Qindra mjekë të përgjithshëm dhe specialistë po largohen nga Shqipëria drejt Gjermanisë çdo vit, duke sjellë mungesa të theksuara në spitalet shqiptare.



Mjekët po largohen nga Shqipëria. Një fenomen ky që ka filluar prej kohësh, por që është bërë veçanërisht masiv gjatë dy viteve të fundit. Kryesisht, bëhet fjalë për mjekë të rinj, të sapo diplomuar, apo me pak vite përvojë pune, të cilët pas ofertave joshëse për specializim dhe punësim në Gjermani po largohen, në përmasa të tilla që kanë filluar të krijojnë, aktualisht, probleme personeli në spitale e qendra ambulatore. Nëse do të vazhdohet me këto ritme e ardhmja do të jetë edhe më problematike.

Sipas presidentit të Urdhërit të mjekut, Fatmir Brahimaj, për përmasat që po merr, ky fenomen po kthehet në shumë shqetësues. Duke u nisur nga numri i çertifikatave për sjellje të mirë, që institucioni ua lëshon mjekëve për të plotësuar dosjet e tyre të dokumentacionit për punësim jashtë vendit, rezulton se këtë çertifikatë, në vitin 2016, e kanë marrë 145 mjekë , prej të cilëve 114 janë mjekë të përgjithshëm dhe 31 janë mjekë specialistë. Nëse do të shohim vitet e tjera, për vitin 2015 numri i mjekëve është 120 dhe në vitin 2014, 132 mjekë e kanë tërhequr ketë dokument.

Vetë mjekët që ndodhen aktualisht në Gjermani, por edhe ata qe janë në proces aplikimi nuk duan të prononcohen për arsyet e largimit, por ato nuk duket të jenë vetëm ekonomike.

Zoti Brahimaj thotë se institucioni që ai drejton ka hartuar një pyetësor drejtuar mjekëve për t’u marrë mendimim në lidhje me arsyet e largimit. Nga përgjigjiet rezulton se pjesa më e madhe largohen për arsye ekonomike, më pas vijnë arsyet që kanë të bëjnë me shpresën e gjetjes në Gjermani të një vlerësimi moral dhe profesional më të lartë, shpresa për mundësi më të mira për t’u specializuar më tej dhe përsosur profesionalisht, si dhe bindja se do të ndihen më të qetë dhe më të sigurt duke qenë se në Shqipëri, Kodi Penal parashikon dënime të shumë të rënda për veprat penale të mjekimit të pakujdesshëm dhe neglizhencës mjekësore

Ndërsa për rektorin e Universitetit të Mjekësisë ,Arben Gjata, mundësia që ofron Gjermania nuk ka përse të mos shfrytëzohet nga të rinjtë.

Sipas tij, largimi i mjekëve drejt Gjermanisë nuk është vetëm një problem shqiptar. Lehtësimi i njohjes së diplomave të mjekësisë nga autoritetet gjermane ka bërë që vala e largimeve të përfshijë të gjithë Ballkanin perendimor.

Por, ndërkohë , Shqipëria e ndjen më shumë këtë fenomen për shkak të numrit të ulët të mjekëve.

Për rektorin Gjata në spitalet e mëdha rajonale në Shqipëri ka mungesë si për mjekët e përgjithshëm, ashtu edhe për ata specialistë. Shqipëria , edhe sot, ka një nga numrat më të ulët të mjekëve për 1000 banorë, në Evropë, dhe nëse do të vazhdohet me këto ritme, numri i mjekëve do të ulet ndjeshëm dhe në këtë rast ata që do të përballen me këtë mungesë janë pacientët. Në krye të 5-6 viteve do të kemi mungesë mjekësh. Edhe sot, në Qendrën Spitalore Universitare ka raste kur nuk paraqiten mjekë në konkurset për vende pune.

Duket se veç arësyeve financiare dhe dëshirës për një specializim më cilësor, problem është edhe klima jo miqësore që është krijuar ndaj bluzave të bardha, kryesisht nga media.

Për rektorin Gjata, fenomeni i “demonizimit” të bluzave të bardha, që është bërë më i dukshëm pas vitit 2004, fajëson mjekët për shumë mangësira të sistemit shëndetësor. Sipas tij ai ka shkaktuar një thyerje të besimit mes publikut dhe mjekut dhe në një rast të tillë, puna e mjekut, përveçse është e vështirë në vetvete, është vështirësuar edhe më tepër dhe mbi të gjitha nuk të jep kënaqësi.

Pirro Paparisto është mjek dhe pedagog i mjekësisë. Ai ka jetuar dhe punuar për pak kohë jashtë vendit dhe tani prej vitesh është vendosur në Shqipëri, ku ka ndërtuar karrierën, duke ushqyer ende një ndjenjë idealizmi për t’i shërbyer vendit të tij.

Ai thotë se ka jetuar jashtë Shqipërisë për shumë vite, por nuk e ka parë si zgjidhje afatgjatë dhe është përpjekur të ndërtojë jetën në vendin e tij, dikur me shumë idealizëm, tani me doza më të ulta. Pirro mendon se pavarësisht vështirësive ka arsye për ta ndërtuar jetën në Shqipëri. Sigurisht që ka edhe arsye për ta lënë vendin, por kjo është një zgjedhje që i përket gjithësecilit. Ndërkohë edhe shumë kolegë të tij, reth 40% e ish shokëve të fakultetit, kanë zgjedhur të largohen e ta ndërtojnë jetën dhe karrierën diku gjetkë.

Në përgjigjie të kësaj situate, sipas rektorit, Gjata, masat e marra nga qeveria nuk mjaftojnë.

Sipas tij qeveria ka marrë disa masa që kanë të bëjnë me rritjen e pagave. Kështu pagesa e mjekut të rojes ka qenë rreth 2 mijë lekë e vendosur që në vitin 2004. Rritje të pagës me 25% ka pasur edhe në zonat periferike e me ngarkesë të madhe pune. Por sipas tij sado që të rritet paga, ajo nuk do të jetë kurrë e barazvlefshme me punën e mjekut dhe nuk do ta kënaqë atë.

Një pjesë e mirë e mjekëve që janë larguar nga Shqipëria janë sistemuar mirë në Gjermani.

Sipas rektorit Gjata, nga informacini që ka marrë nga Ambasada Gjermane, niveli i mjekëve shqiptarë është mesatar për sa i përket përgatitjes profesionale. Ata janë shumë të dedikuar dhe mbi të gjitha integrohen në komunitet lehtëisht.

E ndërkohë që shumë të sapodiplomuar në mjekësi, me ose pa punë po kryejnë kurset e domozdoshme të gjuhës gjermane për t’u integruar në tregun e punës jashtë vendit, ka studentë, që të ardhmen e shohin në Shqiperi..

Sipas dy studenteve të mjekësisë, pavarësisht se shumica e shokëve të tyre e shohin të ardhmen jashtë, ato mendojnë se do t’i gjejnë mënyrat që të realizojnë, edhe në Shqipëri, ënrrat e karrierës së tyre.

Por edhe studentët më optimistë, nëse kur të pëfundojnë studimet, do të përballen me vështirësi dhe mungesa thelbësore, një ditë do të vendosin të largohen .

Për rektorin e Universitetit të Mjkekësisë, sot jetojmë në një botë që sa vjen e po bëhet më e vogël dhe sigurisht do të ketë nga ata mjekë që do të ikin, apo edhe do të rikthehen në Shqipëri. Ajo që është e rëndësishme, sipas tij, është që shteti dhe shoqëria të bëjnë gjithça për të ruajtur dhe mbështetur asetet më me vlerë të vendit.

Reporter.al