Greqi, një lajm i mirë për të gjithë emigrantët: Leje qëndrimi biometrike nga prilli 2017

Emri:  greqia-turizmi-1.jpg

Shikime: 3735

Madhësia:  43.3 KB

Që nga prilli i 2017 në Greqi do të nisë procesi i pajisjes së emigrantëve me leje qëndrimi biometrikë. Ministri i Politikës së Emigracionit Janis Muzalas shpjegoi projektin e qeverisë greke.

Gjithë emigrantët në Greqi do të pajisen nga viti i ardhshëm me leje qëndrimi biometrike. Ky proces do të fillojë të vihet në zbatim në muajin Prill. Lajmi është bërë konfirmuar nga Ministri i Politikës së Emigracionit Janis Muzalas.

Gjatë një konference për shtyp dhe i pyetur nga gazetari i ABC News në Athinë Robert Goro, Muzalas dha detaje për këtë projekt. Me lejet e qëndrimit biometrike, do të pajisen gjithë emigrantët, gjatë rinovimit apo marrjes së lejes fillestare. Deri sa të vijë momenti i rinovimit, emigrantët do të mbajnë lejet ekzistuese, që janë të ngjitura në pasaportat e tyre.

Në fakt, pajisja e emigrantëve me leje biometrike, është një detyrim komunitar. Që Greqia duhej ta kishte përmbushur që në vitin 2011.

Por Ministri i Emigracionit, tha se kjo po bëhet për të modernizuar sistemin dhe e përshpejtuar procedurat, si dhe për të luftuar rastet e falsifikimeve.

Sipas ministrit Muzalas, pajisjet e nevojshme janë instaluar faktikisht në drejtoritë e emigracionit të administratës greke në të gjithë vendin.

Ministri komunikoi edhe një masë tjetër: Aplikimet për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme nuk do të bëhen më vetëm në Ministrinë e Brendshme, por në gjithë shërbimet përkatëse të prefekturave, apo periferive, siç quhen tashmë. Kjo masë konsiderohet si jashtëzakonisht favorizuese, pasi emigrantët nuk do të duhet më të shkojnë në Athinë, por do të aplikojnë në vendbanimin e tyre.

Nga kjo masë përfitojnë veçanërisht emigrantët shqiptarë, të cilët për shkak të krizës nuk kanë mundur të rinovojnë lejet e qëndrimit dhe rrezikonin të deportoheshin nga Greqia.

Koha Jone