Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,327
    Postimet në Bllog
    7

    Udhëzime për vëmendje në Facebook

    ILIR MIRENA

    Kur vëmendja që i kushtojmë tërheqjes së vëmendjes në rrjetet sociale shndërrohet në një përbindësh që duhet ushqyer pandërprerë.

    Të mos skuqemi, por ta pranojmë se të gjithë jemi shndërruar në pasues të asaj që e kishte nisur Kim Kardashian dhe Paris Hilton. Jo ndjekës a fanatikë të jetës së Kardashianeve apo Hiltonëve, por përmes ekspozimit maksimal që e bëjmë secili nëpër rrjete sociale tashmë jemi fanatikë dhe ndjekës të vetvetes. Të gjithë, secili në mënyrën e vetë sot jemi pak Kardashian, pak Hilton.

    Shfaqim në Facebook dhe rrjete të tjera sociale atë çfarë e kemi në dispozicion. Ekspozojmë fotografinë e çdo çasti të jetës sonë të përditshme, që duket të jetë një imazh lumturie e pamasë. Nganjëherë përpiqemi edhe të shkruajmë, edhe pse ekspozimi i trurit mbetet një çështje paksa më luksoze. Ky lloj ekspozimi kërkon sforcim, e meqë jetojmë, ose bëjmë kinse jetojmë një jetë hiperaktive, nuk kemi kohë për sforcime të tilla.

    Rraskapitja që na shkakton mirëmbajtja e prezencës në rrjete sociale është një kryq i rëndë në shpinën e secilit prej nesh. Pesha e këtij kryqi dyfishohet, kur pikat që hedhim në oqeanin e rrjeteve sociale, nuk lënë asnjë ndikim.

    Kështu, vëmendja që i kushtojmë tërheqjes së vëmendjes në rrjetet sociale shndërrohet në një përbindësh që duhet ushqyer pandërprerë. 24 orë, nga e hëna në të dielën.

    Është e papërballueshme, kur puna jonë për t’i fascinuar të tjerët kalon pa vëmendje. Mungesa e vëmendjes na sikletos. Sfilitëse, apo jo? Si mund të ndihet mirë një qenie njerëzore pa këtë vëmendje?

    Për këtë jemi të shtyre që të ushqejmë profilin personal. Shkruajmë statuse pandërprere, mbarë e mbrapsht. Hedhim pa pushim fotografi, të tanishme, e kur nuk na duket mjaft marrim edhe nga arkiva familjare për të treguar fëmijërinë e lumtur që kishim, njëfarë pedigreje dhe kamjeje që s’na ka munguar kurrë. Kur as këto nuk kryejnë punë, kur vjen ai moment pikëllimi kur asgjë nuk merr vëmendje, atëherë shtojmë dozën e marrëzisë në shërbim të vëmendjes.

    Pikërisht tek sikleti nga vëmendja e pakët që marrim rri i strukur kurthi i rrezikshëm. Kurthi që mundet ose të na katapultojë në piramidën e simpatisë virtuale, ose mundet të na hedhë në zonat e errëta të urrejtjes, aty ku fansat e tu misterioz, që deri dje nuk kursenin like’t për ty, befas kërkojnë të t’i dhunojnë seksualisht edhe “minjtë në tavan”.

    Por, ia vlen. A nuk është jeta jonë në shërbim të ndjekësve që i kemi në Facebook dhe rrjete të tjera sociale? Pa ta jeta jonë është e varfër dhe nuk ka domethënie.

    Prandaj, mjetet dhe temat për vëmendje nuk duhet të zgjidhen. Nëse jo simpatinë, urrejtjen dhe vëmendjen do ta kemi të garantuar me këto tema. Pra, kur s’ka shi bënë edhe breshër.

    Kështu, që të kemi vëmendje maksimale kë preferohet ta sulmojmë në Facebook?

    Lista mund të jetë e gjatë. Do të përpiqem ta ngushtoj. E rëndësishme është të përzgjidhen grupe sociale ndaj të cilëve publiku ka ndjeshmëri të madhe. Më të preferuarit mbesin si gjithmonë grupet religjioze. Këtu, vëmendjen e keni të garantuar, bile më shpejt se që prisni.

    Pas tyre vijnë organizatat politike. Edhe këtu ka brum për vëmendje, varësisht nga mobilizimi i anëtarëve të organizatës që sulmoni. Nuk duhet injoruar edhe trajtimi dashakeqës i personaliteteve historike që mund të jetë pjellor. E mira e trajtimit të tyre është se ata tashmë s’kanë gojë, mund të trillosh çfarëdo që të kujtohesh. E avokatë të tyre janë ca hajvanë që nuk dinë t’u dalin zot.

    Trajtimi i çështjeve gjinore assesi nuk duhet shpërfillur. Të paktën pa një reagimin të feministëve nuk do të mbetemi. E njëjta vlen edhe për çështjet e orientimit seksual.

    Këto janë vetëm disa nga caqet me rrezik ta madh, por që u sigurojnë një vëmendje maksimale.

    Çfarë të bëhet kur sulmohemi në Facebook?

    Së pari duhet të jemi në paqe me veten. Nëse këtë e kemi bërë kryekëput për efekte të vëmendjes, atëherë duhet të heshtim një kohë. Durim. Janë ndjekësit tanë ata që e kryejnë punën e tyre. Ata nuk humbasin asnjë minutë të nisin ceremonitë e masakrimit tënd virtual.

    Do të shpërndajnë statusin ose imazhin tënd, do të gjurmohet nëpër biografinë familjare që domosdo përfundon e ndërlidhur diku tek armiqtë e kombit tënd. Krijohen tema për dhe rreth teje.

    S’vonon shumë dhe fillon vërshimi i mesazheve private. Bëni kujdes që të mos i fshini. Ruajini, bëjini screenshot.

    Pasi vëmendja ka prekur pikun e saj, riniseni fushatën graduale të rehabilitimit. Shkruani diçka në stilin që “liria e të shprehurit për ju është gjithçka dhe që nuk e jepni për asnjë çmim”. Do të shohim, fillojnë të shfaqet tek-tuk ndonjë përkrahës. Një “bravo, veç vazhdo”, sado e vogël dhe e pashpresë mes tonelatave me të shara që kemi marr, na ngrohë zemrën.

    Nuk duhet të vonoheni shumë, por as të nguteni shumë, dhe të publikoni kërcënimet që iu kanë ardhur në mesazhe private. Këtu është çelësi. Me pak zhdërvjelltësi këtu mund të ndani fansat në dysh. Kur ata të ndahen në dy taborë, duhet të rrimë anash. Për njërin taborë ti je një harbut, për taborin tjetër je viktimë e jotolerancës.

    Nëse dëmi i reputacionit është i madh, përpjekja për rikuperim do të zgjasë paksa. Për një kohë nuk duhet të ngacmojmë askënd në Facebook. Të tregohemi paqësor.

    Nëse jeni njeri familjarë, postoni fotografi te momenteve të mira me familje. Një imazh i nja familjeje në harmoni mund të zbusë zemrat e fansave. Vazhdoni me fotografi të fëmijëve tuaj dhe përkujdesjes që tregoni në shtëpi ndaj prindërve, gjyshes e gjyshit nëse i keni gjallë. Fotografi të ndonjë anomalie që shihni në qytet, kryejnë punë. Mirë do të ishte diçka që ka për temë ndotjen e ambientit, gjendjen nëpër spitalet. Bënë edhe të shpërndash ndonjë kauzë humanitare, qoftë në vend, apo edhe nga bota. Nëse i ke irrituar pjesëtarët e komunitetit islam, postoni ndonjë foto me fëmijë nga Siria a Rripi i Gazës dhe tregoni se sa dhembje ndjeni për ta. Nëse i keni acaruar komunitetin e krishterë mundemi të startojmë me ndonjë foto të Nënës Terezë a ndonjë citat të Papës. E kështu me radhë…

    Është e vërtetë që keni marrë një bjeshkë me ofendime e fyerje. Por, ato s’janë asgjë përballë vëmendjes dhe famës që keni marrë. Ju ishit ylli i Facebook’ut për disa ditë. Keni përfituar edhe shtim të fansave. S’ka lidhje që keni mbijetuar i përlyer e i fëlliqur deri në fyt.

    *(Autori eshte themelues i Gazeta Express ne Kosove dhe ish-zavendminister i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë i Qeverise se Kosoves, ne "Qeverine Thaci II")
    Ndryshuar për herë të fundit nga Neteorm : 25-07-2017 më 15:18

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •