Arta Marku vendos të reagojë për çështjen “Xhisiela”, e cila prej ditësh ka trazuar politikën shqiptare, median e mbarë opinionin publik. Përmes një njoftimi për shtyp kryeprokurorja e përkohshme thotë se çështjen e kërcënimit të ish-nënkomisarit Emiljano Nuhu ia kaloi për hetim prokurorisë së Tiranës.

Në këtë pikë Marku thotë një të pavërtetë të madhe pasi hetimi për rastin nisi menjëherë pasi e referoi komisariati nr.6 i policisë në Tiranë ku Nuhu kishte bërë denoncimin se dy pjesëtarë të fisit Rraja e kishin kërcënuar me jetë në një lokal në zonën e Unazës së Re.

Mbase Prokurorja e përgjithshme e Përkohshme se ka të qartë, por hetimet kanë ecur jo pak. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit, është pyetur vetë ish-oficeri e janë kryer këqyrjet e telefonave të denoncuesit dhe pjesëtarëve të fisit Rraja.

Për të shkuar më tej Arta Marku duket se as nuk e di për çfarë bëhet fjalë. Kjo për faktin se në njoftimin shpërndarë mediave thotë se ish-nënkomisari pretendon se u kërcënua nga Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.

I pari është deputeti i PS i dyti i biri që u arrestua për përndjekje dhe dhunë ndaj ish-të dashurës Xhisiela Maloku e ndodhet në qeli ndonëse institucionet reaguan pas akuzave publike të Nuhut. Por edhe vetë ky i fundit nuk pretendon të jetë kërcënuar tek Unaza e Re nga deputeti apo i biri por nga Ramazan e Redjan Rraja, kushërinj me dy të parët. E në kushtet kur gruaja e votuar për të drejtuar përkohësisht institucionin qendror të akuzës nuk është e informuar drejt për pretendimet e ngritura nga ish-nënkomisari imagjino çfarë mund të presim nga hetimet për këtë çështje.

© SYRI.net