Zgjedhjet, “e keqja më e vogël” dhe bojkoti i femrave

Nga Dorina Bilbili

Vota është një nga të drejtat më të shenjta në demokraci. Është mjeti më i rëndësishëm që zërat tanë të dëgjohen, të ushtrojmë ndikim mbi të zgjedhurit tanë për të na qeverisur.

Në zgjedhjet e djeshme parlamentare, në rang kombëtar morën pjesë afro 44%, rreth 10 % më pak se në 2013-ën. Të drejtën e votës e kishin 51 % zgjedhës meshkuj dhe 49 % femra. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në total vetëm 19.35 për qind e votueseve femra kanë ushtruar të drejtën e votës. Në Fier votuan vetëm 190 femra ose vetëm 0.7% e 49.31 % e atyre që votuan gjithsej në këtë qark. Bojkot thuajse i plotë ndaj ofertës aktuale politike nga vajzat dhe nënat fierake.

Emri:  zgjedhje2017.jpg

Shikime: 158

Madhësia:  38.7 KB

Bojkoti i femrave

Nëse votimi është aq kritik për demokracinë, si është e mundur që në vitin 2017 më shumë se gjysma e shqiptarëve me të drejtë vote bojkotuan procesin në zgjedhjet parlamentare të së dielës? Në vendet demokratike femrat luajnë një rol vendimtar në politikë. Pse femrat shqiptare arritën deri aty sa të shkelnin të drejtën për votë, për të cilën është luftuar aq shumë për ta fituar? Përse gratë shqiptare nuk arritën të besojnë se kolektivisht mund ta ndryshojmë të ardhmen për veten tonë dhe atë të fëmijëve? Kur gratë shqiptare përballen me diskriminim në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor, sistemin gjyqësor, në punë dhe në jetën e përditshme, përse nuk votuan për ndryshim? A nuk vjen ndryshimi hap pas hapi?

Jeta politike në Shqipëri është shënuar nga mosbesimi i fortë midis partive të majta dhe të djathta, të cilat shkëmbejnë fyerjet dhe akuza për korrupsion, tone që rriten frikshëm në fushata elektorale. Pas muajsh lufte nervash mes forcave kryesore politike se kush duhet të qeverisë vendit në 4 vitet e ardhshme, akuzash dhe aleancash të minutës së fundit, pak ditë para se t’i drejtoheshin kutive të votimit kudo në rrjete dhe media sociale, shkruhej dhe lexohej: Një farsë! Një mashtrim! Pazare politike sërish! Koalicioni Berisha-Meta, ai pasardhës Rama-Meta, 8 vite pushtet, akuza të ndërsjella për keqqeverisje, por sërish gati për t’u bërë bashkë vetëm për të mos lëshuar karriget. Qeverisin bashkë, por denoncojnë korrupsionin dhe pazaret e njëri-tjetrit vetëm në fund të mandatit! Qeverisin bashkë, por nuk mbajnë përgjegjësi për kanabizimin, dështimin e reformës në arsim, shëndetësinë në gjendje të mjeruar, ushqimet që po na ndryshojnë edhe gjenin, ndotjen që po na vret! Nuk mendojnë për ne, por për pushtetin dhe pasurinë e tyre! Nuk ka parti të ndershme! Kushdo që të fitojë, ne humbasim! (Reagime të marra nga ndjekëset femra të portalit www.femratnews.com)

Viti 2013 dhe më pas

Ky skepticizëm u rrit në mesin e një elektorati që kishte pritshmëri të mëdha pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2013. Në atë votë, Edi Rama në koalicion me Ilir Metën, erdhi në qeveri edhe me ndihmën e rëndësishme nga votueset femra. Shumë besonin se ndryshimi i vërtetë demokratik dhe shoqëror ishte në horizont. Mes atyre që u zgjodhën në atë kohë ishin parlamentare dhe ministre femra, të cilat ishin të vendosura për t’i dhënë grave vendin e duhur në arenën politike e jo vetëm. Iniciativat reformiste prej një pjese të konsiderueshme të elektoratit u panë si fasadë. Një pjesë e atyre vajzave dhe grave që refuzuan ofertën aktuale politike ankohen kudo munden, se sot nuk kanë punë, paga dhe as një jetesë më të denjë se sa 4 vite më parë.

Rritja e mosbesimit

Padyshim që në një demokraci përmes votës mund të japësh pushtet e të kërkosh llogari për të. Por kur mosbesimi prek të gjitha alternativat që të paraqiten, si duhet vepruar? Kam folur e takuar, kam lexuar dhe kthyer përgjigje, jo pak femrave anë e kënd Shqipërisë mbi këtë situatë, e ajo që i bashkon është thirrja se lipset urgjentisht ndërmarrja e aksioneve për krijimin e një sistemi ku populli zgjedh përfaqësuesit e tij në parlament. Të një sistemi ku shkolla nuk merret me tesera partie. Një sistemi ku pjesë të administratës nuk të bën dhe as të largon flamuri i partisë. Një sistemi ku ofrohen programe dhe mbi bazën e tyre votohet qeveria dhe parlamenti i ri.

Referuar të dhënave të mbledhura nëpër botë nga grupet e të drejtave të njeriut dhe vëzhguesve të proceseve zgjedhore Mehrunisa Qayyum shkruan për “Freedom House” se këto janë arsyet kryesore në të cilat mishërohet vendimi i votuesve për të bojkotuar zgjedhjet: Shqetësim për sekretin e votimit; Politika përjashtimore dhe Frustrimi me një zgjedhje të rreme. Korrupsioni është kryefjalë e mosbesimit të shqiptarëve ndaj klasës politike. Akuza, edhe të faktuara, për blerje vote me një thes me miell deri tek qokat “cash” në euro. Tashmë populli ka mësuar edhe se sa para paguhet për të qenë në listën e deputetëve. Nuk ka rëndësi shkolla, as karriera, madje as nëse di shkrim e këndim! Kjo do të thotë që kërkesa e parë e çdo kandidati për të marrë postin e deputetit miratohet nga fuqia e parave. Dhe jo vlerat apo programet individuale dhe kolegjiale se përse duhet të na qeverisën 4 vitet e ardhshme.

Pushteti i parasë

Pra, kur mosbesimi prek të gjitha alternativat që të paraqiten, si duhet vepruar?

“Lista të mbyllura” do të thotë se zyrtarët tanë të zgjedhur në thelb janë të paracaktuar nga elita e parave të vendit. Paratë e tyre diktojnë në marrjen e njerëzve më të aftë për të drejtuar fushatat dhe të punësojnë kompanitë më të mira të marketingut. Ata përcaktojnë se kush do të marrë mbulimin më të favorshëm të medias. Asnjë kandidat nuk mund të mbijetojë në këtë proces të kushtueshëm dhe rraskapitës pa para.

Dhe kur këta akuzojnë njeri-tjetrin se gjithçka financohet nga paratë e kanabisit, si duhet vepruar?

Në 27 vitet e fundit nuk kemi pasur kurrë mundësinë të votojmë për një kandidat që nuk ishte në mesin e të pasurve dhe të fuqishmëve. Si kur kanë qenë në pushtet socialistët ashtu edhe kur kanë qenë në pushtet demokratët. Retorika e tyre e djathtë apo e majtë, është vetëm një shfaqje për të nxitur militantët që i ndjekin qorrazi, ndërsa kur vijnë në pushtet ndjekin axhendën e “financuesve” të tyre.

Falsiteti i zgjedhjeve

Kushdo lipset të kuptojë, se të marrësh pjesë në farsë do të thotë të miratosh farsën. Bojkoti duhet të shihet si nevojë urgjente për klasën politike (pozitë dhe opozitë) që të reformohet dhe t’i shërbejë interesave të popullit. Sepse duke përcaktuar përmes “listave të mbyllurave” se kush vjen në pushtet, ata në thelb kanë hequr të drejtën tonë për të votuar dhe ne nuk jemi shumë ndryshe nga disa “Republika Banane” me vetëm një kandidat në fletëvotim. Nuk mjafton vetëm të votosh, duhet që vota jote të vlejë!

Bojkoti duhet të dërgojë një mesazh me zë të lartë dhe të qartë se ne e shohim lojën e tyre dhe ne refuzojmë të luajmë. Ne refuzojmë të vulosim një sistem elektoral të korruptuar dhe të bashkëozurpuar. Opozita e Lulzim Bashës që nga mesi i muajit shkurt protestoi për 90 ditë në çadrën e ngritur para Kryeministrisë, ku kërkoi largimin e Ramës dhe formimin e një qeveri teknike për “organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. Por, gjithçka u mbyll me një marrëveshje Basha-Rama. Ky i fundit nuk u largua nga posti, por futi në qeveri njerëzit e Bashës. Rezultati i sotëm zgjedhor u ndihmua gjithashtu nga shkalla e lartë e abstenimit midis votuesve të opozitës, të cilët ishin të bindur se votimi ishte i kotë.

Emri:  vota.jpg

Shikime: 45

Madhësia:  21.8 KB

Bojkoti si emancipim

Është e rëndësishme të ndajmë bojkotin individual ndaj një klase politike, e cila është testuar dhe ka mbetur në klasë për t’i shërbyer interesave të popullit, me atë të partive opozitare ndaj procesit zgjedhor. Sepse historia ka treguar se strategjia e bojkotit të opozitës dështon në shumicën e rasteve. asha nuk bojkotoi zgjedhjet dhe mirë bëri! Por e gjithë kjo klasë politike e vendit u bojkotua nga mbi 56% e shqiptarëve.

E teksa pritet shifra përfundimtare se sa shqiptarë e lanë të bardhë fletën e votimit të dielën në Shqipëri, në zgjedhjet e fundit në Francë, udhëheqësi i një fushate bojkotimi në Bordeaux, Myriam pati thënë: “Abstenimi nuk është një lëvizje tërheqjeje, përkundrazi për ne është një lëvizje e shpresës dhe e emancipimit”.

Populli shqiptar nuk mund të pranojë pasivisht gënjeshtrat, krimet dhe korrupsionin e atyre që i drejtojnë prej 27 vitesh. Nuk mund të pranojë më të zgjedhë “të keqen më të vogël”. Shqiptarët do të votojnë në shumicë vetëm atëherë kur të dëgjohet me të vërtetë zëri i tyre! Dhe shqiptarët do të kenë qeverisjen që meritojnë kur “partia mëmë” të mos ketë më kontroll absolut mbi ta. Le ta nisim me denoncimin dhe refuzimin e marrjes së shkollës me tesera, të punës me listë partie, apo të joshjeve për pagesa të majme deri edhe pse sjell një fëmijë në jetë!

Panorama