Edhe pse jemi më pak se një vit larg zgjedhjeve vendore, politika e ditës nuk po lejon ende një artikulim të qartë dhe strategjik ndaj këtij takimi të rëndësishëm elektoral.
Sigurisht pushteti i akumuluar nga Partia Socialiste i lejon një farë avantazhi në krahasim me rivalët e opozitës; edhe pse thashethemnajat e ngritura mbi rikandidimin apo jo të disa prej qytetarëve të parë, në detyrë në disa qytete të rëndësishme, ka më shumë si qëllim diverisonin e brendshëm dhe të jashtëm, sesa mungesën e vullentit për të qartësuar kandidatët e saj.
Opozita, në rolin e sfiduesit, njëherësh me nevojën për të akumuluar rezultate pozitive që të shkojnë në funksion të paqtimi të dinamikave të saj të brendshme, ka edhe një domosdoshmëri tjetër, i cili tejkalon interesin e saj vetjak, dhe përkon me interesin e përgjithshëm publik. Propozimin e një alternative qytetare, e cila të jetë një anti-model i asaj çka ofron mazhoranca aktuale.
Qartësisht ky nuk është një proces i lehtë. Sidomos duke pasur parasysh se fenomenet kundër të cilave opozita ka shpallur betejë, si tandemi politik/krim, përdorimi i parave të pista në zgjedhje, apo injektimi i tyre në ekonomi nëpërmjet lejeve të ndërtimit që aq kollaj jepen nga mazhoranca, në shkelje të zotimeve elektorale të bëra urbi et orbi në fushatën e 2015, përbëjnë një forcë të përbindëshme ndaj së cilës është gati e pamundur të luftosh.
Megjithatë, edhe përballë një kundërshtari të mujshëm, duhet gjetur forca për të parë përtej “mjegullës së luftës”, dhe për të përcaktuar sa më shpejt një ekip me të cilin të njihet jo vetëm baza e partive opozitare, por edhe qytetarët e komuniteteve ku ata do të kandidojnë dhe do të propozojnë alternativën e tyre.
Në turavrapin drejt qershorit të ardhshëm, Tirana do të vijojë të jetë qendra e rëndesës së politikës shqiptare. Nga ana e opozitës kandidatët potencial përkojnë me disa emra të shqipëruara nën zë nëpër tavolinat politike, por, deri më tani, asnjë nga ata nuk ka qenë në oktavën e duhur për të goditur veshët e elektoratit kryeqytetas. Njëkohësisht, muajt e mbetur në dispozicion, nuk sugjerojnë krijimin e një kandidati ex novo për Tiranën.
Në këto kushte, dhe në një kohë kur beteja midis palëve duket se do të zhvillohet në fushën e vlerave më shumë sesa në atë të ideve apo projekteve, një emër në kampin opozitar mund të mos duket aspak një ide e keqe përballë taborit të rioshve që borderonë e parë në jetë e kanë sigluar si Ministër apo Drejtor Doganash.
Ai është Dashamir Shehi. Një nga patricët e politikës, figurë gati “super partes”, dhe një personalitet që mund të krijojë konvergjencë edhe në radhët e gjera të aleancës opozitare që duket se po formohet natyrshëm si pasojë e betejave të përbashkëta parlamentare.
Përballë një kryebashkiaku që mbjell pemë dhe korr kulla, i cili fitoi zgjedhjet me premtimin zero ndërtime, por nuk u skuq në asnjë moment kur bash me qiellin e Tirnanës ato çorrën dhe maskën e tij hipokrite; Shehi do të ishte emblema dhe elozhi i një kandidature “normale”, dhe shumë popullore.
“Daja”, kështu e thërrasin simpatizantët, vjen nga një familje e vjetër tiranase, me një karrierë politike tej mase fisnike; një i djathtë i natyrshëm që asnjëherë nuk e ndryshoi rreshtimin e tij. Ka qenë një nga ministrat më të denjë të qeverisë Meksi, i papërfolur në afera që shpesherë kanë njollosur rrugëtimin e politikanëve tanë. Si një “kalorës pa njollë”, është kthyher në një ikonë të opozitarizmit të sotëm. Fjalimet e tij shndërrohen në virale në mediat e reja dhe të vjetra; një frymëzim dhe një shkollë ad hoc për të gjithë ata që ende guxojnë të mendojnë politikën si një gjë serioze.
Shehi do të ishte jo vetëm emblema kundër babëzisë që ka kapluar jetën politike, por një thyerje reale me politikën meskine dhe konfliktuale. Karakteri i tij paqësor dhe afrimiteti i natyrshëm që ka me njerëzit, që kontraston fort me teatralitetin e kundërshtarit, do të krijonte telashe të mëdha për “Lalin”, që ndryshe nga “Daja”, nuk shfaqet ashtu siç është, por është në një aktrim të përhershëm.
Pikërisht kjo distancë me politikën e shtirjes, qoftë si natyrë njerëzore, qoftë edhe si profil politikani, do ta bënte atë imun ndaj rivalëve; mjeshtra në romuze dhe komunikim, por bosh në përmbajtje dhe asnjëherë konsekuent.
Një kandidim atipik, sikurse nuk është aspak tipike jeta e një qyteti në sëmbim. Të marrë peng nga njerëz që për ambicie personale nuk e kanë parë kurrë si një komunitet mbi të cilin të sillnin mbrothninë e një administrimi të thjeshtë, por si një trampolinë në shërbim të jetës së tyre politike dhe orekseve të atyre që këto karriera financiojnë.
Dy herë tridhjetë vjeç, “Daja” nuk ka asgjë për të marrë nga Kryeqyteti, por shumë për të dhënë. Duket një sfidë e pamundur, megjithatë, deri sa të zyrtarizohen kandidaturat, nuk kushton asgjë të ëndërrosh një Kryebashkiak që do të ishte hymni i thjeshtësisë, pas një potere që ndër vite, kryesisht, ka gjeneruar monstra.
© SYRI.net