Policia shqiptare sekuestron sasi rekord kokaine kolumbiane në Durrës
Hetimet operative goditën rrjetin kriminal duke sekuestruar 613 kilogramë kokainë me vlerë tregtare deri në 180 milionë euro në magazinat e kompanisë Arbri Garden.
Një konteiner me banane të nisura nga Kolumbia dhe që pati kaluar tranzit në Maltë dhe Itali, mbërriti në Shqipëri më 19 shkurt dhe u mbajt nën vrojtim nga policia shqiptare deri sa porositësi, kompania shqiptare Arbri Garden, e mori atë në dorëzim.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi në një konferencë për shtyp sot se konteineri kishte një dysheme të dyfishtë ku në pjesën e poshtme ishte fshehur një sasi e stërmadhe kokaine me peshë 613 kilogramë, e cila u sekuestrua nga policia.
Sipas vlerësimeve të policisë, kjo sasi droge, nëse do të shitej në tregun Europian, do të sillte të ardhura për grupet kriminale me vlerë deri në 180 milionë euro.
Çmimet e kokainës në Europë ndryshojnë nga vendi në vend por raporti i fundit i BE-së mbi tregun e drogës [link] tregon se çmimi i shitjes me pakicë varion nga 46 në 91 euro për gram, (46 mijë deri në 91 mijë euro për kilogram) ku çmimi ndikohet shumë edhe nga niveli i pastërtisë. Në bazë të këtij çmimi, sasia prej 613 kg mund t’u sillte trafikantëve nga 28 deri në 56 milionë euro. Vlerësimi prej 180 milionë eurosh nënkupton që policia shqiptare e ka llogaritur çmimin mesatar të shitjes në masën 294 euro për gram.
“Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018,” deklaroi Veliu.
“Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç,” shtoi ai.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Arbri Garden është një kompani e themeluar në vitin 2012 nën pronësinë e Arbër Çekajt. Kompania me kapital prej 20 milionë lekësh, ka aktivitet në tregtinë e fruta-perimeve ndërsa objekti i deklaruar i saj përfshin edhe aktivitet në “Investime në fushën e medias, informacionit, reklamës dhe marketingut”. Nuk ka të dhëna nëse ky është aktivitet i synuar apo real i kësaj kompanie.
Policia njoftoi se emri në kod i këtij operacioni ishte “Last Snoë”, (Dëbora e Fundit).
Dy 25 vjeçarë Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, u arrestuan në flagrancë ndërsa pronari i kompanisë porositëse, të cilit policia iu referua me inicialet A.Ç., u shpall në kërkim.
Operacioni u krye në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rënda dhe me hetimin doganor.
Kjo është një nga sasitë më të mëdha dhe më të çmueshme të drogave të forta të kapura ndonjëherë nga autoritetet shqiptare.
Shqipëria konsiderohet si një vend origjine për eksportin e kanabisit në tregun Europian por gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit është vënë re rritja e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në tregtinë e drogave të forta në vende të ndryshme Europiane.
Policia shqiptare shpalli shtatorin e kaluar nisjen e një operacioni të quajtur “Forca e Ligjit”, me synimin për të luftuar aktivitetet kriminale dhe korrupsionin.
Sekuestrimi i kësaj sasie të stërmadhe droge përbën një risi për policinë shqiptare, imazhi i të cilës u dëmtua rëndë vitin e kaluar nga zbulimi i një numri oficerësh të lartë me lidhje kriminale.
BIRN
Krijoni Kontakt