Edhe pse kemi thënë disa gjëra në lidhje me biznesin e Cicajve, me emërtimin tregtar “Lidhja e shqiptarëve të krishterë ortodoksë në Greqi ‘Shën Asti’”, përmendja e disa detajeve të tjera ndoshta do të nxirrte më shumë në pah natyrën mashtrimtare të “themeluesit” të kësaj Lidhjeje. Në të gjitha letrat që z. Cici, në cilësinë e kryetarit të saj, u dërgon personaliteteve kishtare në Greqi, Shqipëri dhe SHBA (konkretisht Kryepiskopit të Greqisë Kristodhulos, Kryepiskopit të Shqipërisë Anastas dhe kancelarit të dioqezës shqiptare në SHBA, atë Artur Liolinit) thekson dy gjëra: rrezikun e proselitizimit të shqiptarëve nga Dëshmitarët e Jehovait dhe nevojën për pagëzimin e shqiptarëve joortodoksë në ortodoksë. Me këto dy argumente shantazhonte kryesisht Kryepiskopin e Greqisë, të cilin e nxiste të anashkalonte kundërshtimet e Kryepiskopit Anastas për të dhënë miratimin për një shoqatë, që nuk kishte asnjë lidhje me Kishën Mëmë, sepse nuk u pyet kur “u themelua”. Njoftimi që iu bë asaj vetëm kur ishte bërë fakt i kryer nuk kishte asnjë vlerë, sepse u bë vetëm e vetëm për të përmbushur kushtin që i vuri Kisha e Greqisë, d.m.th. miratimin e kësaj iniciative prej Kishës Mëmë, kusht ky që është i detyrueshëm në praktikat e bashkëpunimit të Kishave Ortodokse në të gjithë botën.
Trysnia që Lidhja e Cicajve i ushtronte kryesisht Kryepiskopit Kristodhulos kishte si strumbullar dorëzimin e të paktën një anëtari të kësaj Lidhjeje në prift. Arsyeja e vërtetë nuk mund të thuhej kurrë hapur, por në fakt është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Anëtari i Lidhjes që do të bëhej prift kalonte automatikisht në borderonë e administratës publike, duke u hapur rrugën edhe kandidatëve të tjerë, që të emëroheshin shumë shpejt në këtë administratë me detyra të ndryshme. Prifti i parë do të kishte detyrimisht edhe një kishë të vetën, qoftë edhe në orë të caktuara, por me një arkë të vetën, ku shqiptarët ortodoksë do të derdhnin pa kursim paratë e tyre në llogarinë e Lidhjes. Por jo vetëm kaq. Prifti do të dilte me një ikonë në dorë rrugët e Athinës e të gjithë Greqisë, ku do të ftonte të gjithë vëllezërit ortodoksë, sidomos ata grekë, që të derdhnin ca para për ndërtimin e një kishe të re për vëllezërit shqiptarë ortodoksë. Pastaj Lidhja do t’i drejtohej Shtetit Grek, Bashkisë së Athinës, Komunitetit Evropian, diasporës shqiptare nëpër botë, që të vinin në dispozicion të tyre fonde dhe të postonin çeqe me shumë zero nga pas në llogaritë bankare që të Lidhjes. Të gjitha këto do të ngeleshin plane në letër, nëse nuk do të gjendej një prift shqiptar, që të emërohej zyrtarisht nga Kisha e Greqisë për këtë qëllim.
Nëse ky mashtrues donte me të vërtetë të dëgjohej gjuha shqipe në një kishë të Athinës, ishte shumë e thjeshtë, sepse nuk ishte fare nevoja të merrej miratimi i Kryepiskopit Anastas. Mund të caktohej një orë të caktuar për shërbesë në gjuhën shqipe në një nga kishat në qendër të Athinës, të merrnin qoftë edhe një prift grek, por psaltët të këndonin gjatë gjithë kohës shqip. Në fund të fundit, ato që thuhen e këndohen nga psaltët janë shumë më tepër nga ato që thotë prifti në një liturgji hyjnore. E njëjta gjë mund të bëhej p.sh. edhe për misteret e pagëzimit dhe martesës, por edhe për shërbesa të tjera. A nuk ishin bashkëthemeluesit e kësaj Lidhjeje, sidomos vëllezërit Cici, psaltë shumë të mirë e me diploma në muzikën bizantine? Ky mund të ishte një hap i parë me të vërtetë i dobishëm, por që nuk mund të sillte para në xhepat e tyre.
Nuk ekziston as dyshimi më i vogël se mashtruesit në fjalë as që i bëhej vonë nëse shqiptarët do të dëgjonin apo jo gjuhën shqipe në adhurim. I interesonte biznesi fitimprurës që kishte projektuar në mendjen e tij të sëmurë, i cili nuk mund të fillonte të funksiononte pa një prift që të njihte gjuhën shqipe, por mbi të gjitha, nuk mund të kontrollohej prej tyre. Kur e panë se ishte e pamundur që dikush prej tyre të dorëzohej prift në Kishën e Greqisë, i propozuan Kryepiskopit të Greqisë Kristodhulos emrin e një arkimandriti arvanitas, i cili kishte shërbyer për katër vite në Kishën e Shqipërisë dhe e njihte mirë gjuhën shqipe. Quhej Markos Meletis, dhe në atë periudhë shërbente si prift ushtarak në ishullin e Samosit. Z. Cici komunikoi menjëherë me të dhe ai u tregua i gatshëm për të ndërmarrë një mision të tillë. Është për t’u habitur se si ka mundësi që, një njeri si z. Cici, i cili ka për borxh të bëjë biografitë e gjithë banorëve të globit brenda dhjetë minutash, nuk solli asnjë kundërshtim për këtë kandidature (në fakt ishte e vetmja kandidaturë). E them këtë sepse ky arkimandrit, i cili kishte ardhur vullnetarisht në Shqipëri, u largua me takt dhe pa bujë prej këndej për arsye të caktuara, arsye për të cilat nuk mund të mos kishte dijeni z. Cici, aq më tepër kur informatori i tij kryesor nga Shqipëria (deri edhe tani që po flasim) është nga ata që përgjojnë nga vrima e çelësit çdo lëvizje që kryhet jo vetëm në ambientet kishtare të Shqipërisë, por edhe në ambientet personale të punonjësve të saj. Madje, për të njëjtat arsye që u largua me takt nga Kisha e Shqipërisë, me sa kam dijeni, është larguar edhe nga radhët e klerit në Greqi. Pavarësisht këtyre, arkimandriti Markos Meletis pranoi fillimisht, por më pas nuk u bë i gjallë.
Lidhja e Cicajve dështoi në mënyrë të turpshme sepse interesat që fshiheshin pas saj ishin po aq të turpshme. Z. Cici vazhdon të ngulë këmbë deri sot se Lidhja e tij ishte e rëndësishme ngaqë ishte njohur me ligj nga Shteti Grek. Nuk mund të them se e thotë vetëm për demagogji, por edhe se kaq i pret, sepse ai as që e ka idenë se në Greqi ka më shumë shoqata dhe organizata nga ç’ka banorë. Në kohët e arta që z. Cici bënte kokrrën e qejfit në Athinë, një qytetar grek mund të ishte anëtar i dhjetë ose më shumë shoqatave të ndryshme, sepse kjo ishte një mënyrë për të mbushur xhepat me fondet e shtetit dhe të BE-së, që financonin pa asnjë transparencë marrëzi të tilla. Në radhë të parë është shumë e lehtë të krijosh një të tillë dhe akoma më e lehtë të njihet nga shteti si e tillë. Merr një model statuti nga mijëra statute që qarkullojnë në internet, ose nëpër dosjet e zyrave të avokatisë, shkruan mbi të emrin e shoqatës që kërkon të krijosh, e çon tek një avokat dhe ai i bën të gjitha vetë. Brenda pak ditësh të lë mbi tavolinë dokumentin e njohjes, bashkë me llogarinë e shpenzimeve që ka bërë. Z. Cici nuk kishte nevojë të paguante. Kishte avokatin Aristidh Kola (ose Kolja sipas këtij analfabeti), por edhe mbështetjen e një organizate e të majtës ekstreme (e dyshuar për lidhje me terrorizmin ultramajtist), që quhet “Dhiktio” (Δίκτυο).
Vetë fakti që lëvizjet, veprimet dhe iniciativat e asaj kohe të Z. Cici diktoheshin nga një ateist si Aristidh Kola dhe përkraheshin nga një organizatë ultramajtiste si “Dhiktio”, përbën dëshminë më të qartë dhe provën më të patundshme se objektivi kryesor i kësaj Lidhjeje ishte nënshtrimi i besimit ortodoks ndaj politikës dhe jo mbarëvajtja e besimit ortodoks në gjirin e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Feja do të ishte thjesht ferexheja e kësaj loje të fëlliqur politike, e inskenuar nga qarqe dhe interesa, që ky buratin e kishte për nder t’u shërbente, mjafton që të lëpinte ndonjë kockë e të kishte ndonjë ofiq që të krekosej. Lidhja e tij nuk ishte gjë tjetër veçse një provokacion ndaj Kishës sonë dhe një përpjekje për të larguar shqiptarët ortodoksë që jetonin në Greqi nga feja e të parëve. Ky objektiv u shkonte përshtat ish sigurimsave që jetonin e vepronin në Athinë, propagandës së Ministrisë së Jashtme të Turqisë në Greqi dhe terrorizmit islamik në përgjithësi.
Nëse z. Cici i interesonte me të vërtetë besimi ortodoks, atëherë duhej të bënte gjënë më të thjeshtë: të shkonte në ndonjë manastir për një farë kohe, të bëhej fillimisht murg i thjeshtë, të fitonte përvojën dhe cilësitë e duhura për një jetë të tillë, pastaj të bëhej ieromonak dhe, në vazhdim, mund të vepronte si misionar në shërbim të shqiptarëve ortodoksë sa t’i donte qejfi. Askush nuk kishte për ta penguar, aq më tepër Kryepiskopi Anastas. Por nuk ishte ky qëllimi i tij, sepse në radhë të parë nuk është besimtar. Edhe në kohën që veshi raso, gjuha që përdorte dhe veprat që kryente ishin ato të një rrugaçi e jo e një besimtari të vërtetë dhe e të një kleriku të urtë, që vihet në shërbim të komunitetit e ndjek me përulësi e përkushtim rrugën e vështirë të Ungjillit të Krishtit.
Gjithsesi, ky njeri nuk është vetëm mashtrues, por edhe i pabesë, madje edhe ndaj miqve të tij, të cilët i tërhoqi mjaft herë në monopate shumë të rrezikshme, edhe në buzë të greminës do të thosha. Do ta ilustroj këtë ide që kam për të në vijim. Në datën 7 mars 2000, plot një muaj pas dështimit të “themelimit” të Lidhjes së shqiptarëve të krishterë ortodoksë në Greqi “Shën Asti”, kryetari i famshëm i saj, me vizën amerikane në pasaportë e me biletën e paguar nga të tjerë për të udhëtuar pas disa ditësh drejt SHBA-së, ku e priste i ndjeri Sejfi Protopapa pas letrës që i kishte dërguar Aristidh Kola, u dërgon anëtarëve të Këshillit Drejtues të kësaj Lidhjeje këtë letër:
Të dashur vëllezër më Krishtin,
Jam i detyruar të jap dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Lidhjes, duke ju falënderuar më parë për besimin, votën dhe bashkëpunimin e sinqertë në dobi të bashatdhetarëve tanë, me bindjen se ju do të vazhdoni përpjekjet për organizimin e shqiptarëve ortodoksë në Greqi.
Për fat të keq, mbas luftës së egër dhe të shumanëshme që i bëhet Lidhjes, dhe sidomos personit tim, zyrtarisht dhe prapa krahëve, nga Kryepeshkopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, zoti Anastas, qeshë i mendimit që të fillojë një dialog publik për të drejtat fetare të emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke dhënë në shtypin e të dy vendeve letërkëmbimin e Lidhjes me Krypeshkopin e Greqisë dhe Kryepeshkopin e Shqipërisë, përderisa jemi anëtarë të një shoqate të ligjësuar dhe çdo gjë ka vijuar sipas ligjeve civile dhe kishtare, gjë që nuk u pranua nga shumica prej jush, për shkak të frikës suaj dhe të familjeve tuaja këtu..
Në këto kushte unë nuk kam asnjë mënyrë për të sendërtuar programin tonë, prandaj dhe tërhiqem. Më vjen keq që nuk mund të jem as anëtar i thjeshtë i Lidhjes, sepse më duhet t’i përkushtohem studimit për temën e disertacionit. Më 25 mars, datë e caktuar nga mbikëqyrësi i Lidhjes, zoti Dhimitër Lalushi, si afati i fundit i shërbimit im, do të largohem nga Greqia. Po i jap, pra, çështjes së hapjes së një kishe shqiptare në Athinë, me tërheqjen time, një alternativë tjetër. Punë të mbarë!
Me respekt,
Foti Cici
Kuptohet që ky njeri jo vetëm po i braktiste këta njerëz, që i kishin besuar fjalëve të tij, por edhe i kishte marrë në qafë për një kohë të gjatë, i kishte helmuar me shpifjet e tij, i kishte keqorientuar me paaftësinë e tij, e tani së fundmi, po i shiste për tridhjetë aspra me tradhtinë e tij. Ai po i akuzonte ata se nuk po përkrahnin në vendimin e tij për të hapur një luftë publike kundër Kryepiskopit Anastas, ku ndër të tjera, ky surrat e akuzonte këtë personalitet të nderuar botërisht se kërkonte ta zhdukte fizikisht! Kuptohet që, sado të ligj e mëkatarë të ishin këta njerëz, nuk do të guxonin kurrë të binin dakord me një akuzë të tillë. Jam i sigurt se jo nga frika, por nga pastërtia e ndërgjegjes së tyre. Qëllimi i z. Cici ishte të hidhte në opinion akuza të tilla, dhe t’ia mbathte menjëherë për në Amerikë, ku do të shfaqej si hero në gjirin e kundërshtarëve të Kryepiskopit Anastas. Sigurisht që organet e drejtësisë në Greqi do të ndërhynin menjëherë, jo me domosdo për të mbrojtur Kryepiskopin Anastas, por edhe jetën e z. Cici, me kusht që ky të paraqiste prova bindëse për këtë akuzë. Në kohën që ky dezertor do t’ia kishte mbathur për në Amerikë, anëtarët e Lidhjes që kishin mbetur në Greqi do të përballeshin me situata aspak të këndshme për ta e për familjet e tyre, prandaj dhe reaguan me forcë, duke shkaktuar zemërimin e kryetarit të tyre në arrati.
Ky është Fotaq (Fatmir – Foti) Cici! Këshilloj çdo njeri që është pranë tij të ketë parasysh dy gjëra: të ruajë mirë portofolin dhe të mos i kthejë kurrë shpinën. Më e mira fare është të mos i qëndrojë pranë, por nëse nuk ka rrugë tjetër, këto dy këshilla do të jenë mjaft të dobishme për të nëse i zbaton me rigorozitet.
Duke përfunduar, dua të theksoj edhe një herë, madje me forcë, se Lidhja e shqiptarëve të krishterë ortodoksë në Greqi “Shën Asti” ishte një mashtrim, një firmë piramidale, e cila, me efektet e saj anësore, përmbushte shumë qëllime të tjera mëkatare, të cilat i përmenda edhe më lart, por që kryesisht, u sajua për të pasuruar Cicajt e Nivicë - Bubarit. Shkrimeve të mia në këtë temë, për shkak të natyrës së tyre spontane, nuk u vendos kurrë titull. Kësaj here mendoj të vendos, edhe pse jo në krye të tyre, siç e kërkon zakoni, por në fund:
___________________________________BIZNESI I DËSHTUAR I CICAJVE
Krijoni Kontakt