Rilindja fiskale që na kushtoi mbi 500 milionë euro

Emri:  auto_tan_hoxha_tatime1485429700.jpg

Shikime: 16231

Madhësia:  36.5 KB

Nga Artan Hoxha

Në trevjeçarin rilindës 2014-2016 të ardhurat doganore+tatimore arritën shifrën 788 miliard lekë. Në atë demokrat 2010-2012, 691 miliard lekë, pra 97 miliard lekë më shumë apo rreth 14.0% më shumë. Me shikim të parë duket se çoç kanë bërë. Siç shpjegohet më poshtë, goxha dëm.

Të ardhurat fiskale janë funksion i ecurisë së ekonomisë, normës së taksave dhe performancës së administratës në tërësi, asaj tatimore e doganore në veçanti. Diferenciali i të ardhurave, në përafrim të parë, është sa shuma e diferencialeve të efekteve të secilit faktor veçmas.

Sipas INSTAT rritja nominale e ekonomisë në trevjeçarin rilindës, krahasuar me atë demokrat, është 12.1%. Një rritje kjo më se normale, natyrore, e importuar, duke konsideruar distancën 4-vjeçare mes dy trevjeçarëve dhe zbutjen e krizës në eurozonë këto tre vitet e fundit. Asnjë kontribut rilindës. Përkundrazi. Këtë çështje e kam trajtuar në një tjetër shkrim ndaj nuk po zgjatem: (http://www.syri.net/op-ed/30307/rili...e-burokratike/)

Po kaq, pra 12.1% apo rreth 84 miliard lekë është ndikimi i rritjes nominale të ekonomisë në rritje e të ardhurave fiskale. Ky faktor përfshin në vetvete edhe ndryshimin rezultant të çmimeve, rritjen e çmimeve për disa produkte apo rënien për disa të tjerë (si p.sh. çmimi i naftës) si edhe ndryshimet rezultante, uljen a ngritjen sasiore të flukseve të mallrave, shërbimeve, punës, kapitalit.

Rritja e ndjeshme e normës së disa taksave afërmendsh që ka patur kontribut të ndjeshëm e te drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave tatimore e doganore. Për ilustrim më poshtë jepen tre shembuj.

Rritja e taksës së qarkullimit aplikuar mbi sasitë e importuara të karburanteve në trevjeçarin 2014-2016, rreth 1,3 milion ton (pa llogaritur prodhimin vendas), ka sjellë mbi 30 miliard lekë të ardhura shtesë. Rritja e akcizës së cigareve aplikuar mbi importet 2014-2016, rreth 7815 ton (pa llogaritur prodhimin vendas), ka sjellë mbi 12 miliard lekë të ardhura shtesë. Rritja e tatimit të fitimit zbatuar mbi fitimin e deklaruar nga bizneset ne 2014-2016, rreth 504 miliard leke ka sjellë një tjetër shtesë të ardhurash fiskale prej mbi 25 miliard lekë. Gjithsej 67 miliard lekë. Ulja e të ardhurave nga ulja e çmimit të naftës në tregjet botërore, pakësimi i import të cigareve (për aq sa nuk është evazion) apo tkurrja e fitimit të bizneseve nën presion fiskal rilindës janë konsideruar një herë tek faktori i rritjes ekonomike nominale ndaj këtu s’ka pse të konsiderohen për të dytën herë.

Nëse konsiderojmë edhe efektet rritëse mbi të ardhurat nga rritja e disa taksave të tjera kombëtare e, këtyre i zbresim ndonjë ulje modeste të të ardhurave nga ulja e ndonjë norme taksimi, rezulton një efekt neto prej mbi 13 miliard lekësh të ardhura shtesë. Bashkë me tre taksat e sipërpërmendura efekti kalon shifrën 80 miliard lekë. Këtu nuk po konsideroj të ardhura të tjera tatimore si p.sh. lokale, që do ta bënte edhe më të lartë efektin shtesë.

Duke mbledhur efektet e veçanta të rritjes nominale të ekonomisë dhe të rritjes se normës së taksave, rritja e të ardhurave në trevjeçarin rilindës 2014-2016 kundrejt atij demokrat 2010-2012, vetëm nga këto dy faktorë, duhej të kishte qenë të paktën 164 miliard lekë dhe jo 97 miliard, apo 23.6% dhe jo 14.0%.

Diferenca prej 67 miliard lekësh me pak apo 9.6% më pak nga rritja e pritshme kërkon shpjegim dhe i vetmi që mbetet ëstë rënia me po kaq, pra me 9.6% e performancës së administratës doganore e tatimore me një dëm prej 67 miliard lekësh apo mbi 500 milion euro.

Kjo shifër është minimale dhe pjesore - vetëm administrimi fiskal qendror - por dhe kaq mjafton për të nxjerre në pah rënien dramatike të performancës doganore e tatimore, të shtetit në tërësi, me kosto të rëndë publike. Rilindësit thonë se po bëjnë shtet, por në fakt ... vaj me det ky shtet.

Gjithsesi, nëse rilindësit nuk e pranojnë rënien dramatike të performancës së administratës doganore e tatimore, të shtetit në tërësi, me kosto mbi 500 milion euro, mbetet të pranojnë se ekonomia nuk është rritur aq sa ç'thonë, pra kanë fryrë shifrat e rritjes ekonomike deri 500 milion euro.

Një nga dy faktorët, ose ekonomia ose performanca, si në enët komunikuese, duhet zvogëluar po aq sa ç'rritet tjetri. Përndryshe, pretendimi se ka rritje të njëkohshme të të dy faktorëve, dy suksese njëkohësisht, krijon paradoks.

Sa për shtesën neto të të ardhurave nga rritja neto e normës së taksave, ajo është aritmetikë e thjeshtë dhe aritmetika nuk është opinion.

Syri