Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Fillimet e industrisë së vajit të ullirit në Shqipëri

    Emri:  vaji2-1200x436.jpg

Shikime: 1902

Madhësia:  29.7 KB

    I madh sa ulliri i Beratit – si varietet, Ulliri i Qejfit në Elbasan – si një destinacion pikniku, Ullinjtë e Skënderbeut në Krujë – si një dëshmi historike, janë vetëm tre grimca të vogla që tregojnë se sa familjare është marrëdhënia e shqiptarëve me “pemën e paqes”. Si në të gjithë vendet e tjera të Mesdheut, fqinje ose jo edhe në Shqipëri tradita e kultivimit të ullirit dhe nxjerrja prej tij në mënyrë primitive e artizanale e vajit ka qenë një bazë e qëndrueshme dhe që ka krijuar të gjithë kushtet për të lindur edhe industria e vajit të ullirit. Në historinë ekonomike të vendit është tashmë e njohur se ndër industritë më të para që u ngritën në Shqipëri është ajo e vajit të ullirit. Interesi për të rezulton të ketë qenë i lartë si nga sipërmarrësit vendas ashtu edhe nga investitorët e huaj të kapitaleve. Por para se të shkohej tek fabrikat e para të vajit të ullirit, pronarët e mëdhenj të ullishtave në krahina të ndryshme të vendit kishin ngritur punishte për prodhimin e vajit të ullirit.

    Emri:  vaji1-1-1-1024x627.jpg

Shikime: 1914

Madhësia:  43.2 KB

    Punishtet e para

    Punishtet e para të përpunimit të ullinjve dhe nxjerrjes së vajti nga bërsitë e tij janë ngritur dhe kanë punuar për shumë vite në Vlorë, Fier, Himarë, Berat, Elbasan, Peqin, Kavajë, Krujë e Durrës. Sigurisht duke qenë të bazuara në sipërfaqe të caktuara të ulishtave që zotëronin pronarët e tyre kapaciteti i këtyre punishteve ishte i ndryshëm, por në përgjithësi edhe shumë i vogël. Në to proçesi i prodhimit të vajit ishte mjaft i thjeshtë dhe bazohej mbi traditat artizanale që ishin përdorur në shekuj. Por pas viteve ’20, periudhë që përkon edhe me fillimet e konsolidimit të shtetit shqiptar, zhvillimi i ekonomisë po mundësonte shtimin e investimeve dhe shtimin e kapaciteteve të punishteve të thjeshta ekzistuese. Pikërisht në këto kohë janë ngritur edhe punishtet më të mëdha të cilat kanë paraprirë fabrikat e para të cilat do të ngriheshin në pak vite. Kështu ndër investitorët e parë shqiptarë dhe më të mëdhenjtë në këtë fushë mund të përmenden ata që ngritën punishtet e para të mëdha në Vlorë si Qerim Gurabardhi me vëllezër, Ali Gorishti, Fadil e Mehmet Rrapushi dhe Hasan Sharra me kapacitet maksimal nga 5-6 ton ullinj në 24 orë. Me një kapacitet të ngjashëm ka qenë edhe punishtja e vëllezërve Kazazi në Durrës. Por këto nuk kanë qenë investimet e vetme në këtë fushë. Në Elbasan, Peqin e Fier ka patur punishte të tjera ndonëse kapaciteti i tyre përpunues ka qenë më i vogël 1-2 ton ullinj në 24 orë. Fjala është për punishtet e Ligor Nosi&shokë në Elbasan, Vëllezërit Gripshi në Peqin si edhe Kozma Nito e Idriz Byloja në Fier.

    Emri:  vaji1-1-1-1024x627.jpg

Shikime: 1914

Madhësia:  43.2 KB

    Nga punishtet në fabrika

    Investimi i parë serioz në përpunimin e ullirit ka qenë punishtja e ngritur në Elbasan nga shoqëria Nosi e shokë. Ajo ka filluar të punojë në vitin 1927. Që atëherë qyteti i Elbasanit do të ishte një pikë shumë e rëndësishme e përqëndrimit të kësaj industrie. Pronari i punishtes Ligor Nosi, ishte edhe njëri nga kapitalistët më të mëdhej të Elbasanit dhe një pronar i njohur tokash që zotëronte në të njëtën kohë aksione në shoqërinë STAMLES dhe po ashtu ishte edhe pronar i një hoteli në Llixhat e Elbasanit. Por qendra e parë dhe më e madhe e industrisë shqiptare të vajit të ullirit ka qenë pa dyshim Vlora. Falë edhe pozitës gjeografike, Vlora si një qendër e përpunimit të ullirit shumë shpejt zgjoi edhe interesin e investitorëve italianë. Që në vitin 1928, në këtë qytet dy kapitalistë italianë ngritën dy punishte për prodhimin e vajit të ullirit. Njëra punishte ishte pronë e Mastro Leonardo Alfredo nga Bari dhe kishte një kapacitet 7 ton në 24 orë dhe që të gjithë prodhimin e vet e shiste në Itali dhe punishtja tjetër që ishte më e vogël ishte ngritur nga Nicolo Panteleo. Në pak vite përvec italianëve për industrinë shqiptare të vajit të ullirit interesi do të rritej edhe nga të huajt, si investitorët francezë e cekë si edhe nga kapitalistët shqiptarë që në një pjesë të madhe ishin pronarë ullishtash por që zhvillonin edhe aktivitete të tjera në fushën e tregtisë dhe industrisë.

    Prodhuesit e mëdhenj

    Rritja e ekonomisë dhe tregut, si edhe shtimi i shkëmbimeve, veçanërisht me Italinë krijuan kushtet që shumë shpejt në Shqipëri të ngriheshin fabrikat e para të mëdha të vajit të ullirit. Sic edhe është e kuptueshme baza e tyre ishte e përqëndruar në Vlorë. Më të përmendurit janë:

    Pandeli Bezhani, i cili ishte njëri nga pronarët më të mëdhenj të qytetit të Vlorës, ai ishte pronar tokash, tregtar me shumicë dhe që njihej edhe si një person që kryente funksione krediti pasi jepte hua për industrialistët dhe tregtarët e tjerë të mëdhenj e të vegjël. Fabrika që ngriti Pandeli Bezhani në Vlorë e kishte kapacitetin 15 ton ullinj në 24 orë. Një tjetër fabrikë të madhe në Vlorë me kapacitet përpunues po 15 ton në 24 orë ngriti edhe tregtari i njohur i këtij qyteti Perikli Papa. Përveç kësaj ai ishte edhe një pronar tokash. Fabrika e tretë me po të njëjtin kapacitet është ngritur po në Vlorë nga Qazim Hamdi dhe vëllezër. Por fabrikën më të madhe të vajit të ullirit në Vlorë dhe në Shqipërinë e asaj kohe, me kapacitet përpunues 50 ton ullinj në 24 orë e ka ngritur kompania italiane Alegro. Kompania ishte prezente në Vlorë që në 1926 kur kishte nisur të shfrytëzonte distilerinë e alkolit. Alegro erdhi në Shqipëri pas marrëveshjes së huasë SVEA që Zogu e nënshkroi me qeverinë italiane së bashku me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipnisë. Në pak vite kompani do ta shtrinte aktivitetin e saj edhe në industrinë e vajit të ullirit, të regjenerimit të vajrave lubrifikantë, të larjes së leshit, etj. Fabrika e firmës Alegro ka punuar deri në vitin 1943 dhe me rënien e fashizmit pronarët e saj italianë vendosën që fabrikën e vajit të ullirit ta kthejnë në shoqëri aksionere ku vetë Alegro do të mbante 55% të aksioneve, ndërsa 45% të tyre t’u shiteshin investitorëve shqiptarë. Por kjo nuk funksionoi, nga 6000 aksione që kishte shoqëria, 5600 i mbetën firmës Alegro, ndërsa 400 u blenë nga shqiptarët përkatësisht 100 aksione nga Vangjel Anastasiadhi, 100 aksione nga Vasil Muzina, 100 aksione nga Syrja Peshkopia dhe po aq nga Arif Toptani. Ndërkohë një tjetër prodhues i nivelit të firmës Alegro ka qenë Societe anonyme française des Huileries – Savonneries de l’Adriatique. (Shoqëria anonime franceze e Vaj-Sapunit të Adriatikut) e themeluar nga investitorë francezë në vitin 1929.

    Lufta për treg

    Historia e Shoqërisë anonime franceze e Vaj-Sapunit të Adriatikut është treguesi më i plotë i luftës së ashpër që investitorët e kësaj fushe, vendas e të huaj kanë bërë për të patur sa më shumë zotërim në treg. Ky prodhues me qendër në Elbasan ishte ngritur nga banka franceze “Banque de Credit et de Participation”, në vitin 1929. Fabrika Societe anonyme française des Huileries – Savonneries de l’Adriatique, kishte një kapital 600 mijë franga ar, të ndarë në 6000 aksione nga të cilat 1000 aksione me vlerë 100 mijë franga ar zotëroheshin nga shqiptarët Shefqet Vërlaci dhe Anton Beça. Në vitin 1933 kapitali i shqiptarëve është rritur në 130 mijë franga ar. Në gusht të vitit 1933 francezët arritën një marrëveshje me Anton Beçën dhe Shefqet Vërlacin për shitjen e fabrikës. Për tu shpëtuar taksave vlera e shitjes së fabrikës u përcaktua “në një shumë tepër të vogël — baras me 27.000 fr. ar”, në një kohë që “Banka Kombëtare e Shqipnisë, stabilimentin e vajit në Elbasan e vlerëson rreth 350 mijë franga ar. Në vitin 1937 për fabrikën e vajit të ullirit të Elbasanit interesohet një grup italian me qendër në Napoli, i kryesuar nga Giulio Ucelli. Ata bien dakord me Shefqet Verlacin dhe Andon Becen, fillimisht për marrjen me qira të stabilimentit dhe më vonë për blerjen e tij për 350 mijë franga ar. Por kjo marrëveshje nuk u përmbyll. Ky grup mori konçesionin e peshkut në gjithë Shqipërinë, krijoi shoqërinë Pescalba dhe hoqi dorë përfundimisht nga industria e vajit të ullirit. Në vitin 1938 janë përfaqësues të kapitalit çekosllovak që vijnë në Shqipëri dhe zhvillojnë bisedime për blerjen e stabilimentit të vajit të ullirit të Elbasanit. Por edhe përpjekja e tyre megjithë tentativat për një marrëveshje kompromisi, dështoi. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, më 1939, industrinë e vajit të ullirit të Elbasanit e blen përfundimisht një grup kapitalist italian me qendër në Gjenovë, e cila krijon shoqërinë anonime Compagnia Olii Albanesi. Blerjen e favorizoi pushtimi, pasi vendi ynë u kthye në një treg të brendshëm të Italisë, si rrjedhim u hoqën taksat doganore dhe vaji i ullirit tashmë importohej në Itali pa taksë. Në vitet e mëvonëshme, Compagnia Olii Albanesi e zgjeroi aktivitetin e saj duke zgjeruar e modernizuar stabilimentin e vajit në Elbasan dhe duke e shtrirë aktivitetin në qytete të tjera. Në vitin 1940 shoqëria filloi punimet për ngritjen e një fabrike tjetër për prodhimin e vajit të ullirit në Fier. Krahas kësaj, ata u përpoqën që të blejnë toka (rreth 5000 ha) në Elbasan, Berat dhe Fier për të shtrirë aktivitetin e tyre edhe në fushën e bujqësisë. Në vitin 1942 aktiviteti i kësaj shoqërie në Elbasan u shtri përveç fabrikës së vajit edhe në centralin elektrik, fabrikën e akullit dhe fabrikën e sapunit. Po në 1942 shoqëria përfundoi dhe vuri në punë fabrikën për prodhimin vajit të ullirit në Fier, për të cilën shpenzoi 1 milion lireta italiane. Në fillim të vitit 1943, S. A. Compagnia Olii Albanesi, si rrjedhim i ngritjes së çmimeve të blerjes së ullirit, pezullon prodhimin e vajit ullirit në Elbasan dhe planifikoi mbylljen e fabrikës së Fierit. Në pak muaj me rënien e fashizmit do të marrë fund edhe dominimi italian në industrinë shqiptare të vajit të ullirit, për ti hapur vend në më pak se 2 vjet shtetëzimeve komuniste dhe krijimit gradual të një strukture të re edhe në këtë industri.

    Burimi: Revista Mapo

  2. #2
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897

    Për: Fillimet e industrisë së vajit të ullirit në Shqipëri

    E megjithate Shqiperia vetem 20 perqint te vajit te ullirit e siguron ne vend,ndersa 80% e importon. Ky eshte mjerim intelektual

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •