Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,326
    Postimet në Bllog
    7

    Si do të bëhet verifikimi (vetingu) i gjykatësve dhe prokurorëve?

    Reforma në drejtësi parashikon një sërë masash për rivlerësimin dhe verifikimin e figurës të punonjësve të sistemit të drejtësisë. Ky proces është bërë i njohur si procesi i vetingut.

    Pse do bëhet rivlerësimi?

    Qëllimi i rivlerësimit është të garantojë që në sistemin e drejtësisë do të punojnë vetëm ata që janë të kualifikuar profesionalisht dhe kanë integritetin për të garantuar drejtësi të pavarur dhe të ndershme.

    Procesi synon të largojë nga sistemi të gjithë ata që do të vërtetohen se kanë vënë pasuri në mënyrë të korruptuar, kanë lidhje me krimin apo janë të paaftë profesionalisht.

    Kush do t’i nënshtrohet rivlerësimit?

    Do të vlerësohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve; ndihmësit e tyre ligjorë; si dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

    Kur do të bëhet rivlerësimi?

    Rivlerësimi do të fillojë menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe paketës ligjore në zbatim të tyre.

    Rivlerësimi i të gjithë subjekteve duhet të kryhet brenda një periudhe pesë vjeçare.

    Fillimisht do të vlerësohen, me një procedurë të posaçme, ata të cilët do të bëjnë vlerësimin e të tjerëve, pra anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Kolegjit të Apelimit (shih më poshtë), pastaj do të fillojë vlerësimi i të tjerëve.

    Kush do ta kryejë rivlerësimin?

    Rivlerësimi do kryhet nga dy institucione të posaçme që do të krijohen për herë të parë: a) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili do të bëjë vlerësimin; dhe b) Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese i cili do të shërbejë si organ për shqyrtimin e ankesave të vendimeve të Komisionit (shih më poshtë për shpjegimin e këtyre dy institucioneve).

    Çfarë përfshin rivlerësimi?

    Rivlerësimi do të përfshijë tre drejtime: vlerësimin e pasurisë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimin profesional.

    Vlerësimi i pasurisë

    Çdo subjekt do t’i nënshtrohet vetëdeklarimit dhe pastaj kontrollit të të gjitha pasurive të tij dhe të personave të lidhur me të (familjarëve direkt).

    Subjekti duhet të justifikojë pasuritë e tij mbi bazën e burimeve të ligjshme. Burime të ligjshme do të konsiderohen vetëm të ardhurat e deklaruara, për të cilat janë paguar taksat.

    Nëse pasuria e deklaruar apo zbuluar është më e madhe se dyfishi i të ardhurave të ligjshme, individi paramendohet fajtor dhe përjashtohet nga sistemi, nëse nuk arrin të vërtetojë të kundërtën.

    Kontrolli i figurës

    Çdo subjekt do të bëjë, fillimisht, vetëdeklarim për figurën e tij dhe pastaj do t’i nënshtrohet verifikimit të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

    Nëse verifikohen kontakte të tilla, individi paramendohet fajtor dhe shkarkohet menjëherë, nëse nuk arrin të vërtetojë të kundërtën.

    Vlerësimi i aftësive profesionale

    Çdo subjekt do t’i nënshtrohet vlerësimit të aftësive për të gjykuar (për të hetuar e ngritur akuzë në rastin e prokurorëve), aftësive organizative, etikës dhe cilësive personale, bazuar në standarde të parashikuara në ligj.

    Subjekti që do të vlerësohet se ka mangësi, të cilat nuk mund të korrigjohen përmes edukimit, do të shkarkohet menjëherë.

    Subjekti që vlerësohet se ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të cekëta, por që mund të përmirësohen, do të pezullohet dhe do t’i nënshtrohet një programi të detyruar një vjeçar edukimi.

    Si do të bëhet rivlerësimi?

    Hapi i parë është vetëdeklarimi i pasurisë, figurës dhe të dhënave profesionale nga subjekti që vlerësohet.

    Pastaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të verifikojë vetëdeklarimet, si dhe do të kryejë verifikime shtesë.

    Komisioni do të ketë akses në të gjithë informacionin që mbajnë institucionet publike pa asnjë kufizim (përjashto, informacionet e klasifikuara sekret shtetëror)—përfshi të dhënat tatimore, të dhënat e pasurive të patundshme, të dhënat e bizneseve, hyrje-daljet nga vendi, etj—si dhe të dhëna të tjera private, si të dhëna bankare, të dhëna private të biznesit, etj.

    Komisioni do të ketë të drejtë të intervistojë të gjithë personat që përfshihen në vetëdeklarimet e subjektit, si dhe persona të tjerë që sheh të arsyeshme.

    Komisioni ka të drejtë, gjithashtu, të urdhërojë individë dhe kompani t’i venë në dispozicion prova dhe informacione që ato kanë.

    Në procesin e vlerësimit barra e provës i takon subjektit që rivlerësohet—pra ai paramendohet fajtor për çdo dyshim dhe duhet të provojë vetë të kundërtën—në ndryshim, nga parimi i paramendimit të fajësisë që zbatohet për çdo qytetar.

    Roli i të huajve në procesin e rivlerësimit

    Procesi i rivlerësimit të punonjësve të sistemit të drejtësisë do të ndihmohet nga një mision i posaçëm ndërkombëtar, i quajtur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

    Qëllimi i ONM-së është kryesisht mbikqyrja e procesit të rivlerësimit, por edhe ndihma konkrete për Komisionin dhe Kolegjin përmes ofrimit të të dhënave, informacioneve dhe këshillimit.

    ONM-ja do të përbëhet nga vëzhgues nga vendet partnere të Shqipërisë—anëtare të NATO-s ose të BE-së— dhe do të drejtohet nga Komisioni Evropian.

    Vëzhguesit duhet të kenë përvojë të paktën 15 vjeçare si gjykatës ose prokurorë në vendet e tyre.

    Vëzhguesit e ONM-së do të monitorojnë gjithë procesin e rivlerësimit dhe do të kenë në dispozicion të gjithë informacionin dhe dokumentet që kanë Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.

    Dy detyrat kryesore të ONM-së do të jenë:

    Fillimisht, të ndihmojë në procesin e përzgjedhjes së atyre që do të bëjnë rivlerësimin e gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe subjekteve të tjera—duke i ofruar Avokatit të Popullit rekomandime për kandidatët për anëtarë të Komisionit të Kualifikimit, për gjyqtarë të Kolegjit të Apelimit dhe për Komisionerë Publikë;

    Pastaj, t’i ofrojë Komisionit të Kualifikimit të dhëna, gjetje, prova, fakte dhe mendime në procesin e verifikimit të lidhjeve apo kontakteve të subjekteve me njerëz të përfshirë ne krimin e organizuar—pra, praktikisht do të gjurmojnë lidhjet e subjekteve me krimin jashtë vendit dhe të dhëna të tjera të subjektit të cilat ekzistojnë në vende të tjera.

    Institucionet që do të bëjnë vlerësimin

    Procesi i rivlerësimit do të realizohet nga tre institucione të posaçme: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerët Publikë, dhe Kolegji i Apelimit. Ata do të ndihmohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, sikurse u shpjegua më sipër.

    Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

    Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të funksionojë si organ vlerësues-gjykues dhe do jetë i përbërë nga katër trupa të përhershme gjykuese me tre anëtarë secili.

    Anëtarët e Komisionit gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

    Komisionerët Publikë

    Pranë Komisionit do të veprojnë dy Komisionerë Publikë, të cilët do të përfaqësojnë interesin publik në procesin e verifikimit dhe do të kenë të drejtën të ankimojnë vendimet e Komisionit. Pra, në rast se komisioni vlerëson pozitivisht një gjyqtar a prokuror dhe Komisioneri Publik mendon se vendimi është i gabuar, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Kolegjin e Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

    Komisionerët gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

    Kolegji i Apelimit

    Kolegji i Apelimit do të jetë organi i vetëm dhe përfundimtar që do të shqyrtojë ankimet kundër vendimeve të Komisionit. Ai do të përbëhet nga shtatë gjyqtarë por do të vendosë në trupa gjykuese me vetëm pesë anëtarë.

    Anëtarët e Kolegjit gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

    Si do të zgjidhen anëtarët e Komisionit dhe Kolegjit?

    Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Komisionit, gjyqtarë në Kolegjin e Apelimit, si dhe të Komisionerit Publik do të organizohet nga Avokati i Popullit.

    Procesi do të jetë transparent, publik dhe i hapur për çdo kënd që dëshiron të aplikojë.

    Mbi bazën e aplikimeve të paraqitura, Avokati i Popullit do të hartojë një listë të kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret përzgjedhëse formale.

    Avokati i Popullit ia dërgon listën Kuvendit, së bashku me rekomandimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

    Kuvendi duhet t’i zgjedhë anëtarët e institucioneve të mësipërme me tre të pestat e votave të tij.

    Nëse Kuvendi nuk arrin t’i zgjedhë anëtarët brenda 30 ditësh, në ditën e 30-të, Presidenti do t’i përzgjedhë me short publik anëtarët, gjyqtarët dhe komisionerët publikë nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

    Si do të bëhet kontrolli i kontrollorëve?

    Anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, Komisionerët Publikë, si dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve do të jenë subjekt i kontrollit të vazhdueshëm.

    Kusht që ata të përzgjidhen është autorizimi me shkrim nga ana e tyre i kontrollit vjetor të pasurisë, kontrollit të vazhdueshëm të llogarive të tyre bankare, si dhe monitorimin e komunikimeve të tyre, përfshi telefonatat, emailet, mesazhet, etj.

    Deklaratat e pasurisë së tyre do të jenë publike.

    Exit.al

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,488

    Për: Si do të bëhet verifikimi (vetingu) i gjykatësve dhe prokurorëve?

    Sikur e ka shkruar Ilir Meta duket. Trasparenza dhe integrimi nuk mungojne.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •