Emri:  1484042710gianni.jpg

Shikime: 2066

Madhësia:  74.7 KB

FIFA ka marrë vendimin për të rritur numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin botëror, ku duke nisur nga 2026 nuk do të jenë më 32 skuadra, por 48.

Projekti i fushatës së Gianni Infantinos, tashmë është materializuar. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s mëngjesin e sotëm pas votimit në Zyrih të Zvicrës.

Numri i ndeshjeve të turneut më të rëndësishëm në rang kombëtaresh do të rritet nga 64 ndeshje në 80 të tilla. Në Botërorin e 2026, 48 kombëtare do të jenë të vendosura në 16 grupe me nga 3 secili. Në raundin tjetër do të kalojnë nga dy skuadra për çdo grup, e kjo nënkupton se skuadrave kombëtare i garantohen të paktën dy ndeshje në Botëror, ndërsa fituesi do të luajë 7 ndeshje.

Turneu do të përfundojë brenda 32 ditëve, një vendim i cili pritet të qetësojë klubet e mëdha evropiane, të cilët kundërshtuan fuqishëm këtë ndryshim.

Infantino ishte mbështetësi kryesor i këtij formati të ri të zgjeruar për t’i dhënë sa më shumë mundësi kombëtareve për të përjetuar gëzimin e Kupës së Botës. Sipas kreut të FIFA-s, ky format pritet të forcojë futbollin dhe ta rrisë atë në vendet e vogla.

Sipas FIFA, ky format i ri i Kupës së Botës me 48 skuadra sjell edhe një rritje të të ardhurave financiare të saj në 5.29 miliardë paund që do të thotë një rritje e fitimeve me rreth 521 milionë paund.

Kjo është hera e parë që nga viti 1998, që formati i kampionatit të Botërorit të futbollit pëson ndryshime.

/ Top Channel