Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,326
    Postimet në Bllog
    7

    Armanda Hysa: Prejardhja pellazge e shqiptarëve për shembull nuk është mit, por rrenë e pastër

    Etnologia dhe antropologia Armanda Hysa, është një zë mjaft origjinal për opinionin publik shqiptar dhe jo vetëm. Studimet themelore dhe pasuniversitare i ka kryer në Universitetin e Tiranës, përkatësisht në Degën e Historisë. <> qe tema e saj e disertacionit, të cilën e mbrojti në po këtë universitet në vitin 2012. Në fakt, karriera e saj, duket që është mbushur me kërkime e studime. Kështu, në vitin 2001, pranë Institutit të Kulturës Popullore, përkatësisht Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nisi një karrierë studimore në lëmin e etnologjisë, ndërsa pas vitit 2008-të në Institutin Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Qendra e Studimeve Albanologjike. Ajo ka punuar kërkuese shkencore dhe lektore në Alexander Nash Fellow in Albanian Studies pranë School of Slavonic and East European Studies, University College London në Londër, në vitet 2012-2014.
    Por preokupimet e saj nuk ndërlidhen vetëm me çështje që kanë të bëjnë me natyrën e fushat përkatëse studimore, por edhe përtej tyre, me një angazhim të përgjithshëm dhe të vazhdueshëm intelektual për kauzën më të madhe kulturore që ndërlidhet me ndërgjegjësimin dhe emancipimin shoqëror. Për rrjedhojë, ajo është ndodhur shpeshherë në ballë të diskutimeve që kanë të bëjnë me pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare dhe nevojën e saj për t’u integruar duke i fituar të drejtat që i takojnë. Aktualisht Dr. Armanda Hysa është koordinatore e skuadrës shqiptare në projektin e BE Horizon 2020 ‘INFORM: closing the gap between formal and informal institutions in the Balkans’. Ajo ka botuar mbi 20 artikuj shkencorë mbi temat e përmendura më sipër dhe ka marrë pjesë në më shumë se 50 konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

    Në këtë intervistë për Gazeta e Re ajo ka reflektuar mbi tema që kanë të bëjnë me kontekstin kulturor e politik ballkanik, mitet në tekstet e historisë, trashëgiminë osmane dhe qasjen e studiuesve ndaj saj si dhe lëvizjet e reja që kanë për objektiv emancipimin e gruas në shoqëri.

    GER: Shqiptarët i referohen vitit të largët 1389-të, ashtu sikurse serbët, në kontekstin e një reference historike, por historianët e të dy popujve e interpretojnë ngjarjen sipas “tekeve” të veta. Si rrjedhojë, tekstet e historisë, jo vetëm të këtyre dy popujve brenda Ballkanit, por edhe e të të tjerëve, janë të mbushura me mite. A mendoni që studimet e mirëfillta antropologjike e etnologjike, mund të kontribuojnë në dekonstruktimin e këtyre miteve?

    Armanda: Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pa u marrë pak me historinë si disiplinë. Shkrimi i historisë është një proces i ndërlikuar, ku ndërthuren faktorët objektivë e subjektivë; faktorët ideorë e ideologjikë, që mbizotërojnë në periudha të caktuara kohore; si dhe faktorët etikë, perceptimet mbi të mirën dhe të keqen. Faktorët objektivë mbështeten tek faktet, në rastin e historisë ato janë burimet parësore e dytësore, dokumentet pra dhe literatura. Faktorët subjektivë përbëhen nga disa nivele: subjektiviteti i kronikanit dhe i dokument-shkruesit; subjektiviteti i atyre që disa dokumente i kanë ruajtur e disa jo, si dhe subjektiviteti i vetë historianëve. Vetë subjektivitetet kanë lidhje me moralin, etikën, idetë dhe ideologjitë e caktuara të një periudhe kohore. Historianët profesionistë janë të vetëdijshëm për këtë kompleks dhe përpiqen të përballen me nivelet e ndryshme të subjektiviteteve kur bëjnë analizat historike. Në Ballkan shkencat humane janë themeluar me një qëllim të përcaktuar mirë që në nisje, t’i shërbejnë kombit përkatës. Ato i janë nënshtruar pra që në fillim ideologjisë nacionaliste e historianët kishin detyrë mes të tjerash, të formulonin tezat mbi të drejtën historike mbi territoret përkatëse kombëtare. Me daljen e dekonstruksionit, në shkencat humane lindi prirja tjetër që çdo grand narracion ta quajë mit. Historianë e antropologë iu vunë me zell analizës së ideve e të platformave ideologjike në kuadër të së cilave ishin shkruar studimet historike e etnologjike, duke e nxjerrë çdo histori të mbushur me mite. E vërteta mbeti jetime nga të dy këto prirje duke marrë automatikisht për të mirëqenë se miti është gënjeshtër. Por pse mitet na qenkan gënjeshtra? Le të flasim për mitet e mirëfillta, për shembull Mujin dhe Halilin, ose më saktë ciklin e Eposit të Kreshnikëve. Tani sigurisht se nuk po argumentoj këtu që Muji e Halili dhe gjithë personazhet e eposit janë figura historike. Por përmes përshkrimeve të ambienteve të tyre jetësore dhe strukturave të mendimit të shprehura përmes dialogëve, figurave e simboleve, a nuk mësojmë ne diçka mbi zeitgeistin mesjetar të malësive të veriut? Apo mbi njëfarë organizimi shoqëror të tyre? Apo mbi marrëdhëniet me grupet e tera etnike e fetare? A nuk nisim të pyesim veten pse fuqia dhe pushteti merren nga linja amësore përmes qumështit të zanave? Pse e mbinatyrshmja është femërore në ato ambiente tipike patriarkale? Tani flitet shume mbi mitet e komb-formimit, pra miti i origjinës dhe i vazhdimësisë. Kjo sepse mungojnë faktet objektive historike që t’i mbështesin ato teza. Por a mund të themi se ato janë gënjeshtra të pastra? Jo, pasi po njësoj mungojnë edhe faktet objektive për të kundërtën. Atëherë përmes analizës së burimeve dytësore mund të hidhen hipoteza të ndryshme, disa prej të cilave rezultojnë të jenë më të logjikshme e disa të tjera jo. Prejardhja pellazge e shqiptarëve për shembull nuk është mit, por rrenë e pastër. Prejardhja ilire ose trako ilire mbeten hipoteza deri diku të logjikshme. Mund të flasim për mit të prejardhjes ilire të shqiptarëve kur bëhen përpjekje të kota për të provuar vazhdimësinë mijëra vjeçare në të njëjtin territor, duke mbyllur sytë ndaj dyndjeve të shumta të popujve gjatë 900 viteve (200-1100 era jonë) apo faktorët asimilues romanë e helenë, por nuk është se nuk ka të vërteta fare aty. Prejardhja prej albanëve të Kaukazit për shembull nuk është fare mit, por rrenë e pastër edhe ajo. Tani dalim te pyetja. A e kanë sajuar historianët serbë historinë e Betejës së Fushë Kosovës? Jo, fare nuk mendoj kështu. Por problemet lindin tek shumëllojshmëria e burimeve të përdorura. Tani historianët serbë mbështeten kryesisht në burimet sllave, pak janë përdorur ato osmane, por nuk mund të themi se ata gënjejnë. Ata ndoshta i bien shkurt, apo lënë në heshtje, aleatët ballkanas, por pjesëmarrja e aleatëve nuk vë dot në dyshim faktin se ajo betejë u udhëhoq nga mbreti serb, çka e vendos Serbinë e kohës në qendër të ndodhisë, njësoj sikurse betejat e Skënderbeut vendosin arbrit në qendër të ngjarjeve edhe pse nuk mund të mohohen ndihmat që Skënderbeu merrte në forca njerëzore e financiare nga jashtë. Përpjekja e historianëve shqiptarë në lidhje me Fushë Kosovën fokusohet te legjenda e Millosh Obiliqit, pra ishin shqiptarët ata që vranë sulltanin e jo serbët, por kjo mbetet një përpjekje e vaktë që nuk prek thelbin. Përdorimi i ciklit të këngëve të betejës së Fushëkosovës nga ana politike dhe ideologjike është problemi, por jo miti në vetvete. Përdorimi i atij miti si armë për të siguruar të drejtën mbi territorin është gjëja që duhet kritikuar e mbi të cilën duhet ngritur debati mes studiuesve, por në anën tjetër askush nuk ka të drejtë të cenojë mitet mbi të cilat ngre vetëdijen e vet një grup etnik. Le të marrim si shembull këngën “Vidovdan”, tingujt e fjalët e të cilave kanë shoqëruar represionin serb në Kosovë në dekadën 1989-1999: Kud od da krenem tebi se vracam ponovo/ ko da mi otme iz moja dusha Kosovo – po kjo këngë nuk ka fare lidhje me ciklin origjinal epik të këngëve të Kosovës (Kosovske pesme). Ajo u kompozua në vitin 1989, është manipulim i pastër dhe dëshmi mbi përdorimin politik të mitit si armë lufte. Ose për shembull marrim këngën e bukur të serbëve të Kosovës: Gusta mi magla padnala, na toj mi ravno Kosovo – Ra mjegulla, mbi rrafshin e Kosovës sime – teksti u transformua në – na toj mi ramno Kosovo, pra mbi Kosovën që ma kanë rrëmbyer. Sot tekstet historike, sidomos në Shqipëri e Serbi, nuk janë aq të mbushura me mite sesa me gjysmë të vërteta, në sensin e bazuar në mënyrë të njëanshme vetëm në një palë dokumente, por më gjatë mbi to do ju rekomandoja studimin e Shkëlzen Gashit mbi tekstet e historisë në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal i zi e Maqedoni. Aty del më qartë ky raport.

    GER: Duke u nisur nga gjendja politike e kulturore e rajonit, fitohet përshtypja që popujt me shumë vështirësi do të mund t’i kapërcejnë armiqësitë e kultivuara me shekuj, në këtë kontekst, a mund të themi se ekziston njëfarë mendësie ballkanase, kryeneçe, fisnore e primitive?

    Armanda: Unë nuk besoj se ka miqësi e armiqësi mes popujve. Mos shih gjendjen mes serbëve e shqiptarëve të Kosovës, apo mes shqiptarëve e maqedonëve. Problemet politike territoriale dhe e shkuara e përgjakshme janë ende shumë të freskëta. Por nëse politika do i jepte fund çështjes, pra me njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës, e nëse elitat intelektuale do merrnin hapin madhor të uljes së toneve, si bënë intelektualët perëndimorë në fund të L2B-së, në krye të 2 a 3 dhjetëvjeçarëve kjo lloj armiqësie qe ndjehet ne ajër (por jo dhe aq në kontaktet individuale) do zbutet goxha. Nuk do shkojë sigurisht në marrëdhënie simpatie e stereotipet do ekzistojnë, por fundja sot një francez apo anglez as nuk e do por as nuk e urren një gjerman.

    GER: Me të drejtë mund të themi se logjika patriarkaliste si një rrënojë kulturore e së kaluarës, ende po merr frymë në vendet tona, a mendoni që megjithatë, është duke zënë vend një realitet i tjetër, që synon ndërtimin e një sistemi të ri vlerash?

    Armanda: Patriarkaliteti nuk ka kudo të njëjtën formë e përmbajtje, por ndryshon sipas krahinave, ku sidomos zonat që më parë kanë qenë zona kanuni (e diku ende janë) kanë një intensitet më të lartë të patriarkisë. Duhet të dallojmë mes patriarkisë si mënyrë e organizimit familjar e shoqëror dhe patriarkisë si formë dominimi mashkullor. të dyja janë të lidhura sigurisht, pasi në thelb të patriarkisë si sistem organizimi hierarkik qëndrojnë burrat, e pastaj gratë sipas grupmoshave: pra babai, pastaj nëna, pastj djali i madh e pastaj djemtë më të vegjël, motra e madhe e motrat më të vogla, e krejt në fund, nusja e madhe e nuset më të vogla. Diku, diku, gratë as nuk janë pyetur fare, pra nuk kanë pasur vend në hierarki, por diku, diku edhe gratë janë pyetur, sipas hierarkisë, ku për shembull nëna, nusja e madhe dhe motrat e pamartuara, mund të kenë marrë pjesë në vendime familjare, ama jo në ato publike (si fshat). Të shthurësh patriarkinë si sistem duket si një kërkesë emergjente e kohës, pasi sot ka koncept tjetër mbi të drejtat individuale dhe familja konceptohet si një bërthamë ku vendimet duhen marrë nga të gjithë personat në moshë madhore. Ama ta thuash këtë është një gjë, e ta zbatosh një tjetër. Kur shthuret një sistem ai duhet zëvendësuar me një tjetër, dhe kjo mund të ndodhë kur vetë nyjëzat e kësaj strukture e duan këtë gjë. Për shembull ka shumë vajza e gra që do kishin dashur të ishin shkolluar, të kishin zgjedhur vetë partnerin e jetës, të kishin punuar, të mos ishin ndjerë të nënshtruar nga hierarkia, jo baba, jo vëllai, jo vjehërri, jo vjehrra, që merrnin vendimet për to. Por imagjino tani ato gra që edhe pse i kanë dashur këto gjëra, nuk kanë mundur t’i kenë, e më në fund u ka ardhur mosha e statusi që ato të kenë pak pushtet brenda familjes: atyre u qëllojnë fëmijë që kërkojnë të jenë të pavarur në vendime, por që kanë nevojë por ndihmën e tyre në rritjen e fëmijëve – atëherë këto gra ndjehen se kurrë pra nuk patën mundësi të urdhërojnë në jetë, sa qenë të reja u detyruan të binden, e tani në këtë moshë, kërkush nuk i dëgjon, madje kërkojnë ende punën e tyre për të rritur fëmijët, jo sipas eksperiencave të tyre, por sipas “urdhrave të nuseve”. Kjo sjell pastaj atë që këto gra do të mundohen t’u kujtojnë djemve të tyre traditat, se burri që është burrë ia mbledh nuses, etj me radhë. Gjithë kjo situatë sjell konfliktet brenda familjeve, por unë mendoj se është çështje breznishë, në dy a tre breznitë e ardhshme kjo nuk do të ndodhë më, pasi vajzat e gratë e reja sot shkollohen e punojnë e edhe pse nuk shkëputen dot nga traditat patriarkale tërësisht, prapë mendojnë më ndryshe, i rrisin fëmijët më ndryshe. Dua të them që nëse ndryshimet ndodhin gradualisht, struktura patriarkale shpërbëhet pa trauma të theksuara shoqërore, ama si gratë edhe burrat duhet të përpiqen për këtë. Në Kosovë për shembull këtë mund ta nisin edhe vetë vëllezërit, duke respektuar ligjin e duke i njohur të drejtën e pronësisë motrave. Nuk pres që këtë ta bëjë babai e nëna, por vëllezërit po, e edhe vajzat vetë duhet të përpiqen për lirinë e tyre. Liria (kupto e drejta për të vendosur në paqe me shpirtin dhe jo duke pranuar me dhimbje çfarë vendos familja) dhe të ndjerit e barabartë me vëllain (jo nuk kam detyrim me e la e shpëla, me e ushqy, por brenda familjes në mënyrë të dyanshme duhet ta ndihmojmë njëri tjetrin, nuk kam detyrë të bindem pse është vëllai, por sigurisht ia marr mendimin se më do e e dua, e edhe ai duhet ta marri për bazë këshillën time), janë çelësat për këtë ndryshim që them. Kjo do të sjellë edhe rënien e dukshme të dhunës brenda familjes, edhe shumë gjëra të tjera. A ka sfida? Po patjetër, ama kurrë nuk ka për të pasur një shoqëri apo një periudhë kohore pa sfidat e saj. Të fusësh kokën si struci brenda pushtetit që të ka pas garantuar tradita, është frikë për të përballuar sfidat dhe aspak trimëri. E njëjta vlen edhe për vajzat apo gratë e reja që mendojnë se janë burrat ata që duhet t’i mbajnë, kjo si mungesë vullneti e dëshire për të mësuar e punuar. O vajza, po edhe djemtë nuk është se studiojnë me qejf e dëshirë të madhe, e po të kishin mundësi financiare të bollshme një pjesë e tyre nuk do punonin, por jeta i ka këto sfida, e çdo gjë është e negociueshme.

    GER: Në këtë realitet të ri që është krijuar, me ç’sy i sheh Armanda entitetet e reja, si fjala vjen, lëvizjet feministe?

    Armanda: Në fakt mua nuk më duket se feminizmi është dhe aq i ri ndër shqiptarë. Ndoshta termi, por jo edhe përpjekjet për të drejtat e grave. Hedhja e themeleve të shtetit shqiptar pas vitit 1920 shënon edhe fillimin e reformave modernizuese e laike nga lart, por kishte sigurisht bazë të gjerë në shtresën intelektuale të kohës, pjesë e të cilës ishin edhe gratë. Vajzat e familjeve të mesme e të pasura nisën të shkollohen masivisht e gjatë viteve 30, e të vazhdonin studimet e larta në vendet perëndimore. Liceu i Korçës e Institituti Nëna Mbretneshë nxorën intelektuale të mirëfillta që më pas do bëheshin mësuese, gazetare, soprano, e plot profesione të tjera. Poetja Musine Kokalari, biologia Sabiha Kasimati, etnologia Andromaqi Gjergji, gazetarja Ikbal Çika, soprano Tefta Tashko (Koço), motrat Qiriazi, janë vetëm disa nga shembujt që do përmendja këtu. Shtypi i kohës së mbretërisë gëlonte nga debatet mbi të drejtat dhe emancipimin e gruas. Kur pushtetin e mori PKSH, një pjesë prej këtyre grave i persekutoi rëndë, ndërsa pjesën tjetër që vinte po nga këto familje i përdori, në sensin që i futi në punë në skutat më të thella të vendit, si mësuese. Vetë regjimi komunist, emancipimin e gruas do ta përdorte si armë ideologjike luftën kundër fesë dhe traditave e zakoneve të ndryshme, dhe de jure, do i jepte grave barazi të plotë me burrat. Por regjimit komunist gruaja i duhej si krah pune dhe emancipimi shkonte deri në njëfarë vendi. Me daljen në punë por me vazhdën e ngarkesës së punëve shtëpiake, gratë në Shqipëri u ngarkuan dyfish dhe ky qe faktori kryesor që bëri që pas rënies së diktaturës të ndodhte ajo që tashmë quhet “ripatriarkalizim” i shoqërisë. Megjithatë arsimimi masiv i detyrueshëm, dhe dhënia me ligj e të drejtave të barabarta (rrogë e barabartë për punë të njëjtë, krijimi i çerdheve e kopshteve) si dhe lufta shtetërore kundër disa zakoneve (zhdukja e fejesës në djep për shembull), kombinuar me trajtimin e këtyre temave në letërsinë zyrtare, e ndryshuan goxha pozitën e gruas në Shqipëri. Gjithsesi ai thelbi patriarkor i ndarjes së pushtetit brenda familjes, nuk ndryshoi dhe aq. Gjendja pas vitit 1990 do ndryshonte. Disa e quajnë kthim mbrapa, pasi tregu i punës u ngushtua e së pari duhej të punësoheshin burrat, përveç ripatriarkalizimit që përmenda. Por në fakt nuk do isha dhe aq dakord me ato konstatime, pasi ligjet në Shqipëri vazhduan të jenë të barabarta. Tregu që disfavorizonte gratë ishte i përkohshëm madje gratë kanë më shumë akces në punët me rroga jo të kënaqshme. Por duke qenë se rrogat këto janë, ka ndodhur madje që burrat të rrinë pa punë ose të shkojnë në emigracion në mungesë të punëve me paga të larta, e të punojnë vetëm gratë. Mjaft të përmend fasoneritë, fabrikat e këpucëve, tregun e rrobave, shitoret, supermarketet, mësuesia, infermjeria, etj. Këto fusha punësimi kanë më shumë gra. Mbetet problematike pjesëmarrja e grave në politikë dhe në punët me paga të larta menaxheriale, ku unë mund të them me intuitë dhe nisur nga përvoja ime personale dhe e kolegeve të mia, se ka një farë diskriminimi me bazë gjinore, por mbi këtë nuk ka studime të mirëfillta sasiore e cilësore.
    Sa i përket Kosovës, gjendja ndryshon pasi reformat modernizuese aty nisën vetëm pas Luftës së Dytë. Socializmi jugosllav nuk i fuste dhe aq hundët në zakonet e traditat familjare, e duke qenë se Kosova kishte një status dytësor dhe popullsia e shihte Jugosllavinë si pushtues e jo si shtet tamam të vetin, disa gjëra nuk ndryshuan kurrë, sidomos në zonat rurale. Nuk më takon mua të flas mbi feminizmin në Kosovë, por lëvizja feministe aty është shumë më e organizuar dhe gjenuine se sa në Shqipëri, ndoshta pikërisht ose Kosova nuk i kaloi do reforma shtetërore as në periudhën e MSKS e as nën Jugosllavi. Por pikërisht pse është e tillë, që lind nga vetëdija dhe organizimi i vetë grave e vajzave, kjo lëvizje do të arrijë më shumë rezultate se në Shqipëri, ku njerëzit janë mësuar që shteti të mendojë për ta e jo ata për veten.
    Më shqetëson një prirje për t’iu kundërvënë lëvizjes feministe në Kosovë, nga një shtresë e shkolluar por me prirje konservatore fetare. Ato harrojnë që zemra e shpirti i konservatizmit (se u pëlqen të krahasohen me konservatorët e Britanisë e SHBA) është liria individuale dhe të qenit i përgjegjshëm. Ndërsa strukturat tona patriarkale kanë thelb kolektivist. Këta njerëz i sheh duke u tallur çdo ditë me feministet (me thënie të tipit, ra ortek në Brezovicë, ku janë feministet? U vra një punëtor në kantier ndërtimi, ku janë feministet? ) duke refuzuar të kuptojnë se feministet/ët flasin dhe luftojnë kundër asaj dhune apo padrejtësie që ka bazë gjinore. Feministet janë ato që ua tërheqin veshin edhe atyre vajzave apo grave që e perceptojnë burrin si krah pune e kulete. Pastaj edhe brenda feminizmit në Kosovë ka disa grupacione, nuk janë një zë i vetëm, ama ajo që i përbashkon është shqetësimi i sinqertë dhe përpjekjet deri në sakrifica personale për t’i dhënë fund pabarazisë, seksizmit dhe dhunës verbale e joverbale me baza gjinore. Të vrasësh këtë lëvizje që në embrion do të thotë të lejosh strucat të fusin kokën nën sqetullat e pabarazisë patriarkore e të bëjnë trimin prej andej. Kjo nuk e bën të sinqertë as vetë shoqërinë, e nuk e çon askund.

    GER: Ka një klasë fanatikësh (historianë, shkrimtarë, politikanë etj), që urren çdo lloj trashëgimie kulturore që ndërlidhet me periudhën e Perandorisë Osmane, duke thënë se kjo nuk na duhet tash kur po e synojmë Evropën, ç’shpjegim u jepni këtyre individëve?

    Armanda: Sa i përket grupit të intelektualëve që përmend, rrënjët e diskursit antiosman shkojnë thellë në shekullin e XIX. Vetë diskursi modernist dhe reformat moderniste kanë qenë njëkohësisht edhe reforma deosmanizuese. Nuk dua të përsëris këtu ato gjëra që Enis Sulstarova i ka shpjeguar më së miri në librin e tij Arratisje nga lindja. Thelbi i diskursit antiosman qëndron te gjetja e fajtorit për prapambetjen eventuale. Imagjinata e këtyre intelektualëve shkon aq larg sa të flasin broçkulla për zhvillimin e Arbërisë paraosmane. Si kundërpeshë ka lindur një tjetër frymë osmano nostalgjike sipas së cilës gjatë periudhës osmane çdo gjë ishte rozë, shqiptarët kishin pushtet, miletet respektoheshin dhe kishin më shumë të drejta se sa kanë sot minoritetet sipas Kartës së të Drejtave të Njeriut, kishte tolerancë fetare të hatashme e mirë, si nuk ka dalë kush të thotë që miletet duheshin mes tyre si me qenë vëllezër. Sërish e vërteta mbetet jetime. Kjo sepse të dy këto grupacione nisen vetëm nga ideologjitë përkatëse dhe nga hallet e të sotmes e asnjë nuk ka interes të dijë si ka qenë historia e pesë shekujve. Po, gjatë 500 vjetëve shqiptarët u rritën në simbiozë me popullatat e tjera të perandorisë, bënë tregti, ndërtuan, udhëtuan, u bënë bejlerë e pashallarë, luftuan – sigurisht shqiptarët burra. Po gratë? Cila ishte jeta e tyre brenda haremit (jo në sensin sulltanor)? A kishin ndonjëherë zë në sferën publike? Po, kishte tolerancë, por ishte kryesisht tolerancë negative, për të përdorur termin e Robert Hayden (antropolog amerikan). Çfarë do të thotë tolerancë negative? Në thelb të saj qëndron fakti se miletet kishin të drejtën e organizimit dhe përfaqësimit, por a qe mileti ortodoks me të njëjtin status shoqëror e politik si ai musliman? E dimë se jo. Toleranca negative pra ka të bëjë me një situatë paqeje mes grupeve armike, ajo njëherë merr fund dhe pastaj Zoti na ruaj nga ferri që pason. Dhe ai ferr shpërtheu gjatë gjithë shekullit XIX e deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Në periudhën osmne ortodoksëve të pasur e pushtetshëm për shembull u ndalohej të ecnin me at (kalë) në mes të pazarit edhe po të kishin të njëjtin status ekonomik. U ndalohej ngjyra e bardhë në kostume popullore, u lejohej rikonstruktimi i kishave, por jo edhe ndërtimi i kishave të reja. Jo se qe e pamundur, por qe tepër e vështirë të merrej një leje e tillë. Por duhet theksuar se këto gjëra qenë shumë më të përparuara se sa në Evropën Perëndimore të kohës, ku për shekuj me radhë katolikët e protestantët nuk e pranonin njëri tjetrin pranë e pranë. Franca për shembull mbeti vend katolik pasi protestantët i shfarosi shteti francez brenda natës së famshme të Shën Bartolomeut. Apo të kujtojmë këtu Luftën 30 vjeçare. Me këto dua të them që ata që nuk respektojnë trashëgiminë osmane në fakt, nuk e njohin, ose refuzojnë ta njohin atë. Ata do përpiqen që ndërtimet e zanatet, si dhe folklorin gojor, zakone e tradita të ndryshme t’i quajnë origjinale shqiptare, e në këtë kuadër ka ndodhur një dëm i pariparueshëm. Nuk u mblodh kurrë folklori shqiptar që nuk u këndua në shqip. U deformuan tekstet, u dogjën a u humbën dorëshkrime e dokumente në osmanisht, u shembën pazare, ura, xhami, teqe. Shqipja e spastrua me dhunë. E shkuara jonë është në arkiva në Tiranë e Stamboll e nuk ka osmanistë ta gërmojnë atë. E gjitha kjo fatkeqësi nisur nga dritëshkurtësia 100 vjeçare intelektuale me pikëpamje si grupi që përmende në pyetje. Por jo më kot përmenda edhe rreziqet e osmano nostalgjisë. Nostalgjia është një palë syze si ato të magjistarit të Ozit. Nëse të shkuarën do e shohim përmes saj, kurrgjë nuk do i kontribuojmë pyetjes së ankthshme: kush ishim dje? Çfarë ndodhi? Pse? Nostalgjia nuk është tjetër vetëm se simotër e harresës./Gazetaere.com/

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Neteorm për postimin:

    Kreksi (20-10-2018)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •