Emri:  faqja.jpg

Shikime: 1937

Madhësia:  62.0 KB

Një nga dëshmitë që flet për mungesën e autenticitetit të hadithit që i njihet Profetit (s.a.a) lidhur me ndalesën e shkrimit të haditheve është deklarata e Umar ibn el-Khattabit mbi qëllimin e tij për t’i përmbledhur hadithet. Njoftohet se Umari ka thënë: “Qëllimi ishte që t’i shkruaja gjërat që janë përcjellur prej sunnetit të Profetit të Shenjtë (s.a.a). Por pastaj mu kujtua se njerëzit në të kaluarën kanë shkruar libra të caktuar dhe, për shkak të mbështetjes së tyre në këta libra, janë larguar nga librat hyjnorë. Për Zotin, unë nuk do të lejoj që ndonjë gjë ta mbulojë (errësojë) Librin e Zotit”. [1]


Transmetimi i mësipërm tregon se Kalifi i dytë në fillim kishte pasur për qëllim t’i shkruante hadithet. Në disa versione të këtij transmetimi është pohuar se, për këtë çështje, ai ishte këshilluar edhe me shokët e tjerë të Profetit (s.a.a). Edhe ata e miratuan këtë gjë, por më vonë ai ndërroi mendje për një arsye që e ka shprehur vetë, dhe jo duke u mbështetur në ndonjë ndalesë të Profetit (s.a.a).


Një tjetër dëshmi e mungesës së autenticitetit në hadithin që e ndalon shkrimin e haditheve është shpallja e Profetit (s.a.a) në të enjten e fundit të jetës së tij në këtë botë. Atë ditë, kur shokët e tij ishin mbledhur rreth shtratit të tij të vdekjes, Profeti (s.a.a) u tha: “Më sillni bojë dhe letër që të mund të shkruaj për ju diçka, pas të cilës nuk do të gaboni.” Atëherë, disa njerëz, me Umarin në krye, e kundërshtuan dhe i thanë: “Libri i Zotit është i mjaftueshëm për ne.”


Transmetimi (ar. rivajah) zbulon se nuk ishte e ndaluar të shkruhej ndonjë gjë tjetër krahas Kur’anit të shenjtë. Profeti (s.a.a) e ka konsideruar të nevojshme ta mbrojë ummetin e tij nga gabimet dhe nga devijimi. Kur Profeti (s.a.a) kërkoi t’i shkruante udhëzimet e tij të fundit dhe u kundërshtua nga një grup i shokëve të tij, i udhëhequr, sipas Shehristaniut në veprën El-Milel ve’l-Nihal, nga kalifi i dytë– ai e bënte këtë gjë pse ishte i vetëdijshëm për shkatërrimet që do të vinin nga kjo gjë. Hollësitë e dëmeve që, sipas dijetarëve sunnitë, mund të shkaktoheshin nga mosshënimi e haditheve, do të shpjegohen më vonë. A është e drejtë, atëherë, ta konsiderojmë Profetin (s.a.a) përgjegjës për diçka që i ka shkaktuar kaq shumë dëm sistemit islam dhe sunnetit?


Hadithet e Profetit të shenjtë (s.a.a) mbi regjistrimin e shkruar të haditheve


Në një sërë hadithesh të tij, Profeti (s.a.a) ka lejuar të shkruhen hadithet në përgjithësi ose u ka dhënë një leje të tillë individëve të caktuar. Vetë këta transmetime mjaftojnë për t’i zhvlerësuar ata që e kanë ndaluar shkrimin e haditheve. Numri i këtyre haditheve është më i madh se i atyre që e ndalojnë shkrimin e haditheve. Mundësia që një numër kaq i madh hadithesh të jenë autentikë është tejet reale. Këta hadithe përmbajnë pikërisht lejen dhe detyrimin për t’i shkruar hadithet dhe janë përcjellë nga zinxhirë të ndryshëm transmetuesish.


Një njeri iu ankua Profetit (s.a.a) për paaftësinë e tij për të mbajtur mend. Profeti (s.a.a) i tha: “Kërko ndihmë nga dora e djathtë, pra nga shkrimi, kundër mangësive të kujtesës”[2]


Përcillet nga Ebu Hurejreja se Profeti (s.a.a), me rastin e çlirimit të Mekkes, u ngrit dhe e mbajti një fjalim. Ebu Shati i kërkoi Profetit (s.a.a) një transkriptim dhe një kopje të fjalimit, ndaj ai (a.s) urdhëroi që fjalimi të shkruhej për Ebu Shatin.[3]


Profeti (s.a.a) përcillet se ka thënë: “Përcaktojeni, ruajeni dhe regjistrojeni diturinë me anë të të shkruarit.”[4]


Përcillet nga Rafi’ ibn Khadixha, i cili ka thënë: Ne e pyetëm Profetin (s.a.a), “A duhet t’i shkruajmë disa nga gjërat që i dëgjojmë prej teje?” Ai u përgjigj: “Shkruani; nuk ka dëm në të.”[5]


Përcillet nga ‘Amr ibn Shu’ajbi se gjyshi i tij e kishte pyetur Profetin (s.a.a): “Dëgjojmë gjëra nga ju por nuk mund t’i mbajmë mend. A kemi leje t’i shkruajmë ato?” Profeti u përgjigj:“Po, shkruani ato.”[6]


Është përcjellë nga zinxhirë të ndryshëm rrëfyesish nga Abdullah ibn ‘Amr ibn el-Asi, i cili ka thënë: “E pyeta Profetin (s.a.a): “A mund të shkruajmë çfarë dëgjojmë nga ju?” “Po”, u përgjigj ai. “Pavarësisht nëse jeni i zemëruar ose i qetë?”, shtova unë. “Po.”, u përgjigj Profeti (s.a.a.), “edhe i zemëruar edhe i qetë nuk flas tjetër përpos të vërtetës.”[7]


Në një hadith tjetër përcillet se rrëfyesi e pyeti Profetin (s.a.a): “A mund ta shkruajmë diturinë (nënkuptohet hadithi)?” “Po”, u përgjigj Profeti (s.a.a)[8]


I njëjti Abdullah ibn Amr përcjell: “Dikur shkruaja çfarëdo që dëgjoja prej Profetit (s.a.a), me qëllim që ta ruaja atë në formë të shkruar. Pastaj kurejshitët ma ndaluan atë dhe unë pushova së shkruari. Më vonë, këtë çështje ia përmenda Profetit (s.a.a). Ai tha: “Për Zotin, në duart e të cilit është jeta ime, unë nuk flas asgjë përpos të vërtetës.”[9]


Përcillet nga Prijësi i Besimtarëve Aliu (a.s) se Profeti (s.a.a) ka thënë: “Shkruaje këtë dituri (ar. ‘ilm), prej të cilës do të përfitosh në këtë botë, por edhe në botën e amshueshme. Dije se dituria të mbron nga shkatërrimi.”[10]


Një tjetër hadith i famshëm i imamëve të Ehl-i Bejti (a.s), që është përcjellur si nga burimet sunnite, ashtu edhe shi’ite, i referohet një mbishkrimi mbi shpatën e Profetit. Imam Sadiku (a.s) përcillet se ka thënë: “Ishte një mbishkrim (ar. sahife) në dorezën e shpatës së Profetit, që thoshte: “I mallkuar është ai që uzurpon tokën në vijat e kufirit. I mallkuar është ai që shoqërohet me të tjerë veç shokëve të tij”. Një transmetim tjetër thotë: “I mallkuar është ai që e mohon bekimin e Mirëbërësit të tij.”[11]


Ebu Hurejre përcillet se ka thënë: “Askush nuk ka më shumë njohuri se unë rreth haditheve të Profetit, përveç Abdullah ibn Umarit, sepse ai shkruante me dorë dhe i mësonte përmendësh, ndërsa unë vetëm i mësoja përmendësh dhe nuk i shkruaja. Ai kishte kërkuar leje nga Profeti (s.a.a) për t’i shkruar hadithet dhe Profeti (s.a.a) i kishte dhënë atij një leje të tillë.”[12] ‘


Abdullah ibn Umari përcjell si vijon: Shkova te Profeti (s.a.a) dhe i thashë: “Dëshiroj t’i përcjell hadithet e tua dhe, nëse më lejon, do t’i përdor duart e mija për t’i shkruar ato, në mënyrë që ta ndihmojnë zemrën dhe kujtesën time.”[13] Profeti (s.a.a) tha: “Nëse është hadithi im atëherë merr ndihmë nga duart e tua.”


Gjithashtu përcillet se ai zotëronte një sahife, e cila ishte e mirënjohur si Sahife el-Siddika,[14] ndonëse disa kanë mohuar se në të gjendeshin hadithet e Profetit.[15] Mughire ibn Shu’bah përcillet se ka konfirmuar se Abdullahu posedonte një sahife të tillë, të njohur si Sahife el-Siddika.[16]


Në një hadith tjetër, përcillet se Profeti (s.a.a) ka thënë : “Kur një besimtar (ar. mu’min) vdes, fleta ku e ka shkruar diturinë (ar. ‘ilm) do të shërbejë si një pengesë ndërmjet tij dhe zjarrit në Ditën e Ringjalljes.”[17]


Tirmidhiu përcjell se Sa’d bin ‘Ubade zotëronte një sahife, në të cilën kishte shënuar një sërë hadithesh të Profetit (s.a.a).[18] Edhe djali i tij përcillte hadithe nga sahife-ja. Sipas transmetimit të Bukhariut, kjo ishte një kopje e sahifes së Abdullah ibn Ebu Aufas, i cili i shënonte hadithet me shkrimin e vet.[19]


Samrah ibn Xhundebi gjithashtu ka përmbledhur shumë hadithe në një libër të madh dhe djali i tij, Sulejmani, i cili e trashëgoi atë, përcillte hadithe prej tij. Me siguri ishte trajtesa e njejtë, rreth të cilit Ibn Sirini thotë: “Në trajtesën (ar. risale) që Samrahu ia ka dhënë djalit të tij, ka një thesar të madh diturish (ar.‘ilm).”[20]


Përcillet se Enesi, duke bërë shenjë drejt një libri (ar. mus’haf), tha: “Këta janë hadithet, të cilat i kam dëgjuar nga Profeti (s.a.a). I shënova dhe pastaj ia prezantova Profetit (s.a.a) për ta marrë miratimin e tij.”[21]


Imam Xhafer el-Sadiku (a.s) rrëfen nga paraardhësit e tij (a.s) se Profeti (s.a.a) ka thënë: “Kur e shkruan një hadith, shkruaje me zinxhirin e përcjellësve (ar. sened). Nëse është i vërtetë, ti do të shpërblehesh për këtë punë dhe, nëse është i pavërtetë, mëkati do t’u mbetet përcjellësve të tij.”[22]


Gjithashtu përcillet se Profeti (s.a.a) ka thënë: “Ruajeni diturinë.” Kur u pyet se çfarë kishte dashur të thoshte, ai shpjegoi se nënkuptonte të shkruarit e diturisë.


Nëna e Besimtarëve, Ummu Selemeja, Zoti qoftë i kënaqur me të, përcillet se ka thënë: “Profeti (s.a.a) kërkoi lëkurë të nxirë deleje (ar. adim). Edhe Aliu (a.s) ishte me të. Pastaj ai i diktoi aq shumë gjëra Aliut (a.s) sa u mbushën të dyja anët e adimit, madje edhe skajet e tij.”


Të gjithë këta hadithe janë dëshmi se Profeti (s.a.a) e ka lejuar të shkruarit e hadithit.


Shumë dijetarë besojnë se Profeti (s.a.a) fillimisht e ndaloi shkrimin e haditheve, ndërsa më vonë e lejoi atë.[23]


Po të ishte kështu, çfarë themeli kishin disa nga kalifët për t’i ndaluar hadithet? Pasi Profeti (s.a.a.) e kishte lejuar atë tashmë dhe ndërsa një numër i madh i haditheve ishin shënuar, si mund të ndërlidhet ndalesa e kalifëve me Profetin (s.a.a)?


Rashid Rida i ka analizuar hadithet që e lejojnë ose e ndalojnë shkrimin e haditheve. Ai është përpjekur të vërtetojë se ndalesa e ka zëvendësuar lejen e mëhershme dhe se, sipas kësaj, hadithet që e ndalojnë shkrimin e haditheve duhet të pranohen si të vërteta. Ai shkruan:


Nëse pretendojmë se ekziston një konflikt ndërmjet haditheve që e ndalojnë shkrimin e haditheve dhe atyre që e lejojnë atë, mund të thuhet se njëri prej tyre e shfuqizon tjetrin. Hadithet e ndalesës i zëvendësojnë ata të lejimit, për dy arsye: si e para, shokët e Profetit (s.a.a), edhe pas vdekjes së tij, i kanë përcjellur hadithet që e ndalonin shkrimin e haditheve. Së dyti, sahabet nuk i kanë shënuar hadithet, sepse po ta kishin bërë këtë, përmbledhjet e tyre do të kishin arritur tek ne.”[24]


Ky shpjegim, megjithatë, nuk i bën dot ballë një analizë të kujdesshme, për arsyet vijuese:[25]


Si e para, sahabet i kanë përcjellur hadithet që e lejojnë shkrimin e haditheve në të njëjtën kohë kur janë përcjellë edhe ata që e ndalojnë shkrimin e haditheve. Krahas kësaj, siç u pa më lartë, disa prej shokëve të Profetit (s.a.a.) kanë vazhduar t’i shkruajnë hadithet.


Së dyti, për shokët e Profetit (s.a.a.), arsyeja për heqjen dorë nga shënimi i haditheve ishte ndalesa e imponuar nga kalifi i parë dhe i dytë, gjë që nuk mbështetej në ndonjë ndalesë nga ana e vetë Profetit (s.a.a).[26]


Si e treta, rregulli i përgjithshëm thotë se, në rast kundërthënieje, të dyja dëshmitë duhet të shpërfillen. Vetëm një dëshmi e fuqishme e zëvendëson një më pak të fuqishme. Në këtë rast, asnjëra anë nuk është vërtetuar si e tillë.


Duke iu referuar pohimit të Ebu Hurejres se Abdullah ibn Umari i shënonte hadithet, Rashid Rida thotë: “Nuk ka arsye pse këtë ta konsiderojmë si dëshmi të lejimit të të shkruarit, sepse në hadith nuk thuhet se Abdullahu ka shkruar me lejen e Profetit.”[27]


Siç përmendëm më lartë, transmetimi tregon se Abdullah ibn Umari, në të vërtetë, ka poseduar një leje të tillë. Ekzistojnë shumë transmetime që e konfirmojnë këtë gjë, dhe në njërin, të cilin e përmendëm më lartë, Ebu Hurejre shprehet hapur se Abdullahu e mori një leje të tillë nga vetë Profeti (s.a.a).[28]


Përkundër kësaj, të tjerët, si Ebu Zuhre, janë të mendimit se Profeti (s.a.a) e ka lejuar shkrimin e haditheve kah fundi i udhëheqjes së tij, kur tashmë rreziku i përzierjes së haditheve me tekstet kur’anore nuk ekzistonte.[29]


Nëse konsiderohet praktika e disa shokëve të Profetit (s.a.a.), në veçanti ajo e kalifëve, ky mendim nuk do të mund të konsiderohej i vlefshëm. Në anën tjetër, nëse do të pranohej si i vlefshëm, ai do t’i bënte të qortueshme disa nga veprat e kalifëve. Atëherë do t’i mbetej Ebu Zuhresë që të vendoste se cilën nga të dyja alternativat do ta kishte miratuar.[30]


Pikëpamjet e disa sahabeve në lidhje me hadithet


Pavarësisht besimit të disa sahabeve se hadithi nuk duhet të ruhej në formë të shkruar, një grup prej tyre vazhdoi ta bënte këtë gjë. Kjo është një e dëshmi se ndalesa është vendosur me urdhër të kalifëve dhe jo me urdhër të Profetit (s.a.a). Në mesin e shokëve të Profetit (s.a.a) që besonin në lejueshmërinë e shënimit të haditheve ishte edhe Prijësi i Besimtarëve Aliu (a.s.) dhe djali i tij Hasani (a.s.), i cili i shënonte hadithet dhe i inkurajonte edhe të tjerët që ta bënin këtë gjë.[31]


Përcillet se Abdullah ibn Abbasi ka thënë: “Ruajeni diturinë (ar.‘ilm) duke e shkruar atë.”[32] Harun ibn Antarah rrëfen nga babai i tij se Abdullah ibn Abbasi, pasi ia përcolli atij një hadith, i kërkoi ta shkruante atë. [33]


Selamiu përcjell se i kishte parë disa rrasa të Ibn ‘Abbasit, mbi të cilat ai i kishte shkruar veprat e Profetit (s.a.a), siç i ishin rrëfyer atij nga Ebu Rafiu.[34]


Është përcjellë se Enes ibn Maliku i thoshte djalit të tij: “Shënoje diturinë!”[35]


El-Kattaniu transmeton se ‘Ajadi përcillte hadithe nga shumica e sahabëve dhe tabi’inëve lidhur me lejueshmërinë e shkrimit të haditheve.[36] Gjithsesi, shumica e shokëve të Profetit (s.a.a.), me sa duket, ose nuk ishin të bindur në atë që pohonin rreth lejueshmërisë së të shkruarit ose nuk kishin guxim ta shprehnin atë me vepra. Dëshmia për këtë është heqja dorë nga përmbledhja e haditheve.


Është rrëfyer se Ibn Abbasi e shkruante sunnetin e Profetit (s.a.a) mbi rrasa, të cilat ai i mbante me vete gjatë seancave në takimet e tija mësimore. Është përcjellë unanimisht (ar.mutavatir) se, pas vdekjes së tij, ai la aq libra sa të mund të ngarkohej plot një deve.[37]


Transmetimi sipas të cilit Ebu Bekri i ka shkruar disa hadithe pas Profetit (s.a.a) dhe pas një kohe i ka djegur ata,[38] gjithashtu tregon se të shkruarit e haditheve ka qenë një praktikë e pranuar mes shokëve të Profetit (s.a.a.).


Hadithi i përcjellë nga Aliu (a.s), sipas të cilit ai thotë se çdokush që ka shkruar një hadith, duhet ta shënojë atë bashkë me senedin (zinxhirin përcjellës) e tij[39] gjithashtu e mbështet këtë pikëpamje. Burimet janë të qarta lidhur me faktin se një numër i shokëve të Profetit (s.a.a.) e kanë konsideruar të lejuar shkrimin e haditheve.[40]


Transmetimi lidhur me sahifen e Xhabir ibn Abdullahut, e cila i përmbante hadithet e Profetit (s.a.a), gjithashtu e mbështet faktin se praktika e të shkruarit të haditheve ka ekzistuar mes shokëve të Profetit (s.a.a.).[41] Kjo vërteton se një grup në mesin e shokëve të tij dhe kalifëve e kanë miratuar të shkruarit e haditheve. Profeti (s.a.a), pra, nuk e kishte ndaluar dokumentimin dhe regjistrimin e haditheve në formë të shkruar.[42]


Kur’ani i Shenjtë dhe të shkruarit


El-Khatib el-Baghdadi, për ta mbështetur lejueshmërinë e të shkruarit të haditheve, e citon nga Kur’ani i shenjtë dëshminë vijuese. Duke u mbështetur në faktin se Kur’ani urdhëron që të shkruajmë rreth gjërave, për të cilat kemi frikë se mund të humbin, ai argumenton se hadithi, duke qenë subjekt i një rreziku të tillë, duhet të dokumentohet dhe të regjistrohet në formë të shkruar. Ai i citon vargjet 2:282, 6:91 dhe 37:157 të Kur’anit. Edhe El-Tahaviu e citon vargun që vijon.


Dhe mos hezitoni ta shkruani atë, qoftë e vogël ose e madhe... (Kur’an, 2:282)


Rreth të shkruarit të borxheve ai thotë: “Kur Zoti urdhëron të shkruhen borxhet për t’iu shmangur dyshimit dhe mosbesimit, atëherë një thesar diturie, që është më i vështirë të ruhet dhe më i rëndësishëm se borxhet, ka nevojë edhe më të madhe për t’u mbrojtur. Një mbrojtje e tillë është pikërisht shkruarja e tij, për ta eliminuar mundësinë që të humbet.” Ebu Hanifeja, Ebu Jusufi dhe Muhammed ibn el-Hasan el-Shejbaniu janë të të njëjtit mendim. [43]


Arsyeja e vërtetë pas ndalimit të shkrimit të haditheve


E lartpërmendura tregon se përgjegjësia për vonesën e të shkruarit të haditheve nuk mund t’i ngarkohet Profetit (s.a.a). Hadithet që sugjerojnë se ndalesat e tilla janë nga Profeti (s.a.a) janë të papranueshme për arsye të ndryshme. Në bazë të shumë burimeve të besueshme historike të ehl-i sunnetit, si dhe të burimeve shi’ite, lexuesit do ta vlerësojnë qëndrueshmërinë dhe vlefshmërinë e këtij studimi.[44]


Përcillet se Aisheja ka thënë:


Babai im mblodhi 500 hadithe të Profetit (s.a.a). Një mëngjes ai erdhi dhe më tha: “Silli hadithet që i ke ti.” Unë ia solla, ai i dogji të gjitha dhe më tha sërish: “Kam frikë të vdes duke i lënë këto pranë teje.”


Përcillet nga Zuhriu se Umari deshi ta shënonte sunnetin e Profetit (s.a.a.). Lidhur me këtë, ai mendoi rreth një muaj, duke kërkuar udhëzim nga Zoti. Një mëngjes, ai mori një vendim dhe deklaroi: “Mu kujtuan njerëzit që jetuan para jush. Ata shkruan gjëra të caktuara dhe u joshën nga shkrime të tilla, duke e lënë mënjanë librin e Zotit.”[45]


Abd el-Alai përcjell:


Kasim ibn Muhammed ibn Ebu Bekri më diktonte hadithe. Një ditë më tha: “Numri i haditheve ishte rritur gjatë kohës së Umarit, ndaj ai urdhëroi që hadithet të mblidheshin. Kur u bë kjo gjë, ai i dogji ata dhe shpalli: ‘Nuk na duhen Mishna si Mishna e pasuesve të Biblës.’”[46] Mishna është një nga librat, që çifutët kishin krahas librit të tyre të shenjtë, Torahut. Umar ibn el-Khattabi e krahasoi atë me hadithet e Profetit (s.a.a), të cilët nuk dëshironte që të ekzistonin krahas Librit të Zotit.


Edhe Jahja ibn Xhu’dah transmeton se Umari ka pasur për qëllim t’i shënonte hadithe dhe sunnetin. Por pasi ndërroi mendje, ai dërgoi njoftime në të gjithë qytetet dhe shpalli: “Kushdo që ka ndonjë hadith duhet ta shkatërrojë atë.” Është përcjellë nga Urvah ibn el-Zubejri si vijon: Umar ibn el-Khattabi dëshironte ta shënonte sunnetin e Profetit (s.a.a). Ai u këshillua me shokët e tij dhe të gjithë ishin të mendimit se hadithet duhej të dokumentoheshin në formë të shkruar. Por Umari u mendua mbi këtë çështje derisa një mëngjes mori një vendim dhe tha: “Kam dashur ta shkruaj sunnetin, por pastaj mu kujtua një popull që ka jetuar përpara jush e që ka shkruar libra të tjerë dhe e ka braktisur librin e Zotit. Për Zotin, unë nuk do ta zëvendësoj Librin e Zotit me asgjë.”[47]


Ky transmetim (ar. rivajah) tregon se shokët e Profetit (s.a.a.) ose të paktën ata që u këshilluan Umarin, e miratuan shkrimin e haditheve. Por kalifi, pas një muaji përsiatjesh, e ndaloi shkrimin e haditheve në bazë të pohimit të vet.[48] Argumenti nuk mbështetej në sunnetin e Profetit (s.a.a).





Kundërshtimi i disa sahabeve dhe tabi’inëve ndaj shkrimit të haditheve


Pasi kalifët e ndaluan shkrimin e haditheve, meqë disa njerëz u referoheshin veprave të tyre si precedentë ligjorë (ar. sunnah), edhe një grup i sahabeve dhe tabi’inëve hoqën dorë nga përkushtimi për t’i shkruar hadithet dhe nisën të mbështeteshin vetëm në kujtesën (mendjen) e tyre. Ata i transmetonin hadithet gojarisht në vend që t’i shkruanin. Për ta ishte e pavend të shkruheshin dhe të përmblidheshin hadithet e Profetit (s.a.a),[49] ndonëse Kur’ani dhe Profeti (s.a.a) shumë qartë e kishin theksuar të shkruarit në përgjithësi.


Rrëfehet nga Ebu Burdahu se babai i tij i kishte thënë Ebu Musa el-Esh’ariut t’i sillte atij çfarëdo që kishte shkruar nga transmetimet e babait të vet. Kur iu sollën, ai i shkatërroi dhe tha: “Edhe ti, njësoj si ne, duhet vetëm t’i mësosh përmendësh.”[50]


Abd el-Rahman ibn Selamah el-Xhahmiu përcjell: “E dëgjova një hadith të Profetit (s.a.a) nga Abdullah ibn Amri dhe e shkrova atë. Pasi e mësova përmendësh, atë që e kisha shkruar e shkatërrova.”[51]


Asimi ka thënë: “Desha të lë një libër te Ibn Sirini, por ai nuk deshi ta mbante atë, duke thënë se nuk do të lejonte asnjë libër të qëndronte afër tij.”[52]


Ebu Nadrahu thotë: I kërkova Ebu Sa’idit të shkruante për ne. Ai u përgjigj: “Nuk do të shkruaj dhe nuk do të bej prej ndonjë gjëje një Kur’an për ju. Merrni hadithet nga ne, njësoj si i morëm ne nga Profeti (s.a.a).” Ebu Sa’idi thoshte: “Përcilljani hadithet njëri-tjetrit, pasi që njëri prej jush mund t’ia kujtojë tjetrit.”[53]


Përcillet nga Ibn Ebi Tamimi se Ibn Sirini dhe shokët e tij nuk i shkruanin hadithet.[54]


El-Haravi shkruan se sahabet dhe tabi’inët nuk i shkruanin hadithet dhe se i ruanin vetëm në kujtesën e tyre, me përjashtim të librit të Sadagatit.[55]


El-Nuvaviu shkruan: “E gjithë vëmendja e sahabeve ishte përqëndruar mbi xhihadin, gjegjësisht mbi përpjekjen kundër unit, dhe mbi adhurimin. Prandaj, nuk mund të gjenin aspak kohë për të shkruar. Për arsye të ngjashme, edhe tabi’inët nuk prodhuan asnjë vepër të shkruar.”[56]


Ebu Kathir el-Ghubri përcjell se Ebu-Hurejre ka thënë: “Hadithet as nuk duhet të fshihen e as të shkruhen.”[57]


Abdullah ibn Muslimi përcjell se Sa’id ibn Xhubejri e urrente shkrimin.[58] Ngjashëm, Ibrahim el-Nakha’iu deklaroi se ai asnjëherë nuk kishte shkruar ndonjë gjë.[59] Kur u pyet pse nuk kishte shkruar, ai u përgjigj: “Kur njeriu shkruan diçka, ai mbështetet tek ai shkrim.”[60]


Habib ibn Ebi Thabiti përcillet se ka thënë: “Nuk kam asgjë të shkruar në këtë botë, përveç një hadithi, i cili është për arkivolin tim.”[61]


El-Hasan ibn Ebi’l-Hasani, në kohën e vdekjes së tij, u urdhëroi shërbëtorëve ta ndiznin zjarrin dhe t’i hidhnin të gjitha librat e tij përveç njërit.[62] Ibn Sirini thoshte: “Nëse do të më duhej ta shkruaja një libër, do të bëja një libër me letrat e Profetit (s.a.a).”[63] Jahja ibn Sa’idi thotë: “Mësova se dijetarët e kundërshtonin shkrimin.”[64] Sulejman ibn Harbi përcjell: “Jahja ibn Sa’idi vinte te ne dhe na përcillte hadithe. Në fillim, shokët tanë nuk i shkruanin hadithet e tij, por pas një kohe filluan t’i shkruanin ato.”[65]


Kasim ibn Muhammed ibn Ebi Bekri do t’i kërkonte Abdullah ibn el-Ala’it të mos i shkruante hadithet.[66]


Sufjani transmeton se kur Amr bin Dinarit iu tha se Sufjani i kishte shkruar hadithet e Amrit, Amri u ngrit dhe tha: “Kushdo që shkruan duhet të largohet nga vendi im.” Sufjani thotë se, pas kësaj, ai më nuk shkroi asgjë që dëgjonte nga Amri, por vetëm i mësonte përmendësh ato.[67]


Është përcjellë nga Ibn Tavusi se babai i tij ka thënë: “Dikush e pyeti Abdullah ibn el-Abbasin një pyetje që e kënaqi atë. Njeriu i tha Ibn Abbasit që t’ia shkruante atij përgjigjen. Por Ibn Abbasi tha se ata nuk do të shkruanin asgjë nga dituria (ar.‘ilm).”[68] Ky transmetim bie ndesh me transmetimet e mëhershme rreth Ibn Abbasit, të cilat u cituan më lartë.


Malik ibn Enesi përcjell se kur Ibn Musajjabi vdiq, ai nuk la pas asnjë libër. E njëjta vlen edhe për Kasim ibn Muhammedin, Urvah ibn el-Zubejrin dhe Ibn Shihab el-Zuhriun.[69]Mensur ibn Mu’tamari përcillet se ka thënë: “Nuk kam shkruar asgjë deri tani.”[70]


Pohimi i njejtë përcillet edhe nga Junus ibn Ubejdi.[71] Përcillet nga Ibn Ebi Dhu’ejbi se ai vetëm i mësonte përmendësh hadithet dhe i shmangej shkrimit të tyre. Ai i përkiste gjeneratës (ar. tabakah) së pestë dhe jetoi gjatë mesit të shekullit II/VIII.[72] Është thënë edhe për Sa’id ibn Abd el-Azizin se ai nuk shkruante asgjë.[73]


Ismai’il ibn Ajjashi, i cili i takonte tabakasë së gjashtë, i dinte përmendësh dhjetë mijë hadithe, por nuk do ta shkruante asnjërin.[74] Ebu Hatimi përcjell se ai asnjëherë nuk pa asnjë shkrim në duart e Abdu’l-Velid el-Tajalisiut.[75] Që të dy i takonin gjeneratës së shtatë dhe e urrenin shkruarjen e haditheve. Edhe për el-Nufajliun thuhet se ai asnjëherë nuk është parë me libra në dorë.[76] Po kështu, edhe Sahib el-Basriu thuhet se e ka urryer të shkruarit.[77]





“Libra përveç Librit të Zotit”


Transmetimet e lartpërmendura tregojnë se ata që e konsideruan të palejuar shkrimin e haditheve, e bënë këtë me arsyetimin se shkrimi i tyre do të çonte drejt shfaqjes së “një libri tjetër krahas Librit të Zotit” dhe se njerëzit do t’i braktisnin shkrimet e shenjta për libra të tjerë.


Kur ta shqyrtojmë vlefshmërinë e kësaj frike, do të dalë në dritë se kjo gjë ishte vetëm një pretekst. Libri i Zotit, pra Kur’ani, vetëm nëpërmjet sunnetit të Profetit (s.a.a.) mund ta plotësojë sheriatin.


Mbështetësit e ndalesës së të shkruarit të haditheve – kalifët ose të tjerët që i ndoqën ata në këtë çështje dhe kërkuan t’i justifikonin veprat e tyre - në mendje e kishin shprehjen “një libër krahas Librit të Zotit” të Profetit (s.a.a.). Për fat të keq, gabimisht ose jo, ata e zbatuan gabim këtë shprehje.


Është fakt se gjatë jetës së Profetit (s.a.a), disa shokë të tij kishin siguruar kopje të Teuratit (Torahut) dhe të librave të tjerë të çifutëve. Kur Profeti (s.a.a) dëgjoi për këtë, ai u tha atyre që t’i shmangeshin krijimit të librave të tjerë, që do të kishin autoritet paralel me Librin e Zotit, Kur’anin. Lidhur me këtë, ia vlen të përmendet transmetimi që vijon, i rrëfyer nga Xhabiri, i cili përcjell se Umar ibn el-Khattabi ia solli një kopje të Teuratit Profetit (s.a.a) dhe i tha: “Kjo është një kopje e Teuratit, që unë e lexoj.”


Profeti (s.a.a) heshti, por ngjyra e fytyrës së tij ndryshoi. Ebu Bekri e vërejti këtë dhe i tha Umarit: “Të vajtoftë nëna, a nuk e sheh fytyrën e Profetit të shenjtë (s.a.a)?” Umari i hodhi një vështrim fytyrës së Profetit (s.a.a) dhe tha: “Strehohem te Zoti prej zemërimit të Profetit. Unë e pranoj Allahun si Zot, Islamin si fe (ar. din) dhe Muhammedin (s.a.a) si profet.” Pas kësaj, Profeti (s.a.a) tha: “Për Zotin, sikur Musa të vinte këtu e ti ta kishe ndjekur atë e të më braktisje mua, do të kishe devijuar nga rruga e drejtë. Sikur Musa të ishte gjallë dhe të më kishte parë, ai mua do të më ndiqte.”[78]


Ky hadith tregon se Profeti (s.a.a) ishte i zemëruar pse Umari kishte marrë një shkrim tjetër si autoritet paralel me Kur’anin e shenjtë. Në një rrëfim tjetër të ngjashëm, njëri nga ensarët përmendet në vend të Ebu Bekrit. Ka gjasa që të dy rastet të jenë të ndërlidhur me dy ndodhi të ndryshme.


Është transmetuar nga Ebu Kallabahu se një herë Umar ibn el-Khattabi kaloi pranë një njeriu që ishte duke recituar nga një libër. Pasi dëgjoi për pak kohë, Umarit i pëlqeu ajo që ai lexonte. Ai i kërkoi njeriut të shkruante nga ai libër për të. Njeriu pranoi ta bënte këtë. Umari pastaj i bleu atij letër, në të cilën njeriu shkroi duke i mbushur të dyja anët.


Më vonë, ai erdhi te Profeti (s.a.a) dhe ia lexoi atij (s.a.a). Pas kësaj, ngjyra e fytyrës së Profetit (s.a.a) ndryshoi. Kështu, një njeri që ishte prej ensarëve i tha Umarit: “Të vajtoftë nëna, a nuk e sheh fytyrën e Profetit të shenjtë (s.a.a)?” Për këtë, Profeti (s.a.a) tha: “Jam dërguar si profet, si nismëtari (ar. fatih) dhe vulosësi (ar. kahtim), dhe kam sjellë gjithçka që duhej sjellë.” [79]


Është transmetuar nga Zuhriu se Hafsa, vajza e Umarit, i solli një libër Profetit (s.a.a), në të cilën ishte historia e Jusufit (a.s). Ajo filloi t’ia lexonte Profetit (s.a.a), fytyra e të cilit u skuq ndërsa dëgjonte. Kështu, Profeti (s.a.a) tha: “Për Zotin, nëse vetë Jusufi do të vinte këtu dhe nëse ti do ta kishe ndjekur atë dhe do të më braktisje mua, do të kishe shkuar në rrugë të gabuar.”[80]


Këta hadithe tregojnë se ajo që nuk e ka pëlqyer Profeti (s.a.a) ishte leximi i teksteve të ndryshuara, efekti i pashmangshëm i të cilëve ishte përhapja e keqinterpretimeve çifute, që mes muslimanëve janë të njohura si israilijjat. Profeti (s.a.a) nuk dëshironte që librat çifutë të zinin vend krah për krah me Kur’anin e Shenjtë, fjalët e sakta një për një të Zotit të Madhëruar. Librat që nuk e pranonin dëlirësinë e profetëve të mëparshëm mund të bënin që njerëzit të devijonin nga rruga e drejtë dhe nga doktrina e vërtetë e fesë, të cilën e ngërthen më vete Kur’ani.


Ekzistojnë transmetime të tjera, të cilat konfirmojnë se ndalesa e Profetit të shenjtë (s.a.a) lidhur me “vendosjen e një libri tjetër krahas Librit të Zotit” lidhet me tekstet e izraelitëve. Është transmetuar se kur Abdullah ibn Mes’udi dëgjoi se disa njerëz kishin një libër, përmbajtja e të cilit i mahniti ata, ai e mori atë dhe e shkatërroi. Ai tha: ““Njerëzit e Librit” u shkatërruan sepse u mbështetën mbi shkrimet e dijetarëve të tyre (ar. ulema) dhe e shpërfillën Librin Hyjnor.”[81]


Termi ulema te arabët e asaj kohe përdorej për dijetarët çifutë dhe të të krishterë. Librat, pra, të cilave u referohet ky transmetim ishin shkrimet çifute.


Hadithi vijues e sqaron më gjatë këtë çështje. Murrah el-Hamadani thotë: Ebu-Murrah el-Kindi e solli një libër nga Siria (el-Sham) dhe ia dha Ibn Mes’udit. Ibn Mes’udi e shikoi atë, solli ujë dhe i fshiu përmbajtjet e tij të shkruara. Atëherë tha: “Njerëzit që jetuan para jush u zhdukën pasi që ndoqën libra të tillë. Ata e braktisën Librin e Zotit.” Husejni thotë: “Ai nuk do ta kishte shkatërruar atë shkrim, po të ishte Kur’ani i shenjtë ose sunneti. Përkundrazi, duhet të ketë qenë një libër që i përkiste Ehl el-Kitabit.”[82]


Imam Aliu (a.s) përcillet se ka thënë: “Secili nga ju që ka një libër duhet ta shkatërrojë atë. Njerëzit që jetuan përpara jush u shkatërruan pasi që i ndoqën fjalët e dijetarëve të tyre dhe e braktisën Librin e Zotit.”[83]


Imam Sadiku (a.s) përcillet se ka thënë: “Disa dijetarë i kërkojnë hadithet e çifutëve dhe të të krishterëve, nëpërmjet të cilave duan ta zgjerojnë diturinë e tyre. Vendi i dijetarëve të tillë është në shkallën e fundit të Ferrit.”[84] Është përcjellë nga Amr ibn Jahja ibn Xhu’dah se kur një libër iu soll Profetit (s.a.a) ai tha: “Është një pazgjuarësi e madhe dhe devijim për një popull (ar. ummah) ta shpërfillë atë që ia ka sjellë profeti i vet, veç për të parë çfarë i ka sjellë një profet tjetër popullit të tij.”[85] Ky hadith gjithashtu nxjerr në pah librin që iu soll Profetit (s.a.a) dhe e shpjegon domethënien e “librave devijues.”


Edhe Ibn Abbasi thotë: “Pse i pyesni Njerëzit e Librit rreth pyetjeve dhe problemeve tuaja, kur mes jush është Libri i Zotit?”[86] Të gjithë këta hadithe tregojnë se ndalesa e Profetit (s.a.a) lidhur me “vendosjen e një libri tjetër përkrah Librit të Zotit” ishte e ndërlidhur me rrezikun e përhapjes së përrallave izraelite (ar. israilijat). Këta tregime në asnjë mënyrë nuk mund të ndërlidhen me sunnetin e tij, i cili është plotësues i Kur’anit të Shenjtë dhe ligjet e të cilit janë të detyrueshme të ndiqen (ar. vaxhib el-‘ita’ah). Të gjithë muslimanët e kanë pranuar këtë gjë. Ekzistenca e përmbledhjeve të respektuara të haditheve, të njohura si Sihah el-Sitteh edhe më tej e mbështet këtë pikë.


Dijetarët muslimanë të hadithit në fund i shkruan dhe i përmblodhën hadithet e Profetit të shenjtë (s.a.a). Këta dijetarë janë të nderuar pasi që e bënë atë që gjeneratat e mëhershme nuk e kishin bërë. E gjithë kjo ishte për shkak të një keqkuptimi nga ana e personave si Urva-ja, të cilët i dogjën hadithet, duke u arsyetuar se nuk dëshironin “të kishin një libër krahas Librit të Zotit”[87]


VAZHDON






________________________________________


[1] Xhami’ Bajan el-‘ilm, v.1, fq.57, ky transmetim përcillet nëpërmjet zinxhirëve të ndryshëm (ar. turuk); shih edhe Takjid el-‘ilm, fq.49-51.
[2] Musnad Ahmad ibn Hanbal, VI, 47, 106, 116; I, 90, 22, 29, 32, 336; III, 346; Tahdhib ta’rikh Dimashk, VI, 451; ‘Abd el-Razzak’s el-Musannaf, V, 438, 439.
[3] Bihar el-Anvar, II, 152; Takjid el-‘ilm, 65-68; Mizan el-‘i’tidal, I, 653; Lisan el-Mizan, II, 298, IV, 21.
[4] Musnad Ahmad, I, 238; Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 84; Fath el-Bari, I, 184; Takjid el-‘ilm86.
[5] El- ‘ikd el-farid,II, 419; el-Bajan va el-tabjin, II, 38; Takjid el-‘ilm, 68-70; shih gjithashtu Sunan el-Darimi I, 127; Husn el-Tanbih, 194; Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 72; Kanz el-‘ummal, V, 224; Ebu Nu’ajm’s Akhbar Isfahan, II, 228.
[6] Maxhma’ el-Zavajid, I, 151; Kanz el-‘ummal, V, 225; Takjid el-‘ilm, 72-74; el-Manar, I, 763; el-Taratib el-‘idarijjah, II, 245.
[7] Takjid el-‘ilm, 74,79; Musnad Ahmad, 215; Bihar el-Anvar, II, 147; Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 85.
Takjid el-‘ilm, I, 85.
[8] Takjid el-‘ilm, 74,79; Musnad Ahmad, 215; Bihar el-Anvar, II, 147; Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 85.
[9] Takjid el-‘ilm, I, 85.
[10] Po aty., 74,75; Fath el-Bari, I, 184; Tadrib el-Ravi,II, 66.
[11] Musnad Ahmad II, 162,192; XHami’bajan el-‘ilm, I, 85.
[12] Kanz el-‘ummal, X, 157.
[13] Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 85; shih gjithashtu Fath el-Bari, I, 182, 199, 203, 246, 247; Takjid el-‘ilm, 88, 89; el-‘Adab el-Mufrad e el-Bukhar’it, 129; Musnad Ahmad, I, 100.
[14] El-Taratib el-‘idarijjah, II, 24, duke e cituar nga el-Tabakat el-kubra, Musnad Ahmad dhe Sunan el-Tirmidhi; shih el-Musannafin, XI, 254; Sahih el-Bukhari, I, 148; Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 84; Sharh Ma’ani el-Athar, IV, 318-320; Tadhkirat el-Huffaz, I, 42; Tadrib el-Ravi, II, 66.
[15] Sunan el-Darimi, 1,126; Tadrib el-Ravi, II, 66.
[16] El-Taratib el-‘idarijjah, II, 245; el-Tabakat el-Kubra, VII 494, IV, 262 Takjid el-‘ilm, 84; Ta’vil el-Mukhtelif el-Hadith, 93; el-Ma’arif e Ibn Kutajbahit, 200.
[17] Hashim Ma’ruf el-Hasani, Dirasat fi el-Hadith va el-mahaddithin.
[18] Bihar el-Anvar’ II, 144.
[19] Sunan el-Tirmidhi, Kitab el-Ahkam, bab el-Xhamin ma’a el-Shahid.
[20] El-Sajr el-Hathith fi Ta’rikh Taduin el-Hadith, p. 9; ‘Ulum el-Hadith, 13.
[21] Tahdhib el-Tahdhib, IV, 236; ‘Ulum el-Hadith, 14.
[22] Takjid el-‘ilm, 96.
[23] El-‘imla Va el-‘istimla 5.
[24] Bihar el-Anvar, II, 152; Xhami’ bajan el-‘ilm, II, 34.
[25] El-‘imla’ va el-‘istimla 12.
[26] Ulum el-Hadith va Mustelahuh, 8, 9; Ta’rikh el-Madhahib el-Fikhijjah, 24; el-‘imla’ va el-‘istimla 146.
[27] Adva’ ela el-Sunnah el-Muhammadijjah, 48.
[28] Po aty., 50, duke cituar el-Manar.
[29] Ebu Zuhrah, Ta’rikh el-Madhahib el-Fikhijjah, 24; el-’Imla va el-‘istimla, 146.
[30] Burimet për këtë deklaratë janë të cituara më poshtë.
[31] Takjid el-‘ilm, 92.
[32] Sharh Ma’ani el-Athar, IV, 319; Sunan el-Darimi, I, 128.
[33]El-Taratib el-‘idarijjah, II, 246; Takjid el-‘ilm, 92.
[34] El-Tabakat el-kubra, VII, 21; Sunan el-Darimi, I, 127; Takjid el-‘ilm, 96, 97.
[35] El-Taratib el-‘idarijjah, II, 247
[36] el-Musannafi i Ibn abi-Shajbahut, II, 390.
[37] Tadhkirat el-Huffaz, I, 123; el-Ma’rifah va el-tatrikh, II, 142, 143, 661; el-Tabakat el-kubra, V, 467; Sharh Ma’ani el-Athar, IV, 319; el-Musannaf i ‘Abd el-Razzakut, XI, 183.
[38] Tadhkirat el-Huffaz, I, 5.
[39] Tadrib el-Ravi, II, 67.
[40] Sunan el-Darimi, I, 127, 128, el-Ma’rifah va el-Ta’rikh, II, 279; Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 84, el-Tabakat el-Kubra, II, 371; Takjid el-‘ilm, 113 – 199.
[41] Tadhkirat el-Huffaz, I, 123; el-Ma’rifah va el-tatrikh, II, 142, 143, 661; el-Tabakat el-kubra, V, 467; Sharh Ma’ani el-Athar, IV, 319 el-Musannafi i ‘Abd el-Razzakut, XI, 183.
[42] Takjid el-‘ilm, 71.
[43] Sharh Ma’ani el-Athar, IV, 319.
[44] Tadhkirat el-Huffaz, I, 5; Kanz el-‘ummal, I, 174.
[45] El-Tabakat el-Kubra, III, 287; el-Musannafi i ‘Abd el-Razzakut, XI 257; Takjid el-‘ilm, 49; Tatrikh el-Khulafa 138.
[46] El-Tabakat el-Kubra, V, 188.
[47] Xhami’ bajan el-‘ilm, I,77; Takjid el-‘ilm, 53.
[48] Tadrib el-Ravi, II, 68.
[49] Po aty., II, 65.
[50] Kashf el-‘Astar, I, 109.
[51] El-Ma’rifah va el-Ta’rikh, II, 523.
[52] El-Kifajah, 353; el-Ma’rifah va el-Ta’rikh, II, 59.
[53] Hajat el-Sahabah, I, 243, 244.
[54] El-Taratib el-‘idarljjah, I, 62; el-Turuk el-Hukmijjah, 256.
[55] El-Taratib el-‘idarijjah, II, 249.
[56] Po aty.
[57] El-Tabagat el-Kubra, II, 364.
[58] Po aty., VI 258; në faqen 257 ai i shkroi hadithet e Ibn ‘Abbasit.
[59] El-Tabagat el-Kubra, VI, 258.
[60] Po aty., VI, 271, nxënësi i tij u pendua qe nuk e kishte shkruar hadithin, shih f. 270.
[61] El-Tabagat el-Kubra, VI, 320.
[62] El-Tabagat el-Kubra, VII, 157.
[63] El-Tabagat el-Kubra, VII, 157; Sunan el-Darimi, I 120.
[64] El-Tabagat el-Kubra, VII, 141, Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 81.
[65] Takjid el-‘ilm, 111, el-Ma’rifah va el-Ta’rikh, II, 829.
[66] El-Tabakat el-Kubra, V, 188.
[67] Po aty, V, 480; Tadhkirat el-Huffaz, I, 113.
[68] El-Musannafi i ‘Abd el-Razzakut, XI 258; Takjid el-‘ilm, 42.
[69] Tadhkirat el-Huffaz., I, 111.
[70] Tadhkirat el-Huffaz., I, 142.
[71] Tadhkirat el-Huffaz., I, 145.
[72] Tadhkirat el-Huffaz., I, 192.
[73] Po aty, I, 219.
[74] Po aty., I, 254.
[75] Po aty., I, 382.
[76] Po aty. I, 441.
[77] Po aty. I, 461; shih Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 78-79; Sunan el-Darimi, I, 119, 120
[78] Sunan el-Darimi, I, 116; el-Musannafi i ‘Abd el-Razzakut, X, 313.
[79] Po aty., VI, 113, XI, 111; Maxhma’ el-zava’id, I, 182.
[80] El-Musannafi i ‘Abd el-Razzakut, XI, 110; Mizan el- ‘i’tidal, I, 666; Lisan el-Mizan, II, 408; Bihar el-Anvar, XI 99; Gharib el-Hadith, IV, 49, III, 28, 29; el-Fa’iku i el-Zamakhshari, IV,114.
[81] Sunan el-Darimi, I, 122; Takjid el-‘ilm, 53, 56.
[82] Gharib el-Hadith, IV, 48; Xhami’ bajan el-‘ilm, II, 52, 53; në Takjid el‘ilm, 34, ka një rivajah të ngjashme se një libër i është sjellë atij nga Jemeni në të cilën ka pasur hadithe në lidhje me Ehl el-Bejt (a.s) dhe se ai e ka shkatërruar atë.
[83] Xhami’ bajan el-‘ilm, I, 76.
[84]Bihar el-Anvar, II, 108.
[85] Xhami’ bajan el-‘ilm, II, 50
[86] el-Musannafi i ‘Abd el-Rizzakut, X, 314; Xhami’bajan el-‘ilm, II, 51.
[87] Ebu Zuhrah, el-‘Imam Zajd, 167.

Vazhdon...