Protestuesit që banojnë tek Unaza e re, shtëpitë e të cilëve do të prishen për të ndërtuar rrugën sipas parametrave, kanë pritur edhe sot një përgjigje nga Erion Veliaj për të mësuar për fatin e shtëpive të tyre. Ata kanë protestuar para bashkisë me pyetje të thjeshta: “A mund të na sqarojë dikush”?, “Ç’do të bëhet me ne”, “Ne nuk jemi kundër rrugës, por duam të dimë se sa dhe si do të kompensohemi”.
Erion Veliaj ka refuzuar deri më sot t’u japë përgjigje dhe ka vepruar sipas stilit të tij, që shfaqet në ekrane vetëm pasi i ka blerë protestuesit, për të lënë gjithnjë një imazh pozitiv. Dhe stili i tij tashmë dihet, por edhe njëherë problemi është tek mediat që prezumohen të jenë në shërbim të publikut, për t’u ngritur shtetarëve problemet që kanë lënë pa përgjigje. Kjo do të nënkuptonte që për mëse një javë me radhë, reporterët do duhej ta “shqyenin” me pyetje kryebashkiakun për t’i marrë përgjigjen që kanë nevojë të dëgjojnë qytetarët.
Por si gjithmonë ka ndodhur e kundërta. Televizionet më të mëdha në vend as nuk kanë dërguar gazetarë dhe kameramanë për të mbuluar aktivitetet e Veliajt, por në të kundërt, kanë transmetuar kasetat e gatshme me autolavdërimet e prodhuara nga zyra e bashkisë.
Po të vëzhgosh gjithë transmetimet e javës së shkuar, shikon se kryebashkiakut i janë bërë furçe nga të gjithë, por për 7 ditë rresht atij nuk i është kërkuar llogari për protestat e banorëve të Unazës së Re. “Boldnews.al” ka monitoruar ditë pas dite kronikat e transmetuara në Top Channel, por e njëjta gjë ka ndodhur pothuajse pa ndryshim edhe në TV e tjera.

E Shtunë, 3 nëntor 2018/ Qindra banorë të Unazës së Re bllokojnë rrugën kryesore, kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës dhe disa institucioneve të tjerë, për prishjen e shtëpive të tyre. Në të njëjtën ditë, kronika e Bashkisë e tregon Veliajn duke përshëndetur vendimin e Qeverisë për rritjen e taksave të makinave të vjetra
E Diel, 4 nëntor 2018/ Banorët sërish në protestë. Policia kësaj radhe tregohet “më aktive” dhe vendos të shoqërojë disa banorë, përfshirë edhe gra, që bllokuan rrugën.Në kronikën e përgatitur në bashki Lali Eri shfaqet si mik i librit në Njësinë 8.

E Hënë, 5 nëntor 2018/ Banorët e Unazës së Re bllokojnë sërish rrugën. Veliaj rrezulton në kronikat e gatshme si njeri që interesohet për edukimin e fëmijëve dhe marrjen e tyre me sport.

E Martë, 6 nëntor 2018/ Protestuesit e Unazës së Re bllokojnë aksin rrugor Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja. Po të njëjtën ditë në kronikën e bashkisë të transmetuar gjithandej shprehja e Veliajt nga Firencia se “Tirana mund të jetë kryeqyteti europian i kulturës në vitin 2024.

E Mërkurë, 7 nëntor 2018/Banorët vijojnë protestën në rrugë, Veliaj transmeton kronikën e prezantimit të buxhetit 2019 para banorëve të zonës së Kasharit.

E Enjte, 8 nëntor/ Protesta e banorëve të Unazës së Re bën një javë javën. Kronikat e lali Erit flasin për kapacitetin e Bovillës dhe një projekt me hungarezët.

Pra sikurse shikohet, në një javë me radhë, në të gjitha ekranet, është transmetuar thjeshtë propagandë e shpifur pro kryebashkiakut, që lartëson bëmat e tij dhe as një sekondë ai nuk është përballur me problemin real që kanë qytetarët. Dhe këtu nuk është puna vetëm e makinerisë gëbelsiane të gënjeshtrave që Erion Veliaj ka ngritur në bashki. As problemi i mënyrës sesi ai e koncepton politikën, si marshim përpara përmes mashtrimit. Këtu problemi është i televizioneve të mëdha dhe lajmeve të tyre, që me kohë e kanë tradhëtuar misionin e tyre. Në vend të bëhen aleatë të qytetarëve, ato prej kohësh janë lavatriçe të pushtetarëve. Mbi të gjitha të Erion Veliajt.

©Lapsi.al