Nga Kastriot Islami


Sipas të dhënave të QKR në vitin 2015 ishin rreth 170 mijë biznese të regjistruara. Prej të cilave 145 mijë ose 85 për qind e tyre janë sipërmarrje të vogla që sjellin vetëpunësim. Por çfarë ka ndodhur me barrën e tyre fiskale pse thënë më thjesht me rritjen e taksave ndaj tyre gjatë periudhës 2013-2017, pra gjatë qeverisjes së Rilindjes?

Në vitin 2014, taksat janë rritur në mënyrë të tillë që nga xhepat e 170 mijë taksapaguesve janë marrë 23 miliard lekë më shumë ose rreth 165 milion euro më shumë se në vitin 2013. Pra çdo biznes duhet të paguante mesatarisht rreth 1000 euro më shumë në vitin 2014 se ç’kishte paguar më parë. Kjo barrë e rritur në 2014 vazhdon edhe sot e kësaj dite sepse asnjë prej atyre taksave s’është hequr apo zvogëluar.

Në vitin 2015, taksat përsëri u rritën, dhe përveç barrës prej 23 miliard lekë ose rreth 120 milion euro nga shtimi i tyre në vitin 2014, u shtuan edhe taksat të tjera me një ndikim prej rreth 700 euro për çdo biznes më shumë në 2015 në krahasim me 2014. Pra në 2015, çdo biznesi i duhej të paguante më shumë se në 2013, rreth 1700 euro më shumë.

Kjo vazhdoi edhe në 2016 me 3 miliard lekë dhe në 2017 me 1 miliard lekë të tjera. Përmbledhtas në katër vitet e Rilindjes, barra fiskale është rritur me një efekt të tillë që nga xhepat e 170 mijë taksapaguesve janë zhvatur 147 miliard lekë më shumë se në 2013 ose rreth 1.1 miliard euro më shumë. Kjo do të thotë se gjatë katër viteve 2013-2017 çdo biznes ka paguar rreth 6500 euro më shumë se në 2013.

Pyetja është: Çfarë është bërë me paratë e zhvatura nga xhepat e 170 mijë bizneseve , shumë që arrin në vlerën 1.1 miliard euro? Po ti shtosh edhe shumën e borxhit që është rritur gjatë katër viteve të Rilindjes me vlerën 206 miliard lekë ose rreth 1.5 miliard euro për 3.5 milion shqiptarët? Ndërkohë që qeveria ka pasur në dispozicion 2.6 miliard euro më shumë, 1.1 miliard euro të marra nga xhepat e taksapaguesve dhe 1.5 miliard euro më shumë nga rritja e borxhit, të gjithë pyesin se “ku kanë vajtur këto para?”. Për më tepër që rrogat s’janë rritur. Pensionet s’janë rritur. Ndihma sociale s’është rritur.

Asistenca për papunësinë s’është rritur. Rrugë të reja, shkolla të reja, spitale të reja..s’janë ndërtuar. Dhe vetëm shpenzimet për makina luksoze, zyra përrallore, udhëtime me çartera, fjetje në hotele me pesë yje…janë rritur si asnjëherë në 25 vjet.