Si u be Angjeline Arianiti shenjtoreshe serbe
Prof.Shyqri Nimani
Është e njohur se në mesjetë bëheshin lidhje familjare dhe gjaku për interesa të
fisnikërisë sunduese të kohës. Lidhje të tilla kishte edhe mes fisnikëve
shqiptarë dhe serbë. Nga një lidhje e tillë është shëmbëllesa e Angjelinë
Arianitit, e cila më vonë do të bëhet shenjtëreshë e Kishës Ortodokse
Serbe, që sot e kësaj dite njihet me emrin Shën-Angjelina serbe –
Prepodobna mati Angelina srpska. Angjelina ishte bija e princit të njohur
shqiptar Gjergj Arianit, “Trimit”. Kjo familje e madhe feudale shqiptare
njihet që nga fillimi i shekullit XI. Ajo ka luajtur një rol të
rëndësishëm politik deri në mesin e shekullit XVI. Emri i saj njihet në
variante të ndryshme, Aranit, Arnit, Harjanit etj., dhe me shtesa që
shënojnë lidhje me familje të mëdha feudale: Arianit Komneni, Arianit
Golem Topia etj.. Figurat kryesore të kësaj familjeje janë: David Arianiti
(1001-1018), patrik, i njohur për luftën e tij kundër bullgarëve në
Strumicë e Shkup, dhe Gjergj Arianiti (1379-1470), një nga figurat
kryesore historike të shekullit XV, bashkëluftëtar i Skënderbeut.
Gjergj Arianiti kishte një djalë, Konstandinin, dhe dy bija, Donikën dhe
Angjelinën. Konstandin Arianiti (1457-1531), trashëgimtar i titullit
princor, që në moshën 12-vjeçare, pas vdekjes së Gjergjit, bashkë me të
emën mërgoi në Itali, ku u bë Zot i Monteferratos, kapedan i Pizas. Ishte
në dispozicion të perandorit Maksimilian si zëvendës i përgjithshëm në
Itali dhe si ambasador në Romë. Më 1516 qe emëruar Zot i Fanos në Italinë
Qendrore, ku edhe vdiq. Siç është e njohur, Donika ishte martuar për
Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, ndërsa Angjelina për djalin e Gjergj (Gjurgj)
Brankoviçit - smederevasit. Ja si kishte ndodhur kjo: më 1459, kur
Smedereva kishte rënë në duart e turqve, Gjurgj Brankoviçi kishte kërkuar
strehim me familjen e tij në shtëpinë e princit shqiptar, Gjergj Arianitit.
Angjelina (e cila kishte lindur në rrethin e Elbasanit në pjesën e parë të
shekullit XV) martohet më 1461 në Shkodër për Stefanin e verbër – birin e
dytë të Gjurgj Brankoviçit. Asaj i kishin lindur tre fëmijë: dy djem –
Gjergji dhe Joani dhe një çupë – Mara. Për shkak të rrezikut osman,
mërgojnë në Itali (Furlani). Pas vdekjes së të shoqit, Stefanit (1471),
Angjelina (e vejë) me familjen e saj vendoset në Srem, ku mbreti hungarez,
Mateja, ia jep në pronësi qytetin dhe pasurinë e Kupinovës. Atje ajo i
kishte bartur edhe eshtrat e të shoqit, Stefanit. Biri i saj, Gjergji,
kishte refuzuar titullin e dhespotit, që ia kishte ofruar mbreti Matejë
Korvini, për t’ia lënë vëllait të vogël Joanit, i cili vdes së shpejti.
Pastaj, Gjergji bëhet kallogjer dhe e ndërron emrin në Maksim. Ai do të
arrijë të bëhet peshkop vllehozapllanit, sipas ftesës së dukës vlleh Joan
Radullës. Më vonë si mitropolit beogrado-sremas, së bashku me të ëmën,
Angjelinën, do ta ngrenë manastirin e njohur Krushedoll, në shpatet e
Frushka Gorës. Atëbotë aty do të vendoset edhe rezidenca peshkopale, me
ç’rast do të përtërihet kryepeshkopata e Sremit. Maksimi vdiq dhe u varros
në Krushedoll, më 1516. Angjelina do të bëhet kallogjere (murgeshë) dhe do
të ruajë emrin e saj të pagëzuar Engjëllore.
Misioni i saj religjioz dhe bamirës do të jetë i jashtëzakonshëm dhe do të
shtrihet në tërë hapësirën e Sremit dhe të Vojvodinës. Ajo do të ndërtojë
dhe do të përtërijë shumë kisha e manastire, do të kujdeset për
varfanjakët dhe të sëmurët. Për këto vepra fisnike dhe bamirëse populli i
këtyre krahinave në shenjë mirënjohjeje e kishte pagëzuar me emërtimin
“Nëna Angjelinë”. Ajo vdiq dhe u varros në Krushedoll, më 1520. Pastaj, më
1716, kur turqit u vunë zjarrin këtyre kishave dhe manastireve, murgeshat
arritën ta shpëtojnë vetëm një pjesë të eshtrave të Shën-Angjelinës –
dorën e majtë, që sot e kësaj dite ruhet në kivotin e kishës së Manastirit
të Krushedollit
Kisha ortodokse serbe e feston ditën e Shën-Angjelinës serbe – “Pamjat
prepodobne matere našeja Angelini despotici serbskija” – 12 gushtin (30
gushtin në kalendarin e vjetër). Atë ditë në Krushedoll organizohet kremte
e madhe kishtare dhe popullore. Në Arkën e famshme të Shën-Shimunit në
Zarë ruhet mbuloja e qëndisur me dorë të Nënës Angjelinë, përkushtim i saj
i shkruar me shkronja cirilike “Za zdravlje despota Georgija” (Për shëndet
të dhespotit Gjergj, të riut).
Krijoni Kontakt