rritjaShqipëria në vitin 2016 rezultoi me ritmet më të larta të rritjes ekonomike në rajon dhe investimet ndër më të larta të huaja, sipas të dhënave krahasuese të Komisionit Europian.
Vendi ynë u zgjerua me 3.5%, e dyta ishte Kosova me 3.4%, ndërsa Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë Hercegovina panë të gjitha një rritje nën 3%.
Edhe për investimet e huaja direkte Shqipëria ishte ndër performueset më të mira në rajon me nivein e IHD-ve prej 8.9% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), si rrjedhojë e projekteve të mëdha, gazsjellësi TAP dhe HEC-et në Devoll. Për nivelin e IHD-ve, Shqipërisë ia kalon vetëm Mali i Zi në 9.8% të PBB-së, me fokusin në turizëm dhe pasuritë e paluajtshme.
Shqipëria ka dhe papunësinë më të ulët në rajon, në 15.6%, por kjo i dedikohet më shumë faktit që rreth 43% e të punësuarve janë në sektorin privat bujqsor, që konsiderohen automatikisht si të vetëpunësuar.
Por, pavarësisht se ka rritjen dhe investimet më të larta në rajon, në treguesit e ekonomisë reale, të dhënat tregojnë se Shqipëria është me ecurinë më të keqe në rritjen e pagave e konsumit, eksportet, prodhimin industrial, kredinë dhe depozitat, indikatorë këta që janë të rëndësishëm për ecurinë reale të ekonomisë e bizneseve dhe mirëqenien e gjithësecilit.
Pagat janë rritur vetëm 0.9% në 2016-n, më e ulëta në rajon, së bashku me Bosnjë Hercegovinën. Rritja më e lartë e pagave është shënuar në Mal të Zi (3.5%), Serbi (3.8%) e Maqedoni (2%), ndërsa për Kosovën nuk ka të dhëna.
Me 2.5%, konsumi privat është rritur nën mesataren e rajonit, duke qenë i dyti më i ulëti, pas Serbisë. Ky tregues ishte më i larti në Maqedoni, me plus 4.2%.
Shqipëria është performuesi më i keq për eksportet, teksa shitjet e saj jashtë vendit janë të bazuara në pasuritë natyrore, që varen shumë nga konjukturat e çmimeve, si dhe në krahun e lirë të fuqisë punëtore. Eksportet e mallrave në Shqipëri ranë me 9.1%, ndërsa në Maqedoni e Serbi, që kanë të zhvilluar prodhimin industrial, u rritën përkatësisht me 11.5%.
Edhe prodhimi industrial në Shqipëri shënoi ecurinë më të keqe, me -6.7%, pasi ai është i varur kryesisht te industria nxjerrëse. Me rënie, por me ritme më të ulëta e kishin industrinë dhe Mali i Zi dhe Kosova, ndërsa në Maqedoni u rrit me 3.4% dhe në Serbi me 4.7%.
Si për depozitat ashtu dhe kreditë, Shqipëri rezulton me ecurinë më negative, duke qenë shteti i vetëm ku rritja reale e huasë ishte negative prej -0.7% dhe depozitat u zgjeruan me ritmin më të ulët prej 1.1%. Në shtetet e tjera hua u rrit mesatarisht me 2 – 9%. Depozitat lulëzuan në Serbi e Mal të Zi dhe më pak në Maqedoni, Bosnjë e Kosovë.
Shqipëria ka dhe nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon, në 18.3% dhe ndryshe nga Serbia e Mali i Zi nuk ka arritur ta ulë ndjeshëm këtë tregues. Mali i Zi kishte në fund të vitit 2016 hua të pakthyera në afat sa 10.3% e totalit. S
hteti fqinj, pak vite më parë e kishte këtë tregues në mbi 20%, por pas një strategjie të ndërmarrë nga banka qendrore e Malit të Zi, ku i jepej përparësi ristrukturimit të korporatave, ai është ulur me shpejtësi. Edhe Serbia, që në 2015-n ishte në listën e 10 më të këqijave në botë, në 2016-n e ka çuar treguesin e NPL-ve në 17%, duke dalë nga dhjetëshja një vit më vonë. Maqedonia, Kosova i kanë kreditë me probleme në nivel njëshifror, kurse Bosnja 12.3%.
Pavarësisht përjekjeve të mëdha të konsolidimit fiskal vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë ishte 72% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, nga 72.7% me një vit më parë dhe ndër më të lartit në rajon, pas Serbisë.
Shqipëria është dhe vendi i dytë pas Malit të Zi për nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korente, në rreth 10% të PBB-së, që vjen kryesisht nga deficiti i lartë tregtar, apo fakti që nuk arrin të ketë eksporte të qëndrueshme.
Marrë nga Monitor.al /Hashtag.al