I nderuar kryeministër,
Duke qenë se në vitin 2019 zhvillohen zgjedhjet lokale për kryetarë bashkish, po ju informoj se ç’punë ka bërë Erion Veliaj për bllokun tim të banesave gjatë mandatit të tij.
-Dy kazanë plehrash që kishim, ata kemi prapë. Nuk u ndërruan dhe nuk iu vu atyre kapak siç na u premtua.
-Plehrat tërhiqeshin paradreke, ashtu vazhdon edhe sot. Ndonjëherë ndodh që rrinë kapicë edhe dy ditë.
-Te oborri mes pallateve kishim tre gropa dhe këto vite ato jo vetëm nuk u mbuluan, por u shtuan. Tani kemi plot pesë gropa. Që kur mbushen me ujë jemi merak mos na mbyten kalamajtë.
-Më parë paguanim 700 lekë në muaj për ashensor dhe pastrim. Tani, që kur Veliaj na vendosi një administrator, paguajmë 1.000 lekë dhe nuk shohim as administrator e as pastruese.
-Para katër vitesh në pallat uji vinte tre herë në ditë dhe paguanim 120 lekë. Tani vjen dy herë dhe paguajmë 680 lekë. Pa folur për tre taksa të shtuara dhe sidomos ajo e arsimit, pra fatura e ujit+taksa na shkon deri 1.500 /muaj.
-Kishim depozita të gjithë mbi tarracë. I kemi prapë,por unë e zëvendësova me një më të madhe se na ndodhi disa herë që turbullohej Bovilla e ncuk ujë në rubineta për disa ditë.
-Te katet e para në vitet e Lali Erit janë hapur disa lokale ditë-nate. Se punojnë ditën e nuk u pushon zhurma deri në mëngjes. Kemi bërë plot ankesa,por pirdh o prift ne prill na ka ardhur përgjigja.
Siç po ta vërtetoj del se kryetari i bashkisë në Tiranë mund të ketë punuar në mbjellje pemësh,në dhënie çelësash njerëzve të shquar, në selfie para e mbrapa,në puthje fëmijësh, ama asnjë çast nuk ka kryer funksionin e tij në shërbim të kryeqytetasve.
Ndaj të propozoj që partia jote ta ketë në konsideratë këtë informacion. Pra gjeni një kandidaturë të mirë që të mos ndjehet mirë me kryetarin vetëm presor Gazi, por edhe ne qytetarët.
Në fakt jam i lumtur që po bëj këtë informacion të zi. Se nuk e votova ketë njeri se qysh larg kuptohet që është manipulator e njeri shterpë në ide e realizim.
Me shpresë se mund të korrigjohet një gabim që na hëngri katër vjet.
Agim Xhafka, rruga ‘Sami Frashëri’, Tiranë.