Emri:  hashim-thaci-2.jpg

Shikime: 1976

Madhësia:  25.2 KB

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, insiston se ëndrra historike e shqiptarëve për bashkim kombëtar s’ka qenë kurrë më afër se sot të realizohet. Në 20 vjetorin e shënimit të operacionit “Shigjeta”, Thaçi ka thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë për bashkim kombëtar. Ai ka përshëndetur prezencën e ambasadorit të Shqipërisë dhe atij të Malit të Zi në akademinë e sotme për Betejën e Pashtrikut.
“Vetë kjo prezencë e spektrit politik e institucional të shqiptarëve kudo që jetojnë, në Kosovë, Shqipëri, Lugina e Preshevës, mali i zi, diaspora, Maqedoni, dëshmon se lufta e UÇK ka qenë luftë për liri, për shtet të Kosovës. Luftë për bashkim kombëtar. Ëndrra historike e shqiptarëve kurrë s’ka qenë më afër të realizohet se sot, pra bashkimi kombëtar”, ka thënë Thaçi në këtë Akademi.

Tutje ai shtoi se Operacioni “Shigjeta” theu kufirin Kosovë – Shqipëri dhe hoqi pengesat mes dy vendeve, mundësoi furnizimin e UÇK-së dhe strehimin e qytetarëve të Kosovës.

“Rëndësia historike e operacionit shigjeta, apo e fronit të Pashtrikut për historinë kombëtare është jetike, e rëndësishme dhe e vulosur me gjak të luftëtarëve që morën pjesë në këtë betejë, e në këtë front të gjerë përballë ushtrisë e policisë së Serbisë. Operacioni shigjeta ishte operacioni përfundimtar i përmbysjes së rezistencës të ushtrisë serbe. Përveç rëndësisë kombëtare, ky aksion ka edhe rëndësi ndërkombëtare. Ky aksion ka rëndësi shumëdimensionale. Kjo ka rëndësi të madhe për shqiptarët. Pavarësisht se ku jetuan, ata u përgjigjen ftesës dhe thirrjes së ushtrisë për t’u mobilizuar nga radhët e UÇK-së e Ushtrisë së Kosovës.

Aty u bashkangjit edhe batalioni Atlantiku, e kjo rriti mbështetjen ndërkombëtare. Aty luftuan shqiptarët, nga të gjitha anët. Të gjithë shqiptarët i bashkonte ideali i lirë, i çlirimit të Kosovës. Të gjithë besonin se lufta mund të fitohej dhe se ishte mënyra e vetme për t’i bërë ballë gjenocidit serb, deri në përdhunimin e 20 mijë grave shqiptare. Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare të mos hesht ndaj gjenocidit. 20 vite ishin UNMIK e EULEX në Kosovë, ka ndodhur drejtësi selektive, andaj institucionet e vendit sot e kanë sensibilizuar këtë çështje në Parlament me rezolutë. Mirënjohje për mikun tonë, Eliot Engel që mundësoi të dëshmohet në Kongres Amerikan për gjenocidin serb”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se ndër shqiptarë, ata që jetojnë në Luginë të Preshevës janë në gjendjen më të rëndë nga të gjithë, andaj s’duhet lënë anash.

“E kemi obligim të jemi gardian të mbrojtjes së drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe do të jemi pa dyshim. Një gjë po vërtetohet. Atje shqiptarët po largohen nga trevat e veta, po dëbohen, po ndiqen e po burgosen. Pas 10 e 20 viteve do të kemi dilema a jetojnë shqiptarët atje a jo. Do të bashkohemi, por s’do të lejojmë të cenohet asnjë centimetër e territorit të Kosovës. BE sa më shumë që po vonohet në politikat poshtëruese, s’po bëhen vizat, atëherë ne duhet të shikojmë për opsione që na bashkojnë të gjithë shqiptarët. Dikush thotë se është vonë, na kanë thënë kështu edhe për UÇK’në, po s’është vonë. Duhet vullnet i dy qeverive që ta arrijmë këtë të drejtë”, shtoi Thaçi.