Rrugëdalja nga gjendja e rëndë shpirtërore
Shejhul-Islam ibn Tejmie, Mukhteser el-Fetaawa el-Misrijje
Pyetje: Cili është ilaçi për një njeri të pllakosur nga një sëmundje shpirtërore;
një njeriu që gjendet në shtrëngimin e shkatërrimit? Çfarë të bëjë njeriu që
është kapluar nga përtacia? Si të bëhem një që ndihmohet nga Allahu ?
Cila është zgjidhja për një njeri të mposhtur nga konfuzioni, pasi, kurdo që ai
përpiqet t’i kthehet Allahut, e pengojnë dëshirat dhe, kurdo që kërkon të jetë
produktiv, e ndjek dështimi?
Përgjigje:
Ilaçi i tij është në kthimin tek Allahu, në vazhdimin e lutjeve që i mëson nga
pejgamberi, dhe në zgjedhjen me kujdes të kohëve kur lutjet marrin
përgjigje, siç është pjesa e fundit e natës, koha mes ezanit dhe ikametit, gjatë
sexhdes dhe pas namazit.
Po ashtu ai le të mësojë dhikrin e mëngjesit, të mbrëmjes, dhikrin para gjumit,
dhe le t’u rezistojë me durim gjërave që e parandalojnë nga kjo, se do të jetë
vetëm çështje kohe para se Allahu t’i dërgojë ndihmën nga Ai dhe t’ia
shkruajë imanin në zemrën e tij.
Le të sigurohet ai po ashtu që t’i kryejë të gjitha obligimet, përfshirë pesë
kohët e namazit të ditës, së brendshmi dhe së jashtmi, meqë namazi është
shtylla e fesë.
Gjithashtu shumica e fjalëve të tija të jenë fjalët La hawle we la kuwwete il’la
bil’lahil-Alijul-Adhijm / S’ka ndryshim të gjendjes e as fuqi për ndryshim,
përveçse nëpërmjet Allahut të lartësuar e të madhërishëm. Nëpërmjet kësaj
thënieje, njeriu do të jetë në gjendje të bartë barrët më të rënda, të përballet
me të gjitha tmerret, dhe të arrijë rrethanat më të mira.
Kurrë ai të mos lodhet duke u lutur dhe duke i kërkuar Allahut, se lutja do
të marrë përgjigje për sa kohë që ai të mos ngutet e të thotë: “U luta, por nuk
mora përgjigje.”
Le ta dijë se fitorja është me durim, qetësimi me ankth, dhe vështirësia me
lehtësim.
Dhe s’ka njeri që mund të arrijë ndonjë formë mirësie, qoftë ai pejgamber,
qoftë më pak se kjo, përveçse me durim.
Lavdi Allahut!
Krijoni Kontakt