Kryeministri Rama mbrojti sot zgjedhjen e tij për kandidimin e Agron Malajt, ish-shefit të të ashtuaquajturit “grup zjarri” të Gardës së Republikës, i cili qëlloi mbi protestuesit më 21 janar 2011. Rama e shpalli dje kandidatura e Malajt për kryebashkiak të Matit, duke ngjallur debat dhe kritika.
Sot, gjate nje bashkëbisedimi për mediat, Rama e quajti Malajn të pafajshëm:
“Është e provuar katërcipërisht që nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit. Juve që merreni me informacionin keni të gjithë të drejtën por edhe detyrën, që para se t’i vendosni njerëzit në një kornizë shabllon, unë i kam bërë verifikimet e mia. Unë kam bërë investigimet e mia për këtë çështje dhe nuk më rezultoi se ka përgjegjësi.
Në cilën sferë të imagjinatës mund të shkoja unë që të pranoja në lidershipin tonë lokal, një person që do të ishte fajtor qoftë edhe moralisht për 21 Janarin. Ai ka informuar imtësisht për atë që ka ndodhur”.
Këtë pohim të tij Edi Rama e mbështet, natyrisht, në përfundimin e gjyqit kundër gardistëve ku malaj dhe shumë të tjerë u shpallën të pafajshëm. Por pranimi publik i pafajësisë se gardistëve është ndryshim rrënjësor i Edi Ramës ndaj drejtësisë për një nga ngjarjet më të rënda të tre dekave të fundit.
Deri më sot Rama kishte mbajtur qëndrimin se procesi gjyqësor për vrasjet e 21 janarit kishte qënë i ndikuar politikisht dhe drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre nuk është bërë. Madje një nga rastet kryesore për të mbështetur nevojën për reform në drejtësi Rama ka qënë përherë drejtësia për 21 janarin.
Në shkurt të 2013, atëherë në opozitë, Edi Rama nuk e njohu vendimin e gjykatës për pafajësinë e të akuzuarve për 21 Janarin, ndër të cilët edhe Agron Malaj. Atëherë, ai e cilësoi vendimin si më barbarin e drejtësisë së post-diktaturës dhe i premtoi familjarëve të viktimave se drejtësia do të vendosej kur ai të vinte në pushtet:
“Nuk jam i befasuar për vendimin. Kohët e fundit pyetjes së partnerëve ndërkombëtarë për 21 Janarin i kam dhënë të njëjtën përgjigje, së shpejti vrasësit do shpallen të pafajshëm, se pafajësia i duhet më shumë se vetë atyre, urdhëruesit të vrasësve, që i ka kthyer gjykatat në ekzekutim për drejtësinë.
Sot nuk pati gjykim, por përqafim mes vrasësve të drejtësisë dhe atyre të 4 protestuesve që donin atdhe të drejtë. Nëse vrasjet e 21 janarit ishin krimi më barbar shtetëror, vendimi i sotëm është vrasja më barbarë e drejtësisë në vend pas rënies së diktaturës.”
dy vjet më pas, në janar 2015 , tashmë Kryeministër, Rama u shpreh se do të rihapte hetimin e dosje së 21 Janarit:
“Hapi tjetër që i takon shtetit është rihapja e plotë e çështjes, pasi asgjë tjetër veç drejtësisë nuk e shëron dot plagën e 21 Janarit.”
Dy vjet më vonë, në janar 2017, gjatë një takimi me familjarët e viktimave të 21 Janarit, Rama premtoi se hetimi i çështjes për herë të dytë, nuk do të përfundojë si herën e parë:
“Drejtësia për 21 janarin mund të vonojë, por nuk do të harrohet dhe qeveria jonë do të vazhdojë të bëjë ç’të mundet duke njohur përgjegjësinë për krimin e shtetit. E kemi njohur de fakto dhe jemi të vendosur ta njohim de jure edhe në nivelin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg për t’i dhënë mundësi hapjes së hetimeve. Dhe rihapja nuk mund të përfundojë si herën e parë.”
Dy vjet e ca më pas, Rama pa pritur drejtësinë që do të bënte drejtësi, e shpalli vetë të pafajshëm Agron Malajn dhe e bëri kandidat për kryebashkiak.
Deri më sot Rama kishte mbajtur qëndrimin se procesi gjyqësor për vrasjet e 21 janarit kishte qënë i ndikuar politikisht dhe drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre nuk është bërë. Madje një nga rastet kryesore për të mbështetur nevojën për reform në drejtësi Rama ka qënë përherë drejtësia për 21 janarin.
Pa asnjë paragjykim për pafajësinë e Agron Malajt, kandidimi i tij nga Edi Rama është të paktën moralisht shpërfillje dhe mungesë ndjeshmërie ndaj familjeve të viktimave.
Ndërsa është e vështirë të kuptosh se cila ishte ajo arsye e madhe që Edi Rama bëri një njeri me të shkuar të tillë kandidat për kryebashkiak, edhe pse ai nuk ka asnjë përvojë politikë apo qeverisësë, ajop është bërë dukë shkelur mbi çdo standandard moral e njerëzor.
Krijoni Kontakt