e mohojnë këtë për dallim nga të tjerët, që këtë e konsiderojnë si të vërtetë, ata mendojnë se ai nuk do të mund të realizojë asgjë nga veprat mbinatyrore që përmenden, por kjo do të jetë vetëm mashtrim dhe imagjinatë e pavërtetë. Dhe konfirmojnë se, nëse kjo është e vërtetë, atëherë mu’xhizet e Pejgamberëve nuk do të ishin kompetente. Mirëpo, ky është gabim total i të dy grupeve, ngase ai nuk do të pohojë se është Pejgamber e që këto vepra mbinatyrore t’i shërbejnë për vërtetim, por ai do të pohojë se është Zoti vetë, gjë që e mohon automatikisht duke u paraqitur me figurën e tij të gjymtë dhe me paaftësinë e tij që ta largojë verbërinë e tij të qartë, si dhe me fjalën (kafir) ndërmjet syve të tij.
Për shkak të gjitha këtyre, ai nuk do të jetë në gjendje t’i mashtrojë njerëzit, përveç injorantët totalë dhe të gjorët të cilët do t’i besojnë atij në mënyrë që t’i kënaqin nevojat e veta për ushqim dhe për gjëra të tjera, ose do ta bëjnë këtë në mënyrë iluzore duke u frikësuar nga ndëshkimi i tij, ngase sprovimi i tij do të jetë shumë i rëndë, do ta hutojë arsyen dhe do ta marrë mendjen. E tërë kjo do të përcillet me lëvizjen e tij shumë të shpejtë, kështu që njerëzit e dobët nuk do të mund të shohin gjendjen e tij të vërtetë dhe gjymtësinë e tij dhe kështu do t’i besojnë atij. Për këtë shkak, të gjithë Pejgamberët ua kanë tërhequr vërejtjen njerëzve për sprovimin e tij dhe kanë treguar sheshit mangësitë dhe argumentet e rrejshme të pohimit të tij. E, për sa i përket atyre që janë të përkrahur nga All-llahu xhel-le shanuhu, ata nuk do të mashtrohen me të e as me marifetet e tij, sepse do t’i njohin shenjat e tij të pavërtetësisë, të cilat tanimë i kemi përshkruar, duke poseduar dituri paraprake për paraqitjen e tij.”[33]
Për Dexhxhalin flasin një numër hadithesh. Ja disa prej tyre:
- Nga Abdull-llah bin Umeri radijAll-llahu anhutransmetohet se ka thënë: “Resulull-llahu alejhis-selam është ngritur mes njerëzve, ka falënderuar All-llahun xhel-le shanuhu në mënyrë të denjë si e meriton Ai, pastaj e ka përmendur Dexhxhalin dhe ka thënë: “Unë jua tërheq vërejtjen për të. Nuk nuk ka pasur asnjë Pejgamber e që popullit të vet të mos ia ketë tërhequr vërejtjen në të. Por, unë do t’ju them juve diçka që asnjë Pejgamber para meje nuk i ka thënë popullit të vet: Ai është i verbër, e All-llahu nuk është i verbër.”[34]
- Hudhejfe bin Jemani radijAll-llahu anhutransmeton se Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Unë di më shumë sesa vetë Dexhxhalli për atë se çka do të ketë me vete: do t’i ketë dy lumenj të cilët do të rrjedhin, njëri prej tyre në shikim të syve do të duket se ka ujë të bardhë, ndërsa tjetri zjarr të flakëruar, e nëse dikush prej jush arrin, le ta zgjedhë lumin që duket si zjarr dhe le t’i mbyllë sytë, pastaj le të përkulet dhe le të pijë ujë nga ai dhe do ta shohë se uji është i ftohtë. Një sy i Dexhxhalit do të jetë krejtësisht i mbyllur me një xhungë të vrazhdë e të mishtë, e ndërmjet syve shkruan kafir”, që do ta lexojë çdo besimtar, analfabet a jo.”[35]
- Nga Bevas b. Sem’ani radijAll-llahu anhu transmetohet se ka thënë: “Me një rast Resulull-llahu alejhis-selam e ka përmendur Dexhxhalin dhe e ka nënçmuar aq tepër duke folur për shenjat e dukshme të gënjeshtrës së tij, e pastaj e ka ngritur aq tepër duke folur për madhësinë e sprovimit me të cilin do t’i sprovojë njerëzit, saqë menduam se tanimë ka ardhur në paralagjen e Medinës. Pas kësaj, kur shkuam tek Resulull-llahu alejhis-selam, ai e vërejti këtë te ne, e pyeti: “Ç’po ndodh me ju?” Ne u përgjigjëm: “O Pejgamber i All-llahut! Sot e përmende Dexhxhalin dhe aq tepër e nënçmove, e pastaj aq tepër e ngrite, saqë menduam se tanimë ka ardhur gjer te plantacionet e Medinës.” Tha: “Unë për ju frikësohem nga diçka tjetër përveç Dexhxhalit, nëse paraqitet gjersa jam unë me ju, unë do t’ju mbroj nga ai, e nëse paraqitet e unë nuk jam në mesin tuaj, atëherë çdonjëri prej jush le ta ruaje veten, e All-llahun xhel-le shanuhu e lus që të mbrojë çdo musliman. Ai është i ri, me flokë jashtëzakonisht kaçurrel, i verbër në një sy, i përngjan Uzza bin Katit. Kush e përjeton prej jush, le të këndojë fillimin e sures El-Kehf. Ai do të paraqitet ndërmjet Shamit e Irakut dhe do të fillojë t’i mbartë sprovimet e veta djathtas e majtas, prandaj, o robërit e All-llahut, mbahuni fuqishëm.” Atëherë ne thamë: “O i Dërguari i All-llahut, sa kohë do të qëndrojë në tokë?” Ai u përgjigj: “Dyzet ditë. Një ditë si një vit, një ditë si një muaj, një ditë si një javë, e ditët e tjera do t’i jenë sikurse edhe ditët tuaja.” Ne thamë: “A do të jetë e mjaftueshme për ne që t’i falim vetëm namazet e një dite në ditën që do të jetë sa viti?” Tha: “Jo, por do t’i caktoni kohët e namazit.”Thamë: O i Dërguari i All-llahut, me çfarë shpejtësie do të ecë në tokë?” Tha: “Si shiu kur e bart era. Do të vijë te popujt edhe do t’i thërrasë që ta besojnë, e ata do t’i përgjigjen thirrjes së tij dhe do t’i besojnë, e ai do të urdhërojë qiellin, e qielli do ta lëshojë shiun, dhe do të urdhërojë tokën, e cila menjëherë do të mbijë, e bagëtia do t’u bëhet më e trashë se kurrë ndonjëherë më parë, me gjinj dhe me barqe të mëdha (nga ngopja). E pastaj do t’i vijë një populli e do t’i thërrasë që ta besojnë, e populli do ta refuzojë, e ai do t’i braktisë ata, por ata do të varfërohen, do të mbesin pa kurrgjë nga pasuria e tyre. Do të kalojë pranë gërmadhave të vjetra e do t’u thotë: “ Nxirrni jashtë pasurinë tuaj!”, e pas tij do të nisen thesarët e artë si luzma bletësh. Pastaj do ta thërrasë një djalë të ri e të shëndoshë të cilin do ta godasë me shpatë e do ta presë më dysh, pastaj përsëri do ta thërrasë e ai do të ngrihet dhe do të niset nga ai me fytyrë të qeshur. Ai do të veprojë kështu derisa All-llahu ta dërgojë Isanë, të birin e Merjemës, i cili do të zbresë te minarja e bardhë nga ana lindore e Damaskut, i veshur me rroba të bardha, duke u mbajtur me duar në krahët e engjëjve. Kur e ul kokën, i pikojnë lotët, e kur e ngre, nga fytyra e tij bien gurë të çmuar si margaritarë. Asnjë jobesimtar nuk do të mund të mbetet gjallë kur do ta ndiejë erën e frymës së tij, ndërsa fryma e tij do të shtrihet në largësi sa mund të shihet para tij. Ai do ta kërkojë Dexhxhalin gjersa ta gjejë në Babulludd (në Kuds, Palestinë), ku edhe do ta mbysë.”[36]
Këto hadithe dhe hadithet e tjera janë argument të Ehli Sunnetit për obligueshmërinë e besimit në ardhjen e Dexhxhalit, në mënyrën që na ka shpjeguar Pejgamberi s.a.v.s, me të gjitha cilësitë dhe vetitë për të cilat na ka informuar ai, dhe se fundi i tij do të jetë ashtu siç ka thënë ai dhe se kjo është një nga parashenjat e mëdha të Ditës së Kiametit.
Nëse dikush do të thoshte: “Si do t’ia mundësojë All-llahu xhel-le shanuhu të gjitha ato vepra mbinatyrore, kur e dimë se mu’xhizet janë karakteristike vetëm për Pejgamberët?”, do të përgjigjemi me fjalët e imamit të famshëm El-Hattabit, i cili në lidhje me këtë çështje ka thënë: “Kjo është kështu vetëm për t’u sprovuar njerëzit, sepse ata në të njëjtën kohë kanë argumente të qarta, të cilat, në mënyrë të pakontestueshme, flasin se ai është rrenacak dhe se nuk është e vërtetë ajo që thotë ai, është i verbër e tij dhe fjala “kafir” i është shkruar në ballë, fjalë të cilën do ta lexojë çdo besimtar. Pra, fjalët e tij përgënjeshtrohen me vetë faktin se ai nuk do të jetë në gjendje t’i largojë shenjat e mangësisë dhe të gjymtësisë nga vetvetja, e sikur të ishte Zot, ai do të ishte në gjendje ta bënte këtë. Ndërsa, mu’xhizet e Pejgamberëve nuk vijnë në kundërshti me asgjë, kështu që ato assesi nuk mund të krahasohen me kë-të.”[37] Ndërsa Ibni Haxheri thotë: “Megjithatë, Dexhxhali mban në vete shenja të cilat janë të mjaftueshme për atë që është i arsyeshëm që të kuptojë se ai me të vërtetë është rrenacak. Sepse, ai është i përbërë nga pjesët dhe shihet se është i krijuar. Duke i pasur këto të meta të dalluara, të cilat shihen në syrin dhe në ballin e tij, kur u thotë njerëzve se ai është Zoti i tyre, gjëja më e vogël që do të konkludojë njeriu më i paditur nga njerëzit e ditur do të jetë se ai që nuk është në gjendje t’ia largojë vetes të metat, ai as që mund të jetë në gjendje që të tjerët t’i krijojë në formë të përkryer. Pra, e pakta që do të mund të thuhet, është: “O ti, që pohon se je krijues i qiejve dhe i Tokës, së pari rregullo veten dhe largo të metat e tua, e nëse thua se Zoti nuk i bën asgjë ve-tes, atëherë fshije atë që është shkruar në mes të dy syve të tu!”[38]
ç - Zbritja e Isait(Jezusit) alejhis-selam per here te dyte
Ekzistojnë argumente në hadithe, si dhe njëzëshmëria e ulemasë, se në periudhën e fundit të kësaj bote do të zbresë Isai alejhis-selam në kohën e Dexhxhalit, dhe se do ta mbysë atë, e pastaj do të sundojë sipas ligjeve të sheriatit, do t’i ringjallë të gjitha ato që njerëzit i kanë lënë pas dore nga ligjet e All-llahut xhel-le shanuhu, do të qëndrojë në tokë për një kohë të caktuar nga All-llahu xhel-le shanuhu dhe do të vdesë. Ndërsa muslimanët do t’ia falin xhenazen dhe do ta varrosin. Për këtë na flasin shumë hadithe sahih, prej të ci-lave disa tanimë i kemi cituar. Prandaj, çdo musliman është i detyruar të besojë në zbritjen e tij dhe në atë që na flet Kur’ani në mënyrë të qartë, se atë nuk e kanë mbytur hebrenjtë, por se All-llahu xhel-le shanuhu e ka ngritur tek Ai dhe se ai nuk do të vdesë para se të zbresë në prag të Ditës së Kiametit. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Dhe për shkak të fjalëve të tyre: “Ne e kemi mbytur Mesihun - Isanë, birin e Merjemes, Pejgam-berin e All-llahut”. Por, ata, as nuk e kanë mbytur as nuk e kanë gozhduar (nuk e kanë kryqëzuar në gozhda), por iu ka përngjarë atyre (një person). Ata që bënë polemikë rreth çështjes së tij, ata me siguri gjenden në dyshim për të (Isanë) Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm u janë mbështetur supozimeve. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë mbytur, por All-llahu e ka ngritur pranë Vetes (në një vend ku nuk arrijnë njerëzit). Se All-llahu është i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm. Të gjithë ithtarët e Librit, para se të vdesin, do t’i besojnë Isait (që është Pejgamber e jo Zot); e, në Ditën e Kiametit, ai (Isai) do të jetë dëshmitar kundër tyre” (En-Nisa’: 157-159)
Lexo Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “Por, ata, as nuk e kanë mbytur as nuk e kanë gozhduar, por iu ka përngjarë atyre.” Ibni Kethiri komenton Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “Të gjithë ithtarët e Librit, para se të vdesin, do t’i besojnë Isait.”, thotë: “Ibni Xheriri thotë: “Mendimi më i drejtë prej këtyre mendimeve është ai ku thuhet se nuk do të mbetet asnjëri nga ehli kitabët pas zbritjes së Isait alejhis-selam e të mos besojë në të para se të vdesë.” Dhe nuk ka dyshim se kjo që ka thënë Ibni Xheriri është e saktë, sepse plotësisht përshtatet me kontekstin e rrëfimit kur’anor për pavërtetësinë e thënieve të hebrenjve, se e kanë mbytur Isanë alejhis-selam dhe se e kanë gozhduar, e të cilëve u kanë besuar një pjesë e të krishterëve. All-llahu xhel-le shanuhu na in-formon se nuk ka ndodhur kështu, por se vetëm u është dukur atyre dhe se kanë mbytur një të ri që i përngjante Isait alejhis-selam, e ata as që kanë qenë të vetëdij-shëm për këtë. Pastaj All-llahu xhel-le shanuhu e ka ngritur pranë Vetes dhe ai ka mbetur gjallë e do të zbresë para ardhjes së Ditës së Kiametit, për çka na flasin hadithet të cilat kanë arritur shkallën e tevaturit. Ai do ta mbysë Dexhxhalin, do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin dhe do t’i lirojë njerëzit nga xhizja (ngase nuk do të ketë më jobesimtarë). Ky ajet na informon se atij do t’i besojnë të gjithë hebrenjtë dhe të krishterët dhe se askush prej tyre nuk do të mbetet pa besuar.”[39]
Nga hadithet që flasin për zbritjen e Isait alejhis-selam, është edhe hadithi që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, se Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu ka thënë: “Resulull-llahu alejhis-selam ka thënë: “Pasha All-llahun, nuk është larg koha kur mes jush do të zbresë i biri i Merjemes e të gjykojë drejtësisht, pastaj do ta thyejë kryqin,[40] do ta mbysë derrin dhe do të lirojë nga xhizja,[41] atëherë do të shumëzohet pasuria[42], kështu që askush nuk do të dëshirojë ta pranojë atë. Atëherë një sexhde do të jetë me e vlefshme[43] se çdo gjë në këtë botë.”[44]
Ekzistojnë edhe shumë hadithe të tjera që flasin për këtë.[45] Kadi Ijadi thotë: “Zbritja e Isait alejhis-selam dhe mbytja e Dexhxhalit nga ana e tij është e vërtetë dhe besimi në këtë prej Ehli Sunneti është korrekt për shkak të haditheve sahih që flasin për këtë dhe se nuk ekziston asgjë, as në arsye, as në Sheriat, që e konteston këtë, prandaj edhe ne jemi të obliguar ta pranojmë këtë. Disa mu’etezilë dhe ithtarët e tyre e refuzojnë këtë, duke konsideruar se këto hadithe i kundërshton ajeti kur’anor ku thuhet se Muhammedi alejhis-selam është Pejgamberi i fundit, që e ka vërtetuar edhe vetë Resulull-llahu alejhis-selam me fjalët: “Pas meje më nuk ka Pejgamber.” Me të vërtetë, pajtimi i plotë i të gjithë muslimanëve se pas Pejgamberit tonë alejhis-selam nuk do të ketë më Pejgamberë dhe se sheriati i tij do të jetë në fuqi gjersa ekziston kjo botë dhe se askush nuk mund ta zhvlerësojë atë, është tërësisht me vend. Mirëpo, të merret kjo si argument është tërësisht e pabazë, ngase hadithi nuk thotë se Isai a.s. do të zbresë si Pejgamber me sheriat të ri. Kështu nuk mund të kuptohet nga hadithet e përmendura, e as nga hadithet e tjera që flasin për zbritjen e Isait alejhis-selam.
Përkundrazi, në këto hadithe theksohet se ai do të sundojë drejtësisht sipas sheriatit tonë dhe do t’i ringjallë të gjitha ato gjëra që i kanë lënë njerëzit pas dore nga ligjet e tij.”[46]
d - Paraqitja e Je’xhuxhëve dh Me’xhuxhëve(Gogu dhe Magogu)
Edhe për këtë parashenjë flitet në Kur’an. All-llahu xhel-le shanuhu thotë:
“Dhe ai përsëri shkoi (në një rrugë nga veriu). Kur arriti mes dy bjeshkësh gjeti afër tyre një popull, i cili, thuajse nuk kuptonte asnjë të folme. Ata thanë: “O Dhulkarnejn, me të vërtetë Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët bëjnë çrregullime në Tokë, a do të të japim dhuratë që të ndërtosh një mur mes nesh dhe atyre?” (Dhulkarnejni)tha: “Atë që më ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (nga ajo që ofroni ju), por më ndihmoni ju mua sa të mundeni, e unë do të ndërtoj një mur ndërmjet jush. Më sillni copa të mëdha hekuri!” E, kur ai i rrafshoi dy anët e bjeshkëve, tha: “Fryjini zjarrit derisa hekuri të skuqet si zjarri!” Pastaj tha: “Më sillni bakër të shkrirë që ta hedh në të!” Dhe kështu, ata (Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët)nuk kanë mundur ta kapërcejnë as nuk kanë mundur ta zhbirojnë (pendën). (Dhulkarnejni)tha: ”Kjo është dhuntia e Zotit tim! E, kur të plotësohet premtimi i Zotit tim, (Ai) do ta rrafshojë atë (pendën) me tokë, e premtimet e Zotit tim janë të vërteta.” (El-Kehf: 92-98)[47]
“Dhe kur të hapet ajo (penda), e dalin Je’xhuxhët e Me’xhuxhët dhe lëshohen prej çdo lartësie duke shpejtuar dhe të afrohet premtimi i vërtetë (Dita e Kiametit), në atë çast shikimet e atyre që nuk kanë besuar, do të shtangen, (e do të thonë): “Të mjerët ne! Ne kemi qenë të pakujdesshëm ndaj kësaj. Jo, por ne vetes i kemi bërë zullum.” (El-Enbija: 96-97)
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Zejneb bint Xhahshi radijAll-llahu anhu, e cila thotë se një herë Resulull-llahu alejhis-selam kishte hyrë tek ajo shumë i shqetësuar duke thënë: “La ilahe il-lall-llah, mjerë arabët nga fatkeqësia e cila tanimë u është afruar. Sot penda e Je’xhuxhëve dhe Me’xhuxhëve është hapur kaq”, dhe e bëri një rreth me gishtin tregues dhe të madh. Zejnebja tha: “O i Dërguari i All-llahut! A mos vallë, do të jemi të shkatërruar, e ndër ne ka njerëz të mirë?” Tha: “Po, nëse rritet e keqja.”[48]
Imam Muslimi transmeton nga Nuvas bin Sem’ane radijAll-llahu anhu një hadith, të cilin tanimë e kemi cituar, ku përmendet zbritja e Isait alejhis-selam dhe Je’xhuxhët e Me’xhuxhët, të cilët do të zbresin nga bregoret e tyre, e pjesa e parë e tyre do të kalojë pranë liqenit Tabarijje dhe do ta pijnë tërë ujin e saj, e kur të arrijnë ata të fundit do të thonë: “Si duket, këtu më parë ka pasur ujë.”[49]
Ekzistojnë ende hadithe që flasin për Je’xhuxhët dhe Me’xhuxhët ndërsa tërësia e të gjitha ajeteve dhe haditheve që flasin për ta, na jep bindje të fuqishme se ky popull do të paraqi-tet duke bërë çrregullira në përfundim të kësaj bote. Prandaj çdo musliman është i obliguar të besojë në gjithë atë që thotë Kur’ani dhe hadithet sahih lidhur me ta. E, për sa i përket përcaktimit të kohës se kur do të paraqiten, detajet se si duken e të ngjashme, ose për vendin se ku gjenden ata sot, të gjitha këto bëjnë pjesë në gajb, të cilin nuk e njeh askush përveç All-llahut xhel-le shanuhu.
Krijoni Kontakt