-
i/e regjistruar
Nga përmbledhja "Tregimet e Ferrit" (Agim Hamiti)
Amri dhe Erna
Në vitet pesëdhjetë, qendra e të internuarve në Tepelenë mishëronte tiparet më karakteristike të një kampi shfarosjeje, veçanërisht për të miturit dhe të moshuarit. Ata vite zie buke për mbarë Shqipërinë, atje përjetoheshin me vështirësi të shumëfishuara nga faktorë të tjerë. Familjet e të arratisurve politikë flakeshin pa asnjë lloj përgjegjësie në atë ferr telash me gjemba, ku mbijetesa i besohej rastësisë.
Pozicioni gjeografik i vendit, ku ishin ngritur kapanonët-haure prej dërrasash të vjetra, ishte zgjedhur në shërbim të së keqes. Gjatë vjeshtës dhe dimrit nga gryka e lumit pranë frynte një erë e acartë, e cila ndikonte ndjeshëm në uljen e temperaturës së asaj zone të rrethuar nga malet.
Dërrasat e vjetra gjithë vrima gozhdësh të shkulura, me të cilat ishin ndërtuar krevatet kolektivë tip dyshemeje me dy kate, zhvillonin tartabiqen (çimkën) si një parcelë e rendimentit të lartë. Ky parazit grykës nuk ngopej së thithuri gjakun e të internuarve anemikë duke u vrarë gjumin, vetëm gjatë të cilit ata mund ta harronin përkohësisht mjerimin që përjetonin.
Uji i ftohtë e shumë gërryes i intensifikonte më tej krizat e zisë së bukës. Të pushtuar organikisht prej një urie kronike, fëmijët e kampit të Tepelenës për çdo mbrëmje qanin me dënesë, derisa i zinte gjumi prej drobitjes. Për t’i dhënë fund këtij kori të përvajshëm, policia urdhëroi dy të rinj të internuar të maskoheshin me një rrobë në kokë e t’i trembnin fëmijët me gjeste kanosëse. Mirëpo pasojat e këtij veprimi qenë fatale qysh natën e parë. Tre fëmijë, të lebetitur nga frika, u sëmurën rëndë. Njëri prej tyre vdiq. Pas kësaj drame, fëmijët u lanë të lirë ta shfrenin lirisht sikletin e urisë kronike.
Ndërkohë vdekshmëria mes të miturve mori përmasa shqetësuese edhe për vetë regjimin mizor, që i flijonte pa shkak. Me një vendim qeveritar, fëmijët nën moshën 12 vjeç mund të liroheshin nga internimi, nëse një i afërt i tyre në jetën e lirë dilte garant për ta, në mungesë të prindërve. Për shkak të luftës së klasave edhe brenda fisit, nuk qenë të shumtë fëmijët që u shpëtuan telave me gjemba në ata vite tmerri.
Baza ushqimore e të internuarve ishte bollguri i prishur nëpër magazinat e ushtrisë, i cili nuk përdorej më prej saj, mbasi ishte plot me miza të vogla e krimba. Jepeshin gjithashtu 400 gramë bukë misri në ditë për pleqtë e fëmijët dhe 600 gramë për të internuarit që shkonin në punë të detyruar.
Bollguri i zier në kazan të përbashkët, me kripë e pa vaj, u ndahej të internuarve dy herë në ditë: në mëngjes dhe në darkë. Dyndja e këtyre fatkeqëve të uritur në ekstrem e bënte të pamundur ndarjen e bollgurit pa pjesëmarrjen e policisë së vrazhdë të kampit. Policët bërtisnin, shtynin, godisnin pa mëshirë, por rregulli ishte i vështirë të mbahej. Asgjë nuk mund ta ndalë në luftën për mbijetesë një qenie të kërcënuar nga fikja organike, për shkak të stomakut të boshatisur në vazhdimësi. Pamja e rrëqethshme e dyndjes së të uriturve drejt kazanit me gjellën bajate, që nxirrte avull, ishte ilustrimi më i mirë i konstatimit të Hygoit si ekspert i mjerimit : Mbi popujt, mbretërit ; mbi mbretërit, lufta ; mbi luftën, uria.
Askujt nuk i binte ndërmend ta pastronte pjatën mjerane të aluminit me supën e bollgurit, mbi të cilin lundronin krimba e miza. Askush nuk e mposhtte dot tundimin për ta rrufitur sa më parë përmbajtjen banale të pjatës së aluminit gjithë pore të zeza, që shtrëngonte në duart e dridhura, edhe kur supa ishte ende e nxehtë. Madje përdorimi i lugës ishte luks i tepërt në ato rrethana, ku çdo i internuar kishte në dorë diçka të pamjaftueshme për të ngrënë vetëm dy herë në 24 orë.
Të sakrifikuarat e mëdha të këtij ferri tokësor ishin nënat me fëmijë. Ndonëse punonin gjithë ditën, për të transportuar dru me krahë nga pylli matanë lumit, ato ishin të detyruara të kursenin diçka nga racioni i tyre i dobët prej 600 gramëve bukë misri të premtuara (në fakt nuk jepeshin kurrë 600 gramë), për t’ua dhënë fëmijëve të tyre në mbrëmje, kur nuk i zinte gjumi me barkun bosh. Natyrisht, vuajtjes së madhe fizike të këtyre nënave heroike u shtohej edhe dhembja e mprehtë shpirtërore, duke parë fëmijët e tyre t'ua rrëmbente uria nga krahët.
Një natë me stuhi të janarit 1953, një nënë trimëreshë krutane arriti të arratisej prej kampit, së bashku me djalin 14 vjeçar. Të bllokuar për shkak të dëborës, ata u kapën natën tjetër prej forcave të ndjekjes. Me urdhër të DPB të Tepelenës, komanda e kampit vendosi t’iu bënte një linçim shembullor para të internuarve nënës me djalin adoleshent. Të dyve ua kishin prangosur duart pas shpine. Para se të nisnin ndëshkimin e tyre fizik, policët lidhën me një copë litar rreth një metër të gjatë prangat e nënës me ato të të birit. Goditjet me shkop fillimisht nuk qenë me egërsinë e zakonshme. Spektakli i kobshëm duhej të zgjaste para syve të ndezur të përfaqësuesve të DPB dhe të oficerëve të komandës së kampit.
Ndonëse goditjet mbi nënën nuk vonuan të forcoheshin, ajo shtrëngonte dhëmbët, pa nxjerrë asnjë tingull nga goja. Ndërsa djali, i traumatizuar nga ç’po ndodhte në sy të të internuarve dhe oficerëve e policëve të shumtë, nuk rezistoi dot gjatë. Në çdo goditje, ai rënkonte dhe përpiqej të bëhej kruspull. Një shkop në kërci i krijoi shumë dhimbje dhe djali klithi «oh, naaanë!».
Nëna stoike vazhdonte t’i duronte pa nxjerrë zë shkopinjtë e fortë, që tashmë i kishin grisur vende-vende bluzën. Për të mos ta shqepur gojën e t’iu bënte qejfin uniformave të terrorit, ajo kishte kafshuar aq fort buzën e poshtme, saqë po i rridhte gjak prej saj. Por ajo ishte nënë dhe, si e tillë, mund të përballonte me guxim goditjet fizike, por jo sëmbimin e zemrës. Duke dëgjuar thirrjen e djalit në siklet, zëri i saj doli si një rënkim i mbytur: «biiir !». Ajo u hodh me trup mbi djalin, për ta mbrojtur nga goditjet e mëtejshme.
— Largojeni bushtrën e tërbuar!, urdhëroi nënkryetari i DPB që ishte i pranishëm.
Goditjet mbi nënën u intensifikuan, ndërsa njëri prej policëve e kapi fort tek të dy shpatullat, për ta shkëputur prej të birit. Mirëpo dhëmbët e saj kishin mbërthyer me të gjithë forcën, që çliron organizmi i nënës në çastin e një dhimbjeje të mprehtë shpirtërore, jakën e xhaketës së djalit dhe nuk shkëputej prej saj.
— Qërojeni! ulëriti nënkryetari i DPB, i shpërfytyruar.
Një shkop i fortë në kokë e lau në gjak fytyrën e nënës trimëreshë, që rënkoi mbyturazi me dhëmbët të fiksuar tek jaka e të birit.
Turma e të internuarve i ktheu krahët spektaklit makabër dhe, pa urdhër, u drejtua për tek kapanonët. Pranë viktimës mbetën vetëm xhelatët e përgatitur për krimin në inkubatorët ideologjikë të partisë.
*
Nuk vonoi shumë dhe kampin e kapi epidemia e skorbutit. Shumica e të internuarve mezi e shikonin rrugën edhe në mes të ditës, ndërsa kur perëndonte dielli duhej t’i mbante dikush për krahu gjatë ecjes. Kjo gjendje e vuri në pozitë të vështirë policinë e kampit, sepse nuk mund të zbatoheshin dot veprimet e parashikuara në rregulloren e brendshme me njerëz që nuk shikonin nga sytë. Të internuarit e sëmurë nuk arrinin të rreshtoheshin.
Komanda e kampit dha alarmin në M P të Brendshme për pamundësinë e ushtrimit të disiplinës së rreptë që kërkohej. Për shëndetin e kërcënuar seriozisht të të internuarve ata nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie. Humbja e jetës së një të internuari nuk kushtonte më tepër se fleta e letrës, ku përshkruheshin përmbledhtas rrethanat e vdekjes, natyrisht të manipuluara. Shëndeti i armikut të klasës përfaqësonte forcën e së keqes për ta. MPB dërgoi dy kamionë me qepë në kamp, të cilat ua shpërndanë të sëmurëve më rëndë.
Kur gjendja e mjeruar e të internuarve kishte mbërritur pikun e saj, MP të Brendshme çoi në kampin e Tepelenës dy femra gjermane të zëna rob gjatë viteve të luftës. Ato quheshin Amri dhe Erna. E para ishte mjeke, tjetra inxhiniere topografie. Komanda e kampit i sistemoi dy intelektualet gjermane në kapanonët e vjetër, bashkë me familjet shqiptare. Meqenëse ishin të reja e të forta fizikisht, policia i detyroi të shkonin në punë me gratë e internuara shqiptare, të cilat prisnin e transportonin dru me krahë matanë lumit, një orë rrugë larg prej kampit. Drutë përdoreshin për tu ngrohur oficerët e komandës së kampit dhe për kuzhinën.
Dy gjermanet vuajtën shumë për të mësuar të prisnin dru me sëpatë e t’i transportonin ato të ngarkuara në krahë me litar. Duart e tyre të buta u mbushën gjithë flluska e u gjakosën, por ato nuk ankoheshin. Me kalimin e kohës, një shtresë kalloje i pasoi flluskat dhe gjermanet filluan të mësoheshin me punën e rëndë fizike.
Ato e njihnin mirë gjuhën italiane dhe komunikonin me një të internuar shqiptare me emrin Afërdita, e cila gjithashtu dinte të fliste italisht. Amri dhe Erna u tronditën nga gjendja e mjeruar e kampit. Veçanërisht keqtrajtimi i fëmijëve dhe i pleqve prej policisë ishte mizor për mendimin e tyre.
— Është për tu habitur – shprehej Amri – që autoritetet shqiptare dënojnë keqtrajtimin që u është bërë të internuarve gjatë viteve të luftës në kampet gjermane të përqendrimit, ndërsa vetë trajtojnë në mënyrë kaq të pamëshirshme popullin e tyre, në kushte paqeje. Në kampet gjermane nuk gjeje kurrë fëmijë si këtu dhe as gjermanë të internuar, veç të huaj. Nuk dua të justifikoj atë që ka ndodhur atje, por është vërtet e tmerrshme të trajtosh popullin tënd me këtë valë urrejtjeje në rritje. Askush nuk ka të drejtë morale të ankohet prej keqtrajtimit të të huajit, kur ushtron vetë terror mbi popullin e tij.
Kur Afërdita ia hidhte fjalën për vuajtjet e tyre në kampin e Tepelenës, Amri i përgjigjej:
— Ne presim çdo lloj keqtrajtimi prej komunistëve shqiptarë, mbasi kemi shërbyer në radhët e ushtrisë pushtuese gjermane. Gjersa ata torturojnë pa pikë mëshire fëmijë e pleq shqiptarë të pafajshëm, ç’mund të presim ne prej tyre?
Dy gjermanet vuajtën shumë për të mësuar të transportonin dru ngarkuar me litar. Mirëpo falë fizikut të tyre të fortë dhe vullnetit shembullor për të përballuar vështirësitë, me kohë ato arritën të bënin punën e tyre të detyruar dhe, në raste të veçanta, të ndihmonin edhe të internuarat shqiptare. Për të kaluar lumin nuk kishte urë. Gratë e internuara zbatheshin si në vajtje edhe në ardhje, ndërsa policët i nxisnin të ecnin sa më shpejt duke kaluar lumin.
Një ditë, kur ato mbërritën tek bregu i lumit të ngarkuara me dru, uji kishte filluar të turbullohej, mbasi kishte rënë shi gjithë paraditen. Të frikësuara prej ujit të turbullt, të internuarat po ngurronin të futeshin në lumë. Policët filluan t’i shtynin e t’i kërcënonin, sepse vesonte dhe ata donin të ktheheshin shpejt në kamp. Të detyruara prej dhunës policore, ato zbatuan urdhrin të kapura dorë për dorë. Një e internuar shtatpakët, e cila ishte e bindur që nuk e kapërcente dot lumin me barrën e druve në shpinë, iu lut policëve t’i bënin një lëshim:
— Më lejoni, ju lutem, ta përgjysmoj barrën e druve dhe ta kaloj dy herë lumin. Nuk i ngre dot njëherësh drutë, se edhe uji po shtohet. Mos më detyroni të mbytem, në besoni Zotin.
— Nuk ka Zot, jo, por edhe sikur të kishte, ai do të bëhej me ne e jo me ju të vdekurit. Prandaj, lere Zotin e futu në ujë.
Me këto fjalë, polici e shtyu fort të internuarën drejt lumit. Ajo u lëkund nën barrën e druve, iu morën këmbët dhe ra në ujë duke rënkuar. Me drutë përsipër, trupi i saj u fundos.
Të dy gjermanet, që ishin vetëm dy metra larg saj, u sulën për ta ndihmuar. E ngritën rrëmbimthi prej ujit dhe ia shkarkuan drutë. Me ndihmën e shoqes së saj, Erna i hodhi përmbi barrën e vet drutë e lidhura me litar të së internuarës shqiptare. Kjo kishte plagosur këmbën dhe çalonte, tek po përpiqej të kalonte lumin pa ngarkesë. Amri e kapi për krahu dhe e ndihmoi të dilte në bregun tjetër.
Edhe pasi kaloi lumin, Erna nuk pranoi t’ia jepte barrën e druve të internuarës shqiptare, e cila po dridhej prej të ftohtit dhe dhimbjes së këmbës. Qysh prej asaj dite, të dy gjermanet, me t’iu afruar lumit, e shkarkonin shpejt e shpejt shqiptaren shëndetligë dhe nuk e linin të hynte në ujë e ngarkuar. Policëve u tërhoqi vëmendjen ky gjest fisnik i gjermaneve dhe çdo herë që i afroheshin buzës së lumit ironizonin:
— Armiqtë e komunizmit e njohin në erë njëri-tjetrin dhe bëjnë aleancë mes tyre.
Amri dhe Erna i shprehnin indinjatën Afërditës, për sjelljen e shëmtuar të policëve:
— Ju të gjitha jeni nëna shqiptare. Mjafton të kujtojnë vetëm këtë fakt dhe policëve duhet t’iu dridhet dora, para se ta ngrenë mbi ju. Po ata vetë kush i ka lindur, nëna apo ideologjia që i paska tjetërsuar? Një shoqëri që keqtrajton nënën gjymton të ardhmen e saj.
Më 1956, Amri dhe Erna u riatdhesuan. Në prag të ndarjes përfundimtare, ato u takuan përmallshëm me të internuarat shqiptare, me të cilat kishin punuar e vuajtur së bashku. Dy gjermanet morën shënim emrat e disa prej bashkëshortëve të arratisur të të internuarave shqiptare, të cilat nuk kishin asnjë lajm për fatin e njerëzve të tyre. Ato premtuan se, nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, do të përpiqeshin t’iu siguronin korrespondencë me të afërmit e arratisur.
Vetëm tre muaj pas riatdhesimit të Amrit dhe Ernës, në kampin e Tepelenës mbërritën letrat e para prej familjarëve të arratisur të disa prej të internuarave.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Ruaj Lidhjet