Flamuri i Kosovës dhe i Shteteve të Bashkuara

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) ka lëshuar një deklaratë permes së cilës konfirmon pezullimin e programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa të zgjidhet çështja e tarifave të Kosovës, MCC do të pezullojë programet e saja në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Më tutje në njoftim thuhet se “vendimi për të vazhduar me programet varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës”.

Organizata shpeson që Qeveria e Kosovës ta zgjidhë së shpejti çështjen e tarifave në mënyrë që të vazhdojë programet e saj në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë më 11 mars ka raportuar se një nga programet e pezulluara nga MCC-ja është ai në vlerë prej rreth 50 milionë dollarë amerikan.

Ky program tanimë i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit.

Bëhet fjalë për një grant të MCC-së i fokusuar në avancimin e politikave dhe reformave institucionale që u ndihmojnë shteteve partnere për t'i shërbyer më mirë popullit. Investimet MCC-së promovojnë rritje ekonomike si dhe ndihmojnë njerëzit të dalin nga varfëria, duke krijuar shtete më stabile, më të sigurta, me mundësi të reja për biznese.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë më 11 mars për Radion Evropa e Lirë, se çfarëdo pezullimi apo tërheqje e ndihmës financiare të cilën Kosova e merr përmes Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar apo edhe të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit do të ishte shenjë e keqe për Kosovën dhe shenjë e përkeqësimit të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Përkeqësimi i raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është në interes të Kosovës duke e ditur tërë kontributin dhe përkrahjen që ka marrë Kosova nga SHBA-ja edhe në procesin e çlirimit të vendit edhe në procesin e shpalljes së pavarësisë dhe me vonë edhe në procesin e ndërtimit dhe fuqizimit të shtetit”, thotë Zeka.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si "shenjë e vullnetit të mirë" dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Ky plan i Kurtit është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili pati deklaruar se kryeministri i Kosovës bën “gabim serioz”, pasi sipas tij, kërkesa e SHBA-së është që tarifat të hiqen plotësisht.

Tarifa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, por ajo ishte vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr tarifa.

Që atëherë, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, në vazhdimësi u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifën, për t’i hapur rrugë rinisjes së dialogut./REL