UNMIK-u rri këtu për restorante të mira e femra të bukura, thotë Daci
Kryeparlamentari i Kosovës ashpërson gjuhën ndaj UNMIK-ut
SYZANA BYTYÇI
PRISHTINË, 23 PRILL - UNMIK-u i ka fajet dhe pikë. Kryeparlamentari Daci nuk i la gjë pa thënë administratës ndërkombëtare për “ngecjen e demokracisë dhe ekonomisë në Kosovë”, në një prononcim që bëri të mërkurën, pas takimit me kryesuesin e radhës të OSBE-së. “Mendoj se UNMIK-u i ka shpenzuar kapacitetet e veta dhe nuk ka më kapacitet që të shtyjë përpara proceset e demokratizimit dhe ekonomisë së Kosovës”, u tha mediave kryeparlamentari Daci, ndërsa këto mendime pohoi t’ia ketë thënë edhe kryesuesit të OSBE-së. Ai akuzoi UNMIK-un për zvarritjen e bartjes së kompetencave, madje edhe të atyre të parapara me kapitullin V të Kornizës kushtetuese, për terrin, papunësinë, situatën politike dhe të gjitha të zezat që ngulfatin Kosovën. “Një kohë ne kemi qenë eksportues të energjisë elektrike. Maqedonia ka mbijetuar me energjinë elektrike nga Kosova. Edhe Greqia ka përdorur rrymën tonë. Tani, gati katër vjet pas përfundimit të luftës, ne ende jemi në terr”, u shpreh kryeparlamentari Daci. Ai kujtoi kohët kur Kosova ka qenë prodhuesi më i madh i plumbit dhe zinkut në Evropë, ndërsa tani 70 për qind e popullsisë janë të papunë. Ai tërheq vërejtjen se kjo shkallë e lartë e papunësisë do të destabilizojë situatën politike në Kosovë. Daci thotë ta ketë paralajmëruar UNMIK-un qysh para nëntë muajsh, nëse nuk e ndryshon veten...”, por asgjë nuk kishte ndodhur. “Tani jemi në pozitën që ishim para dy vjetësh. Më duhet të pranoj se vitet 2000 dhe 2001 ishin vite të përmirësimeve rrënjësore, por mos harroni në atë kohë ka pasur shumë OJQ që kanë kontribuar për sukseset tona. 2002 ka qenë vit i stagnimit”, theksoi Daci.
Rroga ime është më e vogël sesa e pastrueses së zyrës së z. Steinerit
“Qe tre vjet një vend i vogël si Kosova mbledh në buxhetin e vet nga 100 milionë euro çdo vit. E pensione nuk kemi, rrogat tona janë tmerrësisht të ulëta, frustruese. Rroga ime është më e vogël sesa e pastrueses së zyrës së z. Steinerit. Njëjtë edhe rroga e presidentit Rugova, e njëjtë edhe rroga e kryeministrit”, u shpreh kryekuvendari. Daci numëroi resurset e Kosovës për të pasur gjendje më të mirë. “52 për qind e popullatës nën moshën 20-vjeçare, të gjithë dinë anglishten dhe gjermanishten dhe njohin teknologjinë më moderne. Në Jugosllavinë e Titos ne kemi pasur pozitë shumë të mirë sa u përket resurseve. E tani të rinjtë e shohin se nuk kanë perspektivë në Kosovë dhe ata kanë filluar prapë të mendojnë që ta lëshojnë Kosovën për të shkuar në ndonjë shtet perëndimor”, ankohej Daci. E shfrytëzimi i këtyre resurseve, sipas tij, ishte i mundur vetëm me ristartimin e ekonomisë, krijimi i ligjeve e paskëtaj edhe i stabilitetit ekonomik. Pse nuk ia nisin qysh tani? Daci thotë se kjo është pyetja më me vend që ka dëgjuar këtë vit. “Sepse ne nuk kemi krijuar ligjet, nuk na është lejuar dikush që selekton ligjet që duhet të kalojnë në Parlament”, përgjigjet Daci. Ligjet e selektuara, sipas tij, zakonisht për nga rëndësia janë të dorës së dytë apo të tretë dhe nuk janë ligje që sigurojnë ekonominë, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. “Mund të pyesni cila është arsyeja. Arsyeja është se disa departamente të UNMIK-ut do të donin ndoshta që edhe një shekull të qëndrojnë këtu. Pse ta lëshojnë ata Kosovën? Rrogat e tyre janë aq të larta çfarë nuk janë në vendet e tyre, gjendja e sigurisë së tyre këtu nuk është keq sikur në disa vende evropiane dhe botërore, ne kemi vajza të bukura, restorante ndoshta më të mirat në regjion. Pse ta lëshojnë ata Kosovën?”, shprehet Daci.
UNMIK-u nuk duhet të shkojë i tëri dhe menjëherë
Nexhat Daci, i vendosur, tha se kërkon profesionalizëm nga shtetet perëndimore, jo administratorë dhe politikanë të shekullit XIX dhe burokratë nga shekulli XIX. Ai nuk fajësoi shtetet perëndimore individualisht, por UNMIK-un. Daci nuk mendon se UNMIK-u duhet të shkojë menjëherë dhe i tëri, porse ai duhet duhet të ndryshojë rolin, të reduktojë stafin e tij në mënyrë drastike. Kryetari i Kuvendit nuk mendon se përçarjet mes tre liderëve politikë janë pengesë që UNMIK-u të mund t’ia bart mandatin kosovarëve. Parlamenti do t’i shtyjë ata të punojnë, thotë ai, dhe kjo nuk është iluzion. “Në një parlament të vogël janë të ulura 14 parti politike, 7 parti shqiptarë që përbëjnë 90 për qind të popullatës dhe 7 të tjera janë minoritete. Parlamenti ka arritur që në 90 për qind të ligjeve të miratuara të kenë votë unanime të deputetëve”, jep një ilustrim Daci. Parlamenti mund t’i shtyjë liderët të përmbushin obligimet e tyre, sipas tij. “Nëse ata nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, unë do të kërkoj nga populli që t’i ndërrojë të gjithë, përfshirë edhe mua. Ne duhet të jemi pjesë e integrimeve në Evropë, ne duhet ta ndiejmë atë jetë. Ne nuk duam të kthehemi në shekullin XIX dhe të kemi carë këtu”, theksoi Daci. “...Apo kolonializëm. E përdora carë duke pasur ndërmend carët rusë”. Daci madje mendon se nuk është korrekte që të thuhet se liderët kosovarë nuk bashkëpunojnë. “Unë kam raporte të shkëlqyeshme me liderin që sapo doli nga kjo zyrë (Haradinajn). Unë nuk shoh dallime të mëdha mes tyre. Kjo ndoshta është një mënyrë ballkanike e të menduarit se dikush duhet të jetë car, apo Zot. Kjo duhet të ndryshohet”, theksoi Daci.
Steinerin nuk e kritikoj pse nuk e ka bërë punën, por ku janë rezultatet
“UNMIK-u për një vit e gjysmë ka dërguar informata të rrejshme në New York”, tha në një moment Daci. Kur flet për UNMIK-un, ai thotë se nuk mendoj vetëm për Steinerin, pasi ai ka ardhur shumë vonë. “Unë nuk po kritikoj atë se nuk e ka bërë punën, por pse nuk ka pasur rezultate. Ai erdhi shumë vonë me një ekip shumë të vogël, dy apo tre veta. Çka mund të bëjë ai me 10 mijë të tjerë. Aty është vendosur një burokraci e tipit shumë të lashtë, një burokraci e OKB-së e cila është duke paguar shumë”, tha Daci. Ai vërejti se një senator në Amerikë merr më pak para sesa një zyrtar UNMIK-u. Kritikat e Dacit për Steinerin ishin se ai nuk ka qenë pragmatik. “Ai flet mirë, premton gjëra të mira. Sot shkon dhe ec në veri të Kosovës, gjë që ne e kemi përshëndetur, por nesër harron çka ka thënë”, tha Daci, duke vërejtur se një e treta e Kosovës nuk kontrollohet nga UNMIK-u. “Unë, presidenti e kryeministri, nuk kemi aq qasje fizike në veri”, u shpreh Daci. Me një frymë, ai tha se Qeveria e Kosovës ishte e dëshpëruar politikisht e legalisht në UNMIK-un. “Për çkado që UNMIK-u vendos të nesërmen ti je i detyruar ta lëshosh një komunikatë për shtyp dhe të thuash ‘ne përkrahim njëqind për qind këtë vendim’”, u shpreh Daci. Sipas tij UNMIK-u e ka gabim nëse mendon se e tërë bota e mbështet atë, kjo ka qenë e vërtetë vetëm në vitet 2000-2001 dhe në një pjesë të 2002. Daci tha se përditë takon përfaqësues të shteteve individuale dhe u jep atyre pasqyrën reale për gjithçka. Ai tashmë është i bindur se çdo shtet individualisht është duke përkrahur bartjen më të shpejt të kompetencave te institucionet e zgjedhura. Daci alarmon: “Roli i UNMIK-ut duhet të ndryshojë sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësisht që nesër. Viti 2003 sipas analizave që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, jetën sociale, edukimin, përkujdesjen shëndetësore, është në rënie. Kurba ka filluar të bie dhe kjo na bënë të palumtur të gjithëve: Qeverinë dhe njerëzit e Kosovës”. Ai beson se katër vjet pas çlirimit Kosova nuk ka nevojë më për këtë mënyrë administrative të punës së UNMIK-ut. “Ne nuk kemi nevojë edhe më tutje për administrim. Ne kemi nevojë që UNMIK-u të qëndrojë këtu si një grup i vogël i ekspertëve, disa qindra prej tyre, të cilët do të na ndihmonin me këshilla sidomos për fushën ekonomike”, tha kryeparlamentari Nexhat Daci, në njërën prej deklaratave më kritike për UNMIK-un, që ka bërë ndonjëherë ndonjë politikan vendor.
mani
Krijoni Kontakt