Mbrëmjen e djeshme, 25-vjeçarja Xhisiela Maloku u shfaq në dy media, në dy intervista të ndryshme. Fillimisht ajo u shfaq në një intervistë në emisionin “Open” në “Top Channel” dhe më pas në “Opinion” në “TV Klan”.
Kjo ishte dalja e tretë e vajzës së re nëpër media, pas asaj të para pak ditëve, menjëherë pas bërjes publike të rastit të saj, nga nënkomisari i policisë në arrati, Emiljano Nuhu.
Pista e parë
Që prej denoncimit të Nuhut, e gjithë vëmendja u përqendrua tek vajza e re, që në muajin korrik kishte akuzuar djalin e deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja, për dhunë, përndjekje dhe kërcënim me armë. Por që në krye të herës, denoncimi i nënkomisarit ngërthente dy ngjarje të rënda.
E para dhuna ndaj saj prej djalit të një deputeti, e cila u bë publike rreth 2 muaj pasi kishte ndodhur dhe kjo falë videodëshmisë së nënkomisarit Nuhu.
E dyta kriminalizimi i qeverisë Rama dhe i policisë së shtetit. Në videodëshminë e tij, nënkomisari Nuhu, tregoi sesi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deputeti i PS-së, Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, i kishin vajtur në zyrë dhe në prani të tyre, vëllai i deputetit e kishte kërcënuar me armë në kokë që të tërhiqej nga çështja e akuzave ndaj Rexhep Rrajes, djali i deputetit.
Nuhu deklaroi se jo vetëm ishte kërcënuar në zyrë me armë në kokë, por pasi kishte kërkuar ndihmë tek eprorët e tij, përkatësisht ministri Xhafaj e drejtori i policisë, Veliu, nuk kishte marrë asnjë përgjigje dhe ishte braktisur. Gjë e kishte detyruar të largohej nga vendi për të shmangur eliminimin e tij dhe të familjes së tij prej personave që e kishin kërcënuar me jetë.
Dalja e Xhisiela Malokut në 3 media të ndryshme, për më tepër duke thënë se deklaratat e Nuhut ishin trillime, ka bërë që denoncimet e forta të nënkomisarit të policisë për lidhjet e qeverisë dhe policisë me krimin thuajse të harrohen.
Publiku, të cilit i është servirur Xhisiela Maloku gjatë gjithë kohës dhe historia e saj me denoncime, tërheqje denoncimesh, ridenoncime dhe më pas me deklaratat e fundit se gjithçka e kishte bërë nga xhelozia, thuajse i ka harruar akuzat e forta të nënkomisarit, i cili ndodhet tashmë në arrati dhe nën masa të rrepta sigurie pas kërcënimi të kryeministrit Rama se “do e ndjekim këmba-këmbës atë horr”.
Mbajtja nën kontroll e opinionit publik dhe heqja e dyshimeve nga vetja, mund të realizohet vetëm në një mënyrë: duke e përqëndruar vëmendjen në një subjekt tjetër.
Mirëpo që të hiqet krejtësisht nga të parët vëmendja e publikut, duhet që të luhet me besueshmërinë, moralin apo deklaratat kontradiktore. Pikërisht këtë bënë dje: krijimin e telenovelës që ndan në pjese publikun që nis e dyshon çfare të besojë.
Me këto dalje mediatike, kryeministri Rama, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, deputeti socialist Rraja dhe kryetari i bashkisë së Krujës, Bushi ndihen shumë më komodë, duke qenë se daljet e Malokut në media thuajse kanë shfryrë akuzat e forta të nënkomisarit.
Pista e dytë
Xhisiela Maloku nuk u ka qëndruar deklarimeve të saj në polici në daljet e saj mediatike. Teksa në polici ajo ka denoncuar dhunën fizike dhe kanosjen me armë dhe një përdhunim në tentativë, në media ajo ka thënë se nuk është dhunuar. Ka rrëfyer vetëm për një shuplakë ndërsa për shenjat e cigareve rrëfeu se ia ka bërë vetes në inat e sipër.
Ndërkohë në komisariatet e policisë ka rrëfyer tjetër gjë, ndërsa raporti mjeko-ligjor i publikuar në media vërteton dhunën ndaj saj. Teksa po mohonte dhunën ndaj saj në “Opinion”, Maloku u “ngacmua” nga gazetarët që thanë se faktet tregojnë të kundërtën e pretendimeve të saj.
25-vjeçarja u përgjigj duke thënë se të vërtetën e dinte vetëm ajo dhe se do e rrëfente aty ku duhej. Duke nxjerrë deklaratat kontradiktore të Malokut, ajo përpiqet të nxirret si e paqëndrueshme si individ.
Kjo bën që akuzat ndaj djalit të deputetit të lehtësohen nga fillimisht, sipas denoncimeve të para në dhunë, tentativë përdhunimi, armëmbajtje pa leje dhe kanosje me armë, në thjesht përndjekje.
Lehtësimi mund të ketë lidhje me futjen e intervistave të djeshme të saj në dosjen hetimore kundër Rexhep Rrajes.
Mbrëmjen e djeshme, gazetarja Eni Vasili, tha se kur i kishte kërkuar Xhisiela Malokut që të vinte “Live” në emionin e saj “Open” në “Top Channel”, 25-vjeçarja nuk kishte pranuar pasi e kishin urdhëruar të shkonte në një tjetër media.
Kush po e nxjerr dhe po e urdhëron Xhisiela Malokun të shëtisë nga një media në tjetrën dhe për çfarë arsyeje? /Hashtag.al
Krijoni Kontakt