Në mesin e fjalimeve të Imam Husejnit, një fjalim shumë i rëndësishëm, emocionues dhe historik është fjalimi i mbajtur në vitin 58 pas Hixhrit (dy vite para vdekjes së Muavijes), në të cilin Imami flet për dhunën dhe shtypjen e ushtruar ndaj popullit nga regjimi umajjad i kohës. Ky fjalim që ngërthen brenda vetes shumë dimensione të ndryshme, përbëhet nga tri pjesë të ndara.

Pjesa e parë e fjalimit ka të bëjë me meritat dhe virtytet e familjes të Profetit (Ehl-i Bejtit), pjesa e dytë flet për vlerën e urdhërimit të të mirës dhe të pengimit të të ligës, ndërkohë që pjesa e tretë flet për rolin e dijetarëve, detyrimin e tyre për t’u kundërvënë tiranëve, për dëmet e heshtjes së tyre përballë padrejtësisë dhe për rreziqet që mund të lindin kur dijetarët ta shpërfillin këtë detyrë të shenjtë të tyre. Pjesa e parë e këtij fjalimi është përcjellur në librin e Sulajm ibn Kajsit1. Ngase fjalimi përbëhet nga tri pjesë të pavarura, dijetarët kryesisht janë mjaftuar me përcjelljen e pjesës që ka qenë e ndërlidhur me lëminë e tyre dhe nuk i kanë përcjellur pjesët e tjera. Ka ndodhur madje shumë shpesh që të përcillen vetëm fjali të caktuara ose të shprehet vetëm përmbajtja e fjalimit.

Në disa vepra ku është përcjellur fjalimi, janë përcjellur edhe vendi dhe koha e mbajtjes së tij. Megjithatë, në disa raste autori është mjaftuar vetëm me përcjelljen e brendisë së fjalimit.

Përshkrimi i situatës


Sulajm ibn Kajsi, për ta shprehur ndjeshmërinë e kushteve të atëhershme dhe kohën e vendin e mbajtjes së këtij fjalimi, para se ta përcjellë atë, bën një përshkrim të gjendjes së muslimanëve gjatë sundimit 25 vjeçar të Muavije ibn Ebu Sufjanit, duke e theksuar në veçanti dhunën dhe padrejtësinë ndaj popullit të Irakut, veçanërisht ndaj atij të Kufes. Ai thotë:

“Në një urdhëresë të tijën, Muavije u shkroi kështu guvernatorëve të tij:

“Unë distancohem dhe e heq mbrojtjen time nga gjithkush që rrëfen ndonjë gjë në lidhje me virtytet dhe meritat e Ebu Turabit (Imam Aliut) e të familjes së tij.”
Pas kësaj urdhërese, folësit dhe hoxhallarët në të gjitha anët e perandorisë filluan të distancoheshin nga Imam Aliu dhe ta mallkonin atë në çdo fjalim që mbanin. Në këtë periudhë u bënë shumë shpifje ndaj familjes së Imam Aliut dhe atij vetë. Në gjithë këtë zallahi, vuajtjet, dhimbjet dhe mjerimet e popullit të Kufes ishin më të mëdha se vuajtjet e të tjerëve. Kjo ishte ngase në Kufe, ndjekësit e Aliut ishin më të shumtë në numër se në çdo qytet tjetër në shtetin islam. Si pasojë, edhe shtypja që ushtronte në Kufe djali i Ebu Sufjanit ishte më e madhe se në vendet e tjera. Për shkak të kësaj, pozita e guvernatorit të Kufes iu dha Zijad bin Sumejjes (babai i Ubejdullah ibn Zijadit, i cili ishte komandanti i ushtrisë që do të luftonte kundër Imam Husejnit në Qerbela), duke e vënë nën sundimin e tij edhe Basrën. Zijadi, nga ana e tij, nuk e kundërshtonte fare Muavijen dhe bënte ç’mos për t’ua vështirësuar jetën ndjekësve të Aliut dhe për t’i vrarë ata kudo që i gjente. Në këtë mënyrë, ai arriti të mbillte frikë në zemrat e të gjithë atyre. Ai rëndom ua priste këmbët e duart dhe ua nxirrte sytë njerëzve të tillë. Si pasojë e këtyre masakrave, ndjekësit e Aliut arratiseshin nga Iraku dhe strehoheshin në provincat e largëta, duke e fshehur besimin e tyre. Pas gjithë kësaj, në Kufe nuk mbeti asnjëri nga ndjekësit më të famshëm të Aliut.”

Në vijim, Sulajm bin Kajsi thotë:

“Djali i Ebu Sufjanit (Muavije) u urdhëroi kështu guvernatorëve të tij: “Nuk do të pranohet dëshmia e fëmijëve dhe e ndjekësve të Aliut. Nëse në provincat tuaja, një njeri i takon fisit të Osmanit ose i përcjell meritat e tija, ai duhet të nderohet publikisht dhe të shpërblehet për këtë gjë. Fjalët lëvduese në lidhje me Osmanin, bashkë me emrin dhe të dhënat e tjera në lidhje me personin që i përcjell, do t’i lajmërohen pallatit të Muavijes në Damask.”

Guvernatorët e Muavijes vepruan sipas urdhrave të tij dhe i shënuan emrat e personave që përcollën qoftë edhe një fjalë të vetme lëvduese në lidhje me Osmanin, duke i shpërblyer ata në mënyrë të majme. Kjo shkaktoi që të përcilleshin shumë gjëra në lidhje me Osmanin. Në fund të fundit, gjithkush që përcillte ndonjë fjalë lëvduese në lidhje me të, shpërblehej me dhurata e me pagesa të ndryshme. Si pasojë e dhuratave të shumta të Muavijes, nëpër të gjitha provincat islame, shpikja e haditheve u bë një praktikë me shumë përfitim. Kur dikush përcillte ndonjë virtyt të Osmanit në prani të guvernatorëve të Muavijes, fjala e tij pranohej menjëherë, emri i shënohej në listën e atyre që duhet të shpërbleheshin dhe ndërmjetësimi nuk i mohohej asnjëherë.”


Në vazhdim të fjalës së tij, Sulajm ibn Kajsi thotë:

“Muavije ibn Sufjani, pasi kishte kaluar një kohë e caktuar që njerëzit po përcillnin hadithe në lidhje me Osmanin, urdhëroi si vijon: “U përcollën shumë hadithe në lidhje me Osmanin dhe këto hadithe u përhapën mjaftueshëm në të gjitha anët e shtetit. Sapo të arrijë tek ju kjo urdhëresë, filloni të përhapni hadithe në lidhje me meritat e sahabeve dhe të dy Kalifëve të parë, duke patur kujdes që për çdo hadith të përcjellur në lidhje me virtytet e Ebu Turabit (Imam Aliut), të përcillni një hadith të ngjashëm në lidhje me sahabet. Ky veprim i juaji do ta fitojë kënaqësinë time, do t’mi ndritë sytë dhe do të mundësojë shtypjen e shiitëve.”

Përmbajtja e kësaj letre iu lexua popullit dhe kur u dëgjua gjithandej kjo shpallje e Muavijes, filluan të përcilleshin shumë hadithe të shpikura në lidhje me sahabet, të cilat ishin krejtësisht larg të vërtetës. Vetë populli tregoi shumë vendosmëri dhe vullnet për t’i mësuar këto hadithe, aq sa ato u lexoheshin njerëzve në hutbe dhe në të gjitha xhamitë, duke i këshilluar që t’ua mësonin edhe fëmijëve të tyre. Këto merita të shpikura të sahabeve u mësoheshin përmendësh fëmijëve, si të ishin vargje të Kur’anit. Të njejtat u mësoheshin madje edhe vajzave, grave dhe robërve.”

Duke vazhduar më tej me fjalën e tij, Sulajmi thotë:

“Pasi lejoi për një kohë të përcilleshin hadithe në lidhje me virytet e sahabeve, Muavije ibn Ebu Sufjani ua dërgoi guvernatorëve të tij urdhëresën në vijim: “Kini kujdes! Nëse dikush akuzohet se është një ndjekës i Aliut dhe për të gjendet edhe prova më e vogël, ndërprisni marrëdhëniet me të dhe njëkohësisht edhe pagesën e tij nga arka shtetërore.”

Pas kësaj, ai dekretoi edhe një urdhëresë tjetër, në të cilën thuhej: “Bëni shtypje kundër atyre që akuzohen se janë dashamirë të familjes së Aliut dhe shkatërrojini shtëpitë e tyre që njerëzit të marrin mësim!””

Pastaj, Sulajm ibn Kajsi shton:

“Populli i Irakut dhe në veçanti ai i Kufes kurrë nuk u përball me një fatkeqësi më të madhe se kjo. Si pasojë e këtij urdhri, ndjekësit e Aliut u përballën me shtypje të mëdha nga guvernatorët. Gjendja shkoi aq larg sa kur këta njerëz e vizitonin njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre, nuk flisnin dot hapur me frikën se shërbetorët e tyre mund t’i spiunonin. Në këtë kohë u shfaqën edhe shumë hadithe që kishin për qëllim ta ulnin vlerën e Aliut dhe të familjes së tij në sytë e njerëzve. Gjykatësit, guvernatorët dhe dijetarët e atëhershëm të haditheve i pranuan këto pa asnjë rezervë. Në këtë sprovë të Zotit, njerëzit më të humbur e të shkatërruar ishin dijetarët e mburrur me besim të dobët. Të tillët gjithë kohës shpiknin hadithe të rreme, vetëm e vetëm për t’u afruar me sunduesit. Pas një kohe, këto hadithe të rreme arritën edhe tek dijetarët e mirëfilltë të fesë, të cilët i druheshin Zotit. Të tillët, për shkak të naivitetit të tyre, i pranuan këto hadithe si të sakta dhe me qëllime të pastra ua përcollën të tjerëve, ndonse nuk do ta kishin bërë një gjë të tillë, sikur ta dinin se hadithet në fjalë ishin të shpikura dhe krejtësisht të rreme.2

Shtypja dhe vështirësitë vazhduan në këtë mënyrë. Por pas rrënies dëshmor të Hasan ibn Aliut, gjendja u përkeqësua akoma më shumë dhe fatkeqësitë u rritën edhe më. Miqtë e Zotit jetonin gjithë kohës me frikë dhe tmerr sepse ose vriteshin ose detyroheshin të jetonin larg qyteteve të tyre në vende të fshehura dhe të largëta. Përballë tyre, armiqtë e Zotit ishin krejt të lirë për ta kryer çdo mizori që u kujtohej dhe për ta shpikur çdo gënjeshtër që dëshironin.


Pikërisht në një situatë të tillë, dy vite para vdekjes së Muavije ibn Ebu Sufjanit3, Husejn ibn Aliu, bashkë me Abdullah ibn Abbasin dhe Abdullah ibn Xhaferin, shkoi në haxh dhe i thirri burrat e gratë e fisit Hashim, si dhe një grup të zgjedhur ensarësh (medinasish) dhe u kërkoi atyre që t’i ftonin sahabet dhe tabiinët e zgjedhur të kohës, që të merrnin pjesë në mbledhjen që do të organizohej në Mina.

Numri i të ftuarve ishte më shumë se njëmijë.4 Kur të gjithë u mblodhën para çadrës së Imam Husejnit, ai filloi të fliste dhe pasi e lëvdoi Zotin, tha:

“Ju e dini se ç’ vrasjesh ka kryer ky tiran mizor (Muavije ibn Ebu Sufjani) kundër ndjekësve tanë. Ju i keni dëshmuar mizoritë e tija. Unë tani kam për të thënë disa gjëra. Nëse fjalët e mia janë të sakta, atëherë miratojini ato! Nëse janë të gabuara, mos i pranoni! Dëgjojeni fjalën time, shënojeni atë dhe mos i harroni gjërat që po jua përkujtoj! Kur të ktheheni në qytetet e në tokat tuaja, mësojuani gjërat që i keni mësuar fisit tuaj dhe të afërmve e miqve që u besoni! Unë kam droje se feja e njerëzve mund të devijojë dhe e vërteta të humbet. Por ndonse s’u pëlqen jobesimtarëve, Zoti ka për ta plotësuar dritën e Tij.”

Pas fjalimit të tij, Imam Husejni shtoi: “Për hir të Zotit! Kur të ktheheni nga ky rrugëtim, rrëfeni fjalët e mia pranë njerëzve tuaj të besueshëm!” Pas fjalimit të tij, Imami zbriti nga foltorja dhe njerëzit u shpërndanë me qëllim që t’i përhapnin fjalët e tija.

1: Sulajm ibn Kajs el-Hilali ishte bashkëkohës i pesë Imamëve, që nga Imam Aliu dhe deri tek Imam Muhammed Bakiri. Rreth vitit 90 pas Hixhrit, nga frika e Haxh’xhaxh ibn Jusufit, Sulajmi u fsheh dhe vdiq në fshehje. Vepra e tij, e njohur me emrin “Libri i Sulajm ibn Kajsit”, është e famshme në mesin e sunnitëve dhe shiitëve dhe është ndër librat më të hershëm shiitë.

Ibn el-Nedimi (vdekur 385) thotë: “Libri i Sulajm ibn Kajsit është libri i parë i përpiluar në mesin e shiitëve.” Autori i veprës “Ghajbat el-Nomani” thotë: “Të gjithë dijetarët shiitë dhe të gjithë ata që i kanë përcjellur hadithet në mesin e shiitëve, janë të një mendimi se libri i Sulajm ibn Kajsit është njëri ndër librat më të mëdhenj dhe më të vjetër.”

2: Libri i Sulajm ibn Kajsit (Kitab’ul Sulajm ibn Kajs) fq.206; Komentimi i Ibn Ebu’l Hadid-it, vëll.11, fq. 44, 4
3: Në disa dorëshkrime të veprës së Sulajm ibn Kajsit është shkruar “dy vite” dhe në disa të tjera, “një vit”. Megjithatë, në veprën “Ihtixhaxh” përcillet gjithashtu se ishin “dy vite”.
4: Tabersiu përcjell se numri i personave të mbledhur në Mina ishte më shumë se njëmijë

Pjesa e parë e fjalimit

Në librin e Sulajm ibn Kajsit, pjesa e parë e fjalimit të Imam Husejnit, e cila flet për virtytet e Imam Aliut dhe të Ehl-i Bejtit, është përcjellur si vijon:

Më thoni për hir të Zotit! A nuk e dini se Ali ibn Ebu Talibi ishte vëllai i të Dërguarit dhe kur i Dërguari bëri vëllazëri në mesin e ndjekësve të tij, e zgjodhi Aliun për vëlla dhe i tha: “Ti je vëllai im në këtë botë e në tjetrën dhe unë jam vëllai yt”?1 Personat e pranishëm u përgjigjën: “Zoti është dëshmitar se është kështu.”

Më thoni për hir të Zotit! A nuk e dini se kur i Dërguari i Zotit e bleu vendin e xhamisë dhe ndanë saj ndërtoi dhjetë dhoma, prej të cilave nëntë i mbajti për vete, ndërkohë që të dhjetën që qëndronte në mesin e tyre, ia dha babait tim, i mbylli dyert e të gjitha dhomave2që kishin dalje në xhami, përveç derës së babait tim Aliut? Dhe a nuk e dini se kur disa nga ndjekësit e Profetit kundërshtuan për këtë gjë, ai u tha: “Unë nuk i mbylla dyert tuaja, duke e lënë hapur vetëm derën e tij (Aliut). Ishte Zoti që i mbylli dyert tuaja dhe vetëm të tijën e la hapur.”? A nuk e dini se më pas ua ndaloi të gjithëve fjetjen në xhami përveç Aliut? A nuk e dini se dhoma e Aliut ishte brenda xhamisë, ngjitur me dhomën e të Dërguarit të Zotit dhe se ndonjëherë Aliu u gjend në të “xhunub” dhe se pikërisht në këto dhoma Zoti u fali fëmijë të Dërguarit dhe Aliut? Të pranishmit u përgjigjën: “Po! Zoti është dëshmitar se ishte kështu.”3

A nuk e dini se kur Umar ibn el-Khattabi deshi të hapte një vrimë të vogël sa syri në murin e shtëpisë së tij për të vështruar brenda xhamisë, i Dërguari nuk i lejoi dhe i tha: “Zoti i Madhëruar më urdhëroi të ndërtoja një xhami të pastër. Andaj, askush nuk ka të drejtë të banojë në xhami përveç meje, vëllait tim (Aliut) dhe fëmijëve të tij.”? Të pranishmit u përgjigjën: “Po! Zoti është dëshmitar se ishte kështu.”

Më thoni për hir të Zotit! A nuk e dini se në Ghadir-i Khum, i Dërguari e emëroi Aliun në pozitën e udhëheqësisë dhe tha: “Të pranishmit le t’ua përcjellin këto fjalë atyre që nuk janë të pranishëm”?4 Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë! Zoti është dëshmitar për këtë.”

Më thoni për hir të Zotit! A nuk e dini se në ekspeditën e Tebukut, i Dërguari i tha Aliut: “Pozita jote pranë meje është si pozita e Harunit pranë Musës”5 dhe “Ti je prijësi (arabisht: veli) i çdo besimtari pas meje”?6 Të pranishmit thanë: “Po! Zoti është dëshmitar se e dimë.”

Më thoni për hir të Zotit! A nuk e dini se kur i Dërguari i ftoi të krishterët e Nexhranit për “mubahale” (mallkim), e mori me vete vetëm Aliun, gruan e Aliut dhe fëmijët e tij? Të pranishmit thanë: “Po e dimë. Është e saktë.”7

Më thoni për hir të Zotit! A nuk e dini se në betejën e Hajberit, i Dërguari ia dha Aliut flamurin e Islamit dhe tha: “Tani ia jap flamurin një njeriu që e do Zotin dhe të Dërguarin e Tij dhe të cilin Zoti dhe i Dërguari i Tij e duan. Ai është një njeri që e sulmon pa pushim armikun dhe kurrë nuk ik nga fushëbeteja. Me dorën e tij, Zoti do ta pushtojë kështjellën e Hajberit”? Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.”8

A nuk e dini se Zoti e dërgoi nëpërmjet Aliut kapitullin “Beraat” të Kur’anit në Mekke dhe tha: “Porosinë time s’mund ta shpallë tjetër veçse unë ose dikush që është prej meje.”? Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.” 9

A nuk e dini se i Dërguari, kurdoherë që përballej me ndonjë gjendje të vështirë dhe jetike, për shkak të besimit të pafund që kishte në të, e nxirrte Aliun përpara dhe atë nuk e thirrte me emër por e quante “im vëlla”? Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.”10

A nuk e dini se kur i Dërguari gjykoi ndërmjet Aliut, Xhaferit dhe Zejdit, tha: “O Ali! Ti je prej meje e unë jam prej teje dhe ti ke për të qenë prijësi (arabisht: veli) i çdo besimtari pas meje”? Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.”11

A nuk e dini se Aliu kishte një takim të veçantë me të Dërguarin çdo ditë e çdo natë dhe se në këto takime, kur Aliu pyeste, i Dërguari i përgjigjej dhe kur ai heshtte, i Dërguari i fliste?” Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.” 12

A nuk e dini se i Dërguari i tha Fatimesë: “Në mesin e familjes sime, unë të martova me atë që është i pari në Islam, më i durueshmi në mesin e tyre dhe më i dituri nga ata” dhe me këtë e vendosi atë në një pozitë më të lartë edhe se Xhafer-i Tajjari dhe Prijësi i Dëshmorëve Hamza? Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.” 13

A nuk e dini se i Dërguari ka thënë: “Unë jam prijësi i bijve të Ademit, Aliu është prijësi i arabëve, Fatimeja është zonja e grave të parajsës e dy bijtë e mi Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e të rinjve të parajsës.”? Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.” 14

A nuk e dini se në fjalimin e tij të fundit, i Dërguari u tha muslimanëve: “Po lë në mesin tuaj dy amanete të çmueshme: njëri është libri i Zotit dhe tjetri Ehl-i Bejti im. Po të lidheni pas tyre, nuk keni për të devijuar.” Të pranishmit u përgjigjën: “Po e dimë. Zoti është dëshmitar për këtë.”15

Në vijim të veprës, Sulajm ibn Kajsi thotë:

Husejn ibn Aliu vazhdoi të numëronte shumë virtyte të Imam Aliut nga vargjet e Kur’anit dhe nga thëniet e Profetit. Ata nga sahabet që gjendeshin aty vërtetuan se i kishin dëgjuar ato thënie, ndërkohë që ata nga gjenerata e tabiinëve i miratuan fjalët e tija duke thënë se i kishin dëgjuar nga njëri nga sahabet e besueshëm. Në vijim të fjalës së tij, Imam Husejni tha:

Më thoni për hir të Zotit! A keni dëgjuar se i Dërguari i Zotit ka thënë: “Është gënjeshtar ai që e urren Aliun dhe thotë se më do mua. Nuk mund të më dojë mua njeriu, ndërkohë që e urren Aliun.”? Dhe kur disa i kërkuan t’i shpjegonte këto fjalë, ai tha: “Sepse Aliu është prej meje dhe unë jam prej Aliut. Kushdo që e do atë, më do mua dhe kush më do mua, e do Zotin. Kush e urren Aliun, më urren mua dhe kush më urren mua e urren Zotin. A e keni dëgjuar këtë?” Të pranishmit u përgjigjën: “Po e kemi dëgjuar. Zoti është dëshmitar.”16

1: Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5
2: Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5; “El-Menakib”, hadithi nr.3815; Musnedi i Ahmet bin Hanbelit, vëll.1, fq.331; vëll.2, fq.26
3: Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5; “El-Menakib”, hadithi nr.3811; Musnedi i Ahmed bin Hanbelit, vëll.1, fq.331
4: Mustedrekt el-Sahihejn, vëll.3, fq.109 dhe 134
5: Sahihu i Muslimit, vëll.4, hadithi nr.2404; Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5; “El-Menakib”, hadithi nr.3808, 3813; Sunneni i Ibn Maxhes, “mukaddime”, hadithi nr.115; “Mustedrek el-Sahihejn”, vëll.3, fq.109, 133
6: Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5; “El-Menakib”, hadithi nr.3796; Musnedi i Ahmed ibn Hanbelit, vëll.1, fq.331
7: Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5; “El-Menakib”, hadithi nr.3808; “Mustedrek el-Sahihejn”, vëll.3, fq.150
8: Sahihi i Muslimit, vëll.4, hadithi nr.204; Sunneni i Tirmidhiut, hadithet nr:3808, 2405, 2406; Sunneni i Ibn Maxhes, “Mukaddime”, hadithi nr.117
9: Sunneni i Tirmidhiut, vëll.5;“El-Menakib” hadithi nr.3803
10: Sunneni i Tirmidhiut vëll.5; “El-Menakib” hadithi nr. 3796
11: Sunneni i Tirmidhiut vëll.5; “El-Menakib” hadithi nr.3806
12: Nezm’u-Durer’us-Simtejn, fq.128; Komentimi i veprës “Nehxhul Belaga” nga Ibn Ebi’l-Hadidi, vëll.9, fq.174
13: Mustedrek el-Sahihejn, vëll.3, fq.124
14: Mustedrek el-Sahihejn, vëll.3, fq.151
15: Sunneni i Ibn Maxhes, “Mukaddime”, hadithi nr.118; Mustedrek el-Sahihejn, vëll.3, fq.167
16: Sahihu i Muslimit, vëll.4, fq.2408; Mustedrek el-Sahihejn, vëll.3, fq.14; vëll.4, fq.367

Pjesa e dytë e fjalimit

Duke e përcjellur këtë fjalim, autori i veprës “Tuhef’ul-Ukul thotë: “Kjo pjesë e fjalimit të Husejn ibn Aliut, ku ai e shpjegon urdhërimin e të mirës dhe pengimin e të ligës, është përcjellur edhe nga Imam Aliu.” Sipas autorit, është tejet e mundur që këto fjalë të Imam Aliut të jenë përdorur edhe nga Imam Husejni në fjalimin e tij në lidhje me urdhërimin e të mirës dhe pengimin e të ligës. Në këtë pjesë të fjalimit, Imam Husejni thotë:

O njerëz! Merrni mësim nga qortimet që Zoti ua bën dijetarëve çifutë! Në lidhje me ta, Zoti thotë:
Përse dijetarët e tyre nuk i penguan ata nga fjalët e nga ushqimet e ndaluara? (Kur’an 5:63)

Dhe Ai thotë sërish:
Bijtë e Israelit u mallkuan edhe nga Davudi edhe nga Isa, djali i Merjemes, ngase ishin rebelë, i tejkalonin kufijtë dhe nuk e pengonin njëri-tjetrin nga të ligat. Sa e liga që ishte puna që bënin. (Kur’an 5:78-79)


Arsyeja përse Zoti i qortoi të tillët ishte se ata i shihnin qartë punët e liga të mizorëve në mesin e tyre dhe e dëshironin pasurinë e kësaj bote dhe pozitat që buronin nga këto të liga. Nga frika se mund të shtypeshin e të vuanin, ata nuk patën guxim t’i pengonin mizorët në mesin e tyre. Por Zoti thotë:

Dhe mos i kini friki ata, por Mua! (Kur’an 5:44)
Dhe thotë sërish:

Besimtarët, burra e gra, janë miq të njëri-tjetrit, e urdhërojnë të mirën dhe të ligën e pengojnë...(Kur’an 9:71)

Siç shihni, Zoti fillon me urdhërimin e të mirës dhe me pengimin e të ligës dhe e bën atë një detyrim për besimtarët. Sepse e di se sikur të kryhet ky detyrim, çdo detyrim tjetër, i lehtë a i vështirë, do të kryhet. Kur të urdhërohet e mira dhe të pengohet e liga, ky nuk është vetëm një rikthim i të drejtës të të shtypurit, nuk është vetëm një kundërshtim i mizorëve, nuk është vetëm një shpërndarje e drejtë e pasurisë shtetërore, nuk është vetëm një marrje e zeqatit nga vendet e duhura dhe shpenzim i tij ashtu siç duhet, por njëherit edhe një ftesë drejt Islamit...


Pjesa e tretë e fjalimit

Dhe ju o popull që keni fituar nam me dituri, që përmendeni për të mirë, që njiheni për këshilla e që me bekimin e Zotit jeni të mëdhenj në zemrat e njerëzve! Dijeni se njerëzit e ndershëm turpërohen para juve, të dobëtit ju nderojnë dhe madje ata që janë të shkallës suaj ju duan më shumë se veten, ndonse nuk u keni bërë ndonjë të mirë. Kur njerëzit janë nevojtarë, me ndërmjetësimin tuaj u kryhen punët dhe kur ecni rrugës, hapëroni me madhështinë e mbretërve dhe me nderimet e të mëdhenjve.

A nuk janë të gjitha këto gjëra vetëm që ju ta kryeni detyrën tuaj hyjnore? Por ju i shpërfillni detyrat tuaja, e nënçmoni të drejtën e ummetit dhe e shkelni të drejtën e të dobëtive. Por kur fatkeqësia vjen tek të drejtat tuaja, ju e kërkoni sërish të drejtën. Ju nuk shpenzuat ndonjë pasuri në rrugë të Zotit, nuk e rrezikuat në rrugë të Tij atë shpirt tuajin që Ai e krijoi dhe as u armiqësuat për hir të kënaqësisë së Tij me ndonjë fis.

A dëshironi prapëseprapë të hyni në parajsë, të jeni atje pranë të Dërguarit të Zotit dhe t’i shpëtoni dënimit? Kam frikë se ju, që pa bërë ndonjë vepër i prisni të mirat e Zotit, me emrin e Tij jeni duke u nderuar në mesin e robërve. Por ju s’keni kurrfarë nderi për njerëzit që i binden Zotit!

Juve s’ju pengon aspak kur shkelen urdhrat e Zotit por keni frikë e kujdes të mos i shkelni zotimet dhe amanetet e etërve tuaj. Sot fyhen mësimet e të Dërguarit dhe njerëz të sëmurë e memecë po enden rrugëve të pastrehë dhe pa ndonjë mbrojtës. Kurse ju as nuk e shfrytëzoni pozitën tuaj për të bërë diçka për ta dhe as nuk u ndihmoni atyre që përpiqen të bëjnë ndonjë gjë. Ju përpiqeni të mbroheni nga mizorët duke u bërë sahanlëpirës të tyre dhe dallkaukë. Të gjitha këto janë të ndaluara nga Zoti juaj por ju jeni krejt të pakujdesshëm.

Po të ishit të vetëdijshëm, do të kuptonit se jeni më të shkatërruarit në mesin e njerëzve dhe më të largëtit nga pozita e një dijetari të vërtetë. Punët e njerëzve dhe ushtrimi i gjykimeve duhet të jenë në duart e dijetarëve të besueshëm që janë të bindur për të lejuarat dhe për të ndalesat e fesë. Por kjo pozitë është marrë nga ju, ngase u përçatë pasi ju erdhën dëshmi të qarta dhe u ratë ndesh me Traditën (Sunnetin).

Sikur të bënit durim përballë vuajtjeve dhe sikur për hir të Zotit t’i duronit vështirësitë, urdhri hyjnor do të ishte në duart tuaja, sunduesit do të dilnin nga mesi juaj dhe tek ju do të kthehej sundimi. Por ju e latë pozitën tuaj dhe ua dorëzuat punët e Zotit mizorëve, të cilët veprojnë veç me dyshime dhe i ndjekin dëshirat e tyre.

Arsyeja përse njerëzit vuajnë nga këta mizorë është se ju dijetarët i druheni vdekjes dhe jeni lidhur pas kësaj jete që do të merret nga ju. Ju ua dorëzuat atyre këtë popull të pambrojtur. Disa prej tyre janë bërë skllevër të shtypur e disa të tjerë mjeranë që nuk e fitojnë dot as bukën e gojës. Dhe mizorët, duke i ndjekur njerëzit e ligë, rebelohen kundër Zotit dhe veprojnë si duan në këtë vend, duke i ndjekur veç epshet dhe dëshirat e tyre.

Ata kanë folës të rrjedhshëm në çdo qytet dhe çdo cep i shtetit u është nënshtruar. Në të gjitha anët u është përhapur sundimi dhe populli është bërë si një skllav i paaftë për t’u mbrojtur prej tyre. Ata që e sundojnë popullin janë ose njerëz të pamëshirshëm e rebelë që i shtypin të pambrojturit, ose sundues që s’kanë besim në Zotin e në Ditën e Gjykimit.

Vërtet çudi! Si të mos habitem ndërkohë që toka e Islamit është në duart e sunduesve mashtrues e mizorë, që vetëm mbledhin tatime nga njerëzit dhe janë të pamëshirshëm kundrejt besimtarëve? Por Zoti është Ai që do të vendosë në mesin tonë për këto gjëra. Është Ai që do t’na gjykojë në mosmarrëveshjen tonë!

Zoti im! Ti e di se ajo që bëhet nga ana jonë, nuk është një garë për t’u bërë mbret e për t’i fituar pasuritë e kësaj bote, por një veprim për t’i treguar qartë shenjat e fesë Tënde, për t’i përmirësuar tokat e Tua, për t’i mbrojtur robërit e Tu të shtypur dhe për të bërë që njerëzit të veprojnë sipas detyrimeve, këshillave dhe urdhrave që Ti ke shpallur.

Pastaj, duke u folur sërish njerëzve, tha:

nuk na ndihmoni, mizoritë do t’ju kaplojnë edhe juve dhe mizorët do të përpiqen ta shuajnë dritën e të Dërguarit. Por neve na mjafton Zoti. Në Të jemi mbështetur, Atij i jemi drejtuar dhe tek Ai është kthimi ynë!