Grabitja e Prokurorisë së Durrësit për të dytën herë brenda dy javëve, ka zbuluar më në fund se kush është dosja që po shkatërrohet nëpërmjet një kundërsulmi të rrallë të krimit ndaj prokurorisë.
Të gjitha dyshimet bien mbi dosjen e Ishmit, një material që një grup banditësh kërkon ta shkatërrojë me çdo kusht. Materiale që kishin të bënin me këtë dosje u morën si në grabitjen e datës 8 Maj, kur u vodhën materialet e postës sekrete, ashtu edhe në grabitjen e zyrave të prokurorisë.
Në dosjen e Ishmit po hetohen kontratat e falsifikuara për dhënien me qira të tokave në bregdet nga komuna Ishëm, për 10 vjet.
Të arrestuar janë 4 ish zyrtarë të komunës, që dyshohen përgjegjës për kontratat në kundërshtim me ligjin.
Prokurori që po heton çështjen është Afrim Shehu.
Shehu ka qenë prej vitesh pjesë e Task-Forces Antikorrupsion në Prokurorinë e Durrësit. Pak muaj më parë ai u lëviz, për shkak të vonesës së gjatë në kryerjen e veprimeve për dosjet kundër korrupsionit dhe sidomos për skandalin e tjetërsimit të tokave në bregdetin e Ishmit.
Prokurori Shehu u rikthye në Task-Forcen Antikorrupsion me firmën e ish-drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela. Më tej, ai u caktua te njësia e re, “Forca e Ligjit”, duke iu rikthyer sërish dosja hetimore e tokave në Ishëm.
Tani nuk ka asnjë dyshim se banditët kanë pasur informacion nga një njeri i brendshëm i institucionit për materialet që duhej të merrnin. Ky është një detaj tjetër që i bashkon të dyja ngjarjet, atë të datës 8 Maj kur u grabitën materialet e postës sekrete të prokurorisë dhe rasti i dytë, kur grabitësit hynë në zyrën e prokurorit dhe oficerëve të policisë gjyqësore,.
Banditë rrugësh do ta kishin të pamundur të godisnin institucionin e prokurorisë, pa pasur një informator të brendshëm.
Në rastin e parë, ky fakt bëhej evident për shkak se materialet që u grabitën ishin sekrete dhe grabitësit e dinin se çfarë po merrnin nga postieri.
E njëjti dyshim përforcohet nga grabitja e dytë.
Banditët vunë në zbatim një plan të mirëmenduar. Veprimi i parë që bënë ishte shkatërrimi i serverit të kamerave, hynë direkt në zyrën e prokurorit të çështjes për të marrë kompjuterin dhe pastaj në zyrën ku mbahen materialet e oficerëve të policisë gjyqësore.
Kuptohet se kanë qënë të instruktuar nga një njeri që i njeh mirë ambjentet e brendshme të institucionit.
Sulmi për herë të dytë i prokurorisë së Durrësit, shkatërrimi i serverave dhe kamerave të sigurisë, vjedhja e dosjeve origjinale dhe grabitja e kompjuterit të prokurorit është një skandal i rëndë, që dëshmon në radhë të parë guximin e krimit për të sulmuar organin e akuzës.
Megjithatë Arta Marku njoftoi se nuk ishte në Tiranë, por në Zagreb për një takim me kolegët e saj. Ndërsa prokurori i çështjeve të shkatërruara nuk është çudi të jetë në ndonjë dyqan duke zgjedhur një kompjuter të ri për zyrën.©Lapsi.al
Krijoni Kontakt