Apostujt Akila e Priskila nga të 70-t

Emri:  akila.jpg

Shikime: 505

Madhësia:  68.4 KB

Akila, një jude nga Ponti, ishte vendosur me gruan e tij, Priskilën, në Romë, ku punonte si tendëbërës. Ata ishin të konvertuar në Krishterim, kur perandori Klaudi urdhëroi dëbimin e të gjithë judenjve nga qyteti, në vitet 49-50 pas Krishtit. U vendosën në Korinth pak kohë pasi shën Pavli mbërriti atje nga Athina (Vep. 18:1-3).

Apostulli jetoi në shtëpinë e tyre dhe punoi me ta, sepse nuk donte t’u bëhej barrë të tjerëve. Ai u mësoi atyre misteret e Perëndisë dhe disa thonë se dhe i pagëzoi vetë. Ata ishin tërësisht të përkushtuar ndaj mësuesit të tyre, duke e ndihmuar në shërbesën e tij dhe duke bashkëndarë mundimet dhe vuajtjet e tij.

Shën Pavli asnjëherë nuk e fshehu dashurinë për ta, duke i përshëndetur në mjaft letra të tij. P.sh., në letrën e tij drejtuar romakëve ai shkruan: “Përshëndet Priskilën dhe Akilën, bashkëpunëtorët e mi të shtrenjtë në Krishtin Jisu, të cilët vunë qafën e tyre nën thikë për shpirtin tim, të cilët i falënderojnë të gjitha kishat e kombeve, jo vetëm unë”.

Kur shën Pavli la Akaian për t’u kthyer në Azi, ata e ndoqën pas. Ishte pikërisht shtëpia e tyre e madhe në Efes, ku të krishterët mblidheshin për Eukaristinë Hyjnore. Po aty Priskila dhe Akila arritën të kthenin Apollon në njohjen e plotë të besimit. Ai ishte një jude nga Aleksandria, elokuent dhe studiues i Shkrimit të Shenjtë, që kishte njohur mësimin e krishterë, por që nuk njihte Pagëzimin e Jisuit.

Priskila dhe Akila shkuan në Romë rreth vitit 58 dhe e ofruan përsëri shtëpinë e tyre për ta përdorur si kishë. Më vonë u kthyen në Efes dhe jetonin atje kur shën Pavli, duke shkruar nga Roma si i burgosur i Krishtit për herë të dytë, i kërkoi nxënësit të tij, Timotheut, episkopit të Efesit, t’u jepte atyre përshëndetjet e tij (2 Tim. 4:19). Ka shumë gjasa që e përfunduan jetën e tyre si martirë në Efes, ku paganët u prenë kokën.

KOASH