Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,317
    Postimet në Bllog
    17

    BIRN: Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave për PS


  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,317
    Postimet në Bllog
    17

    Për: BIRN: Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave për PS

    Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave në Shqipëri

    Emri:  78A5867F-BC1C-4252-B36E-27448EAC8B46_w1023_r1_s.jpg

Shikime: 310

Madhësia:  27.6 KB

    Materiali në vazhdim u përgatit për Zërin e Amerikës nga gazetarja Klodiana Lala dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN.

    Dhjetra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hedhin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor.

    Në katin e tretë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, zyrat e prokurorëve që drejtojnë hetimet e dosjeve 339 dhe 339/1 janë të mbushura dëng me dokumente. Fletët e fashikujve gjenden të shpërndara mbi tavolina dhe dysheme, ndërkohë që një seri kutish kartoni të mbushura me CD presin radhën për t’u zbardhur.

    Mbi njërën prej kutive dallon shënimi me shkrim dore “korrupsion dhe blerje votash; 42 CD”.

    Një kat më poshtë, katër oficerë të policisë gjyqësore transkriptojnë përgjime që datojnë nga viti 2016. Nuk ka ende një bilanc të qartë, por mbeten ende dhjetra CD me përgjime të patranskriptuara.

    Dosja hetimore 339 zuri fill në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës.

    Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat.

    E ndarë më vete në vitin 2017, nga dosja 339/1 është zbuluar vetëm “maja e ajsbergut”.

    Por të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore.

    Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN ngrejnë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.

    Bisedat telefonike tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.

    Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës.

    Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri.

    Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve.

    Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien këmbanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike.

    Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës. Ndërsa dy prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi refuzuan të komentonin mbi ecurinë e hetimeve.

    Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje.

    I kontaktuar nga BIRN, Dako refuzoi të komentonte mbi marrëdhëniet e shtrira në kohë me vëllezërit Avdyli, mbi ç’mënyrë ishte ndihmuar prej tyre në zgjedhje apo nëse në këmbim, u kishte ofruar atyre zgjidhje të problemeve.

    “Unë nuk jam marrë asnjëherë në pyetje nga Prokuroria,” tha ai.


    Vota, dreka dhe trafik influence


    Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45 vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

    I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10 vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

    Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse". Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.

    Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta.

    Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.

    “Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

    Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt.

    Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.

    Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.

    Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikon me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

    Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.

    Një prokuror në dijeni të hetimit, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se kreu i dyshuar i bandës, Astrit Avdyli komunikonte me kryebashkiakun Dako jo me telefonin e tij, por përmes personave të tjerë. Prokurori i tha BIRN se rrjedhja në media e lajmit se kryebashkiaku Dako ishte përgjuar në nëntor 2017 e dëmtoi hetimin. Por komunikimet u ndërprenë vetëm përkohësisht.

    “Mund të them që janë me dhjetra telefonata të përgjuara,” tha prokurori. “Kryesisht flisnin për takime të ndërsjella, për të drekuar apo darkuar. Komunikonin edhe për probleme të tjera, kërkonin zgjidhje të problemeve të përditshme,” shtoi ai.

    Përgjimet e siguruara nga BIRN tregojnë se Dako ishte zyrtari më i lartë, por jo i vetmi që kultivoi raporte të ndërsjellta me vëllezërit Avdyli.

    Një numër zyrtarësh lokalë në institucione kyçe si inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përgjuar gjatë komunikimeve me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ndërkohë që këta të fundit kërkonin favore të llojeve të ndryshme.

    Dokumentet tregojnë gjithashtu se vëllezërit Avdyli kanë komentuar apo ndjekur me interes zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndonëse nga bisedat nuk del qartë se kush ishte kandidati i preferuar.

    Bashkia e Durrësit rezulton të jetë vetëm njëra prej zonave të influencës së grupit të dyshuar kriminal, ndërsa të dhënat hetimore tregojnë se ata janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash.

    “…Nga përgjimet e telefonave celularë në përdorim të shtetasit Gjevi Ndoka evidentohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, si para dhe gjatë fushatës zgjedhore është përfshirë në mënyrë aktive duke ofruar dhe dhënë të holla (para) zgjedhësve për të votuar kandidatët për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste, të dhëna këto që dalin nga përgjimet,” shkruhet në dosjen hetimore.

    Megjithatë, jo të gjitha transaksionet për votat kanë shkuar fjollë.

    Një telefonatë e përgjuar dy ditë pas zgjedhjeve, të cilët hetuesit e çështjes e identifikojnë në zonën e Kavajës- por që BIRN nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur, tregon jo vetëm fenomenin e blerjes së votës, por edhe fotografimin e saj dhe presionin për të kthyer paratë mbrapsht.

    “Është filmue ajo punë, le tashi. Të më japë lekët mbrapsht Miri, ka mbaruar ai muhabet,” thotë njëri prej biseduesve. “Ne i japim lekët me mbaru ato punë e halle që keni, jo me dhanë lekë e mos me dhanë votën,” shtohet aty, duke kërkuar që lekët të kthehen urgjentisht mbrapsht.


    Makineria e Dibrës

    Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë dominante e debatit politik në Shqipëri.

    Partia Demokratike në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur Partia Socialiste mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin.

    Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.

    “Të dyja këto parti [Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim] treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve. Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport.

    Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.

    Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit-i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

    Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorrën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje.

    Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë.

    Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende.

    Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni.

    “Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

    Trenova u largua nga çështja, pasi u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho.

    BIRN mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës.

    Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur.

    Minimi i zgjedhjeve

    Përfshirja e “individëve të fortë” në zgjedhjet shqiptare nuk është një fenomen i ri. Që pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së vendit ndaj zgjedhjeve pluraliste, partitë politike kanë kërkuar herë pas herë edhe “muskujt” në garat kundër kundërshtarëve.

    Megjithatë, ekspertë dhe monitorues të sistemit zgjedhor në Shqipëri shprehen të shqetësuar për përhapjen e fenomenit pas zgjedhjeve të vitit 2013 si dhe sofistikimin e mënyrës sesi krimi i organizuar dikton në zgjedhje.

    Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike i tha BIRN se monitoruan këtë aspekt në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rezultoi se në disa zona specifike, roli i grupeve kriminale në fushatë ishte edhe më i madh se ai i partive politike.

    Krasniqi rendit Dibrën, Elbasanin, Shkodrën, Durrësin, Kavajën dhe Lezhën si zona më problematike.

    “Fillimisht patëm sponsorizim të botës së krimit ndaj politikanëve lokalë që duan të merren me politikë, më pas kaluam në kandidim të vetë elementëve kriminalë në zgjedhje. Në fazën e tretë kemi të dy fenomenet, sponsorizim dhe kandidim,“ tha Krasniqi për BIRN.

    Ndërsa Dritan Taulla, zv.kryetar i Shoqatës KRIIK argumenton se forcimi i lidhjeve politike ka ardhur me evoluimin e aktivitetit kriminal dhe fuqizimin ekonomik të individëve të implikuar në krime.

    “Kanë evoluar edhe format e mbështetjes ndaj politikës, derisa në vitin 2013 pati një numër të konsiderueshëm personash me precedentë penalë në funksione publike (përfshi parlamentin), ç’ka shpuri në nevojën emergjente për dekriminalizim,” tha Taulla.

    Ekspertët Krasniqi dhe Taulla rendisin një mori formash të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje, që lidhen kryesisht me përcaktimin e komisionerëve, financimin e kandidatëve të caktuar, përfshirjen direkte në tregtimin e votës apo intimidimin e zgjedhësve apo komisionerëve të partive kundërshtare.

    “Në këmbim ata fitojnë “imunitet politik” apo përfitime ekonomike përmes pjesmarrjes së tendera publikë,” tha Krasniqi.

    Përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje fajësohet edhe për humbjen e moralitetit dhe të integritetit politik në Shqipëri. Ekspertët kujtojnë përgjimet e publikuara të kryebashkiakut Dako dhe reagimin e këtij të fundit, si anashkalim të moralitetit politik, të llogaridhënies dhe përgjegjësisë.

    “Për më tepër, mungesa e një reagimi publik nga partia në emër të së cilës kryebashkiaku Dako është zgjedhur, sugjeron se kjo nuk është thjesht një qasje personale e tij,” tha Dritan Taulla për BIRN.

    Krasniqi bie dakord, ndërsa shton se lidhjet mes krimit dhe politikës kanë dëmtuar shtetin dhe integritetin e tij.

    “Ata kanë krijuar idenë përgjithshme se në demokraci gjithcka është në shitje. Sot është krijuar ideja se askush nuk mund të fitojë në zgjedhje nëse nuk merr mbështetjen e grupeve të tilla,” përfundoi Krasniqi.

    Zeri i Amerikes / BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,317
    Postimet në Bllog
    17

    Për: BIRN: Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave për PS

    Dokumente nga përgjimet

    Emri:  FC49532E-93FD-4BB7-9024-6735739ED858_w1023_s.jpg

Shikime: 334

Madhësia:  32.6 KB

    Emri:  EACF920F-43B5-4669-BB00-9A6AB0C8B10C_w1597_n_s.jpg

Shikime: 196

Madhësia:  44.4 KB

    Emri:  164BE652-08E3-4449-A79B-9B5AD94918C7_w1597_n_s.jpg

Shikime: 178

Madhësia:  24.7 KB

    Emri:  3C5E9FBF-53F6-4EDF-9AF0-4C3BDBA1DF0B_w1597_n_s.jpg

Shikime: 217

Madhësia:  33.3 KB

    Emri:  679A4E31-7CDC-4FD6-98B0-038913474368_w1597_n_s.jpg

Shikime: 170

Madhësia:  23.4 KB

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,317
    Postimet në Bllog
    17

    Për: BIRN: Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave për PS

    Dosja 339/ Sekretet e mazhorancës në qindra CD

    Emri:  pergjime-dako.jpg

Shikime: 196

Madhësia:  23.4 KB

    Nga Basir Çollaku

    Qindra CD të pazbardhura të 339 janë sekretet e mazhorancës dhe pushtetit, që ruhen nga Donika Prela dhe Arta Marku. Kjo është superdosja elektorale ku pushteti dhe bandat kanë punuar së bashku dhe më pas kanë ndarë njëlloj bashkë pushtetin e fituar.

    Dosja e nxehtë ruhet nga zonjat e Prokurorisë të cilat garojnë dhe për vendet e njëra-tjetrës, në fshehtësi. Në dosjen 339 të janë qindra CD përgjimesh, ende të pazbardhura, që kanë mëkate tronditëse për qeverinë. Ndaj duhet të qëndrojnë në detyra eprorësh njerëzit e bindur, si kasaforta të mosshpërthimit të hetimit.

    Kush i financon prokurorët, gjykatësit, trupën drejtuese të sistemit, në promovim karriere në këtë kohë të mbrapshtë, kur zhurma të mbyt për reformën, e heshtja bën hatanë nën dorë?!

    Dyshimet serioze vështirë t’i shoqërosh me prova bisedash, premtimesh, pagesash, shkresash, por ama sjelljet në hetime prokurorie dhe vendime gjykatash, janë më tepër bindëse se hamendësimet.

    Po përse?!

    Emërimi i njëanshëm, jokonsensual i Arta Markut, sipas Kushtetutës, i përkohshëm, e për pak javë u bë vite, shpërndarja internuese e Prokurorëve të Krimeve të Rënda të dosjes “Shullazi” e “Tahiri”, mbarimi i atyre të “Dajtit”, shpërblimi i Donika Prelës nga Durrësi ditën e vjedhjes së postës sekrete të prokurorisë, me emërim në krye të Prokurorisë për Krimeve të Rënda, e mjaft vendime haptazi të paligjshme, kanë futur drejtësinë në rrugë të verbër.

    Dosja 339, është një investim partnerësh më së shumti, me fashikuj të pafund përgjimesh, për blerjen masive të votave në të gjithë qarqet e Shqipërisë.

    Ajo zbardhi skemën kriminale të bashkëpunimit të qeverisë, eksponentëve të lartë politik dhe publik. Në të kemi, kryebashkiakë, si Gjushi me shoqni, prefektë, disa ministra, plot deputetë, shumë zyrtarë të lartë, të cilët hapur drekojnë, kuvendojnë, shkëmbejnë para dhe ndere për tendera, punë publike, para publike, me organizata kriminale, të trafikut të drogave të shtrenjta si heroinë, kokainë.

    E gjithë sasia e përfitimeve të paligjshme shkonte tek Edi Rama, arkitekti i rritjes së numrave në Parlament dhe ndenjësve nëpër Bashki, me ortakëri me bandat. Me gjithë konspiracioinin, mbylljen hermetike të Prokurorisë, për të mos dalë sheshit zullumet e frikshme të kësaj dosje, Zëri i Amerikës dhe BIRN publikuan materiale shokuese. Fajtorët nuk shkuan as në burg, as askund, por qëndrojnë ende në pushtet.

    E nisën me dosjen Shullazi, duke larguar mbi 10 Prokurorë të Krimeve të Rënda, pjesë e rëndësishme hetimi edhe në 339-ën. Vijuan me lehtësira befasuese për Dritan Dajtin. Kulmon me komedinë me bosin Klement Balilin. Donika Prela bëri rrëmujën e paprecedentë në Krimet e Rënda, duke degraduar deri në sherr fizik. Arta Marku nisi procedimin disiplinor dhe transferimin, ku nuk mungonin Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela, dy ish-drejtues të Krimeve të Rënda. Gjykata Administrative vendosi kundër Donikës dhe Artës, duke vendosur se zonjat drejtuese kanë vepruar paligjshmërisht.

    Sërish halli kthehet te 339, Kodi i Kuq për mazhorancën dhe kryeminsitrin. Vangjush Dako del zbuluar në ortakëri me bandat, deputetët drejtues në burgje dhe terren elektoral dalin hapur në aktivitet kriminal, në favor të plackitjeve të votave. Donika dhe Arta nuk e arrestojnë dot Dakon, nuk munden ta bëjnë nga frika e Ramës dhe të tjerëve. Po tani kush sponsorizon?

    Dosja 339 është hapur politikë dhe krim. Bandat në Durrës, Lezhë, Dibër, Vlorë, Kukës, Shkodër, në mbi 9 qarqe kanë punuar për llogari të Rilindjes. Vangjushi, Ahmetaj, Gjiknuri, Tahiri, Sejdini, janë kryesisht më të dyshuarit për mbajtjen e fijeve lidhëse, të cilat kulmojnë tek shef Edi.

    Fatmir Xhafa provoi të dilte nga laku dhe të arrestonte Dakon, por Donika dhe Arta nuk iu bindën. Sandër Lleshi as në ëndërr nuk mendon të sillet njëlloj. Ai mjaftohet me rregullat e qarkullimit rrugor dhe rregulloret, ose kundragaz për gazetarët. Në këtë dosje gjenden të dhëna thuajse kinematografike për banda politiko-kriminale, të vjeljes së gjobave, për ministra e politikanë, të cilët nuk kanë dorëzuar taksat tek shefi.

    Por çfarë po ndodh saktësisht?!

    Rama nuk është vetëm. Bandat e lëna në qetësi, të patrazuara, mundet lehtësisht të kenë bërë marrëveshje me kryeministrin dhe të emërojnë në detyra të rëndësishme prokurorë e gjyqtarë, apo në për shumë KLPLGJ-ra dhe me marifete proceduriale paguajnë karriket ku janë ulur.

    Të lirë apo nëpër qeli, të fortët e krimit, pasi kanë arkivuar telashet e përfshirjes së Ramës në këtë skemë pushteti, për llogari të tyre bëjnë çdo biznes. Në episode frike e trembje nga daljet e të fshehtave, Rama kanos butësisht si në lutje, duke thënë se janë dërguar mesazhe nga burgu, nga “qeveria tjetër”.

    Ndaj nëse Donika dhe Arta japin kohë, leje, mundësi pune dosjes 339, të veprojë ligjërisht për Gjushin, ministra e deputetë, prefektë e zyrtarë dhe pa harruar shef Edin, atëherë 339, është vettingu i parë serioz në drejtësi..
    Deri atëherë Gjushi mbetet siç vetëthotë akullore, e Rama një surrelas në pritje…

    Koha Jone

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,317
    Postimet në Bllog
    17

    Për: BIRN: Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave për PS

    Ministri jashtëm gjerman për DW: Të hetohen nga drejtësia votat e blera nga bandat e drogës

    Emri:  45989404_303.jpg

Shikime: 226

Madhësia:  28.9 KB

    Pas deklaratave të para nga ndërkombëtarëve në lidhje me djegien e mandateve nga opozita, ata kanë filluar të reflektojnë dhe të kuptojnë se çka ndodhur në të vertetë me zgjedhjet e vitit 2017. Faktet e publikuara nga “Zëri Amerikës”, nga RAI dhe mediat serioze gjermane, italiane, franceze, etj, po ndërgjegjsojnë BE dhe në SHBA se duhet një zgjidhje politike e krizës.

    Ministria e Jashtme gjermane thekson në një deklaratë tjetër të premten për Deutsche Welle, se akuzat për zgjedhjet duhet të trajtohen nga drejtësia dhe parlamenti.

    Pas deklaratës së djeshme të Berlinit zyrtar për “djegien e mandateve” nga deputetët e opozitës shqiptare, Deutsche Welle e pyeti Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme edhe për protestat e opozitës. Përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme është si më poshtë:

    “Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti. E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Megjithatë, dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore.”

    Deklarata zyrtare e ministrisë së Jashtme gjermane është në të njëjtën linjë me qëndrimin e mbajtur nga opozita në lidhje me blerjen e votave nga krimi i organizuar në pushtet. Opozita deklaroi se arsyeja përse nuk mund të qëndrojë më në Parlament dhe dogji mandatet është blerja e votave e provuar nga hetimet dhe përgjimet e partnerëve në katër qarqe të vendit.

    Dosja e njohur ndryshe me emrin “339”, pavarësisht presionit të mediave vendase dhe botërore dhe opozitës, nuk hetohet nga Prokuroria.

    Pak ditë më parë ishte televizioni italian Rai 2 ai që në një investigim të tijin në Shijak zbuloi se zgjedhjet në Shqipëri janë blerë me paratë e drogës dhe krimit.

    Koha Jone

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •